Gjykimi i betimeve kur kërkon

January 18, 2020

Gjykimi i betimeve kur kërkon

Këto betime janë kur kërkon dikush me betimin e tij në Zot një veprim nga një tjetër, p.sh.: Pasha Allahun, do vish tek unë sot! Apo: Pasha Allahun, do hamë drekë bashkë!

Zbatimi i këtyre betimeve varet nga përgjigjja e tjetrit, dhe Profeti – alejhi selam – në lidhje me këtë çështje ka thënë siç tregon El-Bera bin Azib (radiallahu anhu): “Na ka porositur Profeti – alejhi selam – për shtatë gjëra; ndjekjen e xhenazes, vizitën e të sëmurit, përgjigjen e ftesës, ndihmën e atij që i është bërë padrejtësi, përmbushjen e betimit të tjetrit dhe duanë për atë që teshtin.[1]

Njëra prej këtyre porosive është pikërisht përmbushja e betimit të tjetrit dhe ky është një moral i lartë profetik. Imam El-Khatabi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë hadith thotë: Përmbushja e betimit të tjetrit është e pëlqyeshme. Nëse dikush i betohet dikujt për një punë e cila nuk është e keqe dhe as nuk e rëndon atë, atëherë ai duhet t’ia përmbushë atij betimin dhe kjo është prej moraleve të larta. [2]

Ky lloj betimi nëse nuk përmbushet nga tjetri duhet të shlyhet nga ai i cili është betuar, sepse betimi është i tiji dhe jo i tjetrit pavarësisht se varet nga puna e tjetrit. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – mendon se ky betim duhet të shlyhet vetëm në rastin kur ai betohet dhe e di se tjetri nuk do t’i bindet. Nëse mendon se tjetri do t’i bindet dhe pastaj ndodh e kundërta, atëherë ai nuk ka përgjegjësi për betimin e tij sepse e ka menduar atë gabim, dhe veprimi i tij në këtë rast është si betimet e paqëllimta.[3]

Është dhe një shprehje tjetër e ngjashme me shprehjet e lartpërmendura por që nuk konsiderohet betim. Ajo është shprehja: Pash Allahun, ma bëj këtë nder! Apo: Pash Allahun, ma jep atë gjë! Kjo shprehje edhe pse i ngjan atyre që u përmendën më lartë nuk është betim por vetëm kërkesë në emër të Allahut. Është si shprehja: Për hir të Allahut, ma jep atë gjë! Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: Shprehja: Të kërkoj për hir të Allahut t’a bësh këtë gjë’ është lutje dhe jo betim. Ajo është përmendur në hadith «Kush u kërkon një gjë për hir të Allahut, jepjani atë!»[4] Pra nuk kërkohet për të shlyerje nëse tjetri nuk i përgjigjet kërkesës së tij.[5]

[1] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[2] Shih librin e autorit me titull “Sherh Sahih El-Buhari”: 3/238.

[3] Shih fjalët e autorit në librin me titull “Mexhmu El-Fetaua”: 33/209.

[4] E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ahmedi etj. dhe e saktëson shejh Albani.

[5] Shih fjalët e autorit në librin me titull “Mexhmu El-Fetaua”: 1/206.

Loading...