I sëmuri dhe udhëtari në ditët e agjërimit.
Vazhdim i temës: Thirrja e Allahut për agjërim.
Allahu i Madhëruar pas thirrjes për agjërim dhe përcaktimit të ditëve të tij, i lajmëron besimtarët për gjykimin e agjërimit të të sëmurit e të udhëtarit, dhe thotë:
فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“Ai i cili është i sëmurë apo në udhëtim, të agjërojë ditë të tjera.”
Kjo pjesë e ajetit sipas komentuesve të Kuranit përmban lejimin e çeljes së agjërimit për të sëmurin dhe udhëtarin në ditët e agjërimit, dhe zëvendësimin e tyre me ditë të tjera.
Për komentimin e këtij gjykimi na duhet të ndalemi te katër çështje.
E para: Pse i sëmuri dhe udhëtari?
Sëmundja dhe udhëtimi janë dy dukuri të pandashme nga njeriu. Sëmundja për shkak se njeriu është krijesë e dobët dhe udhëtimi për shkak se ai është krijesë me nevoja.
Në lidhje me sëmundjet, Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
أَمْ حَسِبْتُمْ أَنْ تَدْخُلُوا الْجَنَّةَ وَلَمَّا يَأْتِكُمْ مَثَلُ الَّذِينَ خَلَوْا مِنْ قَبْلِكُمْ مَسَّتْهُمُ الْبَأْسَاءُ وَالضَّرَّاءُ وَزُلْزِلُوا حَتَّى يَقُولَ الرَّسُولُ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ مَتَى نَصْرُ اللَّهِ أَلَا إِنَّ نَصْرَ اللَّهِ قَرِيبٌ
“Vërtet mendoni të hyni në Xhenet pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i preku mjerimi dhe sëmundjet, dhe aq shumë u tronditën saqë i dërguari dhe ndjekësit e tij thirrën: Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Suretu El-Bekare: 214.
Allahu i Madhëruar në këtë ajet tregon se sëmundjet siç kanë prekur ata që ishin para nesh, do të prekin çdo kënd tjetër në këtë botë. Ai gjithashtu e lidh këtë dukuri me hyrjen në Xhenet, që do të thotë se Allahu e ka një qëllim nëpërmjet kësaj dukurie.
Duke medituar rreth kësaj dukurie të natyrës njerëzore dhe duke e lidhur atë me çfarë dimë prej librave të Allahut, gjejmë se nëpërmjet sëmundjeve arrihen disa qëllime pa të cilat njeriu nuk arrin dot Xhenetin.
1 – Sëmundja e bën njeriun t’a kuptojë realitetin e tij si krijesë e dobët dhe të njohë madhështinë e Zotit të tij.
2 – Sëmundja e bën njeriun t’i drejtohet Zotit të tij për ndihmë, sepse të keqen e largon vetëm ai të cilin nuk e prek e keqja.
3 – Sëmundja e pastron njeriun besimtar i cili bën durim ndaj saj nga gjynahet.
Për këto arsye, Allahu e ka krijuar njeriun krijesë të dobët dhe kjo do të jetë shkak që ai në këtë botë patjetër do të sëmuret. Është rast i rrallë që ai të mos sëmuret gjatë jetës së tij, madje kjo nuk është shenjë e mirë për të. Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon:
“Një burrë beduin kaloi pranë Profetit (alejhi selam) dhe atij i pëlqeu shëndeti dhe fuqia e tij. Atëherë Profeti (alejhi selam) e thirri atë dhe e pyeti: A të ka prekur ndonjëherë sëmundja e etheve?
Burri i tha: ç’janë ethet?
Profeti (alejhi selam) iu përgjigj: Zjarrmi mes lëkurës dhe mishit.
Burri i tha: Kurrë nuk më ka ndodhur.
Profeti (alejhi selam) e pyeti përsëri: A ke ndier ndonjëherë dhimbje koke?
Burri i tha: ç’është dhimbja e kokës?
Profeti (alejhi selam) iu përgjigj: Avull që shfaqet në kokë dhe godet damarët.
Kur burri u largua, Profeti (alejhi selam) tha: Kush do që të shohë një burrë të zjarrit të Xhehenemit, le të shohë këtë!” E transmeton Ahmedi, Buhariu etj. dhe e saktëson shejh Albani.
Pra, njeriu sëmuret dhe rrallë herë i shpëton kësaj dukurie, vetëm atëherë kur Allahu i Madhëruar ka një qëllim të caktuar për të.
Kalimi i njeriut në këtë gjendje e dobëson fizikisht, madje ndonjëherë e dobëson shumë rëndë siç thotë Allahu i Madhëruar për Ejubin -alejhi selam-:
وَاذْكُرْ عَبْدَنَا أَيُّوبَ إِذْ نَادَى رَبَّهُ أَنِّي مَسَّنِيَ الشَّيْطَانُ بِنُصْبٍ وَعَذَابٍ
“Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet dhe tha: Mua më ka prekur shejtani me mundim dhe vuajtje!” Suretu Sad: 41.
Ky përshkrim bën fjalë për një sëmundje të rëndë nga e cila u prek Ejubi -alejhi selam- dhe një gjendje e tillë e bëri atë të mos i ndahej shtratit për një kohë të gjatë.
Kalimi i njeriut në këtë gjendje ia vështirëson atij çdo punë fizike dhe mes tyre edhe agjërimin, sepse agjërimi përderisa është ndalim i përkohshëm nga disa adete njerëzore prej të cilave varet jeta e tij, atëherë ai është edhe ibadet fizik. Kështu Allahu i Madhëruar me lirimin e të sëmurit nga detyra e agjërimit, synon lehtësimin e tij.
Ndërsa në lidhje me udhëtimet Allahu i Madhëruar thotë:
هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولًا فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِنْ رِزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ
“Allahu është ai i Cili ua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me furnizimet e Tij.” Suretu El-Mulk: 15.
Allahu i Madhëruar në këtë ajet tregon se mirësitë e Tij janë të shpërndara në tokë, dhe se për t’i arritur ato duhet edhe udhëtim. Kështu nevoja e njerëzve për këto mirësi i shtynë ata të udhëtojnë, çfarë e bën edhe këtë dukuri të pandashme nga jeta njerëzore. Edhe kjo dukuri lë disa pasoja tek njeriu si lodhja, prishja e zakoneve ditore etj. Prandaj Profeti -alejhi selam- kur dilte për udhëtim lutej: “O Allah! Te Ti mbështetëm të më ruash nga vështirësitë e udhëtimit dhe ndikimi i keq i tij në shpirtin tim!” E transmeton Muslimi.
Ai gjithashtu thoshte: “Udhëtimi është pjesë dënimi sepse pengon gjumin, ushqimin dhe pirjen. Kur ndonjëri prej jush ta kryejë qëllimin e tij, të shpejtojë për t’u kthyer.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Pra, edhe udhëtimet kanë pasoja fizike në trupin e njeriut siç kanë sëmundjet, kështu që edhe ato janë marrë parasysh në lidhje me agjërimin për të njëjtin qëllim; largimin e vështirësive.
E dyta: Për cilat sëmundje dhe udhëtime bëhet fjalë?
Nuk është përmendur në ajetet e agjërimit se për çfarë sëmundjesh dhe udhëtimesh bëhet fjalë; për sëmundje të rënda apo të lehta, për udhëtime të gjata apo të shkurtra, për udhëtime të mundimshme apo të pamundimshme etj. Ajo që përmendet në këto ajete është vetëm fjala sëmundje dhe fjala udhëtim, dhe kjo lë të kuptohet se ky gjykim është për të sëmurët dhe për udhëtarët në përgjithësi.
Në lidhje me sëmundjet është pyetur dijetari i njohur i tabiinëve Ata bin Ebi Rabah -Allahu e mëshiroftë: Nga cila sëmundje mund ta çel agjërimin? Ai është përgjigjur: Nga çdo sëmundje, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ai i cili është i sëmurë…” E transmeton Ibn Asakir.
Ndërsa në lidhje me udhëtimet çështja është akoma më e qartë, sepse Profeti -alejhi selam- ka thënë:
“Allahu i ka hequr udhëtarit detyrën e agjërimit dhe gjysmën e namazit.” Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu etj. dhe e saktëson shejh Albani.
Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me udhëtimet thotë: “Nuk është përmendur asnjë argument nga Kurani apo Suneti kufizimi i udhëtimit me ndonjë lloj të veçantë të tij. Si mundet të jetë ky gjykim për ndonjë lloj të veçantë udhëtimi e të mos qartësohet nga Allahu dhe Profeti i Tij?! Atëherë kjo do të thotë se fjala e Allahut dhe e profetit i përfshin të gjitha llojet e udhëtimeve.” Mexhmu El-Fetaua 24/110.
