Historia e Isait -alejhi selam- ndërmjet Kuranit dhe Biblës (ndryshimet). (Pjesa II)

January 4, 2014

Historia e Isait -alejhi selam- mes Kuranit dhe Biblës (ndryshimet).
Studim nga Dr.Abdullah Nabolli

2- Meleku vjen te Merjemeja -alejha selam- në Kuds pranë xhamisë së Aksasë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Përkujto në librin e Allahut Merjemen, kur u largua nga familja e saj për në një vend nga lindja * Ajo u fsheh nga ata dhe ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i vërtetë *Ajo i tha: I kërkoj mbrojtje Mëshiruesit prej teje, nëse je që i frikësohesh Atij * Ai tha: Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër * Ajo tha: Si mund të kem unë djalë, kur as jam e martuar me ndonjë njeri dhe as jam e përdalë?! * Ai iu përgjigj: Kështu ka thënë Zoti yt se kjo për Mua është e lehtë dhe ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit, mëshirë nga ana Jonë dhe kjo është punë e kryer” Suretu Merjem: 16-21.

Në këtë ajet shohim se Merjemeja –alejha selam- largohet nga familja e saj për në një vend nga ana e lindjes dhe në lidhje me këtë vend Ismail Es-Sud-dij[1]  thotë: Merjemi doli përbri vendit të saj të faljes për shkak të ciklit të menstruacionit dhe kjo është fjala e Allahut [kur u largua nga familja e saj për në një vend nga lindja] dmth: në lindje të vendit të faljes” E transmeton Taberiu.
Muhamed bin Is’haku thotë: “Merjemeja doli nga faltorja për të mbushur ujë te shpella ku gjendej uji…..” E transmeton Taberiu.
Në këto dy transmetime përmendet faltorja dhe kjo faltore nuk mund të jetë tjetër veçse ajo faltore në të cilën ajo ngujohej në të, falej dhe shërbente dhe që është xhamia e Aksasë siç e vërtetuam pak më lart. Nuk prish punë këtu fakti se transmetimet tregojnë dy shkaqe të ndryshme për daljen e saj nga xhamia se ajo dilte edhe për ciklin e menstruacioneve edhe për ujë e ushqim. Prandaj dhe Ibn Kethiri bashkon mes dy transmetimeve dhe pohon faktin se faltorja në fjalë është xhamia e Aksasë.
Ibn Kethiri thotë: Ajo nuk dilte nga xhamia veçse në kohën e ciklit të menstruacionit ose për ndonjë nevojë të domosdoshme si mbushja e ujit apo sigurimi i ushqimit. Një ditë, ajo del e vetme për një nevojë të sajën, në një vend në lindje të xhamisë së Aksasë dhe aty Allahu i dërgon Xhibrilin alejhi selam.
Pra, ardhja e melekut tek Merjemeja -alejha selam- sipas historianëve tanë ka ndodhur në një vend në lindje të xhamisë së Aksasë dhe jo në Nazaret siç thuhet në Bibël.

Dikush mund të thotë: Fakti që ajetet tregojnë se Merjemeja del nga familja e saj, bie ndesh me fjalët e komentuesve se ajo del nga xhamia e Aksasë.
Përgjigjja është se fjala “Ehl” në arabisht e cila është përdorur në këtë ajet me kuptimin familje nuk përdoret vetëm për njerëzit e afërt por përdoret për çdo gjë që njeriu ka lidhje të ngushta me të psh: “Ehl-ul-Bejt” banorët e shtëpisë, “Ehl-ul-islam” ndjekësit e islamit, “Ehl-ul-Ibili” pronarët e deve. Në të gjitha këto shprehje është përdorur fjala “Ehl” e cila merr nuanca të tjera kuptimore sipas përdorimit. Në fjalët e Profetit gjejmë po të njëjtën fjalë “Ehl” me kuptimin familje që nuk është përdorur vetëm për njerëzit e afërt por edhe për atë që formon lidhje të ngushta me të pa qenë prej të afërmeve.
Profeti alejhis-salatu ues-selam thotë: “Familja e Kuranit (ata që jepen pas leximit të tij) janë familja e Allahut” (E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheikh Albani). Janë familja e Allahut për nga lidhjet që formojnë me fjalën e Tij siç i ka njeriu lidhjet me familjen e vet.
Atëherë edhe Merjemeja alejha selam pas ngujimit të saj në xhaminë e Aksasë bashkë të ngujuarit të tjerë, lidhjet e ngushta që kishte me ta i bënin ata të konsideroheshin si të ishin familja e saj.

Nëse fjala familje këtu është përdorur për të afërmit atëherë ata nuk mund të jenë veçse Zekeria, burri i tezes së saj dhe Jusufi, biri i xhaxhait të saj, që u përmendën pak më lart dhe që të dy shërbenin në Aksa.
Le t`i kthehemi përshkrimit të Kuranit kur Merjemeja kthehet pas lindjes dhe ndeshet me njerëzit dhe ata fillojnë të dyshojnë në nderin e saj. Ata i thonë: “O Merjem, ke bërë diçka të turpshme! * O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.” Suratu Merjem: 27-28.
Fjala [nuk ka qenë] në kohen e shkuar që ka lidhje me prindërit e saj do të thotë se ata kishin vdekur dhe nuk ishin të gjallë në kohen e lindjes së Isait alejhi selam.
Ndërsa fjala [O motra e Harunit] që shihet në këtë ajet nuk do të thotë se ajo kishte vëlla sepse thamë më lartë se e ëma Merjemit nuk lindte dhe kishte dëshirë të kishte një fëmijë dhe bëri një zotim para Allahut që nëse i jep një fëmijë do t’ia kushtonte xhamisë së Aksasë.
[Haruni] në këtë ajet sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kuranit është një njeri i njohur për adhurimin e Allahut dhe përkushtim ndaj tij siç ishte edhe Merjemi –alejha selam- dhe në gjuhën arabe kur një njeri ka një cilësi të përbashkët me dikë tjetër i thuhet vëllai i filanit, dmth: në këtë cilësi që i bashkon edhe pse nuk kanë mes tyre lidhjen vëllazërore të gjakut.

Familja e vetme që përmendin komentuesit e Kuranit janë: Gruaja e Zekerijas që mendohet të jetë tezeja e saj dhe Jusufi i cili është biri i xhaxhait të saj siç e përshkruan Muhamed bin Is’haku.
Rreth gruas së Zekerijas është dhënë edhe një mendim tjetër se ajo mund të jetë motra e Merjemes dhe është marrë nga fjala e Profetit alejhis-salatu ues-selam kur përshkruan udhëtimin e tij në natën e Miraxhit (udhëtimit për në qiell) dhe kur mbërrinë në qiellin e dytë thotë: “Pashë Jahjan dhe Isain, dy bij tezesh” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Fjala [bij tezesh] thuhet për rastin kur nënat janë motra por nuk përjashtohet edhe mundësia tjetër sepse nganjëherë njerëzit nuk i marrin parasysh ndryshimet e vogla siç e komenton Ibn Kethiri, biles komentuesit më shumë anojnë nga përshkrimi i Muhamed bin Is’hakut dhe nuk e shohin atë si kundërshtim të fjalës profetike.
Meqenëse Zekerija alejhi selam shërbente në të njëjtin vend që ishte edhe Merjemeja atëherë edhe ai ishte në xhaminë e Aksasë, ndaj dhe gruaja e tij që është tezeja e saj detyrimisht ishte me të shoqin në xhaminë e Aksasë ose diku rreth xhamisë së Aksasë. Ndërsa Jusufi biri i xhaxhait të saj, Muhamed bin Is’haku shprehet qartë siç e përmendem më lart se edhe ai shërbente në xhaminë e Aksasë.
Si përfundim them se fakti që Merjemeja –alejha selam- shërbente në xhaminë e Aksasë dhe ishte e ngujuar për adhurim në xhaminë e Aksasë mjafton që historia e saj me lindjen e Isait alejhi selam të ketë nisur në Kuds pranë xhamisë së Aksasë edhe pse unë mendoj se këto përshkrime po t`i bashkojmë të gjitha së bashku dhe t`i bëjmë një analizë të gjerë del se Merjemeja nuk ka lidhje fare me Nazaretin dhe nuk është fare prej atij vendi, por është nga Kudsi, qyteti ku ndodhet xhamia e Aksasë dhe kjo bashkohet me faktin se disa historianë e përshkruajnë babanë e Merjemes si prijësin e tyre në faltore gjatë riteve.
3- Merjemeja alejha selam nuk ka qenë asnjëherë e fejuar dhe as e martuar.
Le t`i kthehemi edhe një herë zotimit të nënës së Merjemes: “Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë” Suratu Ali Imran: 35.

Komentuesi i madh i Kuranit imam Taberiu sjell disa transmetime të dijetarëve në lidhje me këtë çështje:
Muhamed bin Is’haku thotë: “Ajo ia kushtoi fëmijën e saj Allahut dhe kushtim do të thotë ta bësh atë rob për Allahun duke e ngujuar në faltore për të mos u marrë me punët e dynjasë”.
Muhamed bin Xhafer bin Ez-Zubejri[2]  thotë: “Fjala e Allahut [Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim] do të thotë: E kam liruar këtë fëmijë për adhurimin e Allahut për të mos u marrë me gjë tjetër prej punëve të dynjasë”.
Amir Esh-Sha’bi[3]  thotë: Fjala e Allahut [Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim] dmth: Ia kam kushtuar faltores dhe e kam liruar (nga çdo punë) për adhurim.
Muxhahid bin Xhebri[4]  thotë: Fjala e Allahut [Unë ta kam kushtuar Ty atë që është në barkun tim] dmth: posaçërisht për Të (Allahun) pa u përzier me punët e dynjasë.
Said bin Xhubejri[5]  thotë: Fjala e Allahut [Unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim] dmth: e liruar (nga detyrat) për adhurim.
Katade[6] thotë: “Gruaja e Imranit kishte liruar për hirë të Allahut fëmijën që kishte në bark. Ata për këtë punë lironin meshkujt dhe ai që lirohej dërgohej në faltore dhe nuk dilte prej saj, i shërbente dhe e fshinte atë”.
Ismail Es-Sudi (historiani i përmendur më herët) thotë: Gruaja e Imranit ishte shtatzënë dhe mendoi se në barkun e saj kishte djalë dhe ia dhuroi atë Allahut duke e liruar nga çdo detyrë që të mos merrej me dynja.

Fjalët e këtyre dijetarëve dhe historianëve myslimanë të çojnë në një përfundim se Merjemeja alejha selam ishte e ngujuar në faltore për shërbim dhe adhurim dhe nuk mund të merrej me gjëra të tjera, qoftë kjo edhe martesë, sepse të gjitha punët e tjera veç adhurimit bien ndesh me ngujimin e saj në faltore për adhurim.
Thamë që ngujimi për adhurim është një gjë që e gjejmë edhe në Islam por ama ngujim i përkohshëm dhe jo i përhershëm si te Beni Israilët dhe gjithashtu gjejmë se në këtë adhurim të përkohshëm nuk lejohet kontakti me femrat siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Mos bëni kontakte seksuale me gratë kur ju jeni në ngujim nëpër xhami” Suratu El-Bakara: 187.
Gjithashtu nuk lejohet edhe dalja nga xhamia veçse për arsye, si sigurimi i ushqimit dhe kryerja e nevojave personale.
Atëherë, nëna e Merjemes ia kishte kushtuar Merjemen alejha selam Allahut dhe si e tillë do të ishte gjer në vdekje pa u marrë me asnjë punë dynjaje, qofte edhe martesë. Allahu ka dashur që atë, bashkë me birin e saj, Isain alejhi selam ta bëjë mrekulli dhe si të tillë do të qëndrojnë deri në fund të jetës së tyre. Allahu i madhëruar thotë: “Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli dhe i strehuam ata tek një kodër e sheshtë dhe me ujë të rrjedhshëm” Suretu El-Muminun: 50.
Katadeja dhe Ed-Dahaku[7]  thonë: Ai vend është xhamia e Aksasë.
Ibn Kethiri thotë: Ky përcaktim është më afër me përshkrimin e ajetit të Kuranit dhe Allahu e di më mirë të vërtetën.

Ndërsa në Bibël shprehet qartë se Merjemeja në momentin e ardhjes së Melekut është në Nazaret dhe është e fejuar me një njeri që quhet Jozef.
Në Ungjillin e Mateut thuhet: Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.
Në Ungjillin e Lukës thuhet: Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, tek një virgjëreshë, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëresha quhej Mari.
Emri Jozef ose Jusuf sipas leximit në gjuhen arabe del në transmetimin e Muhamed bin Is’hakut dhe në transmetimin e Uehb bin Munebihut.
Muhamed bin Is’haku thotë: Merjemeja dhe Jusufi biri i xhaxhait të saj i shërbenin faltores” E transmeton Taberiu.
Uehb bin Munebihu thotë: “Kur Merjemeja u ngjiz shtatzënë kishte një të afërm që quhej Jusuf marangozi …..dhe që të dy shërbenin në faltore”. E transmeton Taberiu
Pra, Jusufi i përmendur në Bibël sipas historianëve myslimanë është një tjetër shërbëtor i faltores dhe si i tillë nuk mund të fejohej, sikurse edhe vetë Merjemeja  e cila nuk mund të fejohej dhe ky është një shkak tjetër që të çon në të njëjtin përfundim.

vazhdon……


[1] Historian dhe komentues i njohur i Kuranit, i cilika regjistruar shumë histori të Beni Israilëve, ka jetuar deri në vitin 127H

[2] Njëri prej dijetarëve të kohës së tij në Medine (qytetin profetik) nipi i sahabiut të nderuar Ez-Zubejr bin El-Auam, ka vdekur rreth vitit 110 sipas hixhretit

[3] Dijetar i madh në kohën e tabiinëve ka vdekur pas 100 H

[4] Komentuesi i madh i Kuranit. Ka vdekur pas vitit 100 H dhe është nxënësi i komentuesit me të madh të Kuranit Abdullah bin Abasit

[5] Dijetar i madh, ka vdekur në vitin 95 H dhe është nxënësi i komentuesit më të madh të Kuranit Abdullah bin Abasit

[6] Dijetar i madh, ka vdekur pas 110 H

[7] Që të dy komentues të mëdhenj të Kuranit

 

Loading...