Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e dytë):
Ata presin rreziqe dhe fatkeqësi për ndjekësit e Sunetit dhe Kuranit. Nëse ndodh që ata të kenë një fitore nga Allahu, thonë: ‘A nuk ishim edhe ne me ju?’ Dhe betohen me betimet më të mëdha për këtë. Por, nëse armiqve të Kuranit dhe Sunetit u vjen ndonjë fitore, ata thonë: ‘A nuk e dinit se lidhja e vëllazërisë mes nesh është e fortë dhe lidhjet tona me ju janë të ngushta?
Prandaj, o ti që dëshiron ti njohësh ata, merre përshkrimin e tyre nga Fjalët e Zotit të botëve, sepse pas atyre fjalëve nuk do të kesh nevojë për ndonjë provë tjetër:
“Ata përgjojnë se çfarë do të bëhet me ju. Kështu, nëse ju vjen fitorja nga Allahu, ata thonë: A nuk ishim vallë ne me ju? Por, nëse mohuesit arrijnë fitore, hipokritët u thonë: A nuk ju ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve të vërtetë? Allahu do të gjykojë mes jush ditën e Kiametit. Allahu nuk do t’iu japë kurrë rast mohuesve që ti shkatërrojnë besimtarët.” (En-Nisa: 141).
Ai që i dëgjon mund të mahnitet nga ëmbëlsia dhe butësia e fjalëve të tyre, dhe që betohet në Allahun për atë që mban zemra e tij prej mashtrimit dhe hipokrizisë. Kështu, do ta shohësh atë të fjetur kur bëhet fjalë për të vërtetën, dhe aktiv në të kotën.
Përshkrimin e tyre merre nga Fjalët e të Plotfuqishmit ku thotë: “Ka prej njerëzve (hipokritë) që të impresionojnë me fjalët e tyre në jetën e kësaj bote, dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemrë, por që, në të vërtetë është kundërshtari (yt) më i betuar.” (El-Bekare: 204).
Urdhrat që ata u japin pasuesve të tyre përmbajnë çoroditje ndaj vendit dhe njerëzve, ndërsa ndalesat e tyre bien ndesh me mirëqenien në këtë botë dhe në jetën tjetër. Ndonjërin mbase mund ta shohësh midis besimtarëve duke falur namaz, duke bërë dhikër, duke u angazhuar dhe duke u përpjekur: “Por kur ai largohet, përpiqet të bëjë të këqia në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. E Allahu nuk e do shkatërrimin.” (El-Bekare: 205).
Ata i përkasin një lloji që ngjasojnë me njëri-tjetrin, urdhërojnë për të këqijat pas që i kanë kryer ato dhe ndalojnë të mirat pas që i kanë braktisur ato. Tregohen kopracë për të dhënë në rrugën e Allahut dhe për kënaqësinë e Tij. Sa shpesh ua ka përmendur Allahu mirësitë e Tij , por ata ia kthyen shpinën përkujtimit dhe harruan? Sa shpesh ua bëri të qartë besimtarëve gjendjen e tyre që të shmangeshin dhe të ruheshin prej tyre?!
Prandaj dëgjoni o besimtarë: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin; ata urdhërojnë për të këqijat dhe ndalojnë për të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e harruan Allahun dhe Allahu i ka harruar ata. Vërtet, hipokritët janë keqbërës.” (Et-Teube: 67).
Nëse u kërkon ti nënshtrohen të vërtetës së shpallur, do ti gjejsh të larguar prej saj. Nëse i fton për të ndjekur gjykimin e librit të Allahut dhe Sunetit të Profetit, do të shohësh se ata shmangen nga ky drejtim. Nëse do ta shihje realitetin e tyre, do të vëreje një distancë të madhe nga udhëzimi dhe një shmangie të thellë dhe të largët nga shpallja:
“Por kur u thuhet atyre: ‘Ejani tek ajo që ka shpallur Allahu dhe tek i Dërguari’,’ i sheh hipokritët se si largohen prej teje me neveri.” (Nisa: 61)
Si mund të gëzojnë sukses dhe udhëzim, pasi që cënuan mendjen dhe fenë e tyre? Si mund të shpëtojnë nga humbja dhe shkatërrimi, kur pranuan të blejnë mosbesimin në këmbim të besimit?
Sa e humbur është tregtia e tyre, pasiqë e zëvendësuan nektarin e vulosur me zjarrin: “Si do të jetë gjendja e tyre kur t’i godasë fatkeqësia për atë që kanë bërë duar e tyre dhe pastaj të vijë te ti duke bërë betime në Allahun, duke thënë: ‘Ne nuk kemi dashur tjetër veçse të bëjmë mirë dhe pajtim.'” [Nisa: 62]
Zekumi i dyshimeve dhe hamendësimeve është ngulitur në zemrat e tyre, dhe nuk gjejnë dot shpëtim: “Këta janë ata që Allahu e di çfarë ka në zemrat e tyre, prandaj largohu prej tyre, këshilloji dhe thuaju fjalë që i prekin në zemër.” [Nisa: 63]
Mallkuar qofshin! Sa larg qëndrojnë nga e vërteta e besimit, dhe sa të gënjeshtra janë pretendimet e tyre për përmbushje (të detyrimeve) dhe njohuri. Ata jetojnë në një botë dhe ndjekësit e Profetit në një botë tjetër. Allahu i Madhëruar, ka bërë një betim të madh në Librin e Tij, që e kuptojnë të mençurit, ndërkohë që zemrat e tyre janë të ndrojtura nga respekti dhe nderimi. Allahu i Lartësuar, duke u tërhequr vërjetjen të dashurve të Tij dhe duke treguar gjendjen e këtyre njerëzve, thotë: “Jo për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besintarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë që ndodhin midis tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” [Nisa: 65]
Betimet e tyre u paraprijnë fjalëve që thonë akoma pa i kundërshtuar, sepse e dinë se zemrat e besimtarëve nuk qetësohen me ta, kështu që ruhen me betime nga dyshimi dhe zbulimi i qëllimeve. Në këtë mënyrë gënjejnë njerëzit e dyshimtë dhe bëjnë betime në mënyrë që të tjerët të mendojnë se janë të sinqertë: “Ata i përdorin betimet e tyre si mburojë dhe i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut; sa e keqe është ajo që bëjnë!” [Munafikun: 2]
Mallkuar qofshin! Ata u shfaqën në horizont bashkë me karvanin e besimtarëve, por kur panë gjatësinë e rrugës dhe largësinë e mundimshme u kthyen pas dhe u larguan. Ata menduan se po gëzonin jetesën e këndshme dhe ëndrrat e qeta në vendbanimet e tyre, por nuk gëzuan gjatë dhe nuk përfituan aspak nga kjo qetësi. Dhe kur erdhi thirrësi, ata u ngritën nga tryezat e tyre ndërkohë që ishin të uritur dhe të pa ngopur.
E si do të jetë gjendja e tyre kur të përballen me takimin e madh? Ndërkohë që patën mësuar por pastaj mohuan, u verbuan pasiqë e patën parë të vërtetën. “Kjo, sepse ata fillimisht besuan pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.” (Munafikun 3).
Ata janë më të pashmit në fizikun e tyre, më të zhdërvjellët në fjalë, më të ëmblit në shprehje, por më të ligët në zemër dhe më të dobëtit në shpirt. Ata janë si drurët e mbështetur që nuk japin fryte. Si trungjet që janë shkulur nga vendi ku qenë mbjellur dhe mbështeten në mur që t’i mbajë dhe të mos shkelen nga ata që kalojnë.
“Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta).” (Munafikun 4).
Ata e vonojnë namazin nga koha e tij e parë duke e shtyrë në orën e vdekatarëve; sabahun e falin në lindjen e diellit dhe ikindinë në perëndimin e tij. E kryejnë atë (namazin) si çukitja e korbit sepse namazi për ta është aparencë dhe jo esencë. Shikojnë sa këtej-andej gjatë namazit siç vepron dhelpra, sepse u duket sikur janë të dëbuar dhe të këkruar.
Ata nuk e prazanotjnë namazin në xhami; e nëse ndonjëherë e falin, e bëjnë në shtëpi ose në dyqan. Kur polemizojnë, janë të padrejtë; kur japin premtime, i thyejnë; kur japin besën e tradhtojnë; kur flasin, gënjejnë. Këto janë veprimet e tyre me njerëzit dhe këto janë veprimet e tyre me Krijuesin!
Merre përshkrimin e tyre nga fillimi i sures el Mutafifin dhe në fundin e sures Tarik, sepse askush nuk i di më mirë karakteristikat e tyre se sa një ekspert. “O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është Xhehenemi; sa vendbanim i shëmtuar është ai.” (Teube 73).
Sa të shumtë janë (në sherrin që bëjnë) dhe sa pak janë në numër?! Sa të fuqishëm janë (për të bërë keq) dhe sa të dobët që janë?! Sa të paditur janë dhe sa shtinjakë që tregohen?! Sa të mashtruar janë me Allahun ndërkohë që janë të paditur për madhështinë e Tij?!
“Ata betohen për Allahun se janë në fenë tuaj, ndërkohë që nuk janë prej jush, por janë njerëz frikacakë (për të treguar si janë në të vërtetë).” (Teube: 56).
Nëse ndjekësit e Kuranit dhe Sunetit përjetojnë shëndet dhe fitore, kjo i shqetëson dhe i brengos së tepërmi. Por nëse ata përballen me sprovë nga Allahu që i pastron mëkatet e tyre dhe i shlyen gabimet e tyre, ata gëzohen dhe kënaqen.
Kjo vërteton trashëgiminë e tyre dhe të tjerëve. Dhe nuk është i barabartë ai që ka për trashëgimi të Dërguarin me atë që ka si trashëgimi hipokritët: “Nëse ty të vjen ndonjë e mirë, ata hidhërohen; nëse të godet ndonjë e keqe, ata thonë: “Sa mirë që i morëm masat që më parë” dhe largohen të gëzuar. Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Teube 50-51).
“Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” Al-Imran: 120.
Allahu e ka urryer adhurimin e tyre për shkak të zemrave të tyre të ndyra dhe qëllimeve të këqija, prandaj i ka bllokuar dhe i ka penguar. Ai e ka urryer afërsinë e tyre me Të, sepse janë përkrahës të armiqve të Tij, prandaj i ka larguar. Ata u larguan nga shpallja e Tij dhe Ai u largua prej tyre duke i bërë të mjerë dhe jo të lumtur. Ai gjykoi ndaj tyre me një gjykim të drejtë pas të cilit nuk kanë shpresë për sukses, përveç nëse bëhen prej atyre që pendohen.
Allahu i Lartësuar tha: “Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur; por Allahu nuk e pëlqeu vajtjen e tyre, prandaj i pengoi dhe atyre iu tha: “Rrini me ata (të paaftë për luftë) që do të ulen (në shtëpi)!”. Teube: 46
Pastaj përmendi urtësinë në pengimin dhe ndalimin e tyre, largimin dhe disatncimin e tyre nga dera e Tij si mirësi ndaj të dashurve të Tij për ti lumturuar ata. Allahu i Lartësuar tha:
“ Sikur të kishin dalë me ju, ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit.” Teube: 47.
Tekstet (Kurani dhe Suneti) u bënë të rënda për ta, ndaj i urrejtën. I mundoi bartja e tyre, kështu që i hodhën dhe i lanë, ndërsa sunenet u rrëshqitën ndaj dhe i shpërfillën dhe nuk i ruajtën. Tekstet e Librit dhe Sunnetit i kishin afër por i kundërshtuan duke vënë rregulla dhe ligje për ti hedhur poshtë. Allahu i hoqi maskat e tyre dhe i zbuloi të fshehtat e tyre, dhe u tregoi besimtarëve shembullin e tyre për të qenë sa më të kujdesshëm, prandaj tha:
“ Kjo për shkak se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, andaj Ai i ka zhvlerësuar veprat e tyre.” (Muhamed: 9)
Ky është karakteri i atyre që u janë rënduar tekstet dhe i shohin si pengesë midis tyre inovacioneve dhe dëshirave të tyre. Ato për ta janë si një ndërtesë e fortifikuar mirë, dhe kështu e shesin për një grumbull fjalësh të kota dhe e zëvendësojnë me “pjesë” (fjalësh boshe)[1]. Kjo u shkaktoi atyre prishjen e asaj që shfaqin dhe asaj që mbajnë fshehur.
“ Kjo për shkak se u thoshin atyre që nuk e donin atë, që e ka shpallur Allahu: “Ne do t’ju bindemi juve në disa gjëra” – por Allahu i di mirë fshehtësitë e tyre. E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?! Kjo, sepse ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut dhe urryen pëlqimin e Tij e kështu, Ai ua zhvlerësoi atyre veprat.” Muhamed: 26-28.
Ata e mbajtën të fshehtë dyfytyrësinë e tyre, por Allahu e zbuloi atë në tiparet e fytyrave dhe në shkarjet e gjuhëve të tyre. Ai i damkosi me shenja që nuk mund tu fshihen atyre që njohin të vërtetën dhe besimin. Ata menduan se duke fshehur kufrin dhe duke shfaqur besimin e tyre do të kenë sukses dhe do të arrinin ti mashtronin besimtarët. Por a nuk e dinin se Allahu do t’i zbulojë për atë që fshehin?
“Vallë, a mendojnë ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre,[2] se Allahu nuk do t’ua nxirrte në shesh urrejtjen e tyre (ndaj Islamit)? Sikur të donim, Ne do të t’i tregonim ty ata dhe ti, me siguri, do t’i njihje sipas shenjave të tyre. Por, ti do t’i njohësh ata sipas mënyrës së shprehjes së tyre. Allahu i di veprat tuaja.” (Muhammed: 29–30).
[1] Me librin Fusus el Hikem të ibn Arabiut shejhut të sufistëve.
[2] Pra, hipokritët që kanë sëmundjen e dyshimit dhe të dyfytyrësisë.
Ibn Kajim el Xheuzije në veprën e tij ‘Medarixh es-Salikin’ (vëllimi 1, faqet 347-359).
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Hipokrizia
Të Ngjashme
- Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e tretë) Ibn Kajim el-Xheuzije
- Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e parë) Ibn Kajim el-Xheuzije
- Fillimi i devijimit në çështjet e akides Udha e Besimtarëve
- Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë sqaruar besimin në mënyrën më të qartë Udha e Besimtarëve
- Përsosmëria e udhëzimit dhe plotësimi i mirësisë ndaj këtij umeti Udha e Besimtarëve