Këtë javë që kaloi ka nisur mësimi në shkollat fillore dhe të mesme. Lusim Allahun t’a bëjë këtë vit shkollor të begatë për të gjithë nxënësit muslimanë, për vëllezërit tanë dhe për të gjithë fëmijët tanë.
Rëndësia e arsimit në jetën e njeriut është e njohur për secilin prej nesh, dhe secili duhet të kujdeset për të ardhmen e fëmijeve të tij duke investuar në arsimimin e mirë të tyre.
Një fëmijë i arsimuar mirë është një njeri i suksesshëm – në dashtë Allahu – në të ardhmen e tij në jetën e dunjasë. Një fëmijë i arsimuar mirë sot, nesër jeton më mirë dhe me mirëqenie më të mirë materiale. Rrizku është vetëm në dorë të Allahut padyshim, tek Allahu i lidhim shpresat dhe vetëm prej Tij e kërkojmë rrizkun, por arsimimi është shkak për ardhjen e rrizkut.
Një doktor i suksessshëm do të jetë një njeri i pasur dhe i rëndësishëm.
Një arkitekt i suksesshëm do të jetë një njeri i pasur dhe i famshëm.
Një pedagog i suksesshëm do të jetë një njeri i pasur dhe i respektuar.
Prandaj duhet t’i nxisim fëmijët tanë dhe t’u qëndrojmë mbi kokë të arsimohen siç duhet, të bëhen të suksesshëm në jetën e tyre të dunjasë dhe të kenë një shkak për ardhjen e një rrizku të mirë.
Kjo përsa i përket dijes e cila të bën dobi në dunja, por nuk duhet harruar kurrsesi dija fetare e cila bën dobi në dunja dhe ahiret. Nuk duhet lënë pas dore dije fetare e Kuranit dhe Sunetit me të cilën njeriu fiton përjetësinë e tij në Xhenet.
Krahas arsimimit në degët e ndryshme të dunjasë njeriu duhet t’i kushtojë rëndësi edhe më të madhe arsimimit fetar, sepse pa dije fetare njeriut nuk i bën dobi dija e dunjasë.
Një doktor i suksesshëm nëse nuk e adhuron Allahun ose adhuron dikënd tjetër përveç Allahut nuk hyn në Xhenet. Një shkencëtar i cili nuk ka njohur Allahun e nuk ka vënë asnjëherë kokën në sexhde për Allahun nuk hyn në Xhenet.
Dy melekët në varr nuk e pyesin njeriun çfarë pasurie kanë pasur e as çfarë posti kanë pasur e as çfarë shkolle ka kryer. Melekët e pyesin; kush është Zoti i tij, cila është feja e tij dhe kush është Profeti i tij.
Allahu i jep sukses t’i përgjigjen këtyre tri pyetjeve vetëm atyre që kanë mësuar mirë në këtë botë rreth këtyre tri aspekteve dhe kanë jetuar jetën në përputhje me këto tri aspekte. E gjithë dija e dobishme fetare e Kuranit dhe Sunetit sillet rreth këtyre tri aspekteve; Njohjes së Allahut, Islamit, dhe Profetit ﷺ.
Njohja e Allahut është njohja e njeriut ndaj Zotit të tij. Njohja se Allahu është Krijuesi i çdo gjëje, Dhurues i të gjitha mirësive që kanë robërit e Tij, i Vetmi i Cili meriton të adhurohet.
Njohja e fesë Islame është njohja e fesë Islame me të cilën Allahu dërgoi Profetin e Tij ﷺ.
Njohja e Profetit ﷺ është njohja e Profetit ﷺ si i dërguar nga Allahu tek mbarë njerëzimi. Ai erdhi me udhëzimin dhe fenë e vërtetë.
Këto tri çështje janë pyetjet për të cilat pyetet njeriu në varrin e tij. Këto janë sprova e varrit siç ka ardhur në hadithin e gjatë të Berraut, në të cilin përshkruhet marrja e shpirtit të besimtarit dhe jobesimtarit. Kur besimtari vendoset në varr i vijnë dy melekë, e ulin dhe i thonë: ‘’Kush është Zoti yt?’’ Thotë: ‘’Zoti im është Allahu.’’ I thonë: ‘’Cila është feja jote?’’ Thotë: ‘’Feja ime është Islami.’’ I thonë: ‘’Kush është njeriu i cili u dërgua tek ju?’’ Thotë: ‘’Ai është i Dërguari i Allahut ﷺ. I thonë: ‘’Si i di ti këto gjëra (me çfarë argumenti)?” Thotë: ‘’Kam lexuar Librin e Allahut dhe e kam besuar (pra duhet të lexojë dhe t’i mësojë mirë këto çështje në mënyrë që të dijë t’u përgjigjet pyetjeve në varr).’’ Dikush thërret nga qielli: ‘’Ka thënë të vërtetën robi Im. Shtrojani vendin me gjëra prej Xheneti, visheni me rroba prej Xheneti dhe hapjani një derë për në Xhenet!’’ I vjen nga aty aroma e Xhenetit dhe parfumet e tij, dhe i zgjerohet varri sa largësia e shikimit.
