Çfarë gjykimi ka në lidhje me nxjerrjen e spermës në mënyrë të vullnetshme (masturbimin)?
Po citojmë për ty, lexues i nderuar, fetvanë (gjykimin) e dijetarit të mirënjohur AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë!) të cilin e kanë pyetur në lidhje me këtë çështje. Ai (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë[1]: “Shejh El Kardavi thotë: ‘Transmetohet nga imam Ahmed ibën Hanbel se ai e konsideronte sekrecionin riprodhues mashkullor thjeshtë si një sekrecion i cili del nga mashkulli, as më shumë e as më pak se sekrecionet e tjera që dalin nga goja, hunda etj. Duke u nisur nga kjo, ai e lejonte nxjerrjen e tij dhe nuk e konsideronte të ndaluar një veprim të tillë. I këtij mendimi ka qenë edhe Ibën Hazmi. Mirëpo, a është e vërtetë që imam Ahmedi e ka lejuar masturbimin në të gjitha rrethanat?! Pastaj.., e keqja më e madhe është se të rinjtë janë sprovuar me këtë zakon dhe e kanë lënë porosinë profetike për t’i dhënë përparësi agjërimit për zbutjen e epshit dhe jo këtyre mënyrave…!” Masturbimi është një veprim i ndaluar në fenë islame, kjo është fjala më e saktë e dijetarëve muslimanë, dhe i këtij mendimi janë shumica e tyre. Kjo përftohet nga kuptimi i përgjithshëm i ajetit kuranor:
وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (5) إِلَّا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ
فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (6) فَمَنِ ابْتَغَى وَرَاءَ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْعَادُونَ (7)
“Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (pjesët e turpshme), me përjashtim ndaj grave të veta (bashkëshorteve) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar. E kush prej tyre kërkon (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që i kanë shkelur normat e caktuara.” El Mu’minun, 5-7.
Allahu i Madhëruar i lavdëroi ata të cilët e ruajnë nderin dhe pjesët e turpshme të trupit, me përjashtim të asaj që është e lejuar, bashkëshortes së tij. Çdo gjë tjetër veç tyre, në çfarëdo lloj forme qoftë është e ndaluar dhe ai i cili i vepron ato i ka kaluar kufijtë e së lejuarës, e kjo vlen edhe për vetëkënaqësinë seksuale, apo masturbimin, ashtu siç ka thënë në lidhje me këtë çështje edhe Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë!), por edhe shumë dijetarë të tjerë. Jo vetëm aq, por masturbimi e dobëson njeriun fizikisht dhe e rrënon moralisht, ndërsa feja islame synon dhe udhëzon vazhdimisht ta largojë njeriun nga veset e këqija si dhe nga ato gjëra që e dëmtojnë atë, në shëndetin e tij, fenë, pasurinë, moralin etj.
Ibën Kudame (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “El Mugni” ka thënë: “Nëse njeriu synon kënaqësinë seksuale duke prekur veten e tij, ai ka bërë një veprim të ndaluar, veprim i cili gjithsesi nuk e prish agjërimin, me kusht që të mos arrijë ejakulimin (derdhjen). Nëse ndodh kjo e fundit, agjërimi prishet, njësoj si në rastin e puthjes…”
Me fjalën e tij: “Agjërimi prishet, njësoj si në rastin e puthjes…” ka për qëllim puthjen me epsh, e cila shoqërohet me ejakulim, pasi siç dihet, puthja e cila nuk shoqërohet me ejakulim nuk është nga ato gjëra që e prishin agjërimin.
Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “Mexhmua el fetaua” ka thënë: “Masturbimi është një veprim i ndaluar në fenë islame, kjo është fjala më e saktë e dijetarëve myslimanë dhe mendimi më i drejtë nga dy mendimet e njohura në medh’hebin hanbeli. Duke u nisur nga kjo themi se njeriu e meriton të ndëshkohet nëse e vepron atë. Ndërsa në fjalën tjetër të njohur në medh’hebin hanbeli, ai konsiderohet si një vepër e ulët (e urryer) dhe njëra prej arsyeve për shkak të të cilave nuk e lejojnë është frika se shkakton impotencë seksuale…”
Dijetari i mirënjohur, Muhamed el Emin esh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij të tefsirit “Edvau el bejen” ka thënë: “S’ka dyshim që ajetet kuranore të sures El Mu’minun, në të cilat Allahu i Madhëruar thotë: “Është e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët… e deri në Fjalën e Tij: “Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (pjesët e turpshme), me përjashtim ndaj grave të veta (bashkëshorteve) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar. E kush prej tyre kërkon (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që i kanë shkelur normat e caktuara.” El Mu’minun, 1-7.
Këto ajete, në kuptimin e përgjithshëm të tyre, tregojnë për moslejueshmërinë e masturbimit. Kjo sepse ai njeri i cili preket me dorën e tij, derisa të arrijë ejakulimin, padyshim që ka shkuar përtej asaj që ka lejuar Allahu, e cila kufizohet në marrëdhëniet me bashkëshorten apo me ato që mund të ketë në posedim prej robëreshave. E njëjta gjë është thënë edhe në komentimin e ajeteve të sures El Mearixh[2], në lidhje me të cilat, Ibën Kethiri ka thënë: “Imam Shafiu dhe të tjerë dijetarë përveç tij, argumentohen me këto ajete për moslejueshmërinë e masturbimit.”
Imam El Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë se Muhamed ibën Hakem e ka dëgjuar Harmele ibën Abdulazizin të thotë: “E pyeta imam Malikun në lidhje me atë njeri i cili kërkon kënaqësinë seksuale duke u vetëprekur me dorën e tij dhe ai lexoi këto ajete:
وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (29) إِلَّا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ
فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (30) فَمَنِ ابْتَغَى وَرَاءَ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْعَادُونَ (31)
“Dhe ata të cilët i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to. E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar (meritojnë dënim).” El Mearixh, 29-31.
Pastaj tha: “Allahu e udhëzoftë dhe e faltë!”
Imam El Kurtubi thotë: “Ajo që mendoj unë, është se argumentimi i Malikut, Shafiut dhe i shumë dijetarëve të tjerë me këto ajete kuranore për moslejueshmërinë e masturbimit është një argumentim i saktë. Kjo vërehet qartë nga kuptimi i përgjithshëm i ajetit kuranor dhe nuk gjendet asnjë argument që e kundërshton gjykimin e tij, qoftë nga Kurani ashtu edhe nga tradita profetike. Ajo që transmetohet se imam Ahmedi, pa harruar pozitën e tij të nderuar dhe dijen e madhe, por fjala e tij se nxjerrja e spermës është e njëjtë me nxjerrjen e sekrecioneve natyrale të trupit, qoftë nga hundët, veshët apo nxjerrja e gjakut me anë të hixhames (hedhjes së kupave) etj, ai padyshim që është krahasim i gabuar. Natyrisht që gabimi i imam Ahmedit në këtë çështje nuk ia ul aspak pozitën dhe vlerën, pasi ai është dhe ngelet njëri nga dijetarët më të nderuar të këtij umeti. Mirëpo, ashtu siç është e njohur në mesin e dijetarëve të jurisprudencës islame, kur kijasi (analogjia, krahasimi) kundërshton kuptimin e jashtëm e gjithëpërfshirës të Kuranit, atëherë ai nuk merret në konsideratë, madje është i gabuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ata të cilët i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre…” Dhe nuk përjashton asgjë tjetër, përveç atyre që përmenden në ajetin në vazhdim: “… me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim,” Për ato dyja e ka bërë të qartë se burri nuk qortohet nëse nuk tregon kujdes për mosruajtjen e pjesëve të turpshme të trupit ndaj tyre. Pastaj ka ardhur në mënyrë të përgjithshme e gjithëpërfshirëse se gjithçka tjetër përveç asaj që është përmendur është e ndaluar: “E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar (meritojnë dënim).” E padyshim që kjo ndalesë e përmendur në mënyrë gjithëpërfshirëse në Kuran, përfshin edhe të vetëkënaqurit me dorë, e nuk duhet në asnjë mënyrë të përjashtohet nga të qënurit e ndaluar, veçse nëse gjendet një tjetër argument i qartë, nga Kurani apo tradita e saktë profetike, gjë e cila nuk ekziston. Ndërsa analogjia e cila kundërshton Kuranin është padyshim e gabuar dhe nuk pranohet, ashtu siç e kemi sqaruar këtë edhe më herët, e padyshim që dija absolute është vetëm te Allahu i Madhëruar.”
Abdullah ibën Muhamed el Husenij, në librin e tij “El istiksau li edileti tehrimi el istimnai eu el adeti es sirrijeti min en nahijeti ed dinijeti ue es sihijeti” ka thënë:
Tema e parë
Moslejueshmëria e nzjerrjes së spermës në mënyrë të vullnetshme (masturbimit), e bazuar në argumente
Dijetarët Maliki, Shafi’i, Hanefi si dhe shumica e dijetarëve të tjerë janë të mendimit se masturbimi është i ndaluar (haram). Ky pra është mendimi më i saktë në lidhje me këtë çështje, ndërsa fjala e kundërt me këtë është e pabazë, ashtu siç do ta sqarojmë më poshtë me argumente bindëse:
Argumenti i parë: Fjala e Allahut të Madhëruar:
وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (29) إِلَّا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ
فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (30) فَمَنِ ابْتَغَى وَرَاءَ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْعَادُونَ (31)
“Dhe ata të cilët i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to. E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar (meritojnë dënim).” El Mearixh, 29-31.
Të argumentuarit me këtë ajet është i qartë, pasi në të vërehet se Allahu i Madhëruar i lavdëron besimtarët të cilët e ruajnë dinjitetin e tyre dhe i ruajnë pjesët e turpshme të trupit nga e ndaluara. Ndërsa në krahun tjetër, ka bërë të ditur se njeriu është i lirë të arrijë prehje dhe kënaqësi tek ajo që Ai ka lejuar, tek bashkëshortja dhe robëreshat e tij, në qoftë se ka.
Pra, të kënaqurit me to e ka bërë përjashtim nga ndalesa e përgjithshme, ndërsa për ata të cilët kërkojnë diçka tjetër nga e ndaluara thotë: “… E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar.” Që do të thotë: janë zullumqarë, të padrejtë të cilët i kanë kaluar kufijtë e së lejuarës e kanë hyrë në atë që është e ndaluar. Fjala arabe e përmendur në këtë ajet kuranor është “El Adun”, e kështu quhen ata të cilët i tejkalojnë kufijtë duke bërë padrejtësi. Ashtu siç përmendet e njëjta fjalë edhe në ajetin kuranor:
وَمَنْ يَتَعَدَّ حُدُودَ اللَّهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ (229)
“… e kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” El Bekare, 229.
Në ajetet e mësipërme vërehet qartë se të lejuara për kënaqësinë e burrit janë vetëm bashkëshortja (bashkëshortet nëse ka) dhe robëreshat, ndërsa përveç tyre nuk lejohet asgjë tjetër; e padyshim që masturbimi është gjë tjetër . Pra, ai veprim është i ndaluar duke u bazuar në tekstin e Kuranit të madhërishëm. Pastaj ai vazhdoi duke i renditur njëri pas tjetrit argumentet e tjera derisa thotë:
“Është vërtetuar nga mjekësia se masturbimi shkakton dëme të shumta shëndetësore. Ai bëhet shkak për dobësimin e shikimit dhe humbjen e mprehtësisë së tij. E dobëson organin gjenital mashkullor dhe e bën të mefshtë, madje ata të cilët e teprojnë me zakonin e fshehtë, i gjen në sjelljet dhe veprimet e tyre të ngjashëm me femrat. Kjo për shkak se ata e humbasin atë veçori të cilën u ka dhënë Zoti i Madhëruar e me të cilën i ka dalluar nga femrat. Burrat e martuar të cilët masturbohen shpesh, nuk janë në gjendje t’i plotësojnë nevojat seksuale të partneres së tyre. Në këtë mënyrë, ata e nxisin drejt imoralitetit bashkëshorten e tyre, e cila ndihet e shpërfillur në bashkëjetesën e saj me një burrë i cili është martuar me dorën e vet, e nuk i bie ndërmend për gruan!! S’ka dyshim që dëmi i kësaj të fundit është tepër i madh.
Masturbimi shkakton dobësi dhe plogështi të përgjithshme si pasojë e humbjes së energjive të domosdoshme për aktivitetin ditor. Shkakton parregullsi në sistemin e tretjes, ndikon në zhvillimin e parakohshëm hormonal dhe e ndërpret procesin natyral të zhvillimit trupor tek adoleshentët. Shkakton impotencë seksuale dhe e shkurton ndjeshëm kohëzgjatjen e ereksionit duke përshpejtuar procesin e ejakulimit. Masturbimi shkakton dhimbje në fundin e shpinës së mashkullit, gjë e cila me kalimin e kohës ndikon në shtrembërimin e shtyllës kurrizore dhe deformimin e shpinës. …
Veç të tjerash, mund të shkaktojë mungesë kontrolli dhe dridhje të gjymtyrëve, e sidomos të këmbëve. Mund të ndikojë në dobësimin e logjikës dhe arsyetimit, duke e shndërruar një njeri të mençur dhe tepër inteligjent në një person të ngathët, të dobët e me probleme psikike…”
Mbas gjithë atyre argumenteve që kemi përmendur më sipër, pyetësit i bëhet e qartë moslejueshmëria e masturbimit, e padyshim që Allahu i Madhëruar e di më së miri.
Veç atyre që kemi përmendur, po citojmë edhe një herë fjalën e muhadithit të nderuar, dijetarit të madh El Albani (Allahu e mëshiroftë!), i cili në librin e tij “Es silsiletu es sahiha” ka thënë[3]:
“Në këtë thënie profetike[4], ka orientim të mirë për të gjithë të rinjtë, sidomos për ata të cilët ende nuk e kanë gjetur rrugën për tek martesa, se si ta përmbajnë dhe kontrollojnë epshin, pra nëpërmjet agjërimit. Nuk u lejohet atyre ajo që quhet “zakoni i fshehtë” (masturbimi), pasi ata do të ishin të ngjashëm me ata për të cilët është thënë në Kuran:
أَتَسْتَبْدِلُونَ الَّذِي هُوَ أَدْنَى بِالَّذِي هُوَ خَيْرٌ
“A kërkoni ta ndërroni të mirën për atë që është më e ulët?!” El Bekare, 61.
Padyshim që të vetëkënaqurit nëpërmjet masturbimit nuk është prej cilësive të besimtarëve të devotshëm, për të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (5) إِلَّا عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ
فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (6) فَمَنِ ابْتَغَى وَرَاءَ ذَلِكَ فَأُولَئِكَ هُمُ الْعَادُونَ (7)
“Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (pjesët e turpshme), me përjashtim ndaj grave të veta (bashkëshorteve) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar. E kush prej tyre kërkon (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që i kanë shkelur normat e caktuara.” El Mu’minun, 5-7.
Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka thënë: “Kush kërkon diçka tjetër përveç bashkëshortes të cilën Allahu ia ka caktuar për pjesë, apo robëreshave që ka në posedim, atëherë ai e ka tepruar.”[5]
————————————————–
[1] “Fetaua islamije li mexhmuatin minel ulemai el efadil”, Vëll. II, f. 379-383.
[2] Ka për qëllim ajetet 29-31 të sures El Mearixh në të cilat Allahu i madhëruar thotë: “Edhe ata që janë ruajtur prej punëve të ndyra (amorale). Me përjashtim ndaj grave të veta dhe ndaj robëreshave që i kanë në posedim, ata nuk qortohen për to. E kush kërkon përveç tyre, të tillët janë të shfrenuar (meritojnë dënim).”
[3] “Es Sahiha”, Vëll. 4, f. 446.
[4] Ka për qëllim hadithin : “A nuk e ke ti shembullin më të mirë tek unë. Unë martohem me gra, e ha mishin dhe herë agjëroj e herë jo. Sterilizimi i popullit tim është agjërimi, ndërsa ai që tredh veten apo dikë tjetër, nuk është prej popullit tim.” Hadithi është i saktë, e kemi përmendur kur kemi folur për “Agjërimin”.
[5] E ka përmendur El Hakim në “El Mustedrak”, Vëll. II, f. 393 dhe ka thënë: “Është thënie e saktë dhe i përmbush kushtet e Buhariut dhe Muslimit.” E ka aprovuar fjalën e tij imam Dhehebiu. Shiko “Es Sahiha”, Vëll. IV, f. 446. – E kemi përmendur më herët.
Përktheu: Edmond Ajdini
Dosje: Morali
Të Ngjashme
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen
- A lejohet të merret rroga nëpërmjet bankës? Shejh Alij ibn Hasen el-Halebij