Ibën Uthejmin, dijetari, fikhu i të cilit e tejkaloi interpretimin (tefsirin) e tij!
Doktor Ahmed El Buraidi shkroi një punim të këndshëm të titulluar: “Përpjekjet e shejh Ibn Uthejminit në tefsir dhe në shkencat e Kuranit”, ku ai studioi trashëgiminë e shejhut në lidhje me shkencën e tefsirit duke bërë një studim të shkëlqyer dhe të dobishëm. Allahu e shpërbleftë me shpërblimin më të mirë dhe më të plotë.
Në përfundimin e këtij kërkimi, studiuesi shkroi: “Shejh Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ishte i kujdesshëm ndaj shkencës së tefsirit dhe u dallua në të, megjithëse kjo nuk ishte e njohur gjerësisht për të për shkak të famës që kishte në jurisprudencë dhe akide. Arsyeja kryesore për këtë është se shkrimet e tij në tefsir nuk u botuan gjatë jetës së tij.” “Përpjekjet e Ibën Uthejminit në tefsir” fq. 777.
Ky përfundim i arritur nga studiuesi ishte diçka që e gjeta në bisedat e shejhut. Ai habitej pse studentët nuk merrnin pjesë në mësimet e tij të tefsirit aq sa prezantonin në mësimet e tij të fikhut. Ai ishte një dijetar i njohur dhe i përmbushte kushtet e një mufesiri, me një inteligjencë të dhuruar nga Zoti që e ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të tefsirit.
Kur shejhu humbi disa studentë në mësimin e tefsirit, ai i shprehu disa nga ndjenjat e tij për këtë mësim para studentit të tij dr. Husejn el Gamidi, ku i thoshte: “Në mësimin e tefsirit Allahu më hap gjëra që nuk gjenden në libra, por studentët nuk janë të interesuar!” Takimet e Xhemal Seid me studentët e Ibën Uthejminit, episodi 24.
Kur shejhu kaloi disa vite duke komentuar suren En Nisa, disa studentë vunë në dukje kohëzgjatjen në fund të interpretimit të kësaj surje. Shejhu kuptoi nga fjalët e atij studenti që ai po ankohej për kohëzgjatjen, dhe tha: “Nëse do doja të shpejtoja në tefsir mund ta bëja, por jam këtu për t’ju mësuar se si të interpretoni Kuranin dhe të nxirrni dispozita prej tij.” Takimet e Xhemal Seidit me studentët e Ibën Uthejminit, episodi 15.
Shejhu e ndiente aftësinë për të trajtuar komentimin e Kuranit dhe rëndësinë e tij. Ai ishte ndër të parët që ringjalli metodën e tefsirit të drejtpërdrejtë të Kuranit. Metoda mbizotëruese në mjedisin akademik atëherë lidhej me një libër të caktuar të tefsirit, ku diskutoheshin çështjet e tij dhe komentohej në to nëse ishte e nevojshme. Prandaj shejhu shprehu një dëshirë tjetër për studentin e tij Halid El Muslih: “Do të doja që mësimi im të ishte tërësisht në interpretimin e Kuranit, por studentët nuk pajtohen!”
Ligjërata mbi biografinë dhe rrugëtimin e Ibën Uthejminit nga Halid El Muslih.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: ibn Uthejmin