Ndërsa jobesimtari kur vendoset në varrin e tij i vijnë dy melekë, e ulin dhe i thonë: ‘’Kush është Zoti yt?’’ Thotë: ‘’Ëëë, ëëë, nuk e di.’’ I thonë: ‘’Cila është feja jote?’’ Thotë: ‘’Ëëë, ëëë, nuk e di.’’ I thonë: ‘’Kush është njeriu i cili u dërgua tek ju?’’ Thotë: ‘’Ëëë, ëëë, nuk e di.’’ Dikush thërret nga qielli: ‘’Ka mohuar e përgënjeshtruar. Shtrojani vendin me gjëra prej zjarrit të Xhehenemit, visheni me rroba prej Xhehenemit dhe hapjani një derë për në Xhehenem!’’ I vjen aty nga i nxehti i tij.’’ Thotë: ‘’I ngushtohet varri sa i dalin nga vendi brinjët e tij.’’ Allahu na ruajtë nga kjo gjendje. Hadithi është i saktë.
Hutbja e dytë
Nëse na pyet dikush: Kush është Zoti yt? I themi: Zoti im është Allahu i Cili përkujdeset për mua, më ka krijuar dhe përkujdeset për të gjitha krijesat me mirësitë e Tij. Ai është dhuruesi i të gjitha mirësive që kanë robërit. Allahu thotë: ’’Çdo mirësi që keni është prej Allahut.’’ En Nahl, 53. Ai është i Adhuruari im i vetëm, nuk kam të adhuruar tjetër krahas Tij.
Po nëse na pyet: Si e njohe Zotin tënd? Me çfarë mënyre arrite t’a njohësh Zotin tënd? Ne e njohim Allahun nëpërmjet krijesave dhe shenjave në univers dhe nëpërmjet argumenteve fetare.
Kur shohim krijesat e Allahut; qiejt, tokën, malet, detet etj. e kuptojmë se këto i ka krijuar dikush i Plotfuqishëm, i Ditur dhe Madhështor, Allahu i Lartësuar. Kur e shohim sesi Allahu dërgon termete, uragane etj. e kuptojmë se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Pamposhtur. Kur shohim krijesat e Tij se si funksionojnë, kuptojmë se Allahu është i Urtë dhe çdo gjë që Ai bën ka urtësi. Po ashtu në këtë mënyrë duke parë krijesat e Tij dhe mëshirën e përkujdesjen ndaj nesh, kuptojmë se Ai është i Mëshirshëm. Kështu e kemi njohur ne Allahun duke parë krijimin e Tij dhe shenjat e qarta në univers.
Ndërsa në disa aspekte të tjera Allahun e kemi njohur nëpërmjet argumenteve fetare që na ka dhënë, argumente nga Kurani dhe Suneti, sepse jo çdo gjë njeriu e kupton duke parë shenjat në univers dhe krijesat.
Emrat dhe Cilësitë e Allahut i kemi mësuar duke lexuar dhe mësuar nga Kurani dhe hadithet e sakta të Profetit ﷺ. Nga këto argumente fetare të Kuranit dhe Sunetit kemi mësuar që Allahu është i Butë, e pranon pendesën, është Falës i madh, Allahu buzëqesh, Allahu ka Fytyrë të bukur etj.
Pra, e njohëm nëpërmjet krijesave dhe nëpërmjet argumenteve fetare se Allahu është Zoti, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Krijuesi i njeriut dhe i çdo krijese, Dhënësi i Rrizkut, Dhënësi i jetës dhe vdekjes, Ai i cili ka nën kontroll të gjithë universin.
Duke qenë se Allahu është i tillë atëherë Ai meriton të adhurohet, dhe duke qenë se askush tjetër nuk është si Allahu atëherë askush tjetër përveç Tij nuk meriton të adhurohet. Çdokush që adhurohet përveç Allahut adhurohet padrejtësisht dhe nuk i takon të adhurohet.
Përderisa vetëm Allahu e meriton të adhurohet atëherë për të bëhen të gjitha adhurimet, vetëm Ai i meriton dhe vetëm Atij i kushtohen.
Vetëm Allahu meriton t’i lutemi dhe askujt tjetër. Lutja drejtuar dikujt tjetër është shirk, gjynahu më i madh dhe padrejtësia me e madhe, sepse lutja është adhurim dhe vetëm Allahu i meriton të gjitha adhurimet.
Prerja e kurbanit është adhurim sepse Allahu e ka përmendur në Kuran si adhurim, dhe për rrjedhojë vetëm Allahu e meriton këtë adhurim. Bërja e kurbanit për dikë tjetër përveç Allahut është shirk, gjynahu më i madh dhe padrejtësia më e madhe.
Allahu është Dhënësi i rrizkut dhe suksesit. Allahu ka caktuar fatin dhe rrizkun tonë dhe vetëm Atij i kërkojmë rrizk. Kërkimi i rrizkut nga dikush tjetër përveç Allahut është shirk. Bërja e kurbanit për varret e shehlerët të na japin fëmijë është shirk sepse vetëm Allahu mundet të na i japë. Kërkimi i suksesit për shkollë, gjendja e vendit të punës, martesa dhe ardhja e fatit, kërkimi tek dikush tjetër përveç Alahut është shirk sepse vetëm Allahu mundet të na i japë këto.
Të gjitha llojet e adhurimeve bëhen vetëm për Allahun sepse vetëm Allahu i meriton. Bërja e tyre për dikë tjetër përveç Allahut është shirk, idhujtari, gjynahu më i madh, padrejtësia më e madhe e cila e nxjerr njeriun nga Islami dhe e bën banor të përjetshëm të Zjarrit të Xhehenemit nëse vdes pa u penduar. Allahu na ruajtë prej tij!
Kjo ishte diçka e shkurtër në lidhje me njohjen e Allahut. Në hutbet e ardhshme – në dashtë Allahu – do të njihemi shkurtimisht me Fenë Islame dhe Profetin ﷺ .
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve