Historia e Isait -alejhi selam- ndërmjet Kuranit dhe Biblës (ndryshimet). (Pjesa I)

December 23, 2013

Historia e Isait -alejhi selam- mes Kuranit dhe Biblës (ndryshimet).
Studim nga Dr.Abdullah Nabolli
Historia e Isait alejhi selam është përshkruar në Kuran sikurse është përshkruar edhe në Bibël dhe shpesh herë lexuesi i thjeshtë ose i pavëmendshëm mund t`i mendojë këto dy përshkrime si  të njëjta, përveç hyjnisë së Isait, të cilën Kurani e mohon qartazi, kurse Bibla e pohon atë. Leximi i vëmendshëm i Kuranit na çon nw pwrfundimin se pwrveç  çwshtjes sw hyjnisë së Isait ka edhe gjëra të tjera me të cilat Kurani nuk pajtohet me përshkrimin biblik.

Dikush mund të pyesw: Isai -alejhi selam- është një figurë që i përket një besimi tjetër dhe duke qenë e tillë a duhet të merret me të një studiues mysliman?
Përgjigjia është: Po. Studiuesi mysliman karshi Isait alejhi selam ka një detyrë fetare dhe një të drejtë njerëzore.

Detyra fetare.
Për ne myslimanët besimi në profetët e Allahut është detyrë dhe Kurani kur njofton se Isai -alejhi selam- ishte profet, e bën detyrë të merremi me historinë e tij sikurse merremi me historinë e profetit tonë Muhamed sepse që të gjithë janë profetë të Allahut dhe për nga ana e besimit ishin të njëjtë edhe pse kishte ndonjë ndryshim nga ana e ligjeve të jetës (jo të besimit).
E drejta njerëzore.
Çdo studiues ka të drejtën e tij që të kërkojë e të hulumtojë, të hedhë ide e hipoteza e pastaj t`i vërtetojë nëse gjen fakte dhe argumente bindëse. Sipas këtij parimi ecën çdo studiues sot në botë prandaj dhe nuk ka të drejtë askush të ndalojë dikë tjetër nga studimi i një çështjeje për sa kohë që i përmbahet këtij parimi me besnikëri dhe sinqeritet.

Ku ndryshon versioni i Kuranit nga ai i Biblës në lidhje me Isain alejhi selam?

1- Vendi i ngjarjes.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre) * (Ata ishin) pasardhës të njëri -tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë * Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë *E kur ajo lindi, tha: “Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë dhe pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga shejtani i mallkuar” Suretu Ali Imran: 33-36.

Sipas këtij ajeti, Merjemen -alejha selam- nëna e saj ia kishte kushtuar Allahut. Ky kushtim sipas komentuesve të Kuranit pa asnjë kundërshtim mes tyre ka për qëllim dërgimin e saj në faltore për t`i shërbyer gjithmonë shtëpisë Allahut.
Tani lind pyetja: Për cilën faltore bëhet fjalë?
Shumica e komentuesve të Kuranit kanë përmendur vetëm fjalën “faltore” pa e përcaktuar atë me përjashtim të Ikrimës. Ikrime[1] thotë: “Gruaja e Imranit ishte e moshuar dhe nuk lindte dhe quhej Hana. Ajo i kishte zili gratë për fëmijët e tyre dhe thotë: O Allah unë zotohem që nëse Ti më jep një fëmije do ta lë për xhaminë e Aksasë që të jetë kujdestar dhe shërbyes i saj. Ai thotë: Fjala e Allahut [Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty] ka për qëllim kushtimin e saj faltores për t`i shërbyer”. E transmeton Taberiu.
Tek ky përfundim konkludon edhe historiani Muhamed bin Is’hak[2]: “Beni Israilët pas kthimit të tyre nga Babilonia ku ishin marrë skllevër, e rindërtuan xhaminë e Aksasë……(përmend një histori të gjatë dhe më në fund përmend historinë e Merjemes ku thotë). Merjemeja dhe Jusufi, biri i xhaxhait të saj, i shërbenin faltores…” E transmeton Taberiu.
Fjala faltore në këtë transmetim duket qartë se ka lidhje me xhaminë e Aksasë.
Këtë gjë e ka pohuar edhe Imam Ibn Kethiri në tefsirin e tij dhe po ashtu edhe në librin e tij të historisë El-Bidaje ue En-Nihaje ku thotë: Në atë kohë ata ia kushtonin fëmijët xhamisë së Aksasë për t`i shërbyer asaj.
Nuk ka kundërshtuar në këtë çështje veçse historiani Uehb bin Munebihu[3] thotë: Merjemeja shërbente në një faltore në malin “Sahjon” (emër kodre përballë xhamisë së Aksasë).  E transmeton Taberiu.

Ky transmetim që sjell Uehb bin Munebihu nuk mundet të jetë i saktë, për dy arsye:
E para: Ajo që përmendëm më lart se fjala faltore është shpjeguar nga Ikrime si xhamia e Aksasë dhe e mbështet po ashtu edhe transmetimi i Muhamed bin Is’hakut.
E dyta: Beni Israilët nuk kanë pasur në mesin e tyre ndonjë faltore më me vlerë sesa xhamia e Aksasë apo tempulli i Sulejmanit siç e quajnë ata sot.
Faltorja e parë e Allahut në tokë është Qabeja.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. * Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd” Suretu Ali Imran.
Faltorja e dytë është xhamia e Aksasë siç tregon Ebu Dherri radiallahu anhu se e ka pyetur Profetin alejhis-salatu ues- selam: “Cila shtëpi është ndërtuar e para? Ai i tha: Xhamia e shenjtë (Qabeja). Ebu Dherri i thotë: Po pastaj? Ai i thotë: Xhamia e Aksasë. Ebu Dherri i thotë: Sa kohë ka pasur mes tyre? Ai i thotë: Dyzet vjet”.  E transmeton Muslimi.
Faltorja e tretë është xhamia e Profetit alejhis-salatu ues- selam siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Nuk ndërmerret udhëtim veçse për në tre xhami: xhamia ime, xhamia e shenjtë (Qabeja) dhe xhamia e Aksasë”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, në tokë nuk ka vende të begata veç këtyre tre xhamive.
Në atë kohë xhamia e Profetit alejhis-salatu ues- selam nuk ishte ndërtuar akoma dhe kjo do të thotë se në kohën e Merjemes alejha selam ishin vetëm dy xhami të begata Qabeja dhe Aksaja dhe kur them të begata kam për qëllim atë që thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam për shumëfishimin e sevapeve,ndaj dhe njerëzit i mësyjnë ato pikërisht për këtë bereqet dhe jo se në tokë nuk mund të ketë pasur dhe as ka faltore të tjera, sepse faltoret gjenden kudo që ka besimtarë.
Meqenëse nëna e Merjemes, siç thamë, ia kishte kushtuar atë Allahut, për ta adhuruar dhe shërbyer në faltore, atwherw kjo faltore nuk mund të jetë tjetër veçse xhamia e Aksasë, e cila ishte faltorja mw me vlerw e atyre anëve, sepse xhamia e shenjtë e Qabes ishte larg tyre.

E treta: Vazhdimi i ajeteve të lartpërmendura të sures Ali Imran tregon se Merjemeja  alejha selam rrinte në faltore, pra në xhaminë e Aksasë në Kuds.
Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që Zekeria  hynte në vendin e saj të faljes, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. Ali Imran: 37.
Ibn Kethiri thotë: Pas kohës së gjidhënies dhe kujdesjes që kërkon fëmija në vegjëlinë e tij nëna e saj e dorëzoi atë tek të ngujuarit për adhurim në faltore dhe atë e merr nën kujdestari Zekerija.

Pra, fakti që Merjemeja ka nevojë për kujdestari do të thotë se ajo nuk është në shtëpinë e saj por në faltore larg familjes.
Gjithashtu këtu bie në sy edhe një vend i veçantë faljeje për të, ku brenda tij ka dhe ushqim çfarw do të thotë se ajo merrej me zbatimin e detyrës për të cilën nëna e saj e kishte kushtuar dhe që është ngujimi për adhurim, prandaj dhe Allahu më pas thotë: “(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka dalluar ty mbi të gjitha gratë e botës . O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!” Suretu Ali Imran: 42-43.
Ngujimi në xhami ( i pwrkohshwm) për adhurim është një rit që njihet edhe sot e kësaj dite dhe i cili nuk bëhet  nw çdo xhami por veçse në tre xhami, siç thotë Profeti alejhis-salatu ues-selam: “Nuk ka ngujim për adhurim veçse në tre xhami: xhaminë e shenjtë (Qabes), xhaminë time dhe xhaminë e Aksasë”. E transmeton Taberaniu dhe e saktëson sheikh Albani.
Në islam nuk kemi ngujim të përhershëm, siç duket qartë qw ndodhte tek Beni Israilët, por gjejmë se Profeti alejhis-salatu ues-selam ngujohej vetëm në 10 ditët e fundit të Ramazanit. Kjo gjë ndodh se në Islam nuk ia kemi nevojën ngujimit të përhershëm sepse Allahu na e ka zëvendësuar me natën e Kadrit e cila është e barabartë me adhurimin e 1000 muajve (pak më shumë se 83 vite).

Pra historia e Isait sipas Kuranit fillon në Kuds pranë xhamisë së Aksasë sepse nëna e tij Merjemeja -alejha selam- ishte shërbetore e kushtuar për xhaminë e Aksasë kurse në Bibël historia fillon fillon në Nazaret siç thuhet në Ungjillin sipas Lukës: “Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, tek një virgjëreshw, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëresha quhej Mari” Luka: 1/26-27.

vazhdon…..


[1] Një prej komentuesve  më  të njohur të Kuranit që ka jetuar deri nga viti 105 H, nxënës i Ibn Abasit komentuesit më të madh të Kuranit

[2] Historian i njohur që ka regjistruar shumë histori të Beni Israilëve, ka jetuar mes viteve 85-151 H

[3] Një tjetër historian i njohur që është marrë me regjistrimin e historive të Beni Israilëve dhe që ka jetuar mes viteve 34-114 H

Loading...