Pra, edhe pse qëllimi i përgjithshëm nga lejimi i çeljes së agjërimit për të sëmurin dhe udhëtarin është lehtësimi i tyre sepse kanë vështirësi, gjykimi i ka përfshirë të gjithë llojet e të sëmurëve dhe udhëtarëve edhe kur ata nuk kanë vështirësi. Ky është gjykimi i Allahut të Madhëruar për të sëmurin dhe udhëtarin, mirëpo nëse ata vetpërfshihen në agjërim, atëherë ky veprim bën që agjërimi i tyre të marrë tre gjykime të ndryshme në varësi të gjendjes së tyre:
1 – Ai që nuk ka vështirësi nëse agjëron, agjërimi i tij është i saktë.
Ebu Said El-Khudrij -radiallahu anhu- tregon: “Kemi udhëtuar me Profetin -alejhi selam- në Ramazan dhe disa prej nesh agjëronin e disa jo. Askush nuk qortonte tjetrin, as agjëruesi atë që e kishte çelë dhe as ai që e kishte çelë agjëruesin”. E transmeton Muslimi.
2 – Ai që ka vështirësi më e mira për të është t’a prishë.
Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Allahu pëlqen të merren lehtësimet e Tij siç pëlqen të merren shtrëngimet e Tij.” E transmeton Ibn Hibani dhe e saktëson shejh Albani.
3 – Ai që i bën dëm agjërimi duke ia përkeqësuar rëndë shëndetin, apo duke e çuar deri në vdekje, apo duke e detyruar të lërë detyra të tjera, duhet patjetër t’a çelë. Nëse dikush vazhdon agjërimin në një gjendje të tillë ai është fajtor, sepse ai po lë lehtësimin e Allahut duke shkelur mbi përgjegjësitë e tjera.
Profeti -alejhi selam- kur ka parë në udhëtim një njeri me agjërim dhe rreth tij ishin bashkuar njerëzit për ta ndihmuar dhe për ti bërë hije, ka thënë: “Nuk është mirësi agjërimi në udhëtim. Pranojeni lehtësimin e Allahut!” E transmeton Muslimi, Nesaiu, Ibn Hibani etj.
Ndërsa, kur ai doli për çlirimin e Mekës dhe ishte ditë Ramazani, u tha sahabëve: “Nesër do të ndesheni me armikun dhe çelja ju forcon. Çeleni!” E transmeton Muslimi. Më vonë, kur ai mori vesh se disa prej tyre nuk e kishin çelur, tha: “Ata janë fajtorë.” E transmeton Muslimi.
E treta: Çfarë kërkohet prej të sëmurit dhe udhëtarit, kur ata nuk agjërojnë?
Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë gjykim thotë: [Ai i cili është sëmurë apo në udhëtim, të agjërojë ditë të tjera]. Ky ajet tregon se detyra e agjërimit për të sëmurin dhe udhëtarin nuk bie, por shtyhet për t’u zbatuar pas Ramazanit, në një kohë kur ata as janë të prekur nga sëmundjet dhe as janë të përfshirë në udhëtime.
Shtyrja e zbatimit të kësaj detyre në një moment tjetër do të thotë se Allahu i Madhëruar e do këtë adhurim, dhe ajo ka lidhje me qëllimin e agjërimit të përmendur në ajetin e parë, kur u tha: “O ju që keni besuar! U është shkruar agjërimi ashtu si u ishte shkruar atyre para jush, që ju të ruheni (nga të këqijat).” Dmth. të arrini devotshmërinë”. Pra, Allahu i madhëruar nëpërmjet agjërimit synon që robërit e Tij të arrijnë devotshmërinë, kështu që nëse arritja e saj është e pamundur në kohën e caktuar për këtë adhurim për shkak të natyrës sipas së cilës Ai i ka krijuar ata, atëherë le t’a arrijnë atë qëllim duke agjëruar ditë të tjera.
Në këtë gjykim shfaqet qartë dallimi mes agjërimit dhe namazit. Agjërimi është një lloj adhurimi i cili e zë të gjithë kohën e caktuar për kryerjen e tij, që janë ditët e muajit të Ramazanit. Kështu që nëse një ditë nga ky muaj nuk agjërohet dot në kohën e saj, ajo nuk mund të agjërohet më gjatë Ramazanit, sepse me mbarimin e asaj dite hyn dita tjetër me detyrë të re dhe nuk mbetet më kohë për t’a zëvendësuar atë në Ramazan. Po ashtu, nëse ikën i gjithë muaji i Ramazanit ato ditë nuk mund të agjërohen më në Ramazan, sepse ky muaj ka ikur dhe Ramazani tjetër vjen me detyrë të re. Ndërsa namazi nuk e zë gjithë kohën e caktuar për të. Psh: Koha e namazit të drekës është nga momenti kur dielli e kalon kupën e qiellit deri kur hija e një objekti të bëhet sa gjatësia e tij. Për kryerjen e këtij namazi nuk nevojitet i gjithë ky interval kohor, dhe kjo bën që nëse myslimani nuk e fal dot atë në fillim të kohës mund t’a falë kurdo gjatë këtij intervali deri në përfundimin e tij. Kjo gjë nuk mund të ndodhë me agjërimin, sepse siç u tha më lart ai ndryshe nga namazi e zë gjithë kohën e caktuar për të. Moskryerja e tij në atë kohë detyrimisht të shtynë për ditë të tjera pas Ramazanit.
E katërta: Kur dhe si duhet të agjërohen ditët e çelura të agjërimit?
Nuk është përmendur në këtë ajet apo diku tjetër në Kuran a Sunet ndonjë kufi kohor për agjërimin e këtyre ditëve pas Ramazanit, dhe as ndonjë mënyrë e veçantë agjërimi si agjërimi i tyre njëra pas tjetrës apo të ndara. Kjo gjë do të thotë se nëse besimtari arrin t’i plotësojë ato ditë në çfarëdo kohe dhe në çfarëdo mënyre, detyra e tij quhet e kryer. Megjithatë, besimtari në lidhje me agjërimin e këtyre ditëve duhet të ketë parasysh disa udhëzime të përfituara nga Kurani dhe praktika e të parëve të këtij umeti:
1 – Të përshpejtojë në zëvendësimin e tyre, sepse detyra e tij tashmë quhet e mbartur dhe jetës nuk i dihet fundi.
Allahu i Madhëruar u thotë besimtarëve:
فَاسْتَبِقُوا الْخَيْرَاتِ أَيْنَ مَا تَكُونُوا يَأْتِ بِكُمُ اللَّهُ جَمِيعًا
“Përshpejtoni në të mira! Kudo që të jeni, Allahu ka për t’ju mbledhur të gjithëve.” Suretu El-Bekare: 148.
Ky udhëzim ka zbritur pas ndryshimit të kibles dhe pasi besimtarët mësuan ku qëndron mirësia e Allahut që ata të rendin pas saj dhe të kujtojnë kthimin tek Zoti i tyre. Kështu duhet të veprojë edhe ai që ka detyra të mbartura, të përshpejtojë në kryerjen e tyre përderisa e ka mësuar gjykimin e Zotit dhe të kujtojë kthimin tek Ai.
2 – Të interesohet të mos i vijë Ramazani tjetër pa mbaruar të parin, sepse detyrat shtohen dhe shtimi tyre e vështirëson zbatimin. Aishja -radiallahu anha- në lidhje me agjërimin e saj, thoshte: “Kisha agjërim të mbartur nga Ramazani dhe nuk e kryeja dot veçse në Shaban -për shkak të preokupimit me Profetin (alejhi selam).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Muaji Shaban është muaji para Ramazanit, dhe interesimi i saj për ta kryer agjërimin e mbartur nga Ramazani i kaluar në këtë muaj do të thotë se ajo nuk donte të ngarkohej me detyra mbi detyra.
3 – Nëse dikush sheh se po shkon drejt pamundësisë së kryerjes së detyrës së mbartur, atëherë ai duhet të angazhohet menjëherë në kryerjen e saj, përndryshe është përgjegjës nëse i mbetet e pakryer.
Në librat e bazave të fikhut thuhet: Ka pajtueshmëri mes dijetarëve se afati i detyrave ngushtohet kur robi e di se nuk ka më mundësi jete, apo detyra po i bëhet e pamundur.
Ky është komentimi i kësaj pjese të ajetit e cila flet për çeljen e agjërimit nga i sëmuri dhe udhëtari, dhe çfarë kërkohet prej tyre.
Lusim Allahun e Madhëruar të na japë përkushtim ndaj mirësive të Tij dhe të na e mundësojë arritjen e tyre! Amin!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin