Gjyshi i Profetit (Abdul Mutalibi)

Gjyshi i Profetit (Abdul Mutalibi)

Nuk e di nga kishte ardhur.. mbase ishte ngjitur mbi një mal dhe prej atje qe nisur.. ose kishte zbritur në një luginë ku ruante bagëtinë… Nuk e di… por di të them se ishte i lodhur, mezi i shkulte hapat dhe me vështirësi e tërhiqte trupin e tij të rëndë drejt Qabes. Atje në Hixhër[1] e hodhi trupin dhe u zhyt në një gjum tepër të thellë. Atje larg në humnerën e thellë të gjumit dëgjoi një zë që i kërkonte të gërmonte më thellë, duke i thënë: Gërmo Tajban![2] Abdul Mutalibi nuk e la të fliste më gjatë, por menjëherë e pyeti? Çfarë është Tajba?

Përgjigjen nuk e mori… heshtja mbizotëri, zëri u zhduk dhe nuk dha përgjigje. Të nesërmen, Abdul Mutalibi u kthye përsëri në shtratin e tij, me shpresë se mos i gjente kësaj ëndërre ndonjë interpretim dhe sapo u zhyt në gjumin e tij, ai dëgjoi përsëri të njëjtin zë të fshehtë që e thërriste duke i thënë: Gërmo Berran![3] Abdul Mutalibi e pyeti: çfarë është Berrah?

Ai tregon: Por zëri që dëgjova u largua prej meje dhe të nesërmen unë u ktheva përsëri në shtratin tim dhe fjeta, ndërsa zëri (që nuk e shihja) erdhi përsëri dhe më tha: Gërmo Zemzemin! Unë i thashë: çfarë është Zemzemi? Ai më tha: Është burim që nuk shteron dhe nuk thahet, me të largohet etja e haxhijve në pelegrinazhin e madh. Ai gjendet mes ushqimit të përpunuar dhe gjakut, tek vendi ku çukit korbi, pranë folesë së milingonave!

Abdul Mutalibit kur ju sqarua çështja e burimit dhe ju tregua vendndodhja e tij, e kuptoi se ai zë ishte i vërtetë. Ai mori çekanin dhe djalin e tij Harithin – sepse në atë kohë nuk kishte fëmijë tjetër veç tij – dhe filloi të gërmonte. Kur shenjat e pusit filluan të shfaqeshin, ai madhëroi Zotin me zë të lartë duke thënë: (Allahu është më i Madhi) dhe Kurejshët e kuptuan se ai tashmë e kishte gjetur burimin që kërkonte dhe u nisën menjëherë drejt tij.

Ata i thanë: O Abdul Mutalib, ky është burimi i babait tonë Ismailit, edhe ne kemi të drejta në këtë ujë prandaj na bëj pjestar në shfrytëzimin e tij. Abdul Mutalibi u tha: Nuk kam për ta bërë, sepse në këtë çështje unë jam veçuar dhe më është dhënë mua dhe jo juve. Ata i thanë: Tregohu i drejtë me ne, sepse nuk kemi për të ta lënë këtë çështje derisa të grindemi me ty. Abdul Mutalibi u tha: Atëherë sillni kë të doni ju që të gjykojë mes nesh! Ata thanë: Le të gjykojë mes nesh fallxhorja e fisit beni Sead Hudhejm. Abdul Mutalibi tha: Po, ajo le të jetë!

Fallxhorja e fisit Beni Sead jetonte në perfieri të Shamit. Abdul Mutalibi mori disa prej fisit beni Umeje dhe prej barqeve të Kurejshëve mori nga një person dhe u nisën për rrugë. Distanca ishte e largët dhe vdekjeprurëse dhe kur e kaluan një pjesë të rrugës uji i Abdul Mutalibit dhe shokëve të tij (nga fisi Beni Umejje) mbaroi. Ata i mori etja aq sa u bindën se do të vdisin. U kërkuan ujë shoqëruesve që kishin me vete, por ata nuk pranuan tu jepnin. U thanë: Ne jemi në një shkretëtirë vdekjeprurëse dhe kemi frikë për vetet tona që të na gjejë ajo që u gjeti juve. Abdul Mutalibi tha: Unë kam mendimin që për aq kohë sa jeni të fuqishëm gjithsecili nga ju le të hapë një gropë për veten e tij dhe sa herë që vdes dikush le ta hedhë shoku në gropën e tij dhe ta mbulojë derisa të betet njeriu i fundit, sepse humbja e një personi është më e lehtë se humbja e një karvani njerëzish. Ata thanë: Shumë mendim të mirë ke dhënë!

Atëherë secili filloi të hapte gropën e tij, pastaj u ulën prisnin që të vdisnin nga etja. Por ky mendim ishte shumë i mangët, ishte vetëvrasje e ngadaltë, shkaku i së cilës ishte kjo hasmëri dhe ngushtësia e pa justifikueshme që synonte pushtetin dhe nderin tek këta arabë. Abdul Mutalibi e kuptoi se mendimi që kishte dhënë ishte i kotë dhe ngriti zërin mes atyre kufomave të shpërndara në varre duke u thënë: Vallahi kjo që po bëjmë duke i lënë vetet tona duart e vdekjes pa lëvizuar nëpër tokë dhe pa u përpjekur është paaftësi. Mbase Allahu na jep bollëk dhe ujë për të pirë në ndonjë vend ku do të kalojmë.

Ata u nisën, por në momentin kur Abdul Mutalibi deshi të lëvizte kafshën e tij, poshtë thundrave të saj doli një burim me ujë të ëmbël. Në atë moment Abdul Mutalibi ngriti zërin me tekbir (Allahu Ekber) dhe ashtu vepruan edhe shokët e tij. Ai piu prej këtij burimi dhe me të pinë edhe shokët e tij dhe mbushën enët që mbanin me vete. Më pas ftoi të gjithë pjestarët e barqeve të Kurejshëve dhe të gjithë e panë këtë që ndodhi. Ai u tha: Mblidhuni të gjithë tek uji, sepse Allahu na dha të pijmë. Ata u mblodhën, pinë ujë dhe e shuan etjen të gjithë, pastaj thanë: Betohemi në Allahun se kjo mosmarrveshje tashmë është gjykuar. Betohemi në Allahun, ne nuk do të kërkojmë më të drrejta për ujin e zemzemit, sepse Ai që të dha prej këtij uji në këtë shkretëtirë vdekjeprurëse, është po Ai që të dha edhe ujin e Zemzemit. Prandaj ktyhehu me dinjitet tek pusi yt dhe kështu u kthyen të gjithë bashkë dhe nuk shkuan tek fallxhorja. Pas kësaj dite Kurejshët e lanë të qetë Abdul Mutalibin për pusin e Zemzemit.[4]

Abdul Mutalibi u kthye me gjykimin që i dha Allahu dhe jo fallxhorja me llomotitjet e saj. Me burimin e atij uji të freskët Allahu ktheu edhe një herë në jetë trupat e atyre njerëzve që ishin mbuluar nga varret, ndërsa deveja e Abdul Mutalibit i udhëhoqi për në Mekë duke mbartur ujin dhe duke ja dorëzuar Abdul Mutalibit të drejtat e ujit Zemzem dhe udhëheqjen. Ai tani do të merte përsipër ujdhënien e Zemzemit, burimin e babait të tij Ismailit (alejhi selam).

“Historia e Profetit Muhamed” siç është përcjellë në transmetimet e sakta

Shkroi: Ahmed Suejani

Përktheu: Fatjon Isufi

[1] Muri i Ismailit i ndërtuar në gjysëm rrethi nga ana veriore e Qabes. Sh.p

[2] Një nga emrat e pusit të Zemzemit.

[3] Një nga emrat e pusit të Zemzemit.

[4] Kjo ngjarje është e saktë nga Ali bin Ebi Talib. Atë e përecjell Ibn Is’haku