Floktorja e vajzës së Faraonit

December 14, 2022

Shumë prej nesh mendojnë se janë bërë muslimanë të devotshëm dhe besimtarë të mirëfilltë vetëm përmes përmbushjes së detyrave të caktuara nga Zoti! Ka njerëz që japin tri monedha lëmoshë dhe ngrenë duart drejt qiellit, duke thënë: “O Zot, mos m’i humb shpresat nga Ti!” Ka nga ata që e paguajnë zekatin e pasurisë që e kanë për detyrë, për të kërkuar nga Zoti pallatin e bardhë në Xhenetin e Firdeusit! Dikush prej nesh ngrihet një natë të vetme për tu falur dhe beson  se Zoti do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet pranë të Dërguarit të Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të! Në mesin e njerëzve ka nga ata që shkojnë për të thirrur në rrugën e Zotit, e nëse refuzohen që në herën e parë ngrenë duart drejt qiellit për të thënë: “O Zot, dëshmo që unë e përcolla mesazhin!’’ Ka predikues të cilët nëse i fyejnë ose i tallin një herë të vetme, kthehen të pikëlluar dhe thonë: “O Zot, të ankohem për dobësinë time, mungesën e shkathtësisë sime dhe poshtërimin e njerëzve ndaj meje!” Kështu ata mendojnë se me këtë që kanë bërë kanë arritur gradën e misionarëve të sinqertë dhe të dëshmorëve!!! Besimi i vërtetë është shumë më i madh se kaq. Por ç’është e vërteta, nëse nuk jeni sprovuar atëherë dijeni se nuk keni arritur në shkallën e besimit të vërtetë.

‘’Elif, Lam, Mim. A menduan njerëzit të thonë: Ne kemi besuar, – e të mos vihen në sprovë? Ne i sprovuam ata që shin para tyre ashtu që Allahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën do t’i dallojë gënjeshtarët. A mos menduan ata që bëjnë vepra të këqija (krime) se do të na shpëtojnë (tu ikin dënimeve)? Sa i shëmtuar është gjykimi i tyre! E kush shpreson takimin (shpërblimin) e Allahut s’ka dyshim se afati i Allahut do të vijë patjetër. Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi. E kush lufton (përpiqet për të mirë) ai bën luftë për vete, se Allahu vërtet nuk ka nevojë për askënd në tërë botën.’’ | Ankebut: 1-6 |

Një ndër ata të cilët përfshihen në fjalët e Allahut të Madhëruar: “Ne i sprovuam ata që ishin para tyre’’, ishte dhe një zonjë e nderuar e cila jetoi në kohën e Musait paqja qoftë mbi të. Kjo zonjë jo vetëm që u sprovua nga Allahu por ajo u sprovua nga Ai përmes njeriut më të neveritshëm dhe më të poshtër  në histori, përmes Faraonit. E kemi fjalën për floktoren e bijës së Faraonit e cila ishte një grua e drejtë që jetonte me burrin e saj nën sundimin e Faraonit. Burri i saj ishte i afërt me Faraonin, ndërsa ajo shërbente si floktore për vajzat e tij.

Allahu i nderoi ata me fenë islame, por shumë shpejt Faraoni mësoi për konvertimin e burrit të saj në Islam dhe e vrau atë menjëherë. Ndërsa ajo e mbajti të fshehtë konvertimin e saj në Islam dhe vazhdoi të punojë në pallatin e Faraonit, duke krehur vajzat e tij dhe duke punuar për pesë fëmijët e saj. Një ditë ndërsa ajo ishte duke krehur të bijën e Faraonit i ra krehri nga dora, dhe si  besimtare që ishte ajo e mori atë nga dyshmeja dhe tha: “Në emër të Zotit.” E bija e Faraonit tha: Zoti është babai im! Floktorja i tha vajzës së Faraonit me zë të lartë: “Jo, Zoti im dhe Zoti yt dhe i babait tënd është Allahu!” Kështu kriminelja vajza e kriminelit shkoi te babai i saj t’i tregonte për atë që kishte dëgjuar nga floktorja e saj.

Faraoni i xhindosur për praninë e dikujt që adhuronte Allahun në pallatin e tij, e thirri atë dhe i tha: “Kush është Zoti yt?” Ajo tha: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Faraoni e urdhëroi të hiqte dorë nga feja e saj përndryshe ai do ta burgoste ​​dhe do ta torturonte, por kjo heroinë nuk pranoi të braktiste Islamin. Faraoni urdhëroi të mbushnin një enë prej bakri me vaj dhe ta linin të ziente derisa të vlonte. Pastaj i tha të qëndronte para enës. Ajo e pa enën që ishte përgatitur për ta torturuar dhe u nis drejt saj, por Faraoni e dinte që pesë fëmijët e saj ishin njerëzit më të shtrenjtë për të cilët ajo kujdesej e vetme pas vdekjes së babait të tyre. Kështu që ky kriminel vendosi t’ia shtonte asaj torturën dhe urdhëroi të sillnin fëmijët e saj në dhomën e torturës faraonike. Kur panë nënën e tyre ata e shtrënguan atë duke qarë. Ajo u përkul duke i puthur dhe duke i përqafuar. Pastaj mori më të voglin prej tyre për t’i dhënë gji.

Faraoni urdhëroi të merrej më i madhi dhe të hidhej në enën me vaj të valuar. Menjëherë ushtarët e morën dhe e tërhoqën zvarrë drejt vajit të valuar, ndërsa ai thërriste nënën e tij dhe kërkonte mëshirë nga ushtarët dhe nga Faraoni, duke u orvatur të shpëtonte dhe të ikte nga duart e tyre. Por ushtarët e godisnin dhe e shtynin drejt vajit të valuar. Ndërsa nëna e shikonte duke i dhënë lamtumirën me sytë që i rridhnin lot dhe gojën që ishte e pafuqishme për të folur. Sa hap e mbyll sytë ata e hodhën djalin në vajin e valuar, ndërsa nëna qante kur shihte djalin e saj duke u përvëluar. Faraoni qeshte me të madhe ndërsa vëllezërit e tij mbulonin sytë me duart e tyre të vogla për të mos parë skenën e tmerrshme. Pas pak trupi i tij i dobët u tret dhe dhëmbët e tij të bardhë dolën mbi vajin e nxehtë. Sakaq, Faraoni i kërkoi dhe njëherë tjetër të hiqte dorë nga besimi i saj dhe ai do t’ua falte jetën të tjerëve. Por kjo heroinë refuzoi dhe kjo gjë ia shtoi edhe më shumë zemërimin  Faraonit. Atëherë ai urdhëroi që të hidhnin fëmijën e dytë. Ata e tërhoqën atë prej nënës së tij ndërkohë ai qante dhe ulërinte, dhe sa hap e mbyll sytë e hodhën në vajin e valuar ndërsa nëna shikonte duke qarë.

Nuk kaloi gjatë dhe kockat e tij dolën mbi vaj duke u bashkuar  me kockat e të vëllait. Kjo skenë e tmerrshme ia shtoi edhe më shumë qëndrueshmërinë nënës në fenë islame. Më pas ata vepruan të njëjtën gjë me të tretin dhe të katërtin. Nuk kaloi gjatë dhe zërat e tyre u shuan dhe trupat iu tretën në vaj. Pastaj ata i rrëmbyen fëmijën e pestë foshnje. Ai nisi të ulërinte dhe lotët e tij mbulonin duart e nënës. Këtu, kjo nënë për pak sa nuk u tërhoq për hir të foshnjes së saj të pafajshme. Por ndodhi diçka që nuk ka ngjarë në historinë e njerëzimit vetëm se katër herë. Foshnja foli dhe tha: ‘’Duro nënë, sepse e vërteta është me ty!’’ Sakaq zëri i tij u shua pasi e hodhën në vajin e valuar ku eshtrat e tij u bashkuan me eshtrat e katër vëllezërve të tij. Ja eshtrat e tyre që dukeshin mbi vaj dhe mishi i tyre i tretur në vaj. Nëna e gjorë i vështronte eshtrat e vockla dhe i kujtoheshin fëmijët e saj të vegjël që loznin para saj.

Pastaj kriminelët u vërsulën drejt saj si qenër të tërbuar, por para se ta hidhnin në vaj ajo iu drejtua Faraonit dhe i tha: Kam një kërkesë! Ai i tha: çfarë kërkese ke? Ajo i tha: ‘’Të mi mbledhësh eshtrat e mia dhe të fëmijëve të mi dhe të na groposësh në një varr të njëjtë!’’ Ai i tha: Pranohet. Sakaq atë e hodhën në vajin e valuar dhe ajo ra martire në rrugën e Allahut, ndërsa eshtrat e saj u bashkuan me eshtrat e të vegjëlve të saj! (Këtë ngjarje në mënyrë të shkurtuar e ka përcjellë imam Ahmedi me nr. 2821.)

Shumë vite më vonë, ndërsa i Dërguari i Allahut ishte me Xhibrilin natën e Israsë dhe Miraxhit, ai ndjeu një aromë të këndshme dhe  e pyeti  Xhibrilin: “Ç’është kjo aromë e mirë o Xhibril?” Xhibrili iu përgjigj: “Është aroma e floktores së Faraonit dhe fëmijëve të saj.’’ (Ahmedi me nr. 2821.)

 

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

Loading...