Historia e Junusit (alejhi selam)
Junusi (alejhi selam) konsiderohet nga pejgamberët më të mëdhenj të Beni Israilëve të cilin Allahu e dërgoi tek banorët e Ninevesë në zonën e Mosulit.
Ai i ftoi njerëzit për tek Allahu por ata e refuzuan. Ai e vazhdoi thirrjen e tij, por ata përsëri e refuzuan. Junusi i kërcënoi me ndëshikim e Zotit dhe u largua prej tyre pa treguar durimin që duhej të kishte, por ai u arratis i zemëruar prej tyre.
Kur u largua, në zemrat e njerëzve të popullit të tij lindi dëshira për t’u penduar dhe për t’u kthyer, sepse e kishin parë afrimin e dënimit dhe Allahu ua largoi atë.
Me sa duket, Junusi ishte njoftuar se dënimi i Zotit ishte larguar prej tyre dhe përsëri kishte ngulur këmbë që të largohej prej tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur iku i zemëruar.” [Enbija: 87]
Gjithashtu thotë: “Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot.” [Saffat: 140]
Ai hipi në një anije të mbushur plot e përplot me njerëz dhe mallra, dhe kur arritën në mes të detit anija gati sa nuk u mbyt. Kështu që çështja ishte të qëndrojnë të gjithë bashkë mbi anije dhe të mbyten, ose të hidhnin dikë me qëllim që të lehtësohej anija dhe të shpëtonin të tjerët? Ata zgjodhën opsionin e fundit dhe për të qenë të drejtë dhe të suksesshëm hodhën short, dhe shorti i ra disa njerëzve ku mes tyre ishte edhe Junusi (alejhi selam). “Dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej)[1] dhe humbi.” [Saffat: 141]
Pra, humbi shortin dhe ata e hodhën në det dhe aty e gëlltiti balena, e cila nuk i theu asnjë kockë të trupit e as nuk ja gëlltiti mishin.
Kur qe në barkun e balenës në errësirat e detit, Junusi thirri duke thënë: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë unë kam gabuar.” [Enbija: 87]
Allahu e urdhëroi balenën që t’a hidhte Junusin në një breg të shkretë. Ai doli nga barku i balenës si një zog që dilte nga veza, në kulmin e dobësisë dhe këputjes, por Allahu e mëshiroi dhe i nxori një bimë kungulli e cila i bëri hije derisa u forcua dhe u çua në këmbë.
Pas kësaj Allahu e urdhëroi që të kthehej tek populli i tij t’i mësonte dhe t’i ftonte në rrugë të drejtë. Kështu ata j’u përgjigjën ndërkohë që numri i tyre ishte njëqind mijë apo edhe më tepër të cilët i besuan, dhe Zoti i la deri në një afat të caktuar.
Dobi dhe mësime
1- Në këtë ndodhi mësojmë qortimin që Allahu i bëri Junusit (alejhi selam) dhe burgosjen e tij në barkun e balenës, me qëllim që të ishte shlyerje (për gabimin) dhe argument i madh (mrekulli) për Junusin (alejhi selam). Ishte mirësia e Zotit që atij t’i përgjigjeshin kaq shumë njerëz nga populli i tij, sepse numri i madh i ndjekësve është tregues i vlerës që kanë pejgamberët.
2- Lejimin e përdorimit të shortit në çështje jo të qarta apo në gjëra që kanë të bëjnë me meritën apo privimin prej diçkaje, përderisa nuk është e mundur të veprohet diçka tjetër. Praktika e njerëzve që kishin hipur në anije na sjell ndërmend rregullin e njohur që të ndërmirret dëmi më i vogël për të larguar një dëm më të madh. S’ka dyshim se hedhja e disave në det edhe pse në vetvete kishte dëm, ishte shumë më e lehtë se të mbyteshin të gjithë pa u hedhur asnjëri prej tyre.
3- Robi nëse ka fillim të mirë me Zotin e tij dhe i njeh mirësitë e Zotit në kohë paqeje dhe bollëku, Allahu do t’ja kthejë dhe do t’a njohë atë në kohë të vështira duke i’a larguar të gjithën (hallin, vështirësinë) ose duke i’a lehtësuar atë.[2] Prandaj, në historinë e Junusit thuhet: “Dhe po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” [Saffat: 143-144]
4- Fjala e Profetit (alejhi selam) kur thotë: “Çdokush që është në hall dhe lutet me lutjen e vëllait tim Dhen-Nunit, Allahu ka për t’ja larguar brengën: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë unë kam gabuar.” [Enbija: 87] [3]
5- Imani e shpëton njeriun nga tmerret dhe vështirësitë, kjo bazuar në fjalën e Allahut që thotë: “Kështu Ne i shpëtojmë besimtarët.” [Enbija: 88]
Domethënë i shpëtojmë kur bien në vështirësi për shkak të imanit që ata kanë.
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————-
[1] Sipas komentuesve të Kuranit (konkretisht Ibn Kethirit), për shkak të ngarkesës së madhe anija ishte gati të mbytej, prandaj detarët ranë dakord të hedhin short se kush do të hidhej nga anija në mënyrë që pesha e saj të lehtësohej e të shpëtonin nga mbytja.
[2] Imam er Razi ka thënë: Junusi pasi që e kishte njohur dhe pohuar këtë fjalë, kjo e parapriu dhe ndihmën që Allahu i dha për shkak të këtij pranimi. Ndërsa Faraonit i’u mohua sepse që në fillim ai kishte ftuar në hyjnizimin e vetes duke thënë: “Dhe tuboi njerëzit e deklaroju: Unë jam zoti juaj më i lartë!” [Naziat: 23-24] Ndërsa Junusi ftonte për tek Allahu i Lartësuar: “Kur i’u lut Zotit të vet i dëshpëruar (në barkun e balenës).” Gjithashtu tha: “Dhe po të mos ishte nga ata që i luten Allahut.” Kjo të tregon qartë se ai që e ruan Allahun kur është vetëm, dhe Allahu do t’a ruajë atë kur të jetë në mes të shkretëtirës. [Sherh Esmail Husna fq. 157]
[3] E përcjell Ahmedi 1/170, Tirmidhiu me nr. 3505, Hakimi 1/505 duke e saktësuar atë, dhe këtë e miratoi edhe Dhehebiu nga Sead bin Ebi Uekasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Shejh Albani në studimin e haditheve të fjalës së bukur fq. 122 ka thënë: Hadithi është i shkallës që e kanë pohuar Hakimi dhe Dhehebiu.
Të Ngjashme
- Rënia e Granadas (2 Janar 1492) Udha e Besimtarëve
- Disa popuj që i ka lavdëruar Profeti Udha e Besimtarëve
- Çfarë na mëson historia e Jusufit? Emin Bilali
- Cila ishte xhamia e parë që ndërtoi i Dërguari i Allahut? Udha e Besimtarëve
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve