Historia e Ibrahimit (alejhi selam), babait të Pejgamberëve

Historia e Ibrahimit (alejhi selam), babait të Pejgamberëve

(Pjesa e parë)

Allahu i Lartësuar, ka përmendur në librin e Tij shumë ngjarje dhe ndodhi nga jeta e Ibrahimit (alejhi selam). Tek këto ndodhi, ne gjejmë shembullin që duhet të ndjekim nga Pejgamberët në përgjithësi dhe nga Ibrahimi (alejhi selam) në mënyrë më specifike.

Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin tonë (Muhamedin) dhe na urdhëroi ne që të ndjekim fenë e pastër të Ibrahimit, besimin, moralet dhe vepra të tjera që kishin të bënin me të, apo që u sjellin dobi të të tjerëve.

Zoti i dha pjekurinë, i mësoi urtësinë që në moshë të vogël dhe i mundësoi të shihte mbretërinë e qiejve dhe të tokës. Për këtë arsye, ai ishte njeriu me sigurinë më të madhe (në besim), me dijen më të plotë, më i qëndrueshmi në fenë e Zotit dhe më i mëshirshmi ndaj krijesave.

Allahu e dërgoi atë (Ibrahimin) tek një popull idhujtar që adhuronin diellin hënën dhe yjet. Ata ishin filozofët Sabi’in[1] që llogariten prej sekteve më të djallëzuara dhe më të dëmshme ndaj njerëzve. Ibrahimi i ftoi ata në forma dhe mënyra të ndryshme.

Mënyra e parë: I ftoi me një mënyrë që ishte e pamundur për një njeri të logjikshëm të largohej prej saj, ndërkohë që ata adhuronin shtatë planetet lëvizëse, mes tyre diellin dhe hënën. Madje për këtë ata kishin ndërtuar faltore të posaçme, duke i quajtur Hejkel.

Në formë bashkëbisedimi logjik ai u tha: O populli im, ejani të shohim se a  meritojnë këto planete diçka prej Zotërimit në univers apo që të meritojnë të adhurohen!

Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” [En’Amë 76].

Debati, ndryshon nga format e tjera të bashkëbisedimit, në shumë gjëra:

Së pari: Debatuesi, mund të thotë diçka që realisht nuk e beson. Mbi atë, ai ndërton argumentin e vet dhe ngrë faktet përballë kundërshtarit të tij.

Në momentin kur Ibrahimi theu idhujt dhe populli idhujtar i tha: “A ti e bëre këtë me zotat tanë, o Ibrahim?!” [Enbija 62]. Ai (Ibrahimi), bëri me shenjë kah idhulli që se kishte thyer dhe u tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” [Enbija 63].

Dihet se qëllimi i tij ishte ti mbërthente përballë argumenteve dhe realisht kjo ndodhi. Nga këtu e kuptojmë më shumë fjalën e tij (Ibrahimit) kur thotë: “Ky është Zoti im!” [En’Amë 76].

D.m.th nëse ai meriton që të adhurohet, pasi që e patë gjendjen dhe cilësitë e tij, atëherë ai është zoti im, ndërkohë ai e dinte shumë mirë se ky yll nuk meritonte dhe nuk kishte pjesë në zotërim apo në adhurim as edhe sa grimca.

Por ai deshi ti mbërthente me argument: Dhe, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. [En’amë 76].

Çdo send që orvatet mes ekzistencës dhe jo ekzistencës, prezencës apo mungesës, çdo njeri i logjikshëm e kupton se nuk është i plotë, prandaj nuk mund të jetë Zot.

Pas kësaj ai kaloi tek hëna dhe kur e pa atë duke lindur tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”.  [En’amë 77]. Me këtë, ai (alejhi selam) po mundohej ti mësonte.

Ai (Ibrahimi) e bëri veten në rolin e atij që bie dakort me ta, por jo duke i ndjekur verbazi. Ai synonte përdorimin e argumenteve që ndoshta në sytë e popullit nënkuptonin hyjnizimin e yjeve dhe hënës, dhe në momentin kur ata perënduan dhe u bë e qartë me argumente logjike dhe shqisore se hyjnizimi i tyre është i pavlerë, ai u bëri të qartë atyre se unë akoma nuk jam qetësuar dhe nuk kam vendosur, për një zot, që besoj të jetë madhështor.

“Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” [En’am 78].  

D.m.th më i madh nga yjet e tjerë, si hëna në rastin konkret. E nëse diellit i ndodh ajo që u ndodhi edhe yjeve të tjerë (perëndon), atëherë automatikisht merr të njejtin gjykim si ata. Ndërkohë, ishte bërë mjaft e qartë tek të gjithë ata, se adhurimi i diçkaje që perëndon, konsiderohet gjëja më e pavlerë.

Në ato momente, ai i mbërtheu (para fakteve), i detyroi të pranonin, duke iu kundërvënë me argumente, duke u thënë: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! [En’am 79].

Ky ishte një argument i qartë llogjik se Ai (Allahu) është Krijuesi i botës së dukshme dhe të padukshme, që njerëzit duhet ta njësojnë me adhurim dhe sinqeritet, dhe se këto galaktika yjesh janë krijesa të zotëruara dhe nën mbyikqyrjen e Tij dhe nuk kanë cilësi që i bëjnë të meritojnë adhurmin.

Por ata filluan ta frikësonin Ibrahimin me idhujt e tyre, duke i thënë se ata do i sillnin fatkeqësi. Ky është argument se idhujtarët janë të zhytur në trillime të kota dhe mendime të ulta, sepse besojnë se zotat e tyre u sjellin dobi atyre që i adhurojnë dhe i dëmtojnë ata që i braktisin dhe i cënojnë.

Ai (Ibrahimi) u tha atyre qartë se nuk kishte frikë aspak dhe se frika e vërtetë qëndronte pikërisht për gjendjen e tyre. Ai u tha: E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën! [En’amë 81].

Allahu i dha përgjigje kësaj pyetje e cila do të përfshinte rastin e kësaj ndodhie si dhe rasteve të tjera  që ndodhin në çdo kohë, duke thënë: Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” [En’am 82].

Allahu e lartësoi të dashurin e tij Ibrahimin duk i dhënë dije dhe argument, ndërsa ata (idhujtarët) e patën të pamundur ti dilnin në mbrojtje të kotës. Sikundër mbetën të paluahtur në atë që ishin. Atyre nuk u bëri dobi këshilla, përmendja dhe ngritja e argumenteve.

Ibrahimi (alejhi selam) vazhdoi ti ftonte tek Allahu dhe ti ndalonte nga idhujt që adhuronin, thirrja e tij ishte e përgjithshme dhe e përveçshme.

Atyre që u kushtoi thirrje të veçantë ishte babai i tij Azeri, të cilin e ftoi në disa mënyra të dobishme por: Vërtet, ata që merituan Fjalën[2] e Zotit tënd, nuk besojnë, edhe sikur t’u vijnë të gjitha shenjat, derisa të shohin dënimin e dhembshëm. [Junus 96-97].

Prej fjalëve që Ibrahimi i tha babait: Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! [Merjem 42-43].

Shiko sa të bukura këto fjalë që tërheqin zemrat. Ai nuk i tha babait se ti je injorant! Që të mos largohej nga këto fjalë të egra, përkundrazi iu drejtua me këto fjalë: O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”! [Merjem 43-45].

Me thirrjen e tij, ai (Ibrahimi) kaloni nga një metodë në një tjetër, me qëllim që të kishte sukses dhe të bënte dobi, e m.gj.th babai i tha: Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! [Merjem 46].

Ibrahimi nuk u zemërua dhe nuk ia ktheu babait me fjalë të njëjta, përkundrazi këtë lëndim, ai e ktheu me mirësi duke i thënë: Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” [Merjem 47].

Që do të thotë: Unë nuk do të flas me ty veçse me fjalë të mira, jo me fjaë të egra e as fjalë të vrazhda. Unë nuk e humb shpresën nga udhëzimi yt: Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua. [Merjem 47].

D.m.th i Butë dhe i Mëshirshëm!  Butësia e Tij më ka mësuar për mirësitë dhe bukuritë që ajo (butësia me të tjerët) sjell. Gjithashtu, ndaj lutjeve të mia Ai gjithmonë është përgjgijur.

vijon….

Marrë nga libri “Kisasul Enbija” “Historitë e Pejgamberëve”

Autor: Shejh Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Fatjon Isufi

 

[1] Një sekt i përzier judeo-kristian.

[2] D.m.th. zemërimin dhe dënimin e Tij.