Frytet e studimit të historisë profetike – pjesa e parë –

May 26, 2017

Kush është dobia e studimit të historisë profetike dhe historisë së shokëve të tij të ndershëm?

Dobitë e studimit të historisë profetike dhe historisë së sahabëve janë të shumta.

Dobia e parë: Njohja e shkaqeve të zbritjes së shumë ajeteve të Kuranit dhe të haditheve profetike. Kjo çon në kuptimin e tyre, kuptimin e asaj që rrjedh prej këtyre shkaqeve dhe përjetimin e ngjarjeve që përmenden në to.

Për shembull thënia e Allahut: “Ka nga  njerëzit që për hir të Allahut e flijon vetveten. Allahu është shumë i Mëshirshëm për robërit e Vet.”

Kanë thënë: Ky ajet ka zbritur për Suhejb er Rumin në kohën kur donte të shpërngulej nga Meka për në Medine. Atë e ndoqën një grup nga kurejshët dhe i thanë: Na ke ardhur i varfër dhe i mjerë dhe pasuria t’u shtua tek ne. Arrite atë që arrite dhe tani po ikën bashkë me pasurinë tënde!? Pasha Allahun, kjo s’mund të ndodhë.

Ai zbriti nga kafsha e udhëtimit dhe nxorri atë që kishte në trastën e tij, pastaj tha: O ju kurejshë! Ju e dini se unë jam nga shigjetarët më të mirë. Pasha Allahun, nuk do të më arrini derisa t’i gjuaj të gjitha shigjetat që kam në trastën time, e pastaj t’u gjuaj me shpatë derisa në dorën time të mos mbetet asgjë. Bëni çfarë të doni. Nëse dëshironi mund t’ju orientoj për tek pasuria ime me kusht që të më lejoni të vazhdoj rrugën. Ata i thanë: Po, na trego.

Kur mbërriti tek Profeti alejhi selam ai i tha: Fitoi tregtia o Ebu Jahja, fitoi tregtia. Për këtë ndodhi zbriti ajeti: “Ka nga njerëzit që për hir të Allahut e flijon vetveten. Allahu është shumë i mëshirshëm për robërit e Vet.” [1] [2]

Shumica mendojnë se ky ajet ka zbritur për çdo luftëtar në rrugë të Allahut, siç ka thënë i Madhëruari: “Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasuritë e tyre me Xhenet. Luftojnë në rrugën e Allahut, mbysin dhe mbyten. (Allahu dha) Premtim të cilin e vërtetoi në Teurat, Inxhil e Kuran. E kush është më zbatues i sigurt i premtimit të vet se Allahu? Pra, gëzojuni tregtisë që bëtë me Të. Ky është suksesi i madh.”[3]

Dobia e dytë: Njohja e rrugës që të çon tek kënaqësia e Allahut dhe Xheneti pasqyrohet si vijon. E para: Në adhurimin e Allahut të Vetëm dhe distancimin nga shirku (idhujtaria). E dyta: Në ndjekien vetëm të Profetit alejhi selam dhe distancimin nga risitë dhe bestytnitë.

E treta: Ndjekien e rrugës së sahabëve të ndershëm dhe distancimin nga rrugët e djallit.

Sahabët na kanë lënë shembullin më të lartë në adhurimin që i bënin Allahut dhe në pasimin që i bënin Profetit alejhi selam. Kanë ardhur argumente në Kuran dhe në sunet që i urdhëron muslimanët të ndjekin metodologjinë e sahabëve, sepse ata janë popull me të cilët Allahu qe i kënaqur dhe ata ishin të kënaqur me Të.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve dhe prej atyre që i pasuan me punë të mira, dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij.” [4] Gjithashtu thotë: “Kush i kundërvihet të dërguarit pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur dhe e fusim në xhehenem. Përfundim i keq është ai.” [5]

Profeti, alejhi salatu ues selam, ka thënë: “Umeti im do të ndahet në 73 grupe. Të gjitha janë në zjarr përveç njërit (grup). Thanë: Kush janë ata o i dërguar i Allahut? Tha: Ajo rrugë në të cilën jam unë dhe shokët e mi.” [6]

Dhe thotë: “Ai që do të jetojë prej jush do të vërejë shumë përçarje (konflikte). U porosis t’i përmbaheni (ndjekni) sunetit tim, rrugës time dhe rrugës së prijësve të drejtë e të udhëzuar. Kapuni fort për to me dhëmballë.”[7]

Kur studiojmë historinë e Profetit alejhi selam dhe të shokëve të tij, na bëhet e qartë rruga që të çon në kënaqësinë e Allahut dhe në Xhenet.

Dobia e tretë: Muslimanët duhet të dinë nga të nisen dhe si të fillojnë. Profeti alejhi selam u dërgua tek njerëzit në një kohë që ata ishin në humbje të qartë; adhuronin idhujt dhe hanin të ngordhurat, vepronin gjëra të turpshme, nuk mbanin lidhjet farefisnore, i forti i bënte padrejtësi të dobëtit dhe pinin verën.  Nga e filloi Profeti alejhi selam thirrjen e tij në këtë lloj shoqërie e cila ishte e zhytur në humbje? A e filloi duke u ballafaquar me armë, duke shpallur luftë, shkatërrim, t’u bënte terror jobesimtarëve në Mekë? Përgjigja është: Jo.

