E pesta: Frika e madhe e profetëve prej Allahut të Madhëruar dhe kjo merret nga reagimi i Jahjës -alejhi selam-, sepse sa më shumë të shtohet dija aq më shumë shtohet frika. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Me të vërtetë Allahun e kanë frikë dijetarët.” Suretu Fatir: 28.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin e ajetit thotë: “Ata të cilët e dinë se Allahu ka mundësi për çdo gjë”.
Ska dyshim se dituria e profetëve rreth Allahut është më e madhe se te çdokush tjetër, prandaj dhe profeti ynë Muhamedi -alejhi selam- njëherë kur iu parafytyrua Xheneti dhe Xhehenemit gjatë namazit të eklipsit, u tha njerëzve: “O umeti i Muhamedit! Sikur ta dini atë që unë di do të kishit qeshur pak dhe do të kishit qarë shumë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
E gjashta: Frika më e madhe e profetëve ka qenë në lidhje me detyrën e tyre kryesore, e cila që është përcjellja me besnikëri e porosive dhe e mësimeve të Allahut. Prandaj dhe Jahja tha: “Kam frikë se nëse do ta bësh ti atë gjë para meje, Allahu do të ma shembë tokën poshtë këmbëve apo do të më dënojë.”
Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të tij në Kuran duke i thënë: “O ti i dërguar! Përcille atë që të është zbritur prej Zotit tënd, dhe nëse nuk do ta bësh atëherë nuk e ke përcjellë mesazhin e Tij. Allahu do të të mbrojë prej njerëzve. Ai nuk e udhëzon popullin mohues!” Suretu El-Maide: 67.
Profeti -alejhi selam- nisur nga kjo frikë, shpeshherë kur këshillonte njerëzit për gjëra të rëndësishme përsëriste shprehjen; “E la hel bel-legtu?” që do të thotë; “A nuk e përcolla (mesazhin e Allahut)?” Kur njerëzit thoshin se po, ai thoshte; “Allahumme Ishhed” që do të thotë; O Allah, dëshmo! Këtë gjë Profeti -alejhi selam- e ka përdorur shumë në haxhin e lamtumirës dhe në ditët e sëmundjes së tij para se të vdiste.
E shtata: Në hadith nuk tregohet se pse Jahja -alejhi selam- u vonua në përcjelljen e mesazhit të Allahut. Në rregullat e fikhut përmendet edhe ky rregull: Vonimi i përcjelljes së një gjykimi deri kur të bëhet i nevojshëm apo i përshtatshëm lejohet, ndërsa vonimi i tij nga koha kur është bërë i nevojshëm apo i përshtatshëm nuk lejohet.
Ndoshta prej arsyeve mund të ketë qenë gjetja e momentit të përshtatshëm për përcjelljen e porosive të Allahut, sepse Beni Israilët kanë qenë popull që u kanë shkaktuar shumë mundime profetëve të tyre derisa Allahu i madhëruar e ka përmendur këtë gjë edhe në Kuran: “O ju që keni besuar! Mos jini si ata që e munduan Musën (me gënjeshtra dhe trillime) dhe Allahu e pastroi atë prej tyre. Ai te Allahu ishte njeri me pozitë të lartë.” Suretu El-Ahzab: 69.
Sjellja e keqe me profetët e Allahut në mesin e Beni Israilëve ka qenë punë e njohur, madje edhe vrasja e tyre ka qenë punë e njohur tek ata siç thotë Allahu në Kuran: “Është shkruar për ta (Beni Israilët) poshtërimi dhe mjerimi, dhe fituan zemërimin e Allahut sepse i mohonin ajetet e Allahut dhe i vrisnin pa të drejtë profetët. Kjo për shkak të kundërshtimeve të tyre dhe kalimit të kufijve.” El-Bekare: 61. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar në ajetin e sures Maide i garanton profetin tonë mbrojtjen, duke i thënë: “Allahu do të të mbrojë prej njerëzve.”
