Historiku i numrave Indianë dhe Arabë

January 25, 2018

Historiku i numrave Indianë dhe Arabë.

Bota islame sot përdor dy lloje numrash; numrat indianë dhe numrat arabë.

Lloji i parë: Numrat Indianë.

Numrat indianë nga njëshi deri tek nënta janë: ١, ٢, ٣, ٤, ٥, ٦, ٧, ٨, ٩.
Këta numra janë përdorur nga Arabët e Lindjes, muslimanët e Azisë Qëndrore dhe së fundi perandoria Osmane, çka ka bërë që të përdoren edhe në Shqipëri. Prandaj dhe në xhamitë e vjetra dhe pllakat e varreve të vjetra gjen mbishkrime Osmane që mbajnë data të shkruara me këta numra. si p.sh.:
Xhamia e “Et’hem Beut” mbi derën e saj mban mbishkrimin Osman “سنة: ۱۲۰۹ ﻫ” që do të thotë “Viti 1209 H” që është viti i themelimit të saj.

Këta numra quhen Indianë për shkak se origjina e tyre është India. Në kohën e Halifes Ebu Xhafer El-Mensur i cili ka udhëhequr umetin Islam nga viti 136-158 sipas hixhretit, arabët u njohën me simbolet indiane të numrave të cilët i pëlqejnë. Ata u dhanë atyre simbole me bazë simbolet indiane por duke ia përshtatur ato alfabetit arab:
Njëshi në indisht (१), në arabisht (١) i përshtatur me shkronjën Elif (ا).
Dyshi në indisht (२), në arabisht (٢) i përshtatur me shkronjën Be (ب), duke i shtuar një bisht.
Treshi në indisht (३), në arabisht (٣) i përshtatur me shkronjën Sin (س), ku i është marrë vetëm koka dhe i është shtuar një bisht.
Katra në indisht (४), në arabisht (٤) e përshtatur me shkronjën Ajn (ع).
Pesa në indisht (५), në arabisht (٥) e përshtatur me shkronjën Ha (ه).
Gjashta në indisht (६), në arabisht (٦) e përshtatur me shkronjën Lam (ل) të përmbysur.
Shtata në indisht (७), në arabisht (٧) e përshtatur me shkronjën Lam elif (لا).
Teta në indisht (८), në arabisht (٨) e përshtatur me shkronjën Lam elif (لا) të përmbysur.
Nënta në indisht (९), në arabisht (٩) e përshtatur me shkronjën Ta (ط) të përmbysur.

Në kohën e halifes Memun i cili ka udhëhequr umetin Islam nga viti 198-218 sipas hixhretit, Arabët futën në përdorim zeron dhe i dhanë këtë simbol “٠” që do të thotë “bosh”. Kjo i dedikohet matematicienit të njohur Muhamed bin Musa Al-Khauarizmi, i cili ishte përgjegjësi i “Shtëpia e Urtësisë” në kohën e Memunit -Allahu i mëshiroftë-.

Lloji i dytë: Numrat Arabë.

Numrat arabë janë: 0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9.
Këta numra janë përdorur nga arabët e Perëndimit të cilët janë arabët e Andaluzisë (Spanja sot) dhe arabët e Afrikës Veriore. Atyre u janë dhënë forma mbi bazën e numrit të këndeve ku numri një ka një kënd, numri dy ka dy kënde, numri tre ka tre kënde etj. siç është shprehur në figurën e mëposhtme.
Këta numra janë futur më pas në Europë nga Andaluzia dhe mendohet se kjo gjë të jetë bërë nga Papa Silvester II, i cili para se të ulej në karrigen e papatit kishte studiuar në Andaluzi dhe kishte qëndruar në krye të papatit nga viti 999-1003 sipas kalendarit kristian.
Evropianët ia kanë përshtatur numrat Arabë gjuhës së tyre duke u dhënë atyre më shumë rrumbullakësi, siç shihet nga ndryshimi i tyre me formën e paraqitur në tabelën e mëposhtme.

Në lidhje me origjinën e këtyre numrave janë dhënë dy mendime:
1- Origjina e tyre është tek arabët dhe ky është mendimi më i përhapur. Madje evropianët kështu i emërtojnë, ndërsa arabët i quajnë numrat e pluhurit sepse i shkruanin ata në rërë.
2- Origjina e këtyre numrave është gjithashtu India, pastaj arabët i kanë përshtatur siç paraqitet në tabelën e mëposhtme.
Gjithsesi, numrat indianë të arabëve të Lindjes janë më të hershëm në përdorim sesa numrat arabë të arabëve të Perëndimit. Ata i janë përshtatur më shumë në shkrim gjuhës arabe, prandaj dhe kanë përdorim më të gjerë te arabët dhe të gjithë ata popuj që përdorin alfabetin arab në shkrim.

Loading...