Humbja e gjerdanit të Aishes

December 17, 2022

Shejhut tonë Ibën Bazit Allahu e mëshiroftë iu lexua hadithi ku tregohet humbja e gjerdanit të Aishes radijAllahu anha në “Sahihu El-Buhari”, në fillim të kapitullit të tejemumit.
Shejhu ynë Allahu e mëshiroftë tha: Prej dobive që gjenden në këtë hadith është se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e di të fshehtën. Po ashtu dhe evlijatë. Kjo ngase i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij radijAllahu anhum nuk e dinin vendin ku gjendej gjerdani. [1]
“Dobi dhe fetua nga Imam Ibën Bazi.”
[1] Hadithi që i është lexuar shejhut Allahu e mëshiroftë është: Transmetohet nga Aishja radijAllahu anha, gruaja e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se ka thënë: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një prej udhëtimeve të tij, dhe kur arritëm te vendi i quajtur Bejda – ose Dhatu Xhejsh – mu këput gjerdani që kisha. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u ndal për ta kërkuar atë (gjerdanin), e bashkë me të edhe njerëzit e tjerë në një vend ku nuk kishte ujë. Disa prej njerëzve shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë: A e sheh se çfarë bëri Aishja? Për shkak të saj i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe njerëzit u ndalën në një vend që s’ka ujë e as nuk kanë ujë me vete. Ebu Bekri shkoi tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili kishte mbështetur kokën mbi prehrin tim (Aishes) dhe e kishte zënë gjumi, e më tha: E pengove të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe njerëzit në një vend ku nuk ka ujë e as nuk kanë ujë me vete. Aishja radijAllahu anha thotë: Ebu Bekri më qortoi dhe më tha atë që donte Allahu të thoshte, pastaj filloi të më shpojë me dorën e tij. Megjithatë, unë nuk lëviza nga vendi nga frika se mos zgjohej i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe largonte kokën nga prehri im. Kur i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u zgjua nga gjumi nuk kishte ujë. Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin e tejemumit dhe kështu të gjithë morën tejemum. Usejd bin El-Hudajri tha: O familja e Ebu Bekrit! Kjo nuk është begatia juaj e parë (me të cilën Allahu i Madhëruar u ka begatuar). Aishja radijAllahu anha thotë: Pasi e ngritëm devenë në të cilën kisha hipur, e gjetëm gjerdanin nën të.” Shënon Buhariu me nr. 334.
Loading...