Histori të bukura të treguara nga Profeti – Historia e pesëmbëdhjetë (1)

Histori të bukura të treguara nga profeti Muhamed (Paqja e Zotit qoftë mbi të)

Historia e pesëmbëdhjetë

Ebu Hurejra (radijallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Një burrë u nis nga fshati i tij për t’i shkuar për vizitë dikujt në një fshat tjetër. Ndërkohë që ai ishte duke ecur, Allahu i Madhëruar urdhëroi një melek që t’i dilte para këtij njeriu në maloren e një rruge. Kur burri kaloi pranë tij, meleku e pyeti: Për ku je nisur? Ai i tha: Dua të vizitoj një vëlla besimtar në këtë fshat. Meleku i tha: E ke të afërt? Ai i tha: Jo. Meleku sërish e pyeti: A të ka bërë ndonjë të mirë e ti po shkon ta falënderosh? Ai i tha: Jo. Meleku i tha: Po pse i shkon atëherë për vizitë? Ai i tha: E dua për hir të Allahut të Madhëruar. Atëherë meleku i tha: Mua më ka dërguar Allahu për të të përgëzuar se Allahu të do ty ashtu siç e do ti vëllain tënd besimtar për hatër të Tij.”

Transmeton imam Ahmedi dhe Muslimi.

Dobitë e përfituara nga kjo histori:

E para: Kjo ngjarje edhe pse nuk dihet saktësisht se kur ka ndodhur, mund të thuhet se i përket popujve të mëparshëm para shpalljes së profetit Muhamed (alejhi selam), sepse mesazhet hyjnore janë ndërprerë pas ndarjes së tij nga kjo botë. Enes bin Maliku (radijallahu anhu) tregon: “Pas vdekjes së profetit Muhamed (alejhi selam), Ebu Bekri i tha Umerit: Hajde të shkojmë të vizitojmë Umu Ejmenin siç e vizitonte i Dërguari i Allahut (Paqja e Zotit qoftë mbi të). Kur shkuan ajo filloi të qajë. E pyetën: Pse po qan për ndarjen e Profetit (alejhi selam) nga kjo botë, kur dihet se Allahu për të ka caktuar diçka më të mirë sesa kjo botë? Ajo u përgjigj: Nuk po qaj për këtë, por po qaj se është ndërprerë shpallja nga qielli. Kjo përgjigje i bëri edhe ata të dy të qajnë bashkë me të.” Transmeton Muslimi.

Umu Ejmeni (radijallahu anha) ka qenë shërbëtorja e Profetit (alejhi selam) e cila është kujdesur për të që në vegjëli. Ajo gjithashtu ishte nëna e Usame bin Zejdit.

Pra, pas vdekjes së Profetit (alejhi selam) nuk ndodh që melekët t’u flasin njerëzve sepse mesazhet qiellore janë ndërprerë. Këtë e pohon edhe dijetari Ali Mul-la El-Karij në shpjegimin e këtij hadithi, ku thotë: Kjo ngjarje u përket popujve të mëparshëm ç’ka argumenton edhe vulën e profetësisë – Muhamedin (alejhi selam).”

E dyta: Vëllazërimi i besimtarëve dhe dashuria ndërmjet tyre për hir të Allahut është vepër e dashur tek Allahu. Pikërisht kjo del në pah në këtë hadith, ku personi në fjalë e donte tjetrin për hir të Allahut pa pasur lidhje gjaku me të. Vëllazërimi për të cilin bëhet fjalë në hadith nuk është i njëjti me durimin e përgjithësuar që përmendet në Kuran ku thuhet; “Besimtarët janë vëllezër.” Sure El-Huxhurat: 10.

Ky lloj vëllazërimi është një e drejtë dhe detyrë e çdo besimtari, por në hadith bëhet fjalë për një vëllazërim më specifik e më të ngushtë. Si vëllazërimi që realizoi Profeti (alejhi selam) kur mbërriti në Medine, kur vëllazëroi mes shokëve të tij si p.sh.; mes Abdurrahman bin Aufit dhe Sead bin Rabiah, mes Selman El-Farisiut dhe Ebu Derdasë, mes Ebu Talhës dhe Ebu Ubejdes, mes Hamzës dhe Zejdit, mes Zubejrit dhe Kab bin Malikut etj.

Është shumë e nevojshme që besimtarët të formojnë lidhje të ngushta mes njeri-tjetrit, të këshillohen për hir të Allahut, të ndihmohen për hir të Tij, të largohen nga lidhjet e tjera që nuk janë për hir të Allahut e që mund të jenë shkak për prishje apo shthurje.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Nëse dikush e do vëllain e tij le ta vërë në dijeni.” Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson sheih Albani. Dobia e kësaj qëndron në faktin se duke e njoftuar tjetrin ia fiton zemrën dhe e nxit edhe atë që të ushqejë dashuri për ty.

E treta: Prej shenjave të ruajtjes së vëllazërisë është shkëmbimi i vizitave dhe interesimi për njëri-tjetrin.

Abdullah bin Mesudi (radijallahu anhu) u tha njëherë shokëve të tij kur erdhën për ta takuar: “A uleni me njeri-tjetrin, a qëndroni me njëri tjetrin, a kaloni kohë së bashku? Ata i thanë: Po, dhe kurrë nuk e lëmë këtë gjë. Ai u tha: A e vizitoni njëri-tjetrin? Ata i thanë: Po o babai i Abdurrahmanit. Ndonjëri prej nesh kur nuk e sheh vëllain e tij, ecën deri në skajin më të largët të Kufes derisa ta takojë. Abdullah bin Mesudi u tha: Do të vazhdoni të jeni mirë përderisa ta bëni këtë gjë.” Transmeton Darimiu.

Ja një shembull nga sahabët (Zoti qoftë i kënaqur me ta), i cili tregon se sa e dobishme është vizita e vëllezërve për hir të Allhut. Tregohet se Selmani shkoi për të vizituar shokun e tij të ngushtë Ebu Derdanë, dhe kur arriti te shtëpia e tij e pa gruan e Ebu Derdasë të veshur jo mirë. Iu drejtua asaj dhe i tha: Si është puna? Ajo i tha: Ebu Derdaja nuk ka nevojë për asgjë nga dynjaja (nuk e ka të nevojshme të zbukurohem për të). Erdhi Ebu Derdaja dhe i përgaditi Selmanit ushqim, dhe i tha: Ha se unë jam agjërueshëm! Selmani i tha: Nuk ha derisa të hash edhe ti – dhe ai hëngri. Kur ra nata Ebu Derdaja deshi të ngrihej, por Selmani i tha: Flij – dhe ai fjeti. Kur erdhi mesi i natës Ebu Derdaja deshi prapë të ngrihej, por Selmani i tha: Flij – dhe ai fjeti. Pastaj ai përsëri deshi të ngrihej por Selmani i tha: Flij! Kur erdhi fundi i natës Selmani i tha: Ngrihu – dhe ata u falën së bashku. Pastaj Selmani i tha: Zoti ka hakun e Tij, vetja jote ka hakun e saj dhe familja jote ka hakun e saj, prandaj jepja secilit hakun e vet. Kur është njohur me këtë histori Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Të vërtetën ka thënë Selmani!” Transmeton Buhariu.

E katërta: Allahu i Madhëruar i dërgoi personit të përmendur në hadith një melek, nëpërmjet të cilit të nxirrte në pah nijetin e sinqertë të vizitës së tij e që të mbetet shembull i mirë për t’u pasuar nga të tjerët. Sikur të mos ishte pyetur për shkakun e vizitës ndoshta nuk do ta kishim mësuar arsyen se pse Allahu e deshi këtë rob. Jo se Allahu nuk e di, por që krijesat e Tij ta dinë vlerën dhe rëndësinë e asaj pune.

E pesta: Aftësia e melekëve për të marrë forma të ndryshme në mënyrë që të jenë të dukshëm dhe të shihen  nga njerëzit, pasi në pamjen e tyre origjinale është e pamundur. Dijetarët thonë: Nuk i ka parë melekët në formën e tyre nga ky umet askush përveç Profetit (alejhi selam), ndërsa të tjerët nuk mund t’i shohin vetëm se në prag të vdekjes kur do të hiqen perdet. El-Berra bin Azib (radijallahu anhu) tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Në momentet e fundit të besimtarit në këtë dynja, atëherë kur do t’i drejtohet botës tjetër (Ahiretit), do t’i zbresin melekët nga qielli me fytyra të bardha si diej duke mbajtur qefin prej qefinëve të Xhenetit dhe me parfum prej parfumeve të Xhenetit. Do të ulen dhe do të zënë vend pranë tij aq sa ai do mundet t’i shikojë qartazi. Pastaj vjen Meleku i vdekjes, ulet te koka e tij dhe i thotë: O ti shpirt i mirë! Dil për tek mëshira e Allahut dhe për te kënaqësia e Tij!

Ndërsa jobesimtarit në çastet e fundit të jetës do t’i zbresin nga qielli melekë me fytyra të zeza, duke mbajtur copëza të ashpra qefini dhe do ulen pranë tij aq sa ai mund t’i shohë. Pastaj vjen Meleku i vdekjes dhe i thotë: O ti shpirt i keq! Dil për t’u përballur me zemërimin e Allahut dhe hidhërimin e Tij! Atëherë shpirti i tij shpërndahet në trup dhe ai e tërheq atë siç tërhiqet rrodhja nga leshi i lagur!” Transmeton Ahmedi dhe e saktëson sheih Albani.

 

Vijon …

Dr. Abdullah Nabolli