Fjalë të ndritura me dritën e sheriatit, të arsyes dhe të urtësisë

November 7, 2024

Ky rrugëtim që ke nisur për tek Allahu nuk duhet të mendohet se arrihet duke u lavdëruar nga njerëzit, apo duke marrë dëshmi lavdëruese nga dijetarët. Disa të mjerë mbledhin dëshmitë e dijetarëve që u kanë dhënë dhe i vendosin në faqet e internetit: “Ka dëshmuar për mua filani!” “Më lavdëroi filani!” “Më përmendi filani!” Kjo nuk të bën dobi tek Allahu dhe as nuk të rrit gradën tek Ai. Përkundrazi, kjo të ul në sytë e njerëzve të mençur. A ka ndonjë njeri të mençur që tani publikisht i shpërndan lavdërimet që i bëhen atij? Nuk mund të ketë! Njerëzit e mençur e përbuzin atë që vepron kështu.
Njeriu që erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Me të vërtetë lavdërimi im është bukuri, ndërsa kritikimi im është shëmti.” Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ai (që e bën këtë) është Allahu, lavdërimi i të Cilit të zbukuron dhe kritikimi i të Cilit të shëmton. Ai është Zoti i botëve.” Njerëzit mund të të lavdërojnë për një bidat (risi në fe) ose të të kritikojnë për sunetin (rrugën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ata mund të të ngritin në yje kur u jep diçka dhe të të groposin thellë në tokë kur ua ndalon. Nuk ka vend për të pritur ndonjë përfitim nga marrëdhënia me njerëzit. Duhet të humbasësh shpresën nga lavdërimet e tyre dhe mos t’u kushtosh rëndësi fjalëve që thonë.
Synimi yt duhet të jetë që të kënaqësh Zotin tënd mbi Arsh (fron). Lartësimi vjen nga Allahu mbi Arsh dhe jo nga krijesat që janë poshtë Arshit. Kur Allahu e do një rob, një thirrës në qiell thërret duke thënë: “Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju.” Kështu që banorët e qiellit e duan. Pastaj një thirrës në tokë thotë: “Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju.” Dhe atij i jepet pranimi tek njerëzit e tokës.
Ky pranim arrihet përmes sinqeritetit me Allahun dhe jo përmes lavdërimeve të njerëzve, jo përmes zbukurimit të fjalëve apo përmes nxitjeve nga minberët (vend-predikimet), përmes sulmeve dhe sharjeve ndaj udhëheqësve, ose përmes teprimeve në akuzimin e të tjerëve me bidate dhe kufër (mohim).
Sinqeriteti me Allahun është dituria që mësohet dhe përçohet, që zbatohet në namaz, në agjërim dhe adhurim, dhe që përçohet tek njerëzit me mëshirë. Siç ka thënë shejhul Islam Ibën Tejmije: “Njerëzit e sunetit janë më të diturit për të vërtetën dhe më të mëshirshmit ndaj krijesave.” Kështu duhet të jenë edhe nxënësit e dijes, të kujdesen për këtë çështje të madhe e cila i kërkohet çdo personi që posedon ambicie të lartë.

Pra kërkimi dhe thellimi në diturinë fetare me sinqeritet dhe përçimin e saj me ndershmëri, dhe duke mos bërë lajka në fenë e Allahut. Jo duke ngritur dikë dhe duke poshtëruar dikë tjetër; jo duke lavdëruar dikë dhe as duke sharë dikë tjetër. Lavdërojmë atë që e ka lavdëruar Allahu dhe përçmojmë atë që e ka përçmuar Allahu. I duam ata që i do Allahu dhe i urrejmë ata që janë armiq të Allahut. Ndërsa të papunët që nxitojnë të shpifin, të përgojojnë dhe të thurin intriga, këta i urrejmë për shkak të cilësive të tyre negative.
I duam njerëzit e ndershëm dhe të drejtë, njerëzit e namazit dhe të adhurimit. I duam për cilësitë e mira dhe i përçmojmë për cilësitë e këqija që kanë. Ne miqësohemi me njerëzit për bindjen që kanë ndaj Allahut dhe i urrejmë për mëkatet që bëjnë. Nuk lartësojmë askënd sepse qëndron afër nesh dhe nuk largojmë dikë tjetër sepse nuk prezanton në mësimet tona. Duhet të jemi të sinqertë, të pranojmë atë që është e drejtë dhe të refuzojmë atë që është e gabuar. Nuk duhet të jemi të njëanshëm ndaj ndonjë shkolle mendimi, dijetari, vendi apo rrace. Të gjithë njerëzit janë nga Ademi dhe Ademi është nga dheu. Nuk ka përparësi një arab mbi një joarab përveçse përmes devotshmërisë.
Ne i duam ata që e praktikojnë fenë dhe i urrejmë ata që e kundërshtojnë atë, edhe nëse janë të afërmit tanë më të ngushtë. Ky është bereqeti që këta dijetarë kanë arritur dhe biografitë e tyre e tregojnë më së miri këtë. Ata e arritën këtë bereqet fillimisht nga Allahu, pastaj si rezultat i ndjekjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ashtu siç ishte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i begatë, ky bekim do t’i prekë edhe ata që ndjekin udhëzimin e tij. Ata do ta ndiejnë këtë bekim në veten e tyre, në jetën e tyre, në pasurinë e tyre, në familjet dhe në të gjitha aspektet e jetës së tyre.

 

Autor: Ibrahim er Ruhajli

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...