Hytbe – Në këtë ajet përmblidhet i gjithë udhëtimi ynë

December 11, 2021

“Çdo shpirt do t’a shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit. Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet), ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”

Ky ajet përmban katër fjali dhe kërkohet prej nesh që të meditojmë mirë në të, sepse aty përmblidhet i gjithë udhëtimi ynë nga fillimi deri në fund. Aty na tregohet shumë qartë e vërteta që na pret dhe e gjitha kjo sqarohet me fjalët më të qarta.

Pra, jemi përballë katër fjalive të përmendura në një ajet të vetëm të Kuranit Famëlartë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo shpirt do t’a shijojë vdekjen.”

Ky është një realitet i cili ka për të ndodhur, siç ka thënë Aliu (radiAllahu anhu): Nuk kam parë realitet më të ngjashëm me dyshimin sesa vdekja.

Pra, vdekja është e vërtetë e pamohueshme sepse njeriut mund t’i vijë vdekja në çdo moment. Mbase ai nuk arrin dot të dalë nga xhamia, ndoshta nuk arrin të ngrihet nga vendi ku është ulur… pra vdekja mund t’i vijë në mëngjes ose në mbrëmje, ditën ose natën.

Nga ana tjetër, ai e sheh me sytë e tij se si largohen njerëzit nga kjo botë duke i përcjellë çdo ditë xhenazet e tyre që mund të jenë të afëmit e tij, shokët, apo të tjerë që jetojnë përreth tij. Në çdo ditë ne përcjellim nga një pjesëtar të kësaj shoqërie dhe i nisim drejt varrezave.

Ky pra është realiteti, çdo shpirt do t’a shijojë vdekjen. Sado që njeriu të përpiqet dhe sado të marë masa për të qëndruar dhe për të jetuar gjatë, duhet të dijë se kjo vdekje prej së cilës ruhet – siç ka thënë Allahu i Lartësuar – “Ajo do t’ju takojë” ballë për ballë.

Kudo që të largohesh do t’a gjesh vdekjen para teje. Nuk do të të bëjë dobi asnjë masë që ke marrë, sepse vdekja është caktim dhe afat që asnjë nuk e di se kur do të vijë momenti; “Sepse kur vjen afati i vërtetë asgjë nuk mund t’a vonojë apo t’a sjellë më përpara.”

Ky është një realitet që e dimë por bindja është e dobët dhe mjetet që na pengojnë nga kjo janë të shumta, dhe shkujdesja shpeshherë na mund.

Atëherë fjalia e parë e këtij ajeti është: “Çdo shpirt ka për t’a shijuar vdekjen”, dhe kjo është e vërteta e parë.

Fjalia e dytë: Allahu i Lartësuar thotë:  “Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit.”  Pra shpërblimi do të bëhet atje dhe jo në këtë botë.

Kjo dynja është mejdani i punës dhe i veprave, ndërsa shpërblimi qoftë me të mirë apo me të keqe depozitohet për atë ditë, pra për ditën e kiametit.

Atje njeriu ka për të gjetur atë që ka vepruar dhe atë që ka lënë pas, do takohet me veprat e tij dhe do të shikojë madje edhe mëkatet e vogla që ka bërë apo të mëdhatë që janë radhitur mirë në libër.

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar! Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.”

Të gjitha veprat do të sillen aty, të gjitha ka për t’i lexuar dhe do t’i thuhet: “Lexoje librin tënd!” Dhe kështu ai lexon aty gjërat që e gëzojnë ose e pikëllojnë.

Këtë libër çdo njeri e shkruan me veprat e tij tani që gjendet në jetën e kësaj bote.

Kjo botë është periudha për të shkruar dhe për të punuar, për të regjistruar veprat në librin që gjithsecili do të takohet me të pasi këta libra të shpërndahen në ditën e gjykimit.

“Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit.”

Shpërblimi mund të vonohet dhe ndoshta nuk sheh fryte të punëve që bën në këtë botë. Ndoshta lutesh por nuk i sheh tani rezultatet e lutjes tënde. Mund të punosh, mund të lodhesh dhe nuk sheh gjurmë të lodhjes tënde. Mund të thërrasësh njerëzit për tek Allahu dhe nuk sheh rezultate të kësaj thirrje, dhe mbase njerëzit nuk i përgjigjen thirrjes tënde por shpërblimet janë të depozituara.

Ajo që kërkohet është të punosh, të mundohesh, të japësh, të lodhesh duke  mos pritur nga njerëzit shpërblim apo falënderim. Le të jetë motoja jote: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut, nuk duam për këtë as shpërblime e as falënderime.”

Në këtë mënyrë ai largon barrën nga vetja dhe nga të tjerët dhe nuk i’u kërkon asgjë, as përmendje, as falenderim, as lavdërim dhe as vlerësim. “Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit.” – pra shpërblimi do të bëhet atje.

Fjalia e tretë: “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”

Kjo është e vërteta e madhe, kjo është ajka e asaj që përmendet në Kuran: “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit.” Ky është fryti që vjen si rezultat i imanit që përmendet shumë herë në Kuran, i veprave të mira, cilësimi i rrugës së drejtë me të gjitha detajet e saj, përmendja e Xhenetit dhe zjarrit, ditës së kiametit dhe llahtarisë së asaj dite. Ajetet në Kuran vijnë për të treguar cilësitë e të Adhuruarit (Allahut) të Lartësuar dhe se Ai është Një dhe nuk ka ortak. Ky është boshti i shpëtimit dhe tek Ai varen të gjitha shpresat. Ose vinë për të sqaruar veprat dhe rrugën e drejtë që Allahu ka vendosur për robërit e tij në mënyrë që të ecin në të, si dhe për të cilësuar vendin për ku janë nisur të shkojnë.

“Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”

Kjo është e ardhmja reale e njeriut. Nuk është e ardhmja reale që njeriu të marrë një diplomë, të pranohet në ndonjë fakultet, të pranohet për master apo doktoraturë, të gjejë ndonjë punë me të ardhura, të fitojë në tregti dhe të ketë të ardhura, prona, mjete dhe vila.

Nuk është kjo fitorja e vërtetë e njeriut sepse jeta është e shkurtër dhe nuk meriton këtë lloj fitimi. Ju mund të shikoni shumë nga ata njerëz që i arritën këto fitime se si jetesa e tyre është plot me pikëllim, sepse jetuan larg imanit, larg bindjes ndaj Allahut dhe Profetit (alejhi selam).

Njeriu kur i shikon gjërat nga larg mendon se këta njerëz janë të lumtur, por e vërteta është se nëse ndonjë prej tyre nuk është në lidhje të mirë me bindjen ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij dhe nuk e ka kraharorin të gjerë me iman, ai vetëm se jeton jetë të mërzitshme dhe të vështirë.

E vërteta e madhe tek e cila duhet të mbështetemi dhe të cilën duhet t’a synojë gjithsecili nga ne, të shpresojë dhe të punojë për të që të arrijë këtë rezultat dhe fitore, është që të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit dhe të hyjë në Xhenet.

Kjo duhet të jetë gjëja më e rëndësishme në jetën tonë. Në një hadith të saktë transmetohet: “Në ditën e gjykimit do të sillet njeriu që ka kaluar jetën më të mirë dhe do të futet vetëm për pak çaste në zjarr, dhe do t’i thuhet: O filan, a ke kaluar ndonjë mirësi gjatë jetës tënde? Ai do të thotë: Jo vallahi o Zoti im, kurrë nuk kam shijuar ndonjë të mirë në jetën time.”

Imagjinoni njeriun që ka pasur jetesën më të mirë qysh prej kohës kur Allahu e krijoi njeriun e deri në fund.

“Nga ana tjetër do të sillet njeriu më i vuajtur në botë dhe do të futet për pak çaste në Xhenet, dhe do t’i thuhet: O filan, a ke parë vuajtje ndonjëherë në jetën tënde? Ai do të thotë: Jo vallahi o Zoti im, nuk kam kaluar kurrë vuajtje gjatë jetës sime.”

Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”

Nuk është çështja kush fiton në provime, kush humb një punë, kush dështon në një marrëveshje tregtare ose në ndonjë biznes me fitime, jo. “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”

Kjo është ajo për të cilën duhet të punojmë dhe të lodhemi. Pra, çdo lëvizje e jona duhet të jetë e drejtuar për këtë synim madhor.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kurse për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira do të ketë kopshte nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Kjo është fitorja madhështore.”

Ndërsa për banorët e zjarrit ka thënë: “Thuaj: Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë!”

Kjo është humbja e vërtetë! A e keni parë dikë që shtëpia i merr flakë dhe aty gjenden e gjithë familja e tij, apo makina e tij që mer flakë dhe brenda gjendet familja, zemra e çdokujt që nuk i njeh çahet nga trishtimi dhe dhembshuria. Si qëndron puna kur dënimi dhe zjarri është i përhershëm?

Kjo pra ishte fjalia e tretë: “Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet).”

 

  • Hytbja e dytë

Fjalia e katërt e këtij ajeti është: “Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”

Mashtuese është çdo gjë që e huton njeriun nga qëllimi i madh dhe synimi që pret të arrijë. Ai e shikon këtë botë me bukuritë, shijet, hijeshinë dhe mashtrimet e saj, dhe vetja e tij shkon pas saj dhe e zbraps nga bindja ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij (alejhi selam). Por në fund ajo mbetet një kënaqësi mashtruese.

Kjo kënaqësi zhduket dhe shpërbëhet. Allahu na i ka treguar shembullin e kënaqësive të kësaj bote në mënyrën më të bukur, duke thënë: “Jepu atyre shembullin e jetës së kësaj bote: Ajo është si uji që Ne e lëshojmë nga qielli. Bimësia në tokë përzihet me të, por pastaj bëhet si bar i thatë të cilin e shpërndan era. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë! Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë janë më të mira te Zoti yt përsa i përket shpërblimit, dhe janë më të mira përsa i përket shpresës (për shpëtim).”

Ky është realiteti i kësaj bote dhe ky është shembulli dhe paraqitja e saj. Ajo e mashtron të paditurin, e merr pas derisa atij t’i shtohet tamahu, dhe nuk shkon shumë dhe e gjithë ajo që mblodhi shpërbëhet para syve të tij. Të gjitha kënaqësitë që shijoi largohen dhe mbeten vetëm ofshamat e pendimit.

Lusim Allahun të na ruajë të gjithëve nga zjarri i xhehenemit!

 

Shkëputje nga një ligjeratë e shejh Halid es Sebt (Allahu e ruajtë).

Përktheu: Fatjon Isufi

 

 

 

 

 

 

 

 

Loading...