Histori në lidhje me shkopin e Umerit radijallahu anhu .
Këto janë disa histori në lidhje me shkopin e Umerit radijallahu anhu për të cilin esh-Shabij ka thënë: Shkopi i Umerit radijallahu anhu ishte më autoritar se sa shpata e Haxhaxhit1.
1) Transmetohet nga Uehb bin Zejdi se në Medine ishte një person që tallej pa masë. Ky njeri e divorcoi gruan e tij njëmijë herë(me fjalën njëmijë). Ia paraqitën këtë rast Umerit radijallahu anhu .Personi u justifikua duke thënë se po bënte shaka. Umeri e goditi me shkopin dhe i tha: Duhet të të mjaftonin tre herë (divorc).
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar Musanefit të Abdurrazakut, es-Suneh të Ibn Shahinit dhe es-Sunenul Kubra të Bejhakiut.
2) Transmetohet nga Musa bin Halef se Umeri radijallahu anhu kaloi pranë një burri i cili po fliste me një grua në cep të rrugës. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop. Ai tha: O prijësi i besimtarëve! Ajo është gruaja ime. Umeri radijallahu anhu tha: Pse nuk ke ndaluar diku ku shihesh nga njerëzit?!
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar librit Mekarimul ahlak të el Haraiti)
3) Transmetohet nga Ebu Amr esh-Shejbanij se ishte një person që quhej Dehr. Umerit radijallahu anhu i erdhën lajme se ky person agjëronte gjatë gjithë kohës. Atëherë Umeri radijallahu anhu e goditi atë me shkop dhe i tha: Ha o Dehr!
(Transmeton Ibn Ebi Shejbeh)
4) Transmetohet nga Ebu Abdurrahman es-Sulemij se Umeri radijallahu anhu ka thënë: Askush të mos hyjë në shtëpinë e një gruaje e cila e ka burrin të larguar nga shtëpia. Dikush tha: Unë kam një vëlla ose djalë xhaxhai(dyshimi vjen nga transmetuesi) i cili është nisur për në luftë dhe më ka porositur që të kujdesem për ta, ndaj dhe hyj tek ata. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe tha:Atëherë kështu pra. Mos hyr por shko deri tek dera dhe thuaj: A keni ndonjë nevojë? Cfarë u duhet? (Transmeton Abdurrazaku në Musanef)
5) Transmetohet nga Ibn Sirini se Umeri radijallahu anhu pa një person që po tërhiqte zvarrë një qengj të cilin do e therte. Atëherë Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe i tha: Mos të pastë nëna, coje drejt therjes në mënyrën më të mirë.
(Transmeton Bejhakiu në es-Sunenul Kubra)
6) Transmetohet nga Musa bin Enes se Sirini i kërkoi Enesit radijallahu anhu ta lironte nga robëria kundrejt pagesës-sepse ishte person që kishte pasuri- por ai refuzoi. Sirini vajti tek Umeri radijallahu anhu dhe iu ankua. Umeri kur mori vesh e thirri Enesin dhe i tha: Prano. Por ai refuzoi. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe lexoi ajetin: “ Lirojini kundrejt pagesës nëse mendoni se ka hajr në ta“. Atëherë ai e pranoi marrëveshjen. (Transmeton Buhariu).
7) Transmetohet nga Sulejman bin Handhaleh se ai tha: Vajtëm tek Ubej bin Kabi radijallahu anhu që të bisedonim me të. Kur ai u ngrit edhe ne u ngritëm me të duke ecur pas tij. Kur na pa Umeri radijallahu anhu duke e ndjekur, e goditi atë me shkop. Ubeji u mbrojt me krahët e tij dhe tha: O prijësi i besimtarëve! Cfarë bëra? Tha: A nuk po e sheh?! (Kjo ndjekje) është sprovë për atë që ndiqet dhe poshtërim për atë që ndjek.
(Transmeton Darimiu në Sunenin e tij)
8) Transmetohet nga Abdullah bin Karib eth-Thekafij se ai bleu një robëreshë nga një person për 4000 dirhemë. Kjo robëreshë kishte abortuar një fëmijë që e kishte me zotëriun e saj. Kur ky lajm i arriti Umerit radijallahu anhu , vajt tek ky person, e goditi me shkop2 dhe tha:A i shisni ato pasiqë është përzier gjaku juaj me gjakun e tyre dhe mishi juaj me mishin e tyre?! Allahu i mallkoftë cifutët, e kishin të ndaluar ngrënien e dhjamit, por ata cfarë bënë?! E shitën atë dhe u ushqyen me fitimin prej saj. (Transmeton Ibn Ebi Shejbeh në Musanef).
9) Transmetohet nga Rashid bin Sad se Umerit radijallahu anhu i erdhi një pasuri, të cilën filloi ta shpërndante mes njerëzve, të cilët u dyndën tek ai. Ndër të tjerët erdhi dhe Sad bin Ebi Uekasi duke i shtyrë njerëzit derisa arriti tek ai. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe tha: Ti u afrove duke mos iu trembur sundimtarit me të drejtën e Allahut, ndaj doja të të bëj me dije se sundimtari me të drejtën e Allahut nuk druhet para teje. (Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar librit et-Tabekat të Ibn Sadit).
10) Transmetohet nga Abdulmelik bin Xhabir bin Atijk se një person nga ensarët po qëndronte tek Umeri radijallahu anhu në një ditë me shi. Ky ensarij u lut së tepërmi për të rënë shi, atëherë Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe tha: E ku e di se cfarë do sjellë ai shi?! Pse nuk thua: Të jetë shi i dobishëm që është i vlefshëm për pasuritë dhe të gjallët(njerëzit dhe kafshët)?!
(Transmeton Ibn Edi Dunja në Kitabul metari uer-radi uel berk)
11) Transmetohet nga Ibrahimi(en-Nehai) se ai tha: Umeri radijallahu anhu e kishte ndaluar që burrat të kryejnë tavafin njëkohësisht sëbashku me gratë. Një ditë Umeri radijallahu anhu pa një burrë që po bënte tavaf sëbashku me gratë, atëherë e goditi me shkop. Personi tha: Nëse unë po veproj drejt ti po më bën padrejtësi, e nëse kam gabuar më mëso. Atëherë Umeri radijallahu anhu i dha atij shkopin dhe i tha: Merr hakun tënd. Por personi e fali Umerin radijallahu anhu .
( Transmeton el Fakihanij në librin Ahbaru Mekeh)
12) Transmetohet nga Ikrimeh bin Halid se ai tha: Hyri një nga djemtë e Umerit radijallahu anhu tek ai i krehur dhe veshur me rroba të bukura. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop saqë e bëri të qajë. Hafsah radijallahu anha tha: Pse e godite? Tha: E pashë që i kishte hyrë vetja në qejf, ndaj doja që ta përcmonte pak veten.
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar Musanefit të Abdurrazakut).
13) Transmetohet nga Zijad bin Alakah se ai ka thënë:Umeri radijallahu anhu pa një person i cili po thoshte: Ky është njeriu më i mirë i këtij umeti pas Profetit salallahu alejhi ue selem , atëherë Umeri radijallahu anhu e goditi atë me shkop dhe tha: Gënjeve sepse Ebu Bekri radijallahu anhu është më i mirë se sa unë dhe se sa babai im, ishte më i mirë se ty dhe se sa babai yt.
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar el Hajthemeh në librin Fedailus-sahabeh).
14) Transmetohet nga Xhabiri radijallahu anhu se Umeri radijallahu anhu pa tek ai një copë mishi të cilën e kishte blerë për një dirhem. Atëherë Umeri e goditi me shkopin e tij. Xhabiri radijallahu anhu tha: O prijësi i besimtarëve! Nuk e kam blerë për veten time, por familja ime donte pak mish ndaj dhe e bleva. Më pas ai (Umeri) e la atë të qetë.
(Transmeton Ibn Ebi Dunja në librin el Xhu´u)
15) Transmetohet nga Uebrah se ai tha: Umeri radijallahu anhu pa Temim ed-Darij radijallahu anhu që po falej pas ikindie, atëherë e goditi atë me shkop. Temimi tha: Pse o Umer? A po më godet për një namaz të cilin e kam falur me Profetin salallahu alejhi ue selem ?! Umeri radijallahu anhu tha: O Temim! Jo të gjithë njerëzit e dinë atë që t´i di.
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar Musnedit të el Harithit dhe Musnedit të Ebu Jalës).
16) Transmetohet nga Seid bin Musejebi se një musliman dhe një cifut u konfliktuan mes tyre dhe u paraqitën tek Umeri radijallahu anhu për gjykim, i cili gjykoi se e drejta i takon cifutit dhe ashtu vendosi.Cifuti tha: Vallahi ke gjykuar me të drejtën. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe i tha: E nga e di ti? Cifuti tha: Ne e gjejmë dispozitë të shkruar në Teurat: Cdo gjykatës që gjykon me të drejtën ka një engjëll nga e djathta dhe një nga e majta, të cilët e përkrahin dhe e bëjnë të ketë sukses, për sa kohë që i përmbahet të vërtetës, ndërsa nqs i shmanget të vërtetës ata e braktisin dhe e lënë.
(Transmeton Maliku në el Mueta dhe Albani në Sahihu et-Tergibi uet-Terhibi nr 2197 dhe tha: Sahihun meukuf)
17) Transmetohet nga Atijeh bin Kajs se Umeri radijallahu anhu e caktoi Seid bin Amr bin Hudhejm si udhëheqës të ushtrive në Hims. Seidi erdhi në Medine(për vizitë), Umeri radijallahu anhu kur e pa e goditi me shkop(pse kishte lënë ushtrinë pa komandant). Seidi tha: Nëse na qorton do e pranojmë qortimin tënd, nëse na ndëshkon do bëjmë durim e nëse na fal do të të falënderojmë. Atëherë Umerit radijallahu anhu i erdhi turp dhe e lëshoi shkopin nga dora, tha: Nuk ke se cfarë justifikimi t`i kërkosh më shumë muslimanit. Pse po na e vonon taksën e atyre vendeve? Seidi tha: Ti na ke urdhëruar që të mos e ngarkojmë bujkun më shumë se sa 4 dinarë, ndaj dhe ne as nuk shtojmë e as nuk pakësojmë nga kjo shumë, por ne e shtyjmë vjeljen e këtyre taksave derisa ata të vjelin prodhimet e tyre. Umeri radijallahu anhu i tha: Nuk do të të shkarkoj sa të jem gjallë.
(Përmendet në librin Kenzul umal duke iu referuar Ebu Ubejdit në librin el Emual , Ibn Zenxhujeh në librin el Emual dhe Ibn Asakirit).
18) Transmetohet nga Zejd bin Halid el Xhuhenij se Umeri radijallahu anhu e ka parë atë duke falur dy rekate pas ikindie. Atëherë Umeri radijallahu anhu iu afrua dhe e goditi me shkop ndërkohë që po falej. Zejdi pasiqë mbaroi tha: O prijësi i besimtarëve! Vallahi, unë nuk do e lë kurrë këtë namaz duke qenë se e kam parë Profetinsalallahu alejhi ue selem duke e falur atë. Atëherë Umeri radijallahu anhu u ul pranë tij dhe tha: O Zejd bin Halid! Sikur të mos kisha frikë se njerëzit do e shfrytëzonin këtë për tu falur deri në mbrëmje(deri në hyrjen e akshamit), nuk do godisja njeri që i fal ato dy rekate.
(Transmeton Ahmedi në Musned 4/115)
19) Transmetohet nga Mejmun bin Mehran se ai tha: Kaloi një burrë pranë Umerit radijallahu anhu dhe kishte me vete një sasi mishi. E pyeti: Cfarë ke me vete? Tha: Mish për familjen time. Tha: Shumë mirë. Më pas kaloi (pas ca ditësh) përsëri me mish në dorë. Përsëri Umeri radijallahu anhu i tha: Shumë mirë. Kur kaloi për herë të tretë me mish, atëherë e goditi me shkop dhe i tha: Kini kujdes nga mishi i tepërt sepse ua dobëson fenë dhe ua shpenzon pasurinë.
(Transmeton Muafa bin Imran në librin ez-Zuhd).
20) Transmetohet nga Seid bin el Musejebi se ai tha:Kur vdiq Ebu Bekri radijallahu anhu , Aisheja radijallahu anha e qau atë me dënesë së bashku me gra të tjera. Kur Umerit radijallahu anhu i mbërriti lajmi, i qortoi dhe u kërkoi të mos vepronin ashtu por nuk iu bindën. Atëherë i tha Hisham bin Uelidit: Shko tek shtëpia e Ebu Kuhafes-dmth tek Umu Feruah- dhe godite atë (Umu Feruah) disa herë me shkop. “Vajtueset” kur e dëgjuan këtë lajm u shpërndanë me të shpejtë.
( E ka përmendur Ibn Haxheri në Fet-hul Barij 5/90 dhe tha: E transmeton Ibn Sadi në et-Tabekat me zinxhir të saktë të pashkëputur)
21) Transmetohet nga Muhamed bin el Munteshiri se ai ka thënë:Kaloi një burrë pranë Umerit radijallahu anhu dhe tha: Unë e di se cili është ajeti më i rreptë në Kuran. Umeri radijallahu anhu e mësyu me shkop dhe e goditi, e më pas i tha: Cfarë të ka shtyrë që të kërkosh për të?! Ai më pas u largua. Të nesërmen kur e takoi përsëri, Umeri radijallahu anhu e pyeti: Cili ishte ajeti për të cilin po flisje dje? Tha: “Kush bën një vepër të keqe do ndëshkohet për të” , cdonjëri prej nesh bën të këqija ndaj do ndëshkohet për to.
(Ibn Haxheri në el Metalib el Alijeh dhe es-Sujuti në ed-Dur-rul Menthur duke iu referuar Musnedit të Is-hak bin Rahujes)
22) Transmetohet nga Temim ed-Darij se ai i kërkoi leje Umerit radijallahu anhu që të tregonte për njerëzit historira dhe tregime.Ai i dha leje. Pas njëfarë kohe kaloi pranë tij dhe e goditi me shkop dhe i tha: Nga ndonjëherë në mbrëmje ose mëngjes(pra jo vazhdimisht me tregime).
(Transmeton Ibn Asakiri në Tarihu Dimeshk)
23) Transmetohet nga Kabisate bin Xhabir el Esedij i cili tha: Isha muhrim(nën ritet e haxhit ose Umres) dhe pashë një dre, të cilin e gjuajta dhe e vrava. U ndjeva keq për këtë ndaj shkova të pyesja Umerin radijallahu anhu . Pranë tij po qëndronte një burrë i bardhë fytyrë-hollë, ishte Abdurrahman bin Aufi radijallahu anhu. E Pyeta Umerin radijallahu anhu, ai u kthye nga Abdurrahmani dhe u konsultua me të: A mendon se i mjafton që të bëjë kurban një qengj? Tha:Po. Atëherë më urdhëroi që të prisja një qengj. Kur u ngritëm për t`u larguar, një shoku im më tha:Prijësi i besimtarëve nuk ishte në gjendje të të jepte vetë fetva ndaj pyeti personin tjetër. NË atë moment Umeri arriti të dëgjonte një pjesë të fjalëve të tij(dhe kuptoi c`po thuhej). Menjëherë e goditi me shkop dhe mu drejtua edhe mua që të më godiste. Thashë: O prijësi i besimtarëve! Unë nuk thashë asgjë, ai foli. Atëherë më la dhe më tha: Doje të vrisje dicka të ndaluar(kafshën gjatë ihramit) dhe të kaloje kufinjtë në fetva. Vërtetë njeriu ka dhjetë hise morale, nëntë prej tyre janë të mira dhe vetëm një hise është e keqe, por ajo mjafton për t`i prishur dhe të tjerat. Më pas tha: Ki kujdes nga gabimet e rinisë.
(Transmeton Hakimi në el Mustedrak dhe tha: Ether i saktë, sipas kushtit të dy shejhave(Buhariut dhe Muslimit në Sahihet e tyre).
24) Transmetohet nga Seid bin Musejebi se ai tha: Doli një robëreshë e Sadit radijallahu anhu e cila quhej Zejra, e veshur me një rrobë të re. Fryu era dhe i zbuloi një pjesë të trupit të saj. Umeri radijallahu anhu e mësyu me shkop. Sadi radijallahu anhu erdhi që ta pengonte, por Umeri radijallahu anhu e goditi atë me shkop.Atëherë Sadi ngriti duart që të lutej kundra Umerit. Umeri ia dha shkopin në dorë dhe i tha:Merre hakun tënd.Por Sadi e fali Umerin radijallahu anhu .
(Transmeton Taberaniu el Muxhemul Kebir nr 309)
25) Transmetohet nga Asim bin Ubejdullah bin Asim bin Umer bin Hatabi se një person mori një qengj për ta therur dhe filloi ta mprihte thikën në sy të tij. Umeri radijallahu anhu e goditi me shkop dhe i tha: Apo ia torturon shpirtin?! A nuk e mprihje dot para se ta merrje për ta therur?!
(Transmeton Bejhakiu në es-Sunenul Kubra 9/280)
Përktheu: Shuajb Rexha