Historia e Hudit (alejhi selam)

July 26, 2015

Historia e Hudit (alejhi selam)

Allahu i Lartësuar e dërgoi Hudin (alejhi salatu ues selam) tek populli i tij Ad’i i i lashtë të cilët banonin në Ahkaf e pikërisht në dumat e shkretëtirës së Hadrameutit (Jemen).

E dërgoi në një kohë kur sherri i tyre u shtua dhe filluan të tregonin kryeneçësi ndaj njerëzve duke u thënë: “Kush është më i fortë se ne?” [Fussilet 15]. E mbi të gjitha ky popull adhuronte idhujt dhe përgënjështronte të dërguarit e Zotit.[1]

Allahu e dërgoi në mesin e tyre që ti ftonte në adhurimin e Allahut, të vetëm dhe të pashok. Ti ndalonte nga shirku (IDHUJTARIA) dhe kryeneçësia ndaj njerëzve.

E dërgoi që ti ftonte me çdo mënyrë dhe tu kujtonte ato mirësi të kësaj bote që Allahu u kishte dhënë, furnizimin e mjaftueshëm dhe forcën fizike. Por ata e refuzuan thirrjen e tij, treguan mendjemadhësi në përgjigje dhe thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua.” [Hud 53].

Në fakt ata po gënjenin në këtë pretendim, sepse çdo Pejgamberi, Allahu i ka dhënë prova me anë të të cilave njerëzit do të besonin.[2]

E mgjth, nëse Pejgamberët nuk do të posedonin prova të tjera veç faktit se feja me të cilën erdhën të gjithë ishte e njejtë, kjo do të mjaftonte si provë e dukshme se ajo fe vjen nga Allahu, për shkak të përsosmërisë, rregullit dhe rradhitjes së dobive për çdo kohë që i përshtatet. Pa lënë mënjanë vërtetësinë e NGJARJEVE, urdhërimin e çdo të mire dhe ndalimin nga çdo e keqe, si dhe faktin se çdo Profet vërteton atë që ishte para tij dhe dëshmonte për të, ashtu sikurse e vërtetonte ai (Profet) që vinte pas dhe dëshmonte gjithashtu për të.

Prej provave të veçanta të Hudit: Fakti se ai ishte i vetëm në thirrjen e tij, i vetëm në përballje, i vetëm në momentin kur injoronte mendimet dhe humbjen e tyre, i vetëm kur përçmonte idhujt, ndërsa ata ishin të fuqishëm, tiranë dhe kryeneçë. Ata u munduan ta frikësonin duke i kujtuar idhujt që kishin  se nëse nuk tërhiqej atij do i kanosej çmenduria apo ndonjë gjë e keqe. Por ai i sfidoi hapur dhe u tha qartë: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.” [Hud 54-56].

Ata nuk mundën ta lëndonin me asgjë të keqe! Pra, a ka provë më të madhe se ky sfidim, me të cilin ai u përball me këta armiq që në fakt ishin tepër të interesuar që ta shkatërronin thirrjen e tij (HUDIT) me çdo formë?

 

Kur kryeneçësia e Adit mori fund, ai u largua prej tyre dhe u tërhoqi vërejtjen nga zbritja e dënimit. Dhe ja, dënimi erdhi dhe u shfaq në horizont! Momenti ishte mjaft i vështirë, thatësira dhe nevoja për shi ishte shumë e madhe.

 

Atë çast (kur panë retë e zeza) u gëzuan dhe thanë: “Kjo re po sjell shiun!”.

Allahu tha: “Jo!” “kjo është ajo që ju e keni shpejtuar.” Sepse më parë u shprehët duke thënë: Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!” [Ahkaf 22].

“Një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë.” [Ahkaf 24].

“Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. [Hakka 7].

“E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” [Ahkaf 25].

Pasiqë jeta u kishte buzëqeshur, e krenaria kishte arritur kulmet dhe kërkesat e jetesës i kishin të plotësuara, më tepër se kaq u ishin nënështruar zonat dhe fiset përreth, por kjo nuk u vlejti sepse Allahu u dërgoi një erë të acartë në ditë fatkeqësie Për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë. [Fussilet 16].

“Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” [Hud 60].

Allahu e shpëtoi Hudin dhe ata që besuan me të. “Vërtetë në këtë ndodhi kishte argument” që tregonte fuqinë e plotë të Allahut dhe nderimin e madh ndaj Pejgamberëve dhe ndjekësve të tyre, duke i ndihmuar në jetën e kësaj bote dhe ditën kur të ringjallen krijesat. Është provë e qartë se e keqja shkatërrohet dhe fundi i saj është më i keqi dhe më i shëmtuari. Gjithashtu është argument që pohon ringjallen dhe tubimin në ditën e madhe.

“Historitë e Profetëve”

Shejh Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Fatjon Isufi.

[1] Pse Allahu i Lartësuar kur përmend popullin e Adit thotë: Populli i Adit përgënjështroi të Dërguarit,.” ndërkohë që tek ky popull ishte dërguar vetëm Hudi (alejhi selam)? Dijetarët kanë thënë: Përgënjeshtrimi i një Profeti është përgënjeshtrim i të gjithë Profetëve. Sh.p.

[2] E përcjell Buhariu me nr 4981 dhe Muslimi me nr 152 239 nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu. Hafidh ibn Haxher Allahu e mëshiroftë ka thënë: Kjo do të thotë se çdo Profeti i është dhënë një apo më shumë se një argument me qëllim që nëse njerëzit e shohin do të besonin për shkak të atij argument. [Fet’h el Bari 8/621,622].

Loading...