A filloi të hynte në parlamente dhe në arritjen e posteve të larta nëpër qytete që t’u përcillte Islamin atyre? Përgjigja: Jo. A filloi me ngritjen e flamurit të xhihadit (luftës) që të çlironte tokën nga duart e persëve dhe romakëve? Përgjigja: Jo. A filloi me revolucion për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe sociale? Përgjigja: Jo.

Ai filloi me thirrjen e njerëzve në besimin e saktë, me fjalën “La Ilahe ila Allah – Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut”. Kjo është thirrja e të gjithë profetëve para tij. Çdo  profet i tha popullit të tij: “O populli im adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij.” Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni.” Dhe thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni idhujve (djajve).” [8]

Shikoni gjendjen e Islamit në këto ditë kur një grup prej muslimanëve menduan se sulmet e armatosura të cilat luftojnë kundër të kotës janë rruga e drejtë. Ata filluan me vrasje, atentate dhe shpërthime ndaj muslimanëve dhe ndaj jomuslimanëve. Prej tyre pati që i konsideruan qafira baballarët dhe nënat e tyre dhe lejuan gjakderdhjen (vrajsen) e tyre. Pasi i vepruan të gjitha këto, arritën në një rrugë të bllokuar dhe humbën frytet dhe mundin.

Ndërsa një grup tjetër menduan se rruga e vetme për krijimin e shtetit Islam është hyrja nëpër parlamente dhe kuvende popullore, dhe arritja e posteve të larta të vendit. Nëpërmjet kësaj ata mendojnë se i shërbejnë Islamit. Prej tyre pati që i arritën këto poste por nuk pamë tek ata që të paraqisnin ndonjë shërbim për Islamin apo muslimanët. Ata paraqitën vetëm shërbim për partitë e tyre, mblodhën pasuri dhe arritën pozita.

Cila është rruga? Rruga është rruga e Profetit alejhi selam, thirrja e njerëzve për tek besimi i drejtë. Sa prej muslimanëve i bëjnë ortak Allahut? Sa prej muslimanëve bëjnë tauaf tek varret? Sa prej muslimanëve u luten të tjerëve veç Allahut? Sa prej muslimanëve presin (therin kurban) jo për Allahun?

Pra, patjetër duhet të fillojmë së pari me thirrjen e njerëzve në besimin e drejtë. Nëse populli kthehet tek Zoti, tek tradita e Profetit të tyre dhe në metodologjinë e sahabëve, me këtë do të ndryshojnë gjendjen e tyre.

Prej ligjeve të Zotit të cilat nuk ndryshojnë dhe nuk tjetërsohen është edhe: “Me të vërtetë, Allahu nuk e ndërron gjendjen e një populli derisa ata të ndërrojnë atë që gjendet në vetet e tyre.” Patjetër duhet që ndryshimi të fillojë nga ne, ashtu siç na ka lajmëruar i dërguari i Allahut alejhi selam kur thotë: “Kur të tregtoni me një prej llojeve të kamatës, të shkoni pas blegtorisë, të kënaqeni me bujqësinë, kur të lini luftën në rrugë të Zotit, Allahu do të vendosë mbi ju poshtërimin dhe s’do ta largojë atë derisa t’i ktheheni fesë tuaj.”[9]

I Madhëruari ka thënë: “Nëse ju e ndihmoni (fenë) Allahun Ai u ndihmon juve.”[10]  Dhe thotë: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë, ashtu si i pati bërë ata që ishin para tyre. Dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta do t’a forcojë e në vend të frikës do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë.”[11]

 

Marrë nga libri: “Subulus selam fi sirati hajril Enam”.

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha

————————————————–

[1] Suretu El Bekare: 207.

[2] Hadithi është i saktë. E përcjell Ibn Seadi në “Tabakat el Kubra” 3/228, Hakimi në “Mustedrek” 3/398 dhe pasi e përmendi tha: Hadithi është i saktë sipas kushteve të Muslimit, edhe pse nuk e kanë transmetuar në librat e tyre. Për më tepër shih librin “Shkaqet e zbritjes së ajeteve” të Uahidiut fq. 39, “Fikhu sirah” fq. 166, dhe shënimet e shejhut tonë Albanit Allahu e mëshiroftë.

[3] Suretu Et Teube: 111.

[4] Suretu Et Teube: 100.

[5] Suretu En Nisa: 115.

[6] “Sahih el Xhami” me nr. 2519.

[7] “Sahih Tirmidhi” me nr. 2157, “Sahih Ibën Maxheh” me nr. 42, “Rijad es Salihin” me nr. 161, 175, 707 me saktësimin e Albanit.

[8] Suretu En Nahl: 36.

[9] “Vargu i haditheve të sakta” me nr. 11, dhe “Sahih el Xhami” me nr. 416.

[10] Suretu Muhamed: 7.

[11] Suretu Nur: 55.

Loading...