Heqja e aparaturave të vdekurit klinik

March 29, 2021

Nëse i sëmuri mbahet gjallë me aparatura ndërkohë që të gjitha funksionet e trurit të tij janë ndërprerë përfundimisht, merr frymë në mënyrë artificiale dhe rrahjet e zemrës janë artificiale, në këtë rast heqja e aparaturave është e ligjshme. Këtë fetva ka dhënë komisioni i jurisprudencës Islame dhe komisioni i përhershëm i fetvave. me kusht që të dëshmojnë për një gjë të tillë tre mjekë specialistë për arsyet e mëposhtme:

1 – Mbajtja e aparaturave në këtë gjendje nuk është më e nevojshme.

2 – Mbajtja e tyre zgjat vuajtjet e të sëmurit.

3 – Zgjatja e vuajtjeve të tij shkakton vuajtje për të afërmit e tij.

4 – Mbajtja e aparaturave pa nevojë ka shpenzime të pajustifikueshme.

(Shiko: “Fetava el lexhneh ed daimeh” 25/80, dhe “Karartu mexhmea el fikh el Islami” 49.

 

Mjekimi i jashtëm me gjëra të paligjshme 

 

Mjekimi me gjëra të paligjshme për estetikë apo për mirëmbajtjen e përgjithshme të shëndetit, është i ndaluar sipas gjithë dijetarëve të fesë islame. Po ashtu është i ndaluar mjekimi me gjëra të ndaluara për nevojë apo domosdoshmëri kur gjendet ilaç tjetër i pastër.

(Shiko: “Meratibul ixhma” 39/247, “Mebsuti i Serehsit” 24/10, “Dhehirah i Karrafit” 1/112, “Mexhmua” i Neveviut 9/42, “Mugni” i Ibën Kudames 13/343.)

Ndër argumentat që dëshmojnë për këtë, janë:

1 – Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: ‘’Mjekohuni, por jo me gjëra të ndaluara.’’

(Ebu Daudi 2874)

Grada e hadithit: Albani dhe AbdulKadër Arnauti e kanë cilësuar të mirë.

2 – Tarik ibën Suejdi pyeti Profetin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me verën dhe ai ia ndaloi ta prodhonte atë. Tariku i tha se ne e prodhojmë për mjekim, por Profeti, sal-lAllahu alejhi ue  sel-lem, iu përgjigj: ‘’Ajo nuk është mjekim por sëmundje.’’

(Muslimi 1984)

3 – Ebu Hurejra ka thënë se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar mjekimin me të gjitha ilaçet e pista (të dëmshme).

(Ahmedi 2/305, Tirmidhiu 2046,  Ebu Davudi 3870)

Grada e hadithit: Hakimi, Dhehebiu, Albani dhe AbdulKadri e kanë konsideruar të saktë. Shuajbi e ka konsideruar të mirë.

4 – Abdurrahman ibën Uthman et Tejmi ka përcjellë se një mjek e pyeti Profetin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në lidhje me përdorimin e bretkosës në ilaç, por ai ia ndaloi që ta vriste atë.

(Ahmedi 3/453, 499, Ebu Daudi 3871 dhe 5269)

Grada e hadithit: I saktë. E ka saktësuar; Hakimi, Dhehebiu, Albani, Shuajbi etj.

 Mjekimi me gjëra të paligjshme për nevojë apo domosdoshmëri ndahet në mjekim të jashtëm dhe mjekim të brendshëm.

 

Mjekimi i brendshëm me gjëra të paligjshme 

 

Sa i takon mjekimit të brendshëm me verë sade apo pije të tjera alkolike sade apo të papërziera, katër shkollat juridike pothuajse kanë rënë dakort se mjekimi i brendshëm me to është i ndaluar në mënyrë kategorike. Me përjashtim të një pakice prej dijetarëve të shkollës hanefite dhe shafiite, të cilët e kanë lejuar për domosdoshmëri kur nuk gjendet ilaç tjetër.

(Shiko: “Mebsut” të Serehsit 9/24, “Bedai es Sanai” i Kasanit 5/113, “Et taxh uel iklil” 3/233, “Hashijetul Adevi” 1/582, “El mexhmua” i Neveviut 9/51, “El Mugni” 10/173.)

Ndër ata që mendonte se mjekimi i brendshëm me alkool sade është i ligjshëm kur rrezikohet jeta e individit dhe nuk gjendet ilaç tjetër i pastër, ishte dhe Iz Ibën AbduSelami. Ai shkruan: ‘’Nuk lejohet mjekimi me verë sipas mendimit më të saktë, vetëm nëse dihet se shërimi arrihet vetëm nëpërmjet saj dhe nuk gjendet ilaç tjetër.’’ (“Kauaid el ahkam” 1/95)

Ndërsa përsa i përket mjekimit të brendshëm për domosdoshmëri me gjëra të ndaluara veç pijeve alkolike, midis shkollave juridike ka diskutim.

