Transmetohet nga Abdullah bin Umer (radijAllahu anhuma) se ka thënë: Telbija e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka qenë: “Lebbejke Allahumme lebbejke. Lebbejke la sherike leke lebbejke. Innel hamde uen niamete leke uel mulk, la sherike leke – Të përgjigjem Ty o Zoti im! Të përgjigjem Ty! I përgjigjem thirrjes Tënde dhe Ti nuk ke shok, të përgjigjem Ty! Me të vërtetë falënderimi dhe mirësia e gjitha të takon Ty, po kështu edhe sundimi. Ti je i Pashoq!”
Ndërsa Abdullahi bin Umeri shtonte mbi këtë dhe thoshte: “Lebbejke, lebbejke ue seadejke, uel khajru bijedejke, uer rugbaau ilejke uel amelu – Të përgjigjem Ty! Të përgjigjem e të përgjërohem! E mira është e gjitha në Dorën Tënde dhe tek Ti është ajo që kërkojmë, edhe vepra (jonë).” Muttefekun alejhi.
Abdul Haki në “El-Xhem’u bejne es-Sahijhan” (2/99/1838) thotë: Buhariu nuk e ka përmendur shtesën e Umerit dhe as të Ibën Umerit.
Ez-Zerkeshi thotë: Ndërsa Ibën Umeri shtonte mbi këtë (telbijen): “Lebbejke, lebbejke ue seadejke…” – se këtë shtesë nuk e ka nxjerrë Buhariu por vetëm Muslimi.
Ibën el-Mulekin në “El-Ialam” (6/55) në lidhje me; “Ndërsa Abdullah bin Umeri shtonte mbi këtë dhe thoshte…” – deri në fund, thotë: Këtë shtesë nuk e kam parë te Buhariu por gjendet te Muslimi.
Jurisprudenca e hadithit:
- Ligjshmëria e telbijes për muhrimin, qoftë për kryerjen e haxhit apo të umres.
- Pëlqyeshmëria e thënies së telbijes së Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
- Lejimi i thënies së ndonjë forme tjetër të telbijes e cila nuk transmetohet nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
- Vlera e kësaj telbije (të Profetit) e cila përmbledh:
-përgjigjen ndaj Allahut,
-njësimin e Tij,
-distancimin nga shirku,
-falënderimin (ndaj Allahut),
-njohja e mirësive të Allahut (ndaj robëve të Tij),
-sundimi i përket vetëm Atij,
-dhe se Allahu është Një e i Pashoq.
- Derisa telbija është prej simboleve të haxhit, atëherë duhet të ngrihet zëri gjatë thënies së saj dhe të shpeshtohet thënia e saj.
Kundërshtimet e dijetarëve:
Dijetarët kanë rënë dakort për ligjshmërinë e thënies së telbijes në haxh dhe umre sepse ajo është prej shenjave dhe simboleve të tyre. Por ata janë kundërshtuar a është shtyllë apo detyrë (vaxhib), apo është sunet i pëlqyeshëm?
Më e sakta është se telbija është detyrë (vaxhib). Ajo është prej simboleve të haxhit të cilën i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk e ka lënë asnjëherë. Ajo futet tek rituali për të cilin Profeti ka thënë: “Merrni prej meje ritualin tuaj të haxhit.”
Saktësohet se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Më erdhi Xhibrili dhe më urdhëroi që t’i urdhëroj shokët e mi ta ngrejnë zërin e tyre në thënien e telbijes.” Dhe nga urdhëri këtu përftohet obligueshmëria.
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
Dosje: Haxhi
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve