Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç Xhenetit

August 3, 2017

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i Dërguari i Allahut -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- ka thënë: “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër për të veç Xhenetit.” E transmeton Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349).

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Kjo është vlera e umrës dhe haxhit. Ai -sal-lallahu alejhi ue sel-lem- ka thënë: “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre.” Kjo tregon për vlerën e umres dhe se ajo fshin mëkatet e vogla që bëhen mes saj dhe umres tjetër. Ndërsa mëkatet e mëdha nuk fshihen veçse me pendim. Allahu i Lartësuar thotë: “Në qoftë se ju u shmangeni gjynaheve të mëdha [1] që ju ndalohen Ne do t’ua falim të këqijat[2] dhe do t’ju fusim në një vend të nderuar.”[3] En-Nisa: 31.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sle-lem) ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan i shlyejnë mëkatet e vogla që bëhen ndërmjet tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.” Muslimi (233).

Në këtë hadith ka argument për kryerjen e shpeshtë të umres, qoftë dhe brenda një kohe të shkurtër. Bazuar në fjalën e Profetit -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- që thotë: “Umra deri në umra …” dhe ai -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- nuk e ka kufizuar.

Disa dijetarë thonë: Duhet patjetër që në çdo vit të bëhet umre dhe mos të përsëritet (bëhet) brenda një viti disa herë.

Por e sakta është që ajo të bëhet disa herë në vit, në muaj, në javë apo në mesin e çdo muaji (për atë që i ka mundësitë). E kjo nuk përbën problem, sepse i Dërguari i Allahut -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- nuk e ka kufizuar (kohën për kryejen e umres).

Por nuk bëhet ashtu siç veprojnë njerëzit sot, të cilët kur vijnë në Meke dhe kryejnë umren dalin në “Et-Ten’im” (apo siç njihet me emrin Xhamia e Aishes) dhe kthehen përsëri për kryerjen e umres. Pastaj dalin përsëri dhe kthehen dhe bëjnë umren, e kështu brenda një dite kryejnë më shumë se një umre. Ky veprim nuk është legjitim ngase nuk transmetohet nga Profeti -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- se ai ka dalë nga Meka për të kryer umren. Po ashtu dhe shokët e tij nuk e kanë bërë një veprim të tillë.

Ai -sal-lAllahu alejhi ue sle-lem- tha: “… ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër për të veç Xhenetit.

Dijetarët thonë se “El-Mebrur” është ai haxh në të cilin nuk ka gjynah, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Kushdo që vendos të kryejë haxhin në këto muaj të mos flasë turpshëm,[4] të mos bëjë shthurje[5] dhe të mos grindet[6] gjatë haxhit.[7]” El-Bekare: 197.

El-Mebrur” është ai haxh i pastër nga mëkatet.

Thuhet se “El-Mebrur” është haxhi i pranuar tek Allahu i Lartmadhëruar.

Thuhet se “El-Mebrur” është ai ku gjendja e personit pas kryerjes së haxhit është më e mirë sesa gjendja e tij para haxhit. Ky është haxhi “El-Mebrur”.

Sidoqoftë, “El-Haxhul-Mebrur” e Allahu e di më së miri, është ai haxh që kryhet në formën legjitime me sinqeritet për fytyrën e Allahut, si të gjitha veprat e tjera të mira. Duhet patjetër që të jetë i sinqertë për Fytyrën e Allahut.

Fjala e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “… nuk ka shpërblim tjetër për të veç Xhenetit”, tregon për vlerën e haxhit të pranuar dhe se Allahu shpërblen për këtë me Xhenet. Kjo është mirësi madhështore që tregon për vlerën e haxhit, dhe se njeriu duhet të përpiqet maksimalisht në haxhin e tij që ta kryej në formën legjitime dhe të jetë e sinqertë për Fytyrën e Allahut të Lartmadhëruar. Pra, duke mos pasur në të syfaqësi dhe famë në mënyrë që ta arrijë (fitojë) këtë premtim, e ai (premtim) është që personi të fitojë xhenetin. Dhe ai që fiton Xhenetin ka arritur lumturinë e përjetshme.

Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 3.

Përktheu: Unejs Sheme

————————————————-

[1] Gjynahet e mëdha janë ato gjynahe për të cilat është caktuar dënim i prerë në këtë botë (el hudud, siç është dënimi i vrasjes, i imoralitetit, i pirjes së alkoolit, i shpifjes për të ndershmen, i daljes nga feja, i vjedhjes etj.). Ose ka ardhur kërcënim me dënim në botën tjetër, ose ka ardhur mohim i besimit nga vepruesi i tyre, ose vepruesit e të cilave janë mallkuar apo kanë tërhequr ndaj vetes zemërimin e Allahut. Në largimin prej gjynaheve të mëdha përfshihet gjithashtu kryerja e detyrimeve fetare, si; pesë namazet, agjërimi i Ramazanit etj, lënësi i të cilave ka kryer gjynah të madh. Janë përcjellë disa hadithe ku përmenden gjynahet e mëdha siç janë; idhujtaria, mosrespekti ndaj prindërve, dëshmia e rreme, vrasja etj. Por ato hadithe nuk janë kufizuese të numrit të gjynaheve të mëdha por shembuj prej tyre.

[2] Do t’ua falim të gjitha gjynahet e vogla dhe të këqijat që keni bërë në dynja.

[3] Ku gjenden të gjitha të mirat që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka kapur imagjinata në xhenet.

[4] Origjina e fjalës “rafeth” ka kuptimin “fjalë e turpshme”, por ajo përdoret gjithashtu në mënyrë figurative për të treguar marrëdhëniet seksuale apo veprat a fjalët paraprake të tyre. Pra, nuk lejohet që gjatë haxhit të kryesh marrëdhënie intime me gruan, as t’i thuash asaj fjalë të turpshme si: “Kur të lirohemi nga Ihrami pas haxhit do të bëj kështu e kështu…”, dhe as nuk lejohen fjalët e turpshme në përgjithësi.

[5] Të gjitha llojet e gjynaheve ku përfshihet edhe fyerja, ofendimi, shkelja e ndalesave të Ihramit etj.

[6] Të mos bësh polemikë dhe të mos ngacmosh kënd duke e nxehur atë, gjë e cila çon në sherr dhe armiqësi.

[7] Veshja e Ihramit për haxh duhet madhëruar dhe duhet ruajtur nga ato gjëra që e prishin dhe e cënojnë atë. Qëllimi me kryerjen e haxhit është përulja dhe nënshtrimi para Allahut, afrimi tek Ai me sa të mundesh prej veprave të mira dhe ruajtja nga të këqijat. Në këtë mënyrë arrihet haxhi i bekuar, shpërblimi i të cilit është Xheneti. Ndërsa këto gjëra edhe pse janë të ndaluara në çdo kohë, gjatë haxhit ndalesa e tyre është edhe më e fortë. Shejh Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë).

Dosje:

Loading...