Grupi i shpëtuar – pasuesit e sunetit (traditës profetike) dhe xhematit

July 19, 2016

Grupi i shpëtuar – pasuesit e sunetit (traditës profetike) dhe xhematit

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!): Muslimanët në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kanë qenë një popull i vetëm (të bashkuar), ashtu siç ka thënë i Madhëruari: “Vërtet ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua![1]

E sa u përpoqën çifutët dhe hipokritët që t’i përçanin muslimanët në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, por nuk mundën ta arrinin një gjë të tillë.  Hipokritët thanë:

Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij!”[2]

Por Allahu i Madhëruar iu kundërpërgjigj atyre me fjalën e Tij: “Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.”[3]

Jehudët u përpoqën (shumë herë me kurthet e tyre) që t’i përçanin muslimanët dhe t’i nxirrnin (largonin) ata nga feja e tyre (Islami).

Një grup ithtarësh të Librit thanë: ‘Besojeni në mëngjes atë që u është zbritur besimtarëve, por në mbrëmje mohojeni atë, se ndoshta edhe ata do ta braktisin’.”[4]

Por plani i tyre nuk pati sukses, sepse Allahu e zbuloi dhe e bëri të qartë atë. Po ashtu, u përpoqën përsëri herën e dytë, por këtë herë duke u kujtuar ensarëve (banorëve të Medinës) atë çfarë ndodhi ndërmjet tyre prej armiqësisë dhe luftës para Islamit si dhe çfarë ata dërdëllisnin prej poezive ngacmuese që recitonin kundër njëri-tjetrit. Por, Allahu e zbuloi planin e tyre me fjalën e Tij:

O besimtarë! Nëse i bindeni një grupi nga ata që u është dhënë Libri, ata do t’ju kthejnë në jobesimtarë, pasi patët besuar.”[5]

Deri tek fjala e të Madhëruarit:

Ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen.”[6]

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkoi tek ensarët dhe i këshilloi e i përkujtoi ata me mirësinë e Islamit, si dhe me bashkimin e tyre, pasi ishin të përçarë. Kështu ata ia dhanë dorën njërit-tjetrit.[7] E dështoi në këtë mënyrë plani i çifutëve dhe muslimanët mbetën një popull i vetëm (të bashkuar). Allahu i Lartmadhëruar i urdhëroi ata që të bashkohen në të vërtetën dhe i ndaloi ata nga kundërshtimi dhe përçarja. I Madhëruari thotë:

Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën atyre provat e qarta, ata u përçanë dhe u grindën.”[8]

Po ashtu i Madhëruari thotë:

Të gjithë kapuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!”[9]

I Lartmadhëruari ua bëri të ligjësuar bashkimin atyre në kryerjen e adhurimeve si: në namaz, agjërim, haxh dhe në kërkimin e dijes. Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëronte për bashkimin e muslimanëve dhe i ndalonte ata nga përçarja dhe grindjet (kundërshtimet). Njëkohësisht, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka njoftuar për përçarjen që do të ndodhë në këtë popull, ashtu siç ka ndodhur edhe te popujt e mëparshëm, duke thënë: “Ai që do të jetojë prej jush ka për të parë kundërshtime të shumta, prandaj unë ju këshilloj që të kapeni fort pas sunetit tim dhe pas sunetit (rrugës) së prijësve të drejt-udhëzuar pas meje.”[10]

Po ashtu, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Jehudët janë ndarë në 71 grupe, të krishterët janë ndarë në 72 grupe, ndërsa ky popull do të ndahet në 73 grupe. Të gjitha ato janë në zjarr, përveç njërës.” Thamë (sahabët): “O i Dërguari i Allahut, kush është ai (grup)?” Tha: “Janë atë që gjenden në atë (rrugë) që jam unë sot dhe shokët e mi.”[11] Dhe ndodhi ajo për të cilën i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lajmëroi.

U nda ky popull në fundin e kohës së sahabëve, por kjo ndarje nuk ndikoi shumë në ekzistencën e këtij populli gjatë kohës së gjeneratës së ndritshme, të cilën e ka lavdëruar i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me fjalën e tij: “Më të mirët prej jush janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre dhe pastaj ata që vijnë pas tyre.”[12] Transmetuesi i këtij hadithi thotë: “Nuk e di, a përmendi pas brezit të tij, dy apo tri breza.”

E kjo për shkak se në këto breza gjendeshin dijetarët prej muhadithinëve (dijetarët e hadithit), mufesirinëve (dijetarët e tefsirit) dhe fukahave (dijetarët e jurisprodencës islame). Në mesin e tyre edhe dijetarët prej tabi’inëve, pasuesve të tabi’inëve, katër imamët dhe nxënësit e tyre, si dhe prej forcës së shtetit islam në këto breza. Grupi që i kundërshtonte ata (në këto breza) refuzohej me forcën e argumentit dhe atë të pushtetit.

Pasi kaluan brezat e artë, u përzien muslimanët me pasuesit e feve të tjera,  librat e jobesimtarëve u përkthyen në gjuhën arabe dhe disa mbretër muslimanë afruan rreth vetes, njerëz që ishin pasues të mosbesimit dhe humbjes. Disa prej tyre u bënë ministra dhe këshilltarë, derisa u ashpërsua përçarja dhe u shtuan grupacionet dhe rrymat, gjë e cila bëri të shfaqen  medh’hebet e devijuara. Kjo gjendje vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite dhe derisa të dëshirojë Allahu.

Me mirësinë e Allahut, mbeti grupi i shpëtuar – pasuesit e sunetit dhe xhematit – të kapur pas Islamit të saktë, duke ecur dhe ftuar në të, të cilët kanë qenë dhe do të mbeten (në këtë rrugë), e për këtë falënderimi i takon Allahut, duke vërtetuar kështu atë për të cilën ka lajmëruar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për qëndrimin e këtij grupi, vazhdueshmërinë dhe qëndrueshmërisë e tij (deri para Kiametit). E kjo është prej mirësisë së Allahut të Madhëruar, në mënyrë që të mbetet kjo fe dhe të jetë argument ndaj inatçinjve.

Ky grup i begatë është shëmbëlltyrë e asaj në të cilën kanë qenë sahabët, radijAllahu anhum, bashkë me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në fjalë, vepër dhe në besim. Ashtu siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: Janë ata që kapen pas asaj që jam unë sot dhe shokët e mi.”[13] Ata janë të mbeturit prej vepërmirëve, prej atyre për të cilët Allahu ka thënë:

Përse të mos kishte te popujt para jush njerëz të mençur, të cilët do  të ndalonin nga shkatërrimi në Tokë.”[14]

Emrat e grupit të shpëtuar dhe kuptimi i tyre[15]

Meqë ky grup është grupi i siguruar nga humbja, del si detyrë njohja e emrave dhe shenjave të tij, në mënyrë që të pasohet. (Ky grup) ka emra madhështorë, me anë të të cilëve dallohet nga të gjithë grupacionet e tjera. Prej emrave dhe shenjave më të rëndësishëm është se ai është grupi i shpëtuar, pala e ndihmuar si dhe pasuesit e sunetit dhe xhematit, kuptimet e të cilave vijojnë si më poshtë:

  1. Grupi i shpëtuar. D.m.th.: i shpëtuar prej Zjarrit, saqë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka veçuar atë kur përmendi grupacionet, duke thënë: “Të gjitha janë në Zjarr përveç njërit.”[16] Pra ai grup nuk do të jetë në Zjarr.
  1. Ata janë të kapur pas Kuranit, Sunetit të të Dërguarit të Tij dhe pas asaj që kanë qenë të parët tanë në fe, prej muhaxhirëve (emigruesve mekas) dhe ensarëve (banorëve të Medinës), për të cilën i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Janë ata që gjenden në atë që jam unë sot dhe shokët e mi.[17]
  1. Pasuesit e tij janë ehlus sunneh uel xhemah – pasuesit e sunetit dhe të bashkuarit. Ata dallohen me dy veçori madhështore:
  1. a) Të kapurit pas sunetit të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem derisa u bënë pasuesit e tij, në kundërshtim me të gjitha grupacionet e tjera, të cilët shkojnë pas mendimeve, epsheve, tekave dhe fjalëve të udhëheqësve të tyre. Ata nuk i atribuohen sunetit, por bidatit dhe devijimit, siç janë kaderitë dhe murxhiat apo prijësit e tyre sikurse xhehmitë, ose veprat e tyre të shëmtuara, sikurse rafidat dhe havarixhët.
  1. b) Ata janë pasuesit e xhematit që bashkohen në të vërtetën dhe nuk përçahen. Në të kundërtën e asaj që ndodh me grupacionet e tjera, të cilat nuk bashkohen në të drejtën, por pasojnë epshet e tyre dhe as e vërteta nuk i bashkon ata.
  2. Ata janë pala e ndihmuar deri në Ditën e Kiametit, sepse ata e ndihmojnë fenë e Allahut dhe Allahu e ndihmon atë (grup). Ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar:

Nëse ju e ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), atëherë edhe Ai ju ndihmon juve.”[18]

Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk i dëmton ata kush i braktis dhe as kush i kundërshton, derisa të vijë urdhri i Allahut dhe ata janë në këtë gjendje.”[19]

 

Libri “Min usul el akideh ehlus sunneh uel xhemah[20]

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Enbija, 92.

