Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie (Pjesa e parë)

May 9, 2025

Hipokrizia është burimi i çdo fatkeqësie

Ibn Kajim el Xheuzije në veprën e tij ‘Medarixh es-Salikin’ (vëllimi 1, faqet 347-359) kur flet për hipokrizinë jep një këshillë të sinqertë duke thënë:

Sa i përket hipokrizisë: ajo është sëmundja e brendshme e rëndë, nga e cila njeriu mund të jetë plotësisht i prekur pa e ndjerë. Ajo është e fshehur nga njerëzit dhe shpesh herë edhe nga ata që janë mpleksur prej saj, dhe kështu mendojnë se janë përmirësues, ndërsa në të vërtetë janë shkatërrues.

Hipokrizia është dy llojesh: e madhe dhe e vogël.

Hipokrizia e madhe e bën personin të qëndrojë përgjithmonë në shtresën më të ulët të zjarrit të Xhehenemit.

Kjo lloj hipokrizie aludon në shfaqjen e besimit në Allahun, melekët, librat, të dërguarit dhe Ditën e Fundit, kur është para muslimanëve, ndërsa në të vërtetë, brenda vetes personi është i zhveshur nga të gjitha këto dhe nuk i beson asnjërës. Ai nuk beson se Zoti ka folur dhe i ka shpallur një njeriu duke e bërë të dërguar që ti udhëzojë njerëzit me lejen e Tij dhe t’i paralajmërojë ata për ndëshkimin e Tij.

Zoti i Lartësuar në Kuranin fisnik ua hoqi maskat hipokritëve, i zbuloi sekretet e tyre dhe i lajmëroi robët e Tij që të jenë të kujdesshëm ndaj tyre.

Në fillim të sures El-Bekare, Ai përmendi tri grupe njerëzish: besimtarët, jobesimtarët dhe hipokritët. Për besimtarët, Ai përmendi katër ajete, për jobesimtarët dy, dhe për hipokritët trembëdhjetë ajete, për shkak të numrit të madh të tyre dhe për shkak të sprovës së madhe që ata përbëjnë për Islamin dhe ithtarët e tij.

Sprova e Islamit me hipokritët është shumë e rëndë, sepse ata pretendojnë se i përkasin kësaj feje, e ndihmojnë dhe janë miq të muslimanëve, ndërkohë që në të vërtetë janë armiq të kësaj feje. Ata e shfaqin armiqësinë e tyre në çdo formë por njerëzit injorantë mendojnë se kjo ka të bëje me diturinë dhe përmirësimin, por në të vërtetë është injorancë dhe shkatërrim i skajshëm.

Kushedi sa kështjella të Islamit i kanë rrënuar?! Sa shumë prej bazave të tij i kanë shkatërruar?! Sa shumë dije të Islamit i kanë zhdukur?! Sa flamuj të tij të ngritur i kanë ulur?! Sa shumë i kanë sulmuar bazat e tij me armët e dyshimeve me qëllim për t’i shkulur ato?! Sa shumë burime të Islamit i kanë mbyllur me mendimin për t’i shuar dhe shkatërruar ato?!

Islami dhe ithtarët e tij gjithmonë do të jenë të sprovuar nga hipokritët, të cilët do t’i sulmojnë ata me dyshimet e tyre herë pas here dhe gurp pas grupi dhe do të pretendojnë se janë përmirësues:

 

أَلَا إِنَّهُمْ هُمُ الْمُفْسِدُونَ وَلَكِن لَّا يَشْعُرُونَ﴾ [البقرة : ١٢].

“E në fakt janë ata vetë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë.” (El-Bekare: 12).

“Ata duan të shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre, por Allahu e plotëson dritën e Tij, edhe nëse jobesimtarët e urrejnë këtë” (Es-Saff: 8).

Ata u dakortësuan me njërit tjetrin që të ndahen përgjithmonë nga shpallja (Kurani, Suneti) dhe u bënë bashkë në mosndjekjen e udhëzimit:

“Ata e ndanë çështjen e tyre në fraksione, dhe secili grup është i kënaqur me atë që ka” (El-Mu’minun: 53).

