Historia e Ibrahimit dhe e nënës së Ismailit

December 10, 2016

Pas gjithë kësaj që ndodhi, Ibrahimi bashkë me gruan e tij dhe djalin e xhaxhait Lutin emigruan fshehurazi për në tokën e Shamit. Gjatë qëndrimit atje ai shkoi në Egjipt me gruan e tij Sarën, e cila ishte gruaja më e bukur!

Mbreti i Egjiptit që njihej si tiran, kryeneç dhe i padrejtë, nuk e mbajti veten kur e pa Sarën dhe deshi ta kishte të tijën. Por ajo iu lut Allahut kundër tij dhe gati sa nuk vdiq dhe ai e la të shkonte. Pastaj deshi t’i afrohej përsëri, por gjithmonë kur i afrohej ajo lutej dhe ai stepej. Në fund ajo u lut përsëri dhe ai e la të shkonte. Allahu e ruajti nga e keqja e këtij mbreti ndërsa ky i fundit i dhuroi asaj Haxheren, një shërbëtore Kobte.[1]

Që në moshë të re Sara ishte grua që nuk lindte fëmijë.  Ajo ia dhuroi shërbëtoren Ibrahimit me shpresën se Allahu do ta furnizonte me ndonjë fëmijë, dhe ashtu ndodhi. Haxherja lindi Ismailin edhe pse Ibrahimi ishte i madh në moshë dhe kjo e gëzoi pa masë.

Sara u bë xheloze dhe u betua se nuk do të jetonte me Ibrahimin përderisa Haxherja do ishte me ta. Kjo ndodhi për një urtësi të madhe që deshi Allahu të realizohej. Kjo ngjarje do ishte një nga arsyet e shkuarjes së Ibrahimit bashkë me Haxheren mu në vendin e shtëpisë së shenjtë.

Ibrahimi bashkë me Haxheren dhe djalin e tyre Ismailin u nisën për në Meke. Asaj kohe atje (në Meke) nuk kishte njeri, nuk kishte ujë dhe as bimësi. Ibrahimi  u la një enë të mbushur me ujë, një shportë me hurma dhe i vendosi diku pranë pusit të zemzemit, pastaj u largua.

Kur mbërriti në kodrën Eth Thenije aty ku mund t’i shihte që të dy, Ibrahimi u lut me këto fjalë: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi në një luginë që nuk mbillet, afër shtëpisë Tënde të shenjtë që të falin namazin. Prandaj bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ta, dhe jepu fruta me qëllim që ata të të falënderojnë.” | Ibrahim: 37.

Haxherja iu nënshtrua urdhërit të Zotit dhe filloi të ushqehej me hurma dhe të pinte ujë derisa u mbaruan. Ajo kishte etje, po ashtu edhe fëmija i saj përpëlitej nga etja.

Në atë gjendje ajo shkoi për të parë mos shihte ndonjë njeri që të mund ta ndihmonte. U ngjit në kodrën e Safasë dhe hodhi një shikim, por nuk pa asgjë. Pastasj shkoi për në kodrën e Meruas dhe u ngjit lart, hodhi një shikim por nuk pa askënd.

Kështu vazhdoi të ecte mes dy kodrave edhe pse ndihej e pikëlluar dhe nevojtare që kërkonte ndihmën e Allahut për veten dhe fëmijën e saj. Ajo ecte dhe kthente kokën prapa tek fëmija nga frika e egërsirave që mund t’i vinin.

Kur zbriste në luginë nxitonte me qëllim që të ngjitej në anën tjetër dhe të mos i mungonte nga sytë fëmija i saj.

Por zgjidhja vjen bashkë me pikëllimin dhe vështirësia është e ndjekur nga lehtësimi. Kur i plotësoi shtatë vajtje – ardhje ajo dëgjoi një zë engjëlli dhe kërkoi në vendin ku ndodhej zemzemi ku filloi të buronte ujë.

Gëzimi i saj ishte i madh, ajo pinte ujë dhe i jepte qumësht djalit të saj. Falënderoi Alahun për këtë mirësi të madhe dhe bëri një rreth me qëllim që uji të mos humbiste (largohej).

I dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Allahu e mëshiroftë nënën e Ismailit! Sikur ta linte zemzemin (pa i bërë pritë) ai do të ishte një burim i bollshëm, i rrjedhshëm dhe i dukshëm.” [2]

Atë e gjetën disa njerëz të një fisi arab që quhej Xhurhum. Ata qëndruan aty dhe mirësia qe akoma më e plotë.

Ismaili u rrit, ai ishte një djalosh i pashëm dhe i mirë dhe fisit i pëlqenin moralet dhe ambicia e lartë e tij.

Kur shkoi në moshën e pjekurisë ai u martua me një vajzë të këtij fisi, dhe gjatë asaj kohe nëna e tij (Haxherja) ndërroi jetë.

Në kohën kur Islamili nuk ishte në shtëpi,  babai i tij Ibrahimi erdhi dhe pyeti gruan e tij për burrin e saj dhe për jetesën që bënin. Ajo e njoftoi se burri i saj kishte vajtur për gjueti dhe se jetesa që bënin ishte shumë e vështirë. Ibrahimi i tha: Kur të vijë burri yt jepi selam nga ana ime, dhe thuaji: “Ndërroje pragun e derës së shtëpisë.” Ibrahimi u largua shpejt për ndonjë urtësi që e deshi Allahu i Lartësuar.

Kur u kthye Ismaili ndjeu se kishte ngjarë diçka dhe pyeti gruan, dhe ajo i tregoi se kishte adhur një i moshuar me këto tipare dhe kishte pyetur për ty, dhe ajo i kishte treguar. Ai pyeti për jetesën tonë dhe unë i tregova për vështirësitë! Ai të dërgon selam dhe të thotë: Ndërroje pragun e derës së shtëpisë! Ismaili i tha: Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës, prandaj shko tek familja jote.

Dhe kështu Ismaili u martua me një grua tjetër.

Pas një farë kohe Ibrahimi erdhi përsëri, ndërsa Ismaili kishte dalë për gjueti. Ai hyri tek shtëpia ku qëndronte gruaja e Ismailit dhe e pyeti për Ismailin dhe ajo i tregoi! Ibrahimi e pyeti për jetesën që bënin dhe ajo i tha se jetonin në mirësi dhe begati. Ajo ishte grua e mirë dhe falënderuese ndaj Zotit dhe burrit të saj.

Ai i tha: Kur të kthehet burri jepi selam nga ana ime, dhe thuaji: “Përforcoje pragun e derës së shtëpisë tënde!”

Pastaj u largua menjëherë para se të takohej me Ismailin, për ndonjë urtësi që e deshi Zoti i Lartësuar.

Kur u kthye Ismaili nga gjuetia tha: A ka ardhur ndonjë njeri? Ajo i tha: Erdhi një i moshuar me këto tipare. Ai i tha: A tha ndonjë gjë? Na pyeti për ty dhe unë i tregova, na pyeti për jetesën tonë dhe unë e lajmërova se jemi në mirësi dhe falënderova Allahun, – ia ktheu gruaja. Cfarë tha pastaj, – pyeti Ismaili? Gruaja i tha: Ai të dërgon selam dhe të urdhëron të përforcosh pragun e derës së shtëpisë! Ismaili i tha: Ai ishte babai im, ndërsa ti je pragu i derës së shtëpisë dhe më urdhëroi të të mbaj.

Ibrahimi, erdhi për herë të tretë dhe e gjeti Ismailin duke mprehur shtiza pranë pusit të zemzemit. Kur e pa Ibrahimin ai u ngrit dhe veproi siç vepron fëmija i dashur për babain e shtrenjtë.

Ai i tha: O Ismail, Allahu më ka urdhëruar të ndërtoj në këtë vend një shtëpi që të jetë faltore për njerëzit deri në ditën e gjykimit. Ismaili i tha: Unë do të ndihmoj për këtë!

Ata filluan t’i ngrinin themelet e kësaj shtëpie. Ibrahimi ndërtonte ndërsa Ismaili i afronte gurët, dhe ata të dy luteshin duke thënë:  “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se pa dyshim Ti je pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë librin dhe urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”  | El Bekare: 127-129.

Kur u plotësua ndërtimi i shtëpisë së shenjtë (Qabes) dhe kur Ibrahimit i mbeti kjo gjurmë e vlefshme, Allahu e urdhëroi t’i ftonte njerëzit dhe të thërriste me zë të lartë që të vinin për të kryer haxhin në këtë shtëpi. Ai thërriste, ndërsa njerëzit vinin tek shtëpia e shenjtë nga çdo cep i largët. Vinin dhe dëshmonin krahas dobive të kësaj bote (shit-blerje) edhe dobitë e ahiretit, dhe kështu të gjenin lumturinë dhe të largonin prej vetes mjerimin.

vijon….

Marrë nga libri: “Kisasul enbija”.

Autor: Shejh Abdurrahman bin Nasir es Seadi.

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————————–

[1] Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ibrahimi, profeti i Allahut, nuk ka gënjyer kurrë përveçse në tri raste:
Dy gënjeshtra për hir të Allahut, kur tha se ishte sëmurë, kur tha se atë vepër e ka bërë i madhi i tyre dhe një në rastin e Sarës, sepse ai shkoi në tokën e një tirani dhe me vete kishte Sarën e cila ishte gruaja më e bukur. Ai i tha asaj: ‘Nëse ky tiran mëson se ti je gruaja ime do të më mundë kundrejt teje, dhe nëse të pyet thuaji se je motra ime sepse ti je motra ime në Islam dhe nuk di që mbi tokë të ketë musliman tjetër veç meje dhe teje.’ Kur shkoi në tokën e këtij tirani atë e panë disa të afërm të tij që i thanë: ‘’Në tokën tënde ka hyrë një grua që nuk i takon askujt ta zotërojë veç teje.’
Ai dërgoi njerëz tek ajo dhe ia sollën, ndërsa Ibrahimi u ngrit për tu falur. Kur ai hyri tek ajo nuk duroi derisa e shtriu dorën e tij drejt saj, por dora iu step dhe ai tha: ‘Lute Zotin të ma lëshojë dorën dhe nuk do të bëj keq.’ Ajo veproi ashtu por ai bëri të njëjtin veprim dhe dora iu paralizua më shumë se herën e parë. Ai i tha të njëjtat fjalë dhe ajo veproi në të njëjtën mënyrë, por përsëri iu kthye veprimit të tij dhe dora iu paralizua edhe më shumë se dy herët e para. Ai i tha; ’Lute Zotin të ma lëshojë dorën, sepse të betohem në Zotin se nuk do të bëj keq.’ Ajo veproi ashtu dhe dora iu lëshua. Ai thirri njeriun që e kishte sjellë dhe i tha; ‘Më ke sjellë shejtan dhe jo njeri, dëboje nga toka ime dhe jepi Haxheren.’ Ajo u kthye duke ecur. Kur e pa Ibrahimin, ai shkoi drejt saj dhe i tha: Çfarë lajmesh kemi? Ajo i tha; Të mira, Allahu e largoi dorën e mëkatarit dhe na dhuroi një shërbëtore.’’

[2] E përcjell Buhariu me nr. 3364 nga Ibën Abasi. Ibën Xheuzi ka thënë: Burimi i zemzemit ishte mirësi e plotë nga Allahu pa ndërhyrjen e askujt. Kur ai u shoqërua me ndërhyrjen e Haxheres sepse nuk e la të rridhte lirshëm, kjo  u konsiderua ndërhyrje e njeriut dhe ashtu mbeti. “Fet’hul Bari” 6/463.

Dosje:

Loading...