Idhujtaria është mëkati më i shëmtuar

August 12, 2025

(35) – Kreu: Shirku është mëkati më i shëmtuar dhe sqarimi i mëkatit më të madh që vjen pas tij.

51 – Hadithi i Abdullah ibn Mesudit i cili thotë: “E pyeta Pejgamberin ﷺ: Cili është mëkati më i madh tek Allahu?

Tha: T’i bësh Allahut shok (të barabartë) ndërkohë që Ai të ka krijuar.

Thashë: Vërtet kjo është e madhe!

Thashë: Pastaj cili (mëkat)?

Tha: Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se do të hajë bashkë me ty.

Thashë: Pastaj cili?

Tha: Të kryesh marrëdhënie të ndaluara me bashkëshorten e fqinjit tënd.”

E transmeton Buhariu në: Libri i tefsirit 65, tefsiri i sures El Bekare, Kapitulli 3: Fjala e Allahut; ‘Mos i bëni Allahut shokë (endad)’.

(36) – Kreu: Sqarimi i mëkateve të mëdha dhe sqarimi i mëkatit më të madh mes tyre.

54 – Hadithi i Ebu Bekres.

Pejgamberi ﷺ tha: “A t’ju njoftoj për mëkatin më të madh? – dhe e tha këtë tri herë.

Ata thanë: Po o i Dërguar i Allahut! Tha: Shirku ndaj Allahut dhe mosrespektimi i prindërve.

Pastaj ishte i mbështetur, u ul drejt dhe tha: Edhe dëshmia e rreme.

Ai vazhdoi ta përsëriste aq shumë sa thamë: Sikur të pushonte!”

E transmeton Buhariu në: Libri i dëshmive 52, Kapitulli 10: Çfarë është thënë rreth dëshmisë së rreme.

55 – Hadithi i Enesit:

U pyet i Dërguari i Allahut ﷺ për mëkatet e mëdha dhe tha: “Shirku ndaj Allahut, mosrespektimi i prindërve, vrasja e shpirtit (njeriut) dhe dëshmia e rreme.”

E transmeton Buhariu në: Libri i dëshmive 52, Kapitulli 10: Çfarë është thënë rreth dëshmisë së rreme.

56 – Hadithi i Ebu Hurejrës.

Pejgamberi ﷺ tha: “Ruajuni nga shtatë mëkatet shkatërrimtare.

Thanë: Cilat janë ato o i Dërguar i Allahut?

Tha: Shirku ndaj Allahut, magjia, vrasja e shpirtit që Allahu e ka ndaluar përveçse me të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fusha e betejës, dhe shpifja ndaj grave të ndershme, besimtare dhe të pafajshme.”

E transmeton Buhariu në: Libri i testamentit 55, Kapitulli 23: Fjala e Allahut; ‘Ata që hanë pasurinë e jetimëve padrejtësisht…’

– Hadithi i Abdullah ibn Umerit.

Pejgamberi ﷺ tha: “Nga mëkatet më të mëdha është që njeriu t’i mallkojë prindërit e vet.

I thanë: O i Dërguar i Allahut, si mund t’i mallkojë njeriu prindërit e vet?

Tha: Ai e shan babanë e një njeriu, ky ia shan babanë atij; e shan nënën e tij e ky ia shan nënën atij.”

E transmeton Buhariu në: Libri i etikës 78, Kapitulli 4: Të mos i shajë njeriu prindërit e vet.

Shpjegim i termave:

Andad: shokë, të barabartë me Allahun, idhuj.

Halilete Xharike: bashkëshortja e fqinjit.

Mëkatet shkatërrimtare (الموبقات): mëkate të mëdha që shkatërrojnë njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër.

Të mos i shajë prindërit: të mos bëjë fjalë ose ofendime që bëjnë të tjerët t’i shajnë prindërit e tij.

 

Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi).

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...