[2] El-Munafikun, 7.

[3] El-Munafikun, 7.

[4] Al-Imran, 72.

[5] Al-Imran, 100.

[6] Al-Imran, 106.

[7] Shih “Tefrin e Ibën Kethirit” dhe “Esbabun Nuzul – Shkaqet e zbritjes” të El Uahidij f. 149-150.

[8] Al-Imran, 105.

[9] Al-Imran, 103.

[10] Et Tirmidhij në “El Ilm” nr. 2676, Ebu Daudi në “Es Sunneh” nr. 4607, Ibën Maxhe në parathënien e tij, nr. 44, Ahmedi 4/126 dhe Ed Daramij në parathënien e tij, nr. 95.

[11] Et Tirmidhij në “El Ijman” nr. 2640, Ebu Daudi në “Es Sunneh” nr. 4596, Ibën Maxhe në “El Fiten”  nr. 3991 dhe Ahmedi 2/332.

[12] Buhariu nr. 2508, Muslimi në “Fadailus sahabeh” nr. 2535, Et Tirmidhij në “El Fiten” nr. 2222, En Nesaij në “El Ijman uen nudhur” nr. 3809, Ebu Daudi në “Es Sunneh” nr. 4657 dhe Ahmedi  4/427.

[13] Et Tirmidhij në “El Ijman” nr. 2641.

[14] Hud, 116.

[15] Shejh Salih el Feuzan (Allahu e ruajttë!) është pyetur: Ka disa që bëjnë ndarje ndërmjet ‘palës së ndihmuar’ dhe ‘grupit të shpëtuar’. A është e saktë kjo ndarje? Nëse është kështu, atëherë cila është ‘pala e ndihmuar’ dhe kush ‘grupi i shpëtuar’?

Shejhu (Allahu e ruajttë!) u përgjigj: Të tillë njerëz dëshirojnë që të ndajnë ndërmjet çdo gjëje, dëshirojnë që të fusin përçarje ndërmjet muslimanëve. Madje edhe ndërmjet cilësive të muslimanëve dëshirojnë që të bëjnë dallim. Dhe kjo fjalë (ndarje) nuk është e saktë. ‘Pala e ndihmuar’ janë po ‘grupi i shpëtuar’ (dhe Allahut i takon falënderimi). Nuk ka për të qenë e ndihmuar vetëm nëse është e shpëtuar dhe nuk ka për të qenë e shpëtuar vetëm nëse është e ndihmuar. Ato të dyja janë dy cilësi të pandara të së njëjtës gjë. Këtë lloj ndarje ose e bën ndonjë injorant, ose dikush i cili dëshiron që të fusë dyshime tek të rinjtë muslimanë në lidhje me palën e ndihmuar e të shpëtuar” Shkëputur nga “El Exhuibetu el mufidetu an esileti el menahixhi el xhedideti”.

Gjithashtu, shejh Salih el Feuzan (Allahu e ruajttë!) është pyetur: A ka dallim ndërmjet grupit të shpëtuar e palës së ndihmuar?

Shejhu (Allahu e ruajttë!) u përgjigj: Kurrsesi. Grupi i shpëtuar ai është i ndihmuar. Nuk ka për të qenë i shpëtuar vetëm nëse është i ndihmuar dhe nuk ka për të qenë i ndihmuar vetëm nëse është i shpëtuar. Këto janë cilësitë e tyre: Ehlus sunneh uel xhemah, grupi i shpëtuar, pala e ndihmuar. Kush dëshiron që të përçajë ndërmjet këtyre cilësive dhe t’ia vendosë disa një pale dhe disa palës tjetër, atëherë ai dëshiron që të përçajë ehlus sunneh uel xhemah duke i bërë disa grupi i shpëtuar dhe disa pala e ndihmuar. Por ky është gabim, sepse ata janë një xhemat i vetëm dhe përmblidhen në të, të gjitha cilësitë e plota dhe të lavdëruara. Ata janë: ehlus sunneh uel xhemah, ata janë grupi i shpëtuar, ata janë pala e ndihmuar. Ata janë që mbeten në të vërtetën deri në Ditën e Kiametit dhe ata janë el gurabau – të huajt në kohën e fundit.” Shkëputur nga “Muhadarah fil akideh ued dauah”. (Sh.p)

[16] Transmeton Ebu Daudi nr. 4597, Ahmedi 4/102 dhe Ed Daramij 2518.

[17] Et Tirmidhij në “El Ijman” nr. 2641.

[18] Muhamed, 7.

[19] Buhariu, nr. 3442, Muslimi në “El Imarah”nr. 1037 dhe Ahmedi 4/93.

[20] Libri së shpejti del nga botimi

Loading...