Hutbe – Obligueshmëria dhe vlerat e Teuhidit

November 12, 2021

Teuhidi

Në hutben e sotme do të flasim rreth gjësë më të rëndësishme në Islam, obligimit më të madh, Teuhidit. Teuhidi është njësimi i Allahut në adhurim d.m.th. adhurimi i Allahut dhe mos adhurimi i askujt tjetër përveç Tij.

Obligueshmëria e Teuhidit

Adhurimi i Allahut dhe mos adhurimi i askujt tjetër përveç Tij është arsyeja pse Allahu na ka krijuar, arsyeja pse jemi në këtë botë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për gjë tjetër përveçse që të më adhurojnë vetëm Mua.”

Ky ajet dëshmon për obligueshmërinë e Teuhidit i cili është njësimi i Allahut në adhurim, sepse Ai nuk i krijoi xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër përveçse për këtë arsye.

Krijuesi është Ai i Cili meriton adhurimin dhe atë nuk e meriton askush tjetër përveç Tij, ata që nuk krijojnë asgjë.

Adhurimi i Allahut dhe mos adhurimi i askujt tjetër përveç Allahut është arsyeja pse Allahu ka dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që kemi dërguar në çdo popull Profetë të cilët i kanë ftuar të adhurojnë vetëm Allahun dhe t’i largohen adhurimit të Tagutit.”

Me të vërtetë që Allahu i pa të meta na tregon se ka dërguar në çdo bashkësi dhe brez njerëzish Profet, i cili i ftonte në adhurimin e vetëm ndaj Allahut dhe lënien e adhurimit të tjerëve përveç Tij. Allahu dërgoi vazhdimisht profetë tek njerëzit që në momentin që ndodhi shirku (adhurimi i të tjerëve krahas Allahut), në kohën e Nuhut deri kur e ndali dhe i vuri vulën profetësisë me dërgimin e Muhamedit ﷺ.

Urtësia e dërgimit të Profetëve është thirrja në Teuhid dhe ndalimi nga shirku. Thirrja në Teuhid dhe ndalimi nga shirku ishte misioni dhe detyra e të gjithë Profetëve dhe ndjekësve të tyre. Feja e Profetëve është një; dedikimi i plotë i të gjitha adhurimeve vetëm Allahut dhe lënia e shirkut. Kjo ishte feja e tyrë megjithëse ligjet e dispozitat ndryshonin nga njëri tek tjetri. Këtu vërehet rëndësia madhështore e Teuhidit i cili ishte detyrë e obligim për të gjithë popujt.

Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni tjetër përveç Tij dhe të silleni mirë me prindërit.”

Ky ajet është i gjatë dhe në të përmenden haqe dhe të drejta të ndryshme. Teuhidi është detyrimi i parë për të cilin na ka urdhëruar Allahu dhe është e drejta e parë dhe haku i parë ndaj robërve të Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos adhuroni përveç Tij asgjë (mos i bëni shirk Atij).”

Pra, braktiseni shirkun dhe hiqni dorë prej tij.

Në këtë ajet shpjegohet dhe sqarohet Teuhidi si adhurim i Allahut të Vetëm, si dhe lënie dhe largim nga shirku.

Allahu i pa të meta urdhëron robërit e Tij t’a adhurojnë Atë të Vetëm dhe të pashok dhe i ndalon nga shirku. Nuk ka veçuar ndonjë lloj prej llojeve të adhurimeve, as duanë, as namazin, e asnjë tjetër në mënyrë që të përfshihen të gjitha llojet e adhurimeve. Gjithashtu, nuk ka veçuar ndonjë lloj prej llojeve të shirkut në mënyrë që të jenë të ndaluara të gjitha llojet e tij.

Në këtë ajet bëhet e qartë obligueshmëria e njësimit të Allahut në adhurim (teuhidi) sepse Allahu ka urdhëruar për këtë dhe ky është detyrimi më i madh dhe ndalimi i shirkut. Allahu ndaloi nga shirku në këtë ajet dhe shirku është ndalesa më e madhe.

Largimi nga shirku është kusht për saktësinë e adhurimit, ngase Allahu përmendi urdhërin për t’a adhuruar së bashku me ndalesën për të bërë shirk.

Shirku është i ndaluar qoftë pak apo shumë, i madh apo i vogël qoftë. Fjala ‘asgjë’ është e përgjithshme dhe nënkupton ndalesën, dhe përfshin plotësisht të gjithë shirkun si çështje.

Nuk lejohet të shoqërohet krahas Allahut askush në adhurim; as melek, as profet, as njeri i devotshëm prej eulijave, e as idhull, sepse fjala ‘asgjë’ është e përgjithshme.

___________Hutbeja e dytë____________

Vlera e Teuhidit dhe fshirja e gjynaheve për shkak të tij.

“Ata të cilët besuan dhe nuk e përzien Imanin e tyre me padrejtësi (shirk) do të kenë siguri të plotë (qëtësi të shpirtit dhe largim të frikës) nga çdo e keqe dhe nga çdo dënim, dhe do të jenë të udhëzuar në rrugën e drejtë (u jepet sukses në ndjekjen e rrugës së drejtë dhe të jenë të qëndrueshëm në të).”

Allahu i pa të meta na njofton se ata të cilët ja kanë dedikuar plotësisht të gjithë adhurimin Allahut të Vetëm dhe nuk e kanë përzier Teuhidin e tyre me shirk, ata janë të sigurtë nga aspektet e frikshme dhe të sikletshme e të urryera të Ditës së Gjykimit, dhe janë të udhëzuar në ndjekjen e rrugës së drejtë në këtë botë.

Kjo pra është vlera e Teuhidit dhe frytet e tij në dunja dhe ahiret. Ky ajet nxjerr në pah vlerën e Teuhidit dhe faktin që për shkak të tij falen gjynahet, sepse nuk do të ketë frikë e siklete njeriu në Ditën e Gjykimit por do të jetë i qetë dhe i sigurtë për në xhenet.

Gjithashtu kuptojmë se shirku shkakton frikë në dunja e ahiret.

Profeti ﷺ ka thënë: “Ai i cili dëshmon se nuk meriton të adhurohet kush tjetër përveç Allahut, i Vetëm dhe i pashok, dhe deshmon se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij dhe se Isai është rob i Allahut (jo Zot) dhe i Dërguar i Tij. Dëshmon se ai është krijuar me Fjalën e Allahut “Bëhu!” e cila ju vendos Merjemes (Allahu ka dërguar Xhibrilin te nëna e tij që t’i fryjë shpirtit të Isait) dhe se Isai është shpirt i krijuar prej Allahut (e jo Zot). Dëshmon se Xheneti është i vërtetë dhe se zjarri është i vërtetë, këtë person do t’a fusë Allahu në Xhenet në gradën dhe shkallën që i takon sipas veprave që ka bërë.”

‘do t’a fusë Allahu në Xhenet’: rezultati i zbatimit të kushteve të mëparshme: ‘Ai i cili dëshmon se…

‘ sipas veprave që ka bërë.’: nënkuptohen dy gjëra:

E para: Do t’a fusë Allahu në Xhenet edhe nëse ka pasur mangësi dhe gjynahe sepse Njësuesi i Allahut medoemos do të hyjë në Xhenet.

E dyta: Do t’a fusë Allahu në Xhenet dhe do të jetë grada e tij sipas veprave që ka bërë.

Profeti na njofton duke na bërë të qartë vlerën e Teuhidit dhe pozitën e tij të lartë, se nëse shqiptohen dy shahadetet (La ilahe il-lAllah, Muhamed rrasulullah) duke e ditur kuptimin e tyre si dhe duke vepruar e jetuar konform tyre në përputhje me kuptimin dhe çfarë kërkojnë, në anën e jashtme dhe të brendshme dhe duke ndenjur larg kalimit të caqeve në madhërim. Ose nënçmimi ndaj Profetërve të nderuar Isa dhe Muhamed (alejhim saletu ues selam) duke e pranuar profetësinë e tyre dhe faktin që ata janë robër të Allahut të nënshtruar ndaj Tij (e jo Zota), dhe se nuk kanë asnjë veçori e cilësi hyjnore (nuk janë Zot). Duke qenë i bindur se Xheneti dhe Zjarri ekzistojnë, përfundimi do të jetë Xheneti edhe nëse ka bërë disa gjynahe por jo shirk.

Nuk mjafton për të qenë imani në rregull vetëm shqiptimi i ‘La ilahe ilAllah’ pa e besuar fuqishëm me zemër (se nuk meriton të adhurohet kush tjetër përveç Allahut), si rasti i munafikëve (dyftyrëshit në besim të cilët thonë shahadetin megjithëse nuk e besojnë). Nuk mjafton për të qenë imani në rregull vetëm besimi me zemër pa e shqiptuar shahadetin, si rasti i kundërshtuesve mohues. Nuk mjafton për të qenë imani në rregull vetëm besimi me zemër dhe shqiptimi me gjuhë pa vepruar vepra me gjymtyrë si; namazi, agjërimi, haxhi etj.

Vepra nuk ka asnjë dobi përveçse kur është e dedikuar plotësisht për Allahun dhe duke qenë në përputhje me Sunetin (traditën, rrugën) e të dërguarit të Allahut . Ai i cili thotë ‘La ilahe il-lAllah’ por adhuron dhe lut të tjerë përveç Allahut, nuk i bën dobi thënia e kësaj fjalë si rasti i adhuruesve të varreve sot të cilët thonë ‘La ilahe il-lAllah’ dhe lusin e adhurojnë të vdekurit dhe u afrohen atyre me adhurime.

Profeti ﷺ ka thënë: Allahu thotë: “O njeri! Nëse vjen drejt Meje me gjynahe sa madhësia e tokës por nuk ke bërë shirk askund (nuk ke adhuruar të tjerë përveç Allahut), do të vij drejt teje me falje sa madhësia e Tokës.“

Në këtë hadith ka sqarim të shpërblimit të madh të teuhidit dhe se për shkak të tij falen gjynahet çfarëdo qofshin ato.

Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që Ibrahimi ishte shembull për t’u ndjekur, gjithmonë i bindur ndaj Allahut dhe gjithmonë në adhurim ndaj Tij. Ishte Hanijf (i drejtohej Allahut me adhurim dhe i kishte kthyer shpinën plotësisht çdokujt tjetër që adhurohet përveç Allahut), musliman (i nënshtruar ndaj Allahut) dhe nuk ishte prej idhujtarëve.”

nuk ishte prej idhujtarëve’: ishte larguar e shkëputur prej idhujtarëve me zemër, gjuhë dhe trup, dhe refuzonte e hidhte poshtë idhujtarinë të cilën e vepronin ata.

Pra, nuk mjafton vetëm adhurimi i Allahut por duhet larguar njeriu plotësisht nga shirku dhe idhujtarët. Duhet mohuar merita e adhurimit të kujtdo tjetër përveç Allahut.

Profeti صلى الله عليه وسلم ka thënë: Mu paraqitën popujt dhe pashë profetë që kishin me pak se dhjetë ndjekës, profetë me një apo dy ndjekës, dhe profetë me të cilët nuk ishte askush (nuk i ka ndjekur askush). Mu paraqitën një grupim shumë i madh njerëzish dhe mendova se mos ishin ndjekësit e mi, por mu tha se këta janë Musai dhe populli i tij (ndjekësit e tij). Me pas pashë një grupim shumë të madh njerëzish e mu tha ky është umeti yt. Në mesin e tyre janë 70.000 të cilët do të hyjnë në xhenet pa dhënë llogari dhe pa u dënuar.”

Pastaj Profeti صلى الله عليه وسلم u ngrit dhe hyri në shtëpinë e tij dhe filluan njerëzit të diskutonin e supozonin se kush mund të jenë këta. Disa thanë: Ndoshta janë shokët e Profetit صلى الله عليه وسلم. Disa të tjerë thanë: Ndoshta janë ata të cilët kanë lindur në Islam e nuk kanë bërë kurrë shirk ndaj Allahut, – dhe u përmendën edhe plot gjëra të tjera.

Doli Profeti صلى الله عليه وسلم dhe i treguan për diskutimin që kanë pasur, e tha:

– Janë ata të cilët nuk kërkojnë prej askujt t’i bëjnë rukje e as nuk kërkojnë t’ua djegin plagën me hekur të ndezur (për mjekim kundër infeksionit), nuk besojnë në bestytni dhe i mbështeten në çdo gjë Zotit të tyre.”

Pra, ata që e zbatojnë Teuhidin, d.m.th.; adhurojnë Allahun dhe mohojnë meritën e adhurimit nga çdokush tjetër përveç Tij, dhe nuk adhurojnë askënd tjetër përveç Allahut, ata do të hyjnë në xhenet pa dhënë llogari në Ditë të Gjykimit. Të shpëtojë njeriu nga gjyqi dhe nga dhënia llogarie në këtë botë është fitore e madhe, e jo më të shpëtojë nga dhënia llogari në Ditën e Gjykimit, nga halli e sikleti i madh që ka kjo llogari, si dhe të shpëtojë nga hyrja në zjarr dhe të hyjë direkt në Xhenet.

Allahu na bëftë prej tyre!

Loading...