Rënia e Granadas (2 Janar 1492)
Padyshim, një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e umetit islam është rënia e Andaluzisë. Rënia e Andaluzisë nuk ishte thjesht fundi i një shteti dhe fillimi i një tjetri, por ishte një katastrofë në kuptimin e plotë të fjalës.
Në fund të shekullit të katërt, ra kalifati umejad në Andaluzí dhe shteti i unifikuar i Andaluzisë u nda në disa principata të vogla, secila me mbretin, ushtrinë dhe popullsinë e saj të pavarur. Tragjedia ishte se këto principata të vogla ishin në konflikt dhe luftë me njëra-tjetrën. Andaluzia e tëra ishte si një zinxhir që priste të këputej dhe të binte copë pas cope.
Historiani i Andaluzisë dhe bashkëkohësi i atyre ngjarjeve, Ibn Hajan, pasi ra qyteti Barbastro në vitin 456 hixhri, përshkruan gjendjen e popullit të Andaluzisë në atë kohë, duke thënë: “Nuk ka dyshim për njerëzit e mençur se kjo ishte një fatkeqësi që na goditi për shkak të përçarjeve tona. Ne e kishim lënë mënjanë bashkimin dhe solidaritetin dhe përqafuam ndarjen dhe armiqësitë. Kjo na la në prag të shkatërrimit. Gjendja jonë në këtë kohë është kaq e errët dhe e paqartë saqë as nuk mund të krenohemi më për të. Zemrat tona janë mbushur me injorancë, dhe as nuk jemi në rrugën e drejtësisë, as në atë të gabimeve. Populli ynë ka humbur dhe ka nisur të ngushëllojë veten me iluzione të rreme. Një nga shenjat e injorancës së tyre ekstreme është mashtrimi me kohën dhe largimi nga bindja ndaj Krijuesit të tyre, si dhe refuzimi për të ndjekur këshillat e Profetit, paqja qoftë mbi të. Ata kanë harruar t’i mbrojnë kufijtë e tyre, duke i lënë të hapur për armiqtë, të cilët, çdo ditë, u prisnin një pjesë dhe zhduknin një popull.”
Në vitin 480 hixhri, qyteti i madh i Toledos ra në duart e të krishterëve, që ishte si një goditje në zinxhirin që mbante Andaluzinë të bashkuar.
Poeti i tyre tha: “O njerëz të Andaluzisë, përgatituni për largim, sepse qëndrimi këtu është vetëm një gabim. Zinxhiri po shpërbëhet nga skajet e tij, dhe po e shoh edhe zinxhirin e gadishullit të thyer në mes. Kush jeton pranë së keqes nuk është i sigurt nga pasojat e saj. Si mund të jetë jeta e qetë në një strehë kaq të paqëndrueshme?”
Pas këtij rrënimi, sundimtarët e principatave të vogla kërkuan ndihmë nga murabitinët në Afrikë. Murabitinët kaluan detin për të ndihmuar Andaluzinë, dhe ndodhi beteja e famshme dhe e madhe e Sagrajas, e cila u regjistrua në historinë islame me shkronja ari. Në këtë betejë, të udhëhequr nga Jusuf ibn Tashfin, udhëheqësi i murabitinëve, dhe Alfonso VI, mbreti i Spanjës së krishterë, muslimanët arritën një fitore të madhe në vitin 479 hixhri, dhe kështu jeta filloi përsëri në Andaluzí.
Me kalimin e kohës, murabitinët u kthyen kundër mbretërve të principatave dhe vendosën sundimin e tyre mbi Andaluzinë. Ata e qeverisën për gjysmë shekulli deri sa shteti i tyre ra në Afrikë nga një shtet i ri që u ngrit atje – shteti i Muvahidinëve. Pas kësaj, populli i Andaluzisë u rebelua kundër murabitinëve, dhe Muvahidët kaluan detin për në Andaluzí, duke vendosur sundimin e tyre për një tjetër shekull. Muvahidët më vonë hynë në një betejë të madhe kundër të krishterëve të Spanjës, nën udhëheqjen e Jakub el-Mansur, e cila u quajt Beteja e Alarcosit në vitin 593 hixhri dhe përfundoi me një fitore të vendosur për Muvahidët. Por, pas 18 vitesh, ndodhi një tjetër betejë, e njohur si Beteja e Las Navas de Tolosa, të cilën andaluzianët e quanin “Beteja e Fatkeqësisë”, që solli fatkeqësi të mëdha për Andaluzinë. Kjo betejë u zhvillua në vitin 609 hixhri dhe përfundoi me një disfatë të madhe për Muvahidët.
Pas kësaj beteje, poeti Ebu Is’hak Ibrahim el-Ishbili shkroi disa vargje që përshkruanin gjendjen e popullit të Andaluzisë në atë periudhë: “Të shoh duke menduar gjatë, sikur po qëndron para gjykimit. I thashë vetes: po mendoj për atë ndëshkim që shkaktoi Betejën e Las Navas de Tolosa. Nuk ka më vend për qëndrim në tokën e Andaluzisë, sepse fatkeqësia ka hyrë nga të gjitha anët.”
Pas Betejës së Las Navas de Tolosa, qytetet e Andaluzisë filluan të bien një nga një.
Në vitin 623 të Hixhretit, rënë qyteti i Bajasë. Në vitin 627 ra ishulli i Majorkës, pastaj ra Kordoba, kryeqyteti i kalifatit Umejad në vitin 633. Më pas ra Valencia në vitin 636, Murcia në vitin 640 dhe Sevilla në vitin 646. Nuk mbeti asnjë qytet nga Andaluzia përveç Granadës, i cili ishte qyteti i fundit që ra.
Ibn Hud al-Judhami, pasardhës i Beni Hud dhe mbretërve të Sarakostës të vjetër, ngriti flamurin e çlirimit të Andaluzisë nga mushrikët dhe nga krishterët. Rreth tij u mblodhën njerëzit dhe ai nisi luftëra të shumta derisa arriti të kontrollonte Granadën në vitin 688 të Hixhretit. Në vitin 635, Muhamed ibn Jusuf ibn Hud, duke u nisur me forcat e tij, transferoi një pjesë të trupave në det për të ndihmuar emirët e Valencias, derisa mbërriti në qytetin e Marijës. Nënkryetari i Marijës, Muhamed ibn Abdullah el-Rummimi, e priti në pallatin e tij dhe organizoi vrasjen e tij në pallat, dhe në ditën pasuese shpalli vdekjen e tij.
Ndërkohë, shfaqet Muhamed ibn Jusuf en-Nasri, i njohur si Ibn el-Ahmer, pasardhës i sundimtarëve të Beni Nasr në Aragone, dhe u rrethua nga ndihmësit dhe mbështetësit që ndihmuan në realizimin e ëndrrës së tij për të sunduar të gjithë Andaluzinë. Ky qëllim e bëri që ndonjëherë të bashkëpunonte me të krishterët kundër qyteteve islame në Andaluzi për të eliminuar sundimtarët islamë dhe për të marrë kontrollin mbi to.
Ibn el-Ahmer arriti të kontrollonte Granadën dhe ta bëjë atë seli të tijën dhe ndihmoi në ndërtimin e Alhambras në Granadë dhe solli ujë në qytet. Ai gjithashtu emëroi djalin e tij, Farxhin, si pasardhës, por Farxhi vdiq në vitin 652 të Hixhretit, kështu që ai emëroi djalin e tij më të madh, Muhamed, si pasardhës. Në vitin 671, Muhamed ibn Jusuf El-Ahmer vdiq dhe sundimi mbi Granadën kaloi te pasardhësit e tij deri sa arriti te Ali ibn al-Hassan, i njohur si el-Galib Bil-lah, në vitin 868. Në fillim të sundimit të Ebul-Hassan, vëllai i tij, Ebu Abdullah Muhamed, i njohur si el-Zaghalla, u rebelua.
Njësoj, bashkëshortja e sulltanit Ebu el-Hassan, një grua e quajtur Aisha el-Hurra, kishte një rol të madh në historinë e Andaluzisë dhe sidomos në Granadë, deri sa u quajt Princesha e Nderuar. Aisha el-Hurra ishte princesha e Granadës në kohën kur mbreti ishte i moshuar dhe kishte dy fëmijë nga burri i saj, sultani: Muhamed dhe Jusuf. Aisha e konsideronte si të natyrshme që mbretëria t’i kalonte djalit të saj, por ndodhi diçka që nuk ishte e pritshme: sulltani u martua me një vajzë të krishterë shumë të bukur, e quajtur Thureja er-Rumije, të cilën e dashuronte shumë. Ajo lindi dy djem, Seadin dhe Nasrin. Edhe Thureja dëshironte që pasardhësit të ishin fëmijët e saj, kështu që filloi të përdorë kurthe, intriga dhe komplote për të larguar Aishe el-Hurra dhe fëmijët e saj nga ndikimi dhe pushteti. Fëmija më i madh i Aishes, Muhamed ibn Abdullah, ishte kandidat për pasardhës, dhe aristokratët dhe familjet e mëdha të Granadës preferonin kandidaturën e fëmijëve të Aishes në krahasim me fëmijët e krishterëve. Megjithatë, Thureja nuk u dorëzua dhe vazhdoi të nxisë sultanin Ebul-Hassan derisa ai urdhëroi të vendosë Aishën dhe fëmijët e saj në kështjellën e Kamarish në Alhambra dhe të forconte rojet dhe t’i trajtonte me ashpërsi. Ky vendim shkaktoi trazira te aristokratët e Granadës dhe filluan të shfaqen shenjat e trazirave. Thureja shkoi më tej dhe nxiti sultanin të vriste djalin e tij, Muhamed, për të eliminuar çdo mundësi që dikush tjetër të ishte pasardhës, por Aisha el-Hurra nuk u dorëzua. Ajo kontaktroi me kryetarët e Granadës, përfshirë Beni Saraq, familjen më të fuqishme dhe më të madhe të Granadës dhe filloi të planifikonte mënyra për të ikur nga ky burg. Në një natë, princesha Aisha vendosi të arratisej nga burgu, lidhë mbulesat me njëra tjetrën dhe nga dritarja zbret dhe largohet nga burgu me fëmijët e saj. Atje kishte disa shërbëtorë që e prisnin me kalë dhe ata hipën në kalë dhe u zhdukën nga sytë. Pas një periudhe, princi Muhammad ibn Abdullah, djali i Aishës el-Hurra, u shfaq në luginën e Ashah, dhe mbështetësit dhe ndihmësit e tij u mblodhën rreth tij, duke ngritur një rebelim kundër sulltanit Ali ibn el-Hassan, babait të Muhamedit. Sulltani Ali, duke e parë situatën, vendosi të ikë nga Granada në Malka dhe Abdullah Muhamedi hyri në Granadë dhe u ul në fronin e babait të tij në vitin 887.
Pas stabilizimit të gjendjes në qeverisje, Abdullah Muhamedi vendosi të rifillonte luftën dhe betejën në qytetet e Andaluzisë dhe doli me forcat e tij në vitin 888, duke u drejtuar drejt Kortobës dhe duke sulmuar disa fortesa në rrugë dhe duke mundur të krishterët në disa beteja. Ai u kthye i ngarkuar me plaçkë, por në rrugën e kthimit, të krishterët e kapën dhe shpërtheu një betejë e madhe dhe e tmerrshme ku muslimanët u kthyen dhe një numër i madh i komandantëve muslimanë u kapën. Ndër të kapurit ishte edhe Abdullah Muhamedi vetë. Në robëri, Abdullah Muhamed u tha ushtarëve spanjollë që të mos e ndihmonin derisa e morën tek komandanti, konti i Kabrës, i cili e priti me respekt dhe e vendosi në një fortesë të sigurtë dhe i dërgoi lajm mbretit të Kastiljes. Fernando urdhëroi që ta sillnin të burgosurin mbretëror në Kortobë, ku Abdullahu dhe shokët e tij u dërguan atje dhe qyteti u mbush nga qytetarët e Kortobës që ishin mbledhur për të parë mbretin musliman të kapur. Pastaj e çuan në një nga kështjellat e fortifikuara dhe qëndroi në robëri, i dëshpëruar. Muslimanët u kthyen në Granadë pa mbretin e tyre dhe humbja e madhe shkaktoi një tronditje të madhe në Granadë dhe në Alhambra. Liderët dhe aristokratët e Granadës vendosën të thërrasin Ebul-Hassan, babain e të zënit rob Ebu Abdullah, për të marrë përsipër qeverisjen e Granadës. Por Ebul-Hassan ishte i shkatërruar nga plakja dhe sëmundjet dhe kishte humbur shikimin dhe nuk mund të përballonte detyrat e qeverisjes, kështu që dorëzoi qeverisjen te vëllai i tij, Ebu Abdullah el-Zaghalla, sundimtari i Malka. Ndërsa sultani Abu Abdullah Muhammad qëndroi në robëri te krishterët, mbreti i Kastiljes e kuptoi rëndësinë e këtij të burgosuri mbretëror dhe vendosi të planifikonte një intrige për të arritur një marrëveshje që do të çonte në marrjen e Granadaës.