Sipas shkollës hanefi dhe shafi mjekimi i brendshëm me gjëra të ndaluara veç pijeve alkolike nuk lejohet, vetëm kur mjekimi është i domosdoshëm dhe nuk gjendet mjekim tjetër veç tij.

Në librin “Dur el muhtar” të shkollës hanefite, thuhet: ‘’Dijetarët e shkollës sonë nuk janë të pajtuar sa i takon mjekimit me haram, mirëpo mendimi zyrtar është se një gjë e tillë është e ndaluar, me përjashtim kur dihet se në të ka shërim dhe nuk ka ilaç tjetër veç tij. Njësoj si në rastin kur i lejohet të eturit (i cili po vdes nga etja) që të pijë verë (në mungesë të një pijeje tjetër të ligjshme). Ky është mendimi në bazë të të cilit jepet fetvaja.” (“Red el muhtar” 1/210)

Ibën Abidini shkruan: Lejohet që i sëmuri të pijë urinën, gjakun dhe ngordhësirën për mjekim, nëse ia rekomandon një mjek musliman se ajo është kura e sëmundjes së tij, me kusht që të mos gjendet ilaç tjetër i ligjshëm i cili kryen të njëjtin funksion. (“Hashijetu Ibën Abidin” 5/228)

Imam Neveviu shkruan: Hoxhallarët e shkollës sonë kanë thënë: “Mjekimi me diçka të pistë lejohet vetëm kur nuk gjendet diçka tjetër e pastër të kryej funksionin e saj. Nëse gjendet, atëherë përdorimi i ndyrësisë bëhet i ndaluar pa diskutim.” (“El Mexhmua” 9/58)

Argumenti i lejimit të mjekimit të brendshëm me gjëra të ndaluara, është parimi i përgjithshëm i cili e lejon përdorimin e gjërave të ndaluara kur rrezikohet jeta.

Iz ibën AbduSelami ka thënë: Lejohet mjekimi me gjëra të pista nëse nuk gjendet ilaç tjetër i pastër i cili kryen të njëjtin funksion. Sepse interesi i shëndetit dhe mirëqënies është më i madh se interesi i shmangies së gjërave të pista. (“Kauaid el ahkam” 1/95)

Arsyeja e dallimit midis mjekimit të brendshëm me pijet alkolike sade dhe midis gjërave të tjera të paligjshme, është:

  • Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e quajti verën ‘sëmundje’. Pra ajo nuk shëron por e përkeqëson gjendjen e të sëmurit.
  • Shërimi përmes pijes së alkoolit sade nuk është i sigurt, andaj nuk lejohet të pihet bazuar mbi hamendësime.
  • Frika se nëse i bëhet e lejuar të sëmurit që të mjekohet përmes pirjes së pijeve alkolike, ai do abuzojë me to sepse krijojnë varësi.

Ndërsa sipas shkollës maliki dhe hanbeli, mjekimi i brendshëm me gjëra të paligjshme është i ndaluar në mënyrë kategorike.

Bazuar në hadithin që gjendet në librat e sunenëve ku ceket se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar mjekimin me gjëra të pista (të dëmshme). Në hadithin e Muslimit ku  është cekur se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, u pyet në lidhje me verën e cila prodhohet për mjekim, tha: ‘’Ajo nuk është ilaç, por sëmundje.’’

Këtë mendim mbronte dhe Ibën Tejmije, dhe thonte: “Mjekimi me gjëra të ndaluara nuk lejohet në asnjë rrethanë, madje as në kushte domosdoshmërie.” Ai shkruan pasi është pyetur lidhur me mjekimin me verë për arsye të domosdoshme: “Mjekimi me verë është i ndaluar me tekst nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe këtë mendim kanë pjesa dërrmuese e dijetarëve. Në sahihun e Muslimit është cekur se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, u pyet në lidhje me verën e cila prodhohet për mjekim, dhe ai tha:Ajo nuk është ilaç, por sëmundje.’’ Në librat e sunenëve ceket se Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar mjekimin me gjëra të pista. (“Mexhmua el fetava” 266)

Të këtij mendimi ishin dhe komisioni i përhershëm i fetvave në Arabinë Saudite, sikurse citohet në fetvanë me nr. 443.

 

Përgatiti: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...