“Të cilët e frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim” (El-En’am: 112).

Për këtë arsye: “Ata e shpërfillën këtë Kuran si (diçka) të urryer.” (El-Furkan: 30).

Shenjat e imanit u shuan në zemrat e tyre, kështu që nuk i njohin më! Yjet e tij të ndritshme u shuan nga zemrat e tyre dhe nuk i ngjallën më. Dielli i tij (imanit) u eklipsua për shkak të errësirës së mendimeve dhe ideve të tyre, kështu që nuk e shohin më atë.

Ata nuk e pranuan udhëzimin e Allahut me të cilin dërgoi profetin e Tij dhe nuk e ngritën kokën për të. Madje nuk ndjenë ndonjë keqardhje kur u larguan nga ai drejt mendimeve dhe ideve të tyre.

Ata i shkëputën tekstet e shpalljes nga sovraniteti i së vërtetës dhe i larguan ato nga autoriteti i sigurisë dhe vërtetësisë. Ata nisën sulme të vazhdueshme me interpretime të pavërteta mbi këto tekste, duke u bërë pritë pas prite.

Shpallja erdhi tek ata si mysafiri që zbret tek disa njerëz të pashpirt, kështu që e pritën me mosrespekt dhe pa mirësjellje. Ata i panë tekstet për së largu por i shtynë larg me zemërim dhe përçmim, duke thënë: ‘Nuk kanë të drejtë kalimi tek ne’. E nëse është patjetër, atëherë le të kalojnë vetëm kalimthi.

Për ti refuzuar këto tekste ata përgatitën mjete dhe barriera të ndryshme, dhe kur ato zbritën në oborrin e tyre, ata thanë: Na mjafton ajo që gjetëm tek halefët tanë të mëvonshëm, sepse janë më të dijshëm për këto çështje sesa paraardhësit tanë të mëhershëm.

Ata (halefët) janë më të saktë në përdorimin e argumenteve dhe provave’. Ndërsa (selefët) të mëhershmit ishin më të thjeshtë dhe të pastër në zemrat e tyre, nuk patën kohë të mjaftueshme për të ndërtuar themelet e studimit, por e përqendruan vëmendjen në zbatimin e urdhrave dhe shmangien e ndalesave.

Kështu që (sipas tyre) metoda e të mëvonshmëve është më e ditur dhe më e mençur, ndërsa metoda e të mëparshmëve (selefëve) është më e paditur, paçka se më e sigurt!

Ata e ulën statusin e teksteve të Kuranit dhe Sunetit në nivelin e një sundimtari (halifeje) të kohës sonë; emri i të cilit është stampuar në monedhë dhe del të ligjërojë hutbe mbi minber, por që fuqia gjykuese është në duart e dikujt tjetër.  Kështu, vendimi i tij nuk është as i pranuar e as i dëgjuar.

Ata veshën rrobat e ithtarëve të besimit mbi zemrat e njerëzve të shthurur, të humbur dhe të mbushura me mëri dhe mohim. Pamja e tyre e jashtme u ngjason Ensarëve (përkrahësve), por brendia e tyre anon dhe bashkohet me jobesimtarët.

Gjuhët e tyre duken si gjuhë paqësore, por zemrat e tyre janë zemra agresore. Ata thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe Ditën e Fundit’, por në fakt ata nuk janë besimtarë”  (El-Bekare: 8).

Kapitali i tyre është hileja dhe mashtrimi, ndërsa malli i tyre është gënjeshtra dhe pabesia. Ata kanë logjikën e mbijetesës, që i bën të ndihen të sigurt mes dy palëve, duke i bërë të dyja palët të kënaqura me ta: “Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe ata që besojnë, por nuk mashtrojnë askënd përveç vetvetes, por nuk e ndiejnë këtë”  (El-Bekare: 9).

Sëmundjet e dyshimeve dhe dëshirave të gabuara depërtuan në zemrat e tyre dhe i shkatërruan ato. Qëllimet dhe synimet e tyre të këqia dominuan dhe i prishën ato. Fesadi i tyre shkoi larg derisa u shkatërruan, aq sa mjekët nuk mundën të mernin përsipër kurimin e tyre: “Në zemrat e tyre ka sëmundje, kështu që Allahu ua shtoi sëmundjen edhe më shumë dhe për ta ka një ndëshkim të dhimbshëm për shkak se ata gënjenin” (El-Bekare: 10).

Cilido që bie në kthetrat e dyshimeve të tyre të helmuara, imani i tij ka për tu copëtuar. Kushdo që zemra e tij preket nga shkëndijat e fitneve të tyre, do ta shpien në zjarrin e ndezur fort. Dhe kushdo që i lejon dyshimet e tyre mashtruese të depërtojnë tek dëgjimi, mes zemrës së tij dhe jekinit (vërtetësisë) ka për tu krijuar një hendek.

Shkatërrimi i tyre në tokë është i madh, por shumica e njerëzve janë të pavëmendshëm: “Kur u thuhet: Mos bëni shkatërrim në tokë, ata thonë: Ne jemi vetëm përmirësues! Por, vërtet, ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë këtë” (El-Bekare: 11-12).

Ai që mban fort Librin dhe Sunetin, sipas tyre, është njeri që kupton vetëm aparencën e teksteve dhe nuk ka pjesë në intelektin e vërtetë. Për ta, ai që u përmbahet teksteve është si një gomar që mbart libra, i cili ka si preokupim vetëm bartjen e transmetimeve. Tregtia e atij që ndjek shpalljen hyjnore për ta është e pavlefshme dhe jo e pranueshme. Pasuesit e udhëzimit profetik për ta janë të marrë, dhe në bisedat dhe takimet e tyre gjithmonë i përçmojnë: “Kur u thuhet: Besoni siç kanë besuar njerëzit, ata thonë: A të besojmë siç kanë besuar të marrët? Por ata janë të marrët, por nuk e dinë këtë”  (El-Bekare: 13).”

Secili prej tyre (munafikëve) ka dy fytyra: një që e tregon para besimtarëve dhe një tjetër që e shfaq para vëllezërve të tij mohues. Ai gjithashtu ka dy gjuhë: njërën me të cilën bëhet i pranueshëm tek myslimanët dhe tjetrën me të cilën përkthen sekretet e tij të fshehta.

“Kur takohen me ata që besojnë, ata thonë: “Ne besojmë”, por kur tërhiqen tek djajtë e tyre, thonë: “Ne jemi me ju, ne thjesht po talleshim” (El-Bekare: 14).

Ata u larguan nga Kurani dhe Suneti, duke i përçmuar ata që i ndjekin. Ata refuzuan t’i nënshtrohen gjykimit të shpalljes hyjnore, të gëzuar me dijen që kanë, një dije që nuk u sjell asnjë dobi, vetëm sa u shton arrogancën dhe krenarinë. Prandaj, i sheh gjithmonë duke u tallur me ata që i përmbahen shpalljes së qartë:

“Allahu tallet me ta dhe i lë ata në rebelimin e tyre, duke i lënë të bredhin verbërisht” (El-Bekare: 15).

Ata dolën në kërkim të një tregtie të humbur në detet e errësirës. Hipën në anijet e dyshimeve dhe konfuzioneve, të cilat lundruan me ta në valët e imagjinatave. Era e fortë luajti me anijet e tyre dhe i hodhi mes anijeve të humbura:

“Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, por tregtia e tyre nuk pati sukses dhe nuk qenë të udhëzuar në rrugën e drejtë.” (El-Bekare: 16).

Drita e besimit ua ndriçoi atyre rrugën, kështu që panë vendet e udhëzimit dhe të humbjes, por më pas ajo dritë u shua dhe mbeti një zjarr që digjet me flakë. Ata me atë zjarr po torturohen dhe në ato errësira po verbohen:

“Rasri i tyre shëmbëllen me rastin e atyre që ndezin një zjarr dhe, kur zjarri ua ndriçon ç’kanë rreth vetes, Allahu ua merr dritën, i lë ata në errësirë, pa qenë në gjendje të shohin asgjë.” (El-Bekare: 17).

Veshët e zemrave të tyre janë rënduar nga shurdhëria, kështu që nuk e dëgjojnë thirrësin e besimit. Sytë e mendjeve të tyre janë mbuluar nga verbëria, kështu që nuk i shohin të vërtetat e Kuranit. Gjuhët e tyre janë heshtur nga e vërteta, kështu që nuk flasin për të:

“Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, prandaj nuk kthehen në rrugë të drejtë.” (El-Bekare: 18).”

Shiu i shpalljes ra mbi ta, në të cilin gjendet jeta e zemrave dhe e shpirtrave; por ata nuk dëgjuan prej tij asgjë përveç bubullimës së kërcënimeve dhe paralajmërimeve dhe detyrimeve që u janë vendosur ditën dhe natën. Kështu që vunë gishtat në veshët e tyre, u mbuluan me rrobat e tyre dhe nxituan të largohen, ndërsa thirrjet dhe paralajmërimet i ndoqën nga pas. Ata u thirrën përpara të gjithëve dhe gjendja e tyre u zbulua për të gjithë njerëzit e mençur. Për ta u sollën dy shembuj sipas gjendjes së dy grupeve nga mesi i tyre: atyre që debatojnë dhe atyre që ndjekin verbërisht.

Allahu tha: “Ose shembëllen, me ata që, gjatë shtrëngatës nga qielli, shoqëruar me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, i mbyllin veshët me gishtat e tyre, për të mos dëgjuar ushtimën nga frika e vdekjes. Kështu, Allahu i ka nën kontroll mohuesit. (El-Bekare: 19).

Shikimi i mendjes së tyre u dobësua për të përballuar dritën e shkëlqimit të shpalljes dhe ndriçimin e kuptimeve të saj. Dëgjimi i tyre ishte i paaftë për të përballuar bubullimat e premtimeve, urdhrave dhe ndalesave. Ata janë të hutuar në luginat e humbjes, ku askush nuk mund të përfitojë nga dëgjimi i tij, dhe asnjë nuk orientohet nga shikimi i tij:

“Sa herë që ajo ua ndriçon rrugën, ata ecin dhe, kur i kaplon errësira, ndalen. Sikur të donte Allahu, do t’u merrte dëgjimin dhe shikimin e tyre. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (El-Bekare: 20).

Ata kanë shenja që janë të njohura, të qarta në Sunet dhe në Kuran, të dukshme për ata që i studiojnë iprej mendjendriturve dhe ithtarëve të besimit.

Vallahi, syfaqësia ka zënë vend brenda tyre, ndërkohë që ajo është pozita më e keqe që një njeri mund të zërë. Përtacia i ka penguar nga obliginet e urdhëruara nga Zoti, prandaj dhe sinqeriteti është bërë për ta i rëndë: “Dhe kur ngrihen për t’u falur, ngrihen të plogësht, duke dashur të duken para njerëzve, dhe nuk e kujtojnë Allahun veçse pak.” (En-Nisa: 142).

Secili prej tyre është si delja e humbur midis dy kopeve, që herë blegërin në njërën dhe herë në tjetrën, pa u vendosur me asnjërën prej tyre. Ata qëndrojnë midis dy grupeve, duke vëzhguar se cili prej tyre është më i fortë dhe më i nderuar:

“Luhaten në mëdyshje, nuk janë as me këta e as me ata. Këdo që Allahu e shpie në humbje, ti (o Muhamed) nuk do të mundesh t’ia gjesh rrugën’’ (En-Nisa: 143).”

Ibn Kajim el Xheuzije në veprën e tij ‘Medarixh es-Salikin’ (vëllimi 1, faqet 347-359)

Përktheu: Fatjon Isufi

 

Dosje:

Loading...