Aishja -radiallahu anha- tregon: “Profeti -alejhi selam- kur mbërriti në Medine, atë natë nuk e zuri gjumi dhe tha: Ah sikur një burrë i mirë të më bënte roje! Kur papritur dëgjuam një zë arme dhe atëherë Profeti -alejhi selam- thirri: Kush është? Burri u përgjigj: Jam Sead bin Malik. Profeti -alejhi selam- i tha: çfarë të solli? Ai i tha: Pata frikë për ty o i dërguari i Allahut dhe erdha për të të bërë roje. Atëherë Profeti -alejhi selam- bëri dua për të dhe fjeti.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Aishja -radiallahu anha- gjithashtu tregon: “Profeti -alejhi selam- ruhej nga të tjerët derisa i zbriti ajeti; [Allahu do të të mbrojë prej njerëzve.] Atëherë Profeti -alejhi selam- nxori kokën nga çadra dhe tha: O njerëz! Largohuni se do të më ruaj Allahu!” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson sheih Albani.
Jahja dhe Isa -alejhima selam- e kanë vuajtur shumë sjelljen e keqe të Beni Israilëve me ta, ndoshta Jahja pak më shumë sepse ishte edhe viktimë e kësaj sjelljeje të keqe. Tregon Abdullah bin Zubejri, Ibn Umeri dhe Ibn Abasi -radiallahu anhum- se ai është vrarë për shkak të një femre imorale, kur ai ia ndaloi një mbreti të tyre të asaj kohe martesën me vajzën e vëllait apo me gruan e vëllait siç thonë Ehli Kitabi. Allahu e di më së miri! Ndërsa Isait -alejhi selam- siç tregon për të Allahu në Kuran, Beni Israilët i përgatitën një plan për ta vrarë dhe Allahu e shpëtoi prej tyre.
Por mund të ketë qenë edhe se ai ka dashur të punojë vet me ato porosi, që të japë shembullin e mirë te njerëzit para se t’i ftojë të tjerët për të punuar me to. Profetët, përveç përcjelljes së porosive dhe mësimeve të Allahut për te popujt e tyre kanë pasur detyrë dhe ofrimin e shembullit të mirë për ta. Madje këtë e gjejmë edhe në hadith kur Profeti thotë: [Allahu e porositi Jahjën të birin e Zekerijës -alejhi selam- për pesë gjëra, që t’i zbatojë ai vet dhe t’i urdhërojë Beni Israilët t’i zbatojnë ato].
E teta: Xhamia është vendi më i mirë i grumbullimit për të përcjellë porositë e Allahut. Kështu ka qenë edhe në kohën e Profetit -alejhi selam- i cili kur kishte ndonjë gjë të rëndësishme urdhëronte të thirrej “Es-Salate xhamiaten”, që do të thotë “Grumbullohuni për në namaz me xhemat”. Kështu ai i grumbullonte njerëzit në xhami dhe pastaj u fliste për porositë e Allahut, siç veproi dhe Jahja -alejhi selam-.
E nënta: Zgjedhja e xhamisë Aksa si vend për të përcjellë porositë e Allahut tregon për vlerën e xhamisë Aksa.
Xhamia Aksa është vendi më i begatë i Shamit, një ndër xhamitë më të vjetra të tokës pas Qabes e ndërtuar për adhurimin e Allahut, si dhe kibla e Beni Israilëve. Prandaj dhe nuk kishte vend më të përshtatshëm sesa ajo për t’i përcjellë porositë e Allahut.
E dhjeta: Porositë e Allahut për Beni Israilët janë si porositë e Tij për umetin e profetit Muhamed -alejhi selam-, sepse Profeti ynë na ka njoftuar se Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e Haxhit. E vetmja gjë që ndryshon nga porositë e Jahjës është porosia e pestë, sepse Jahja përmend dhikrin kurse Muhamedi -alejhi selam- përmend Haxhin. Megjithatë, Haxhi në thelbin e tij nuk është gjë tjetër veçse ibadet dhikri për Allahun. Kështu i bie që këto pesë punë të jenë baza e adhurimit të Allahut pasi të gjithë profetët janë porositur për to.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- A keni dëgjuar për ujin e zemzemit? Udha e Besimtarëve
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno