Ibën Tejmije në një shpjegim madhështor për eulijatë e Rrahmanit

March 4, 2015

Shejhul islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, thotë:

Të dashurit e Allahut (evlijatë) janë dy nivele: Të përparuar  të afruar (tek Allahu) dhe të djathtë mesatarë….  (pastaj argumentohet me ajete nga surja Uakiah ku thotë i Lartësuari): “Dhe do të jeni tre grupe. (Të përparuar, të djathtë dhe të majtë). I Lartësuari thotë në suren Insan: “Të devotshmit do të pijnë nga gota përzierja e të cilave është kafur (bimë që ka aromë të këndshme dhe freski), burim nga i cili pinë robërit e Allahut dhe e bëjnë të shpërthejë atje ku duan (e bëjnë të rrjedhë atje ku dëshirojnë ata). Dhe thotë në suren Mutafifin: “Të devotshmit janë në begati. Të mbështetur në kolltukë sodisin (mbretërinë e tyre dhe shikojnë Fytyrën e Allahut). Në fytyrat e tyre e shikon bukurinë e begatisë (dhe të lumturisë). U shërbehet dhe u jepet të pinë nga nektari i vulosur (vera e Xhenetit) i cili në fund të lë shijen e aromës së miskut. Për këtë le të garojnë garuesit. Dhe përzierja e tij është prej tesnimit (ajo është pija më e këndshme e banorëve të Xhenetit dhe më e përsosura).”
Nga Ibën Abasi dhe të tjerë prej selefëve përcillet se kanë thënë: “Përzihet për të djathtët, ndërsa të përparuarit e pinë ashtu siç është (të papërzier).”

Të gjitha punët e tyre ishin adhurime për Allahun prandaj pijnë (prej tesnimit) ashtu siç është i papërzier, ashtu siç ishin adhurimet e tyre të papërziera vetëm për Allahun. Ndërsa mesatarët kishin në punët e tyre pjesë për vetet e tyre, për ato nuk ndëshkohen e as nuk shpërblehen. Ata nuk pinë (prej tesnimit) të papërzier por përzihet pija e tyre me diçka nga pija e të përparuarve, aq sa ata e përzien (punën e tyre) në dynja.

E ngjashme me këtë është dhe ndarja e profetëve në rob-i dërguar, dhe profet-mbret. Allahu i Lartësuar i parashtroi Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem të zgjidhte të ishte rob-i dërguar apo profet-mbret, e ai zgjodhi (sh.p. pas një shikimi pyetës drejtuar Xhibrilit dhe bërjes me shenjë nga ana e tij ‘Bëhu i thjeshtë!’) ai zgjodhi të ishte rob-i dërguar.

Profeti-mbret është si Daudi dhe Sulejmani dhe të ngjashmit me ta, paqja dhe lavdërimi qoftë mbi ta. Allahu i Madhëruar tha për Sulejmanin: “Kjo është ajo që Ne të kemi dhënë, e ti jep apo mbaj (mos jep) pa llogari.” | Es Sad: 39. Domethënë jepi kujt të duash dhe mos i jep atij që të duash, ti nuk do llogaritesh. Profeti bën atë që Allahu ja ka obliguar dhe largohet nga ajo që Allahu i ka ndaluar, dhe sillet në pushtetin dhe pasurinë e tij ashtu siç dëshiron dhe zgjedh pa pasur gjynah.

Ndërsa robi-i dërguar nuk i jep askujt veçse me urdhër nga Zoti i Tij, dhe nuk i jep atij që ai do dhe ta pengojë nga ai që nuk do. Por është transmetuar prej tij se ka thënë: “Pasha Allahun, unë nuk i jap askujt e as nuk ja pengoj askujt. Unë vetëm shpërndaj e vendos atje ku jam urdhëruar.” Buhari 3117.

Ajo që është për qëllim këtu është se robi-i dërguar është më i mirë se profeti-mbret. Ashtu si Ibrahimi, Musa, Isa dhe  Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi ta, janë më të mirë se Jusufi, Daudi dhe Sulejmani. Ashtu si të afruarit (tek Allahu) dhe të përparuarit janë më të mirë se të devotshmit dhe të djathtët të cilët s’janë të afruar dhe të përparuar. Prandaj, ai që zbaton ato që ja ka bërë obligim Allahu dhe vepron prej të lejuarave ato që ai do, është prej atyre (te djathtëve). Ndërsa ai që vepron ato gjëra që Allahu i do dhe kënaqet me to, dhe vepron ato që i ka të lejuara me synimin që të ndihmohet me to për të zbatuar ato që i ka urdhëruar Allahu, ai është nga ata (të përparuarit).

“Mexhmuul fetaua” vëll. 11, fq. 99-103, me shkurtime dhe tefsir ajetesh (në kllapa) prej Ibën Kethirit.

Dosje:

Loading...