Historia e Salihut (alejhi selam)

August 13, 2015

Historia e Salihut (alejhi selam)

Populli Themud – i emërtuar ndryshe si Adi i mbramë – jetonte në Hixhër[1] dhe në zonat përreth. Ata zotëronin bagëti të shumta dhe njiheshin për bujqësi. Mirësitë e Zotit u vinin pandërprerë, derisa luginat i përdorinin për të ndërtuar kështjella të zbukuruara, ndërsa malet i gdhendnin me preçizitet dhe i kthenin në shtëpi banimi.

Të gjitha këto mirësi ata i refuzuan dhe i mohuan (të jenë nga Allahu), adhuruan të tjerë në vend të Tij. Për këtë arsye Allahu dërgoi vëllaun e tyre Salihun, i cili rridhte prej atij fisi dhe e njihnin shumë mirë prejardhjen dhe trungun e tij familjar. I dinin vlerat e tij, përsosmërinë e moralit, sinqeritetin dhe mbajtjen e amanetin .

Salihu (alejhi selam) i ftoi për tek Allahu, i ftoi që fenë t’ia kushtonin vetëm Atij dhe të braktisnin ata idhuj që i adhuronin në vend të Allahut. Ai u kujtoi mirësitë e vazhdueshme dhe breznitë e popujve që kishin jetuar aty pranë, por shumë pak e ndoqën.

Në momentin kur i këshilloi, u dha fakte dhe prova që pohojnë obligueshmërinë e njësimit të Allahut (në adhurim), kjo i bëri të ndiheshin keq, madje u larguan dhe treguan mendjemadhësi duke thënë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). [Hud 62].

D.m.th, ne prisnim se do të ishe më i miri në mesin tonë, për shkak se tek ti buronin moralet e plota dhe sjelljet më të mira.[2]

Ata i pohuan cilësitë e Salihut para se ai të ftonte në atë që do ftonte, dhe nuk patën ndonjë arsye tjetër ta shihin me syrin e përçmimit veç faktit se ai i ftoi të adhuronin Krijuesin në vend që të adhuronin krijesat dhe të gëzonin lumturinë e amshueshme. “Faji” i tij ishte se kundërshtoi baballarët e tyre humbur ndërkohë që pasardhësit ishin edhe më të humbur se ata!

Më pas ai u solli një provë madhështore, një argument mahnitës dhe një mirësi e cila do të vlente për të gjithë fisin Themud. Ai u tha: “Kjo është deveja e Allahut.” E cila nuk ngjan me asnjë deve tjetër në qënien, vlerën dhe dobitë e saj.  “Shenjë e qartë për ju.” Që pohon siqeritetin tim dhe mëshirën e gjerë të Zotit tuaj!

“Prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut.” [Hud 64].

Allahut i përket furnizimi i kësaj deveje, ndërsa ju, përfitimi nga dobitë e saj. Ajo pinte ujë në njërën ditë, ndërsa i gjithë fisi shkonte dhe përfitonte nga qumështi i saj, gjithsecili i mbushte enët me qumështin e saj. Ditën tjetër keni radhën ju të pini nga burimi dhe kështu ecën gjërat derisa deshi Zoti i Lartësuar.

Në qytetin e tyre ishin nëntë vetë prej shejtanëve njerëz që refuzonin në mënyrë të prerë atë që solli Salihu dhe me këtë i pengonin njerëzit nga rruga e Allahut “Në qytet kishin qenë nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.”  [Neml 48].

Kohë më parë Salihu (alejhi selam) ua kishte tërhequr vërejtjen nga therja e devesë, sidomos kur kishte parë mendjemadhësinë dhe refuzimin e të vërtetës nga ana e tyre. E megjithatë të parën gjë që tubuan këta dashakeqë ishte organizimi i një tubimi mga ku do të binin dakort për therjen e devesë dhe kështu ndodhi!

Therjen e devesë e morën përsipër njerëzit më të këqinj. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: “Kur u ngrit më i keqi i tij (për të therur devenë).”  [Shems 12]., D.m.th pasi ranë dakort dhe caktimit të detyrës e dërguan me këtë mision.

Ai u ngirt me të shpejtë, u përgatit mirë dhe mori përsipër therjen e saj, ndërsa ata të gjithë ishin të kënaqur madje e urdhëruan këtë veprim. Po, ai e theri devenë por ky do të ishte alarmi që tashmë lejonte shkatërimin e plotë të këtij populli.

Salihu (alejhi selam) kur e ndjeu (se dënimi po afrohej) dhe pa se diçka e tmerrshme do të ndodhte dhe se dënimi ishte i pashmangshëm, sepse krimi (që kishin bërë) kishte kaluar çdo kufi dhe nuk kishte mbetur asnjë mënyrë që të përmirësonte gjendjen e tyre, pas gjithë kësaj Salihu u tha: “Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë”.  [Hud 65].  Me këto fjalë ai u solli ndërmend dënimin si atyre që jetonin aty afër por dhe atyre që jetonin më larg.

Gjatë këtij afati tre ditor, ata nëntë persona u mblodhën dhe ranë dakort për të kryer një vepër më të llahtarshme dhe më të frikshme se therja e devesë! Ata vendosën të vrisnin Profetin e tyre Salihun! Ata u zotuan, dhanë besën dhe u betuan me betimet më të forta dhe e mbajtën të fshehur qëllimin e tyre nga frika se do ti pengonte fisi i Salihut, sepse ai i përkiste një familje dinjitoze, krenare dhe të ndershme.

Ata thanë: “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij.”  [Neml 49]. Pastaj, nëse ata mendojnë se ne e kemi vrarë, u betohemi përpara të afërmve të tij “Ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.” [Neml 49].

Realisht, ata e organizuan këtë kurth të madh, por nga njëra anë ata bënin kurthe, ndërsa Allahu bënte kurthe në favor të Salihut (alejhi selam).

Kur u fshehën në rrëzë të malit duke pritur rastin e volitshmë për të vrarë Salihun,  Allahu e filloi dënimin e tyre. Për të qenë ata të parët që do u prijnë popullit të tyre në zjarrin e xhehenemit.

Allahu çoi një shkëmb nga maja e malit dhe i zuri poshtë dhe u vranë në mënyrën më të keqe.

Kur u plotësuan ditët, atyre u erdhi një britmë e madhe nga lart dhe një tronditje e fortë nga poshtë dhe kështu u gdhinë si të ngujuar. Allahu e shpëtoi Salihun (alejhi selam) dhe ata që besuan bashkë me të.

“Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!” [Arafë 93.][3]

 

 

Dobi dhë mësime të përfituara nga historia e Salihut (alejhi selam)

1- Të gjithë Pejgamberët kanë ftuar në një thirrje! Ai që përgënjeshtron njërin prej tyre në fakt i ka përgënjeshtruar të gjithë, sepse përgënjeshtron të vërtetën që solli gjithsecili prej tyre. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar në çdo ndodhi ku flet për Pejgamberët thotë: “Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të dërguarit.” “Fisi Ad i quante gënjeshtarë të dërguarit.” “Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të dërguarit.” [Shuara 105, 123, 141].

2- Ndëshkimet e Zotit ndaj popujve kryeneç kanë ndodhur atëherë kur ata kishin arritur kulmin e tiranisë dhe kufirin maksimal të krimit. Mohimi dhe përgënjeshtrimi i tyre solli shkatërrimin, por ky dënima u bë i patjetrësueshëm atëherë kur e keqja kishte arritur kulmin. Për këtë arsye moment më shpresdhënës që tregon bindshëm afrimin e ndëshkimit të zullumqarëve dhe kriminelëve, është atëherë kur e keqja e tyre arrin kulmet, sepse Allahu u qëndron në pritë, u jep afat dhe përsëri u jep afat, por kur i merr me ndëshkim, i merr siç i ka hije Krenarit dhe të Plotfuqishmit.

3- Besimet e kota që janë ngulitur tek njerëzit e që janë trashëguar nga njerëz që mendimi për ta përgjithësisht është i mirë si psh baballarët etj, këto konsiderohen prej pengesave më të mëdha në pranimin e të vërtetës. Gjendja është e tillë se ata nuk janë as me realitetin dhe as me faktet dhe nuk zënë asnjë vend në argumentimet e sakta që pohojnë të vërtetën. Për këtë arsye pengesa më e madhe që e bëri popullin e Salihut të kundërshtonte thirrjen e tij ishte: “A mos vallë po na ndalon ta adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë?” [Hud 62].

Majde të gjithë popujt përgënjeshtrues që e refuzuan të vërtetën dhe thirrjen e Profetëve shpreheshin me këto fjalë: “Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre”.  [Zuhruf 23].

Kjo rrugë akoma vazhdon të ndiqet nga ndjekësit e të kotës, rrugë të cilën e kanë skicuar shejtanët për ti larguar njerëzit nga rruga e Allahut. Por është fakt se rruga e Profetëve është rruga e udhëzimit dhe e të vërtetës, e çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes?

 

 

“Historitë e Profetëve”

Shejh Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Fatjon Isufi.

 

[1] Zonw nw veri tw Arabisw Saudite!

[2] Hafidh ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në komentin e fjalës së Allahut që thotë: “Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale).”  [Hud 62] thotë: D.m.th: Ne shpresonim që logjika jote të ishte më e plotë para se të na i thoje këto fjalë, e që aludojnë në thirrjen që ti na bën në njësimin e adhurimit dhe braktisjen e idhujve që adhurojmë si dhe të largohemi nga feja e baballarëve dhe gjyshërve. Për më tepër thanë: “A mos vallë po na ndalon ta adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde.” Hud 62  [El Bidaje uen Nihaje 1.133].

[3] Tregon për Profetin e Allahut Salihun se ai u foli popullit pasi që ishin zhdukur, ndërkohë që kishte zënë vendet e tyre duke u thënë: Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë”. [A’rafë 79]. Dmth u përpoqa shumë që tu udhëzoja me çfarë kisha mundësi dhe tregova kujdes për këtë me fjalë dhe vepra dhe nijet. “Por ju nuk i donit ata qe këshillojnë!” D.m.th, natyra juaj nuk e pranonte të vërtetën e as që e donte atë, prandaj arritët deri në këtë dënim të dhemshëm i cili nuk ka për tu ndërprerë ndaj jush deri në pafundësi. Unë nuk kisha asnjë lloj mundësie e as nuk munda të largoja nga ju përveç asaj që kisha për detyrë në kumtimin e shpalljes dhe këshillës ndaj jush,  gjë të cilën e kam bërë, por Allahu vepron çfarë të dojë. Në këtë formë edhe Profeti i Allahut (Muhamedi alejhi selam) u qe drejtuar të vrarëve në pusin e kalibit pas betejës së bedrit.  Pas tri netëve, ai qëndroi aty, i thirri në emrat e tyre dhe të baballarëve duk u thënë: A e gjetët atë që Zoti juja u kishte premtuar? Pastaj tha: Ata në këtë moment dëgjojnë atë që u them. Për më tepër shih [El Bidaje uen Nihaje 1/137-138].

Loading...