Gjashtë pika të rëndësishme në lidhje me muajin Shaban

April 29, 2018

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: O muslimanë! Ne gjendemi në muajin Shaban prandaj do të flasim rreth këtij muaji duke e përmbledhur fjalën tonë në gjashtë pika. Kjo në mënyrë që të sqarojmë atë që kemi për detyrë të sqarojmë. Lusim Allahun e Lartësuar të na furnizojë neve dhe juve me dije të dobishme dhe vepra të mira!

Pika e parë: Agjërimi i muajit Shaban. A dallohet muaji Shaban me agjërim nga muajt e tjerë? Përgjigja: Po. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e shtonte agjërimin në këtë muaj, derisa pothuajse e agjëronte të gjithë atë përpos disa ditëve.

Bazuar në këtë (themi se) prej Sunetit është që njeriu t’a shtojë agjërimin në muajin Shaban, duke ndjekur në këtë vepër të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Pika e dytë: Agjërimi i mesit të muajit Shaban, pra agjërimi në veçanti i ditës së 15 të tij. Në lidhje me këtë transmetohen disa hadithe daife (të dobëta) që nuk saktësohen nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kështu që nuk punohet me to (hadithe). Për çdo gjë që nuk saktësohet nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk i lejohet njeriut që bazuar në to të adhurojë Allahun. Nisur nga kjo nuk saktësohet agjërimi i ditës së mesit të muajit Shaban (ditës së 15) sepse një gjë e tillë nuk transmetohet nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e përderisa nuk transmetohet atëherë konsiderohet bidat.

Pika e tretë: Vlera e natës së 15 të muajit Shaban. Në lidhje me të transmetohen disa hadithe daife (të dobëta) që nuk saktësohen nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Prandaj nata e 15 e muajit Shaban është e njëjtë si nata e 15 e muajit Rexheb, apo e muajit Rabia, apo e muajit Xhumade, apo si muajt e tjerë. Kjo natë nuk veçohet me asgjë, sepse ajo natë është njësoj si netët e tjera. Hadithet e transmetuara në lidhje me të janë daife.

Pika e katërt: Veçimi i natës së saj me namaz. Kjo vepër konsiderohet bidat sepse nuk transmetohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ai e veçonte këtë natë me namaz. Përkundrazi, ajo natë është njësoj si netët e tjera. Nëse njeriu e ka traditë të falet natën, atëherë le të ngrihet në këtë natë dhe të falet ashtu siç falet netët e tjera. E nëse ai nuk e ka traditë të falet natën, atëherë nuk duhet t’a veçojë natën e 15 të muajit Shaban me namaz nate ngase një vepër e tillë nuk transmetohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Disa njerëz shkojnë më larg se kaq duke e veçuar këtë natë me faljen e disa rekateve të caktuara, gjë e cila nuk transmetohet nga Profeti. Pra dalim në konkluzion se natën e 15 të muajit Shaban nuk e veçojmë me namaz.

Pika e pestë: A caktohen në këtë natë ato që do ndodhin përgjatë vitit?  Jo sepse nuk është nata e kadrit. Nata e Kadrit gjendet në Ramazan dhe për të Allahu thotë: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ku e di ti se çfarë është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.”

Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin është shpallur (zbritur) Kurani.

Bazuar në këto argumente bëhet e qartë se nata e Kadrit gjendet në Ramazan, sepse ajo është natë në të cilën Allahu ka zbritur Kuranin ndërsa Kurani ka zbritur në muajin e Ramazanit. Pra, nata e Kadrit është në Ramazan dhe në asnjë prej muajve të tjerë. Prej këtyre netëve është edhe nata e 15 e muajit Shaban e ajo nuk është nata e Kadrit. Në këtë natë nuk caktohet asgjë prej çështjeve që do ndodhin në atë vit por ajo është njësoj si netët e tjera.

Pika e gjashtë: Përgatitja e ushqimit në ditën e 15 të muajit Shaban. Disa njerëz përgatisin ushqim në ditën e 15 të muajit Shaban dhe ua shpërndajnë të varfërve, dhe thonë: Kjo është darka e nënës, kjo e babait, ose kjo darka është e dy prindërve.

Ky veprim konsiderohet bidat sepse nuk transmetohet nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe as nga sahabët (radijAllahu anhum).

 

Shkëputur nga një prej hutbeve të shejh Ibën Uthejminit (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Unejs Sheme

 

Loading...