Marrëveshja mes dy palëve
Marrëveshja mes dy palëve përmbledh këto kushte: Sultani Ebu Abdullah do të pranojë autoritetin e mbretit të Kastiljes, Fernando, dhe do të paguajë një taksë të përvitshme prej 12,000 doblave ari. Ai do të lirojë menjëherë 400 të burgosur të krishterë nga Granada dhe do të lirojë 70 të burgosur çdo vit për pesë vjet. Gjithashtu, Ebu Abdullah do të dorëzojë djalin e tij më të madh si peng, së bashku me një grup të princërve, si garanci për përmbushjen e marrëveshjes. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ebu Abdullah u lirua nga robëria që kishte zgjatur dy vjet. Qëllimi i krishterëve me këtë marrëveshje ishte të shkaktonin trazira dhe rebelime brenda Granadës, sepse kushtet e marrëveshjes përmbanin klauzola që populli i Granadës nuk do t’i pranonin.
Pas kësaj marrëveshjeje, mbreti i Katalonjës dërgoi forcat për të rrethuar Granadën. Ai kishte qëllim të mbrohej qyteti i Lushës, por shpërthyen thashetheme në Granada se Ebu Abdullah kishte ardhur me forcat për të dorëzuar qytetin e Lushës tek mbreti i Kastiljes. Historia nuk është e qartë në lidhje me këtë çështje: disa historianë thonë se EAbu Abdullah kishte dalë për të mbrojtur qytetin, ndërsa të tjerë pretendojnë se ai kishte ardhur për ta dorëzuar atë. Duket se marrëveshja, e cila është e njohur, tregon se ndodhte më shumë si dorëzim sesa mbrojtje, siç kanë thënë shumë historianë në librat e tyre.
Në këtë mënyrë, forcat krishtere pushtuan të gjithë territorin e Andaluzisë dhe përreth Granadës, përveç Granadës vetë. Muslimanët në të gjithë Andaluzinë u ndanë në dy grupe: njëri që vendosi të kalonte në Marok dhe të shpëtonte me familjen e tij, dhe tjetri që u strehua në Granadë, që ishte mbrojtja e fundit e muslimanëve, duke e rritur numrin e popullsisë së Granadës në 400,000. Në këtë periudhë, ambasadori i mbretit të Kastiljes arriti në Granada dhe u takua me Ebu Abdullah në Pallatin e Kuq. Ai e befasoi Ebu Abdullahun duke i kërkuar dorëzimin e Granadës.
Ebu Abdullah e kuptoi tradhtinë dhe thellësinë e gabimit që kishte bërë duke nënshkruar marrëveshjen me mbretin e Kastiljes. Kur e pa këtë tradhti, ai mblodhi udhëheqësit dhe aristokratët e Granadës dhe i paraqiti kërkesën e Fernando për dorëzimin e qytetit. Ata e refuzuan këtë kërkesë me një zë të vetëm dhe shpallën vendosmërinë e tyre për të mbrojtur qytetin. Ebu Abdullah dërgoi një mesazh te mbreti i Kastiljes, duke i bërë të qartë se ai nuk e kishte më fjalën përfundimtare në këtë çështje dhe se populli i Granadës refuzonte çdo dorëzim ose armëpushim dhe ishte i vendosur për të luftuar.
Fernando mblodhi forcat; sipas librave të historisë, numri i forcave të mbledhura nga Fernando ishte 80,000. Më pas, lajmet arritën te Ebu Abdullah për përparimin e forcave krishtere drejt Granadës, kështu që ai përgatiti forcat dhe ushtarët dhe doli për të luftuar. U zhvillua një betejë e madhe në të cilën ushtria e muslimanëve u thye dhe u tërhoqën në Granada. Ata mbyllën dyert dhe Fernando vendosi rrethimin mbi Granadën, i cili zgjati shtatë muaj deri sa ushqimi mbaroi dhe populli vuajti nga uria, pa ndihmë nga muslimanët në Marok ose nga lindja.
Ebu Abdullahu kuptoi se situata kishte përfunduar. Ai mblodhi përsëri udhëheqësit dhe aristokratët dhe shpjegoi situatën me realitet. Të gjithë ranë dakord për dorëzimin e qytetit, përveç disa udhëheqësve që refuzuan ta dorëzonin qytetin. Kështu