Hytbe – Vepra më e mirë është namazi

December 11, 2021

Vepra më e mirë është namazi

Prej kthesave më të mira që mund të bëjë njeriu në jetë është të fillojë faljen e namazit, sepse vepra më e mirë dhe më e rëndësishme në Islam është falja e namazit.

Trasmetohet nga Abdullah ibn Mesudi (radiAllahu anhu) se Profeti ﷺ është pyetur: Cila është vepra më e mirë? Ka thënë ﷺ: Namazi i falur në kohën e tij.

Allahu na ka udhëruar në vende të shumta në Kuran për të falur namazin, ku ka thënë:

وَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَآتُوا الزَّكَاةَ وَارْكَعُوا مَعَ الرَّاكِعِينَ

“Faleni namazin, jepeni Zekatin dhe bini në ruku bashkë me ata që bien.” D.m.th. faluni me xhemat në xhami.

Çdo detyrim të fesë kur e shpallte Allahu dërgonte Xhibrilin (alejhi selam) t’a përcillte tek Profeti ﷺ. Ndërsa kur Allahu deshi të na bënte detyrë namazin, e mori Profetin ﷺ në Isra dhe Miraxh dhe foli drejtpërdrejtë me të. Shiko çfarë rëndësie i ka dhënë Allahu namazit.

Detyrimi i parë madhor në Islam pas Teuhidit u bë falja e namazit.

Profeti ﷺ ka thënë:

الصلاه عمود الدين – Namazi është shtylla e fesë.

Kaq vepër e rëndësishme është falja e namazit sa të gjithë profetët e kanë falur atë.

Allahu e përmend Profetin Junus (alejhi selam) dhe tregon se ai ka qenë namazfalës, dhe ngaqë ishte falës i rregullt i namazit Allahu e shpëtoi dhe e nxori nga barku i balenës. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

فَلَوْلَا أَنَّهُ كَانَ مِنَ الْمُسَبِّحِينَ – “Po të mos ishte prej atyre që faleshin,

لَلَبِثَ فِي بَطْنِهِ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُون – do të kishte qëndruar në barkun e balenës.”

Këtë koment të ajetit e përmend Ibn Abasi, Ibn Xhubejri dhe Katade.

Pra, namazi është shkak që të na shpëtojë Allahu nga hallet dhe të na japë zgjidhje të problemeve, siç e nxori Junusin (alejhi selam) nga situata e vështirë nga barku i balenës për shkak se Junusi ishte namazfalës.

Kënaqësia e lumturia e Profetit ﷺ ka qenë në namaz.

Profeti ﷺ ka thënë:

‘وجعلت قرة عيني في الصلاة’

“E ka bërë Allahu lumturinë dhe gezimin tim në faljen e namazit.”

Edhe ditën në të cilën vdiq Profeti ﷺ në momentet e tij të fundit, hapi perden e shtëpisë dhe pa sahabët të rreshtuar në namaz dhe buzëqeshi plot lumturi e krenari për umetin e tij që i la si falës të rregullt të namazit, dhe i’a dorëzoi shpirtin Allahut atë ditë.  Lamtumirën dhe buzëqeshjen e fundit ua dha kur ata ishin të rreshtuar për faljen e namazit.

Pas kësaj buzëqeshje sahabët nuk e panë më. Vdiq pranë familjes se tij dhe në çastet e fundit i porositi:

الصَّلاَةَ الصَّلاَةَ وَمَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ

“Bëni kujdes me namazin! Faleni namazin dhe silluni mirë me ata që keni nën posedim. D.m.th.: gra, fëmijë, shërbëtorë, punëtorë etj.

Pra fjalët e fundit të Profetit ﷺ ishin porosi për ne për të falur namazin.

Falja e rregullt e namazit është shkak për fshirjen e gjynaheve.

Profeti ﷺ ka thënë:

مثل الصلوات الخمس كمثل نهرٍ غمرٍ على باب أحدكم يغتسل منه كل يوم خمس مرات

“Namazi është si një lumë i cili kalon para derëns tuaj dhe ju laheni tek ai lumë pesë herë në ditë. A mbetet ndonjë papastërti tek ju?”

Namazi është shpëtim nga veprat dhe veset e këqija.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَأَقِمِ الصَّلاةَ إِنَّ الصَّلاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاء وَالْـمُنكَرِ

“Fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga fjalët dhe veprat e këqija.”

Duhet kujdes i madh për namazin sepse Profeti ﷺ ka thënë:

إن أول ما يحاسب به العبد يوم القيامة من عمله صلاته، فإن صلحت فقد أفلح وأنجح، وإن فسدت فقد خاب وخسر

“Vepra e parë për të cilën do të merret në llogari njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse namazin e ka patur në rregull do të shpëtojë e fitojë. Nëse namazin nuk e ka patur në rregull do të humbasë e do të dënohet.”

Trasmeton Imam Maliku me nr. 51 se Profeti ﷺ ka thënë:

لا حظ في الإسلام لمن ترك الصلاة

“Nuk ka hise në Islam ai që nuk fal namazin.”

Shikoni pra çfarë rreziku ka mosfalja e namazit.

Allahu i Lartësuar tregon në Kuran sesi do të pyeten në zjarr të Xhehenemit ata që nuk falën namazin:

مَا سَلَكَكُمْ فِي سَقَرَ (42) قَالُوا لَمْ نَكُ مِنَ الْمُصَلِّينَ

“(Pyeten:) Çfarë i’u solli këtu në zjarr të Xhehenemit? Thanë: Nuk kemi qenë falës të rregullt të namazit.”

Allahu i lartësuar thotë:

فَخَلَفَ مِنْ بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا الصَّلاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيًّا

“Do të vijnë pas tyre popuj (flet për kohën tonë) që do t’a lënë namazin, nuk do t’a falin dhe do të ndjekin epshet. Për ta do të jetë një lumë i fëlliqur në zjarrin e Xhehenemit ku do të denohen në të.”

Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me faljen e namazit por duhet t’i ftojme herë pas here familjarët tanë për faljen e tij, dhe kjo duhet të jetë biseda jonë herë pas here në familje dhe në shoqëri derisa të binden dhe të fillojnë të falin namazin.

Allahu i Lartësuar urdhëron:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri i Xhehenemit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”

Profeti Ismail (alejhi selam) e ftonte familjen dhe e urdhëronte për faljen e namazit, dhe Allahu e lavdëron në Kuran për këtë ku thotë:

وَكَانَ يَأْمُرُ أَهْلَهُ بِالصَّلَاةِ

“Ai e urdhëronte familjen e tij për faljen e namazit.”

Kur i ftojmë të afërmit tanë të falin namazin mund të thonë skam kohë se jam në punë. Por ashtu si e gjejnë kohën për të dalë për të pirë një cigare, ose për t’u shkëputur nga puna ose shkolla për në tualet, ashtu munden t’a gjejnë kohën për të falur namazin i cili është vepra më e rëndësishme. Allahu e ka lehtësuar dhe e ka bërë faljen e namazit të mos jetë më e gjatë se pesë minuta, keshtu që askush nuk ka justifikim që të mos e falë atë.

Disa njerëz thonë: Nuk mundem t’a fal namazin sepse nuk mundem t’ë përkulem ose të qëndroj në këmbë. Ai i cili nuk mundet të falet në këmbë falet ulur, e ai i cili nuk mundet ulur falet shtrirë, e ai i cili nuk mundet të levizë as shtrirë falet vetëm duke lëvizur sytë. Pra, Allahu e ka lehtësuar faljen e namazit dhe e ka bërë të shkurtër qe të munden të gjithë t’a falin dhe të mos ketë askush justifikim për mosfaljen e namazit.

Me faljen e namazit fitohet Xheneti dhe me mosfaljen e tij humbet Xheneti. A humbet Xheneti vetëm se sdeshe të falësh namazin i cili zgjat pesë minuta? A lihet pa fituar Xheneti për pesë minuta namaz që lëmë pa falur?

O baba musliman! O nënë muslimane! Foli djalit dhe vajzës tënde për namazin e merru me ta derisa të fillojnë faljen e tij. Nëse do t’a kishe parë fëmijën tënd duke rënë në zjarr do kishe vrapuar t’a kapje të mos binte. Mos falja e namazit çon në zjarrin e përjetshëm të Xhehenemit, ndaj shpëtoje fëmijën tënd nga zjarri i përjetshëm i xhehenemit!

O vëlla musliman! O motër muslimane! Fol me vëllain dhe motrën tënde, shokun dhe shoqen tënde për namazin. Rri me të e ftoje vazhdimisht tek falja e namazit derisa Allahu t’ja hapë zemrën siç t’a hapi edhe ty. Nëse nuk i flet dhe nuk e fton vazhdimisht tek namazi, mos kujto se do t’a bëjë namazfalës vëllain tënd shoqëria e tij e as motrën tënde shoqëria e saj. Nëse nuk kalon kohë me të e nuk e fton tek namazi, atëherë do t’a ftojnë në gjëra të tjera mediat, serialet, instagrami e shoqëria e keqe.

Loading...