Realiteti, të cilin e njohin shumë mirë armiqtë e Islamit, është se Islami i mbijeton të gjitha situatave dhe rrethanave, sado të vështira të jenë ato.
Muslimanët mund të dobësohen, edhe të mposhten, por kurrë nuk mund të shfarosen e të zhduken.
Ajo që po ndodh prej më shumë se dy vitesh në Gaza dhe në të gjithë Palestinën – ose më saktë, ajo që po ndodh prej më shumë se 80 vitesh në Palestinë – madje edhe në vende të tjera të botës islame, nuk është veçse një përsëritje e përpjekjeve të mëparshme të dështuara për shfarosjen e muslimanëve.
Kjo është një përpjekje që, me lejen e Allahut ﷻ, do të dështojë, ashtu siç kanë dështuar edhe shumë përpjekje të ngjashme më parë.
Historiani Ibn Ethir (v. 630H) përshkruan vitet 617H / 1220G, gjatë vërshimit të mongolëve mbi vendet islame, duke thënë:
“Kam qëndruar për shumë vite duke shmangur përmendjen e kësaj ngjarjeje, duke urryer ta përmend për shkak të ndodhive tronditëse të saj.
E kush është ai që mund të shpallë vajtimin e Islamit dhe muslimanëve?
Ah, sikur të mos kisha lindur fare, apo të kisha vdekur para kësaj ngjarjeje e të isha harruar!
Disa nga miqtë e mi më nxitën të përshkruaj këtë ndodhi, e megjithëse isha i lëkundur, vendosa të shkruaj për të, sepse heshtja dhe mospërmendja e saj nuk sjell asnjë dobi.
Ajo që ka ndodhur është fatkeqësia më e madhe që ka përfshirë ndonjëherë njerëzimin, e veçanërisht muslimanët.
Nëse dikush do të thoshte: ‘Që prej krijimit të Ademit (alejhi selam) e deri më sot nuk ka ndodhur diçka e tillë’, do të kishte të drejtë, sepse historia kurrë nuk ka njohur diçka të ngjashme me masakrat e mongolëve.
Ndër ngjarjet më të përgjakshme të përmendura më parë është shkatërrimi që ka bërë Buhtensari (Nebuchadnezzar II) në Kuds (Jeruzalem) dhe vrasja e hebrenjëve (bëhet fjalë për vitet 597 – 587 para erës sonë).
E çfarë është shkatërrimi i tij në krahasim me krimet e mongolëve të mallkuar? Çdo qytet që mongolët rrënuan ishte disa herë më i madh se Kudsi, dhe numri i të vrarëve në çdo qytet ishte më i madh se numri i gjithë hebrenjëve në kohën e Buhtensarit.
Ndoshta njerëzimi nuk do të shohë më një ngjarje të tillë deri në Ditën e Gjykimit, përveç asaj që do të ndodhë me daljen e Je’xhuxhëve dhe Ma’xhuxhëve.
Edhe Dexhali, kur të vijë, do të vrasë ata që nuk i binden atij,e jo ndjekësit e vet.
Ndërsa mongolët nuk lanë askënd pa vrarë: burra, gra, fëmijë, madje edhe foshnjat në barkun e nënave të tyre.
(El Kamil fit Tarih, 12/358)
Këtu përfundon fjala e Ibn Ethirit rreth ngjarjeve që ai përjetoi.
Mirëpo, pas vdekjes së tij, mongolët – të cilët konsideroheshin si ushtria më e tmerrshme në histori, që shkatërronin gjithçka që u dilte përpara, duke filluar nga Kina e Tibeti e duke vazhduar në shtetet islame – u mposhtën pikërisht në Palestinë nga sulltani Sejfud Din Kutuz në vitin 658H / 1260G, gjatë muajit të Ramazanit.
Më pas, shteti islam jo vetëm që riktheu territoret e humbura, por u zgjerua si kurrë më parë, madje, edhe shumë prej mongolëve hynë në Islam.
Ajo që e shkatërron umetin islam nuk është forca e armikut, por largimi nga udhëzimet e Allahut ﷻ dhe të Profetit ﷺ, si dhe përçarja mes tyre.
Allahu i Lartësuar thotë:
{وَأَطِيعُواْ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ وَلَا تَنَٰزَعُواْ فَتَفۡشَلُواْ وَتَذۡهَبَ رِيحُكُمۡ}
“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni mes jush, sepse do të humbni guximin dhe do t’ju ikë fuqia.” (el Enfal, 46)
Dijetari Abdur Rahman Sa’di (v. 1376H) thotë:
“Allahu në këtë ajet ka përmendur se bashkimi i zemrave të muslimanëve, qëndrueshmëria dhe mospërçarja mes tyre janë shkak i triumfit. Nëse vëzhgon shtetet islame, do të gjesh se shkaku kryesor i rënies së tyre është lënia e fesë dhe përçarja, gjë që u ka hapur derën ambicieve të armiqve të tyre.”
Theubani (radijAllahu anhu) përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar se Allahu ﷻ i ka premtuar se umeti i tij nuk do të shkatërrohet nga një armik i jashtëm, përderisa ata të përçahen dhe të luftojnë mes vete.
(Transmeton Muslimi).
Komentuesi i haditheve, Ebu Abbas el Kurtubi (v. 656H) thotë:
“Kuptohet nga ky hadith se armiqtë e muslimanëve nuk do të mund t’i nënshtrojnë ata, përveçse nëse muslimanët janë të përçarë dhe luftojnë mes njëri-tjetrit.”
(el Mufhim, 7/218)
Mësimi që nxjerrim nga historia është i qartë:
Shpëtimi dhe fuqia e umetit nuk qëndrojnë vetëm te shifrat, ekonomia, zhvillimi …etj; më i rëndësishëm akoma është kthimi i sinqertë tek Allahu ﷻ, ndjekja e Sunetit të Profetit ﷺ, dhe ruajtja e unitetit të muslimanëve, duke shmangur përçarjen.
Dosje: Histori
Të Ngjashme
- Reflektim rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Muslimane Dr. Fatmir Strumi
- U nis me trup të lodhur por me zemër të gjallë Udha e Besimtarëve
- Ambicia nuk njeh moshë Udha e Besimtarëve
- Si nisi Orientalizmi; gjurmët e fshehta të misionit të Raymond Lull Udha e Besimtarëve
- Kur do ta arrijmë përkushtimin e sahabëve në namaz? Udha e Besimtarëve