Gjykimi i Islamit për 8 marsin “festën e nënës”

March 7, 2015

Dëgjova atë që kishte shpërndarë gazeta “En-Nedueh” në numrin e saj me datë 30/11/1384 hixhri, me titull: “Nderimi i nënës . . . dhe nderimi i familjes”, dhe vura re se autori kishte marrë disa nga gjërat që i kanë shpikur perëndimorët, të cilët kanë veçuar një ditë prej vitit për të festuar për nënën. Aty përmendi diçka që e kanë anashkaluar mendimtarët të cilët e kanë shpikur këtë festë, e cila është gjendja e fëmijëve që nuk e kanë nënën, mjerimin e tyre dhe trishtimin kur shikojnë sesi fëmijët e tjerë festojnë festën e nënës. Ai solli si ide që të festonte e gjithë familja dhe e arsyetoi se përse Islami nuk e ka konsideruar këtë festë. Islami e ka bërë të obligueshme nderimin e nënës dhe mirësjelljen ndaj saj në çdo kohë, ndaj nuk është e nevojshme që të veçohet një ditë e vitit ku të nderohej nëna.

Autori pati të drejtë kur solli këtë arsyetim për Islamin dhe kur tregoi të këqijat që ka ky festim, të këqija që i kanë anashkaluar ata të cilët e kanë shpikur këtë festë. Por ai nuk tregoi se në këtë risi ka kundërshtim të qartë ndaj argumenteve që kanë ardhur nga i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, si dhe nuk ka përmendur dëmet dhe përngjasimin me idhujtarët e mohuesit.

Dëshiroj që me këtë shkrim të shkurtër t’i tërheq vërejtjen autorit dhe të tjerëve për gjërat e shpikura që ka kjo festë dhe festat e tjera të ngjashme me të, prej festave që i kanë shpikur armiqtë e Islamit dhe ata që nuk kanë njohuri rreth tij, derisa ia prishën imazhin dhe i larguan njerëzit prej tij. Për shkak të kësaj pati dëme dhe përçarje që i di vetëm Allahu i Lartësuar.

Është vërtetuar në hadithet e sakta nga i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, se ai ka tërhequr vërejtjen prej risive në fe dhe prej përngjasimit me armiqtë e Allahut prej çifutëve, të krishterëve dhe armiqve të tjerë prej idhujtarëve.

I dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai i cili shpik diçka në çështjen tonë e cila nuk është prej saj ajo është e refuzuar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi, kurse në tekstin e Muslimit thuhet: “Ai i cili vepron diçka që nuk është prej çështjes sonë ajo është e refuzuar.” Kuptimi i kësaj është se ajo vepër i është refuzuar personit që e shpiku atë.

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, thoshte në fjalimin e ditës së xhuma: “ Fjala më e mirë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit. Punët më të këqija janë risitë në fe, dhe çdo bidat (shpikje në fe) është humbje.” Transmeton imam Muslimi në Sahihun e tij.

Nuk ka dyshim se veçimi i një dite të vitit për të festuar në të nderimin e nënës apo të familjes është prej risive të cilat nuk i ka vepruar i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, e as shokët e tij ndaj të cilëve është kënaqur Allahu. Ne e kemi obligim që mos ta kryejmë atë festim dhe tua tërheqim vërejtjen njerëzve prej tij, pra të mjaftohemi me atë që ka lejuar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

E përmendëm më parë se autori tha: “Legjislacioni Islam e ka nderuar nënën dhe ka nxitur për mirësjellje  ndaj saj në çdo kohë”, – dhe ai ka thënë të vërtetën për këtë. Është obligim që muslimanët të mjaftohen me atë që u ka lejuar Allahu prej; mirësjelljes ndaj nënës si dhe ta respektojnë atë, të sillen mirë me të, t’i binden asaj në çdo kohë. Duhet të ruhen nga gjërat e shpikura për të cilat Allahu ua ka tërhequr vërejtjen dhe që shpien në përngjasimin me armiqtë e Allahut, duke i pasuar ata dhe duke e konsideruar të mirë atë që ata konsiderojnë të mirë prej gjërave të shpikura.

Kjo nuk duhet të jetë e veçantë vetëm për nënën sepse Islami e ka obliguar mirësjelljen ndaj të dy prindërve, nderimin dhe bamirësinë ndaj tyre si dhe mbajtjen e lidhjeve me gjithë të afërmit. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar fëmijët të tregojnë mosbindje ndaj tyre apo t’i shkëpusin lidhjet me të afërmit. Ai i ka dhënë nënës më shumë vëmendje dhe mirësjellje sepse kujdesi i saj me fëmijën është më i madh, dhe ajo ka më shumë mundim në barrën e tij, gjidhënien dhe edukimin e tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe të silleni mirë me prindërit.”  | Isra: 23 |

Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, sepse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” | Lukman: 14 |

A pritet prej jush (hipokritëve) që nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërprisni lidhjet farefisnore? Të tillët janë ata që Allahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verboi të parit e tyre.” | Muhamed: 22-23 |

Si dhe është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se ka thënë:
“A t’ju tregoj për gjynahet më të mëdha?! I thanë: Gjithsesi o i Dërguar i Allahut. Tha: T’i bësh shok Allahut dhe mos t’iu bindesh prindërve. – Ai ishte i mbështetur, ndaj u drejtua dhe tha: Si dhe dëshmia e rrejshme dhe shpifja.”

Një person e pyeti Profetin, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, cili prej njerëzve ka më shumë përparësi që të kujdesem për të? Ai i tha: Nëna jote. – Tha: Po pas saj? Tha: Nëna jote. – Tha: Po pas saj? Tha: Nëna jote. – Tha: Po pas saj? – Tha: Babai yt, e më pas njerëzit që ke më afër, e pastaj ata që vijnë pas tyre (në afërsi farefisnore).”

I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili i shkëput lidhjet me të afërmit e tij.”

Është saktësuar se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai i cili dëshiron që t’i shtohet rizku dhe t’i shtohet jeta e tij, le të vizitojë të afërmit e tij.

Argumentet nga fjala e Allahut dhe hadithet e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, që tregojnë për mirësjelljen ndaj prindërve dhe mbajtjen e lidhjeve me të afërmit janë të shumta dhe të njohura, dhe ato që përmendëm janë të mjaftueshme. Ai i cili mediton mbi këto argumente shikon qartë se është i obligueshëm nderimi i prindërve, mirësjellja ndaj tyre dhe ndaj të afërmve të tjerë.

Këto argumente gjithashtu tregojnë se mosbindja ndaj prindërve dhe ndërprerja e lidhjeve me të afërmit janë nga cilësitë e ulëta dhe nga gjynahet e mëdha, të cilat e bëjnë të obligueshme dënimin në zjarr dhe sjellin zemërimin e Allahut ndaj atyre që i shkelin ato. E lusim Allahun të na ruajë prej kësaj!
Kjo është më e rëndësishme se ajo që kanë shpikur perëndimorët në festimin e një dite të vitit në nderim të nënës dhe mospërfillja e saj gjatë gjithë vitit, ndërkohë që ata e kanë anashkaluar mirësjelljen ndaj babait dhe të afërmve.
Një njeriu të mençur nuk mund t’i fshihet dëmi i madh që vjen prej kësaj duke qenë se kjo është edhe në kundërshtim me fenë e Allahut, si dhe të çon në atë që i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka tërhequr vërejtjen prej saj.

Të njëjtin gjykim kanë edhe festat e tjera të shpikura që i veprojnë shumë prej njerëzve si: festimi i ditëlindjeve, festës së pavarësisë, marrjes së detyrës si kryetar apo mbret dhe festat e ngjashme me to. Të gjitha këto janë të shpikura dhe njerëzit kanë imituar me to armiqtë e Allahut, dhe e kanë lënë pas shpine ligjin e pastër të Allahut i cili ndalon nga këto gjëra.

Kështu është vërtetuar hadithi i saktë i Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, që thotë: “Do të pasoni traditat (zakonet) e atyre që kanë qenë para jush pëllëmbë për pëllëmbë, derisa nëse ata hyjnë në folenë e hardhucës edhe ju do të hyni. – I thanë: O i Dërguar i Allahut, të çifutëve dhe të krishterëve? – Tha: Të kujt tjetër?!” Në një transmetim tjetër thuhet: “Do të ndjekë umeti im rrugën e popujve që ishin para tyre pëllëmbë pas pëllëmbe dhe pash pas pashi. – I thanë: O i Dërguar i Allahut, të persianëve dhe romakëve? Tha: Të kujt tjetër?!” Kuptimi i kësaj shprehjeje është: E kush mund të jenë veç tyre?!

Ajo që na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, po ndodh në pasimin që po i bën umeti ynë – përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu – rrugën e atyre që ishin para tij; prej çifutëve, të krishterëve, zjarrputistëve dhe të tjerëve prej pabesimtarëve në shumë prej sjelljeve dhe veprave (zakoneve) të tyre, derisa po çon në zbehjen e Islamit.  Dhe (ka arritur puna deri aty sa) metoda e mohuesve në sjellje dhe vepra tek shumë njerëz shikohet si më e mirë se edukata që ka sjellë Islami. Kështu që e mira u bë e keqe dhe e keqja e mirë, suneti bidat dhe bidati sunet tek shumica e njerëzve. Shkaku i kësaj është injoranca dhe mosimpenjimi me atë që ka ardhur Islami prej sjelljeve të larta, punëve të mira e të drejta. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! (Shprehje dëshpërimi që thuhet në raste fatkeqësish.)

E lus Allahun t’iu japë sukses muslimanëve që ta kuptojnë fenë, t’ua përmirësojë punët dhe gjendjen e tyre, t’i udhëzojë udhëheqësit e tyre, t’iu japë sukses dijetarëve dhe shkrimtarëve në mënyrë që të përhapin të mirat e fesë sonë dhe të tërheqin vërejtjen nga risitë dhe bidatet të cilat e prishin imazhin e fesë dhe që bëhen shkak që njerëzit të largohen prej saj. Vërtetë, Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.

Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.

 

Autor: Abdulaziz ibën Abdullah ibën Baz (ish myftiu i përgjithshëm i Arabisë Saudite, Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Ylli Rama.

Marrë nga: http://www.binbaz.org.sa/mat/8284

Dosje: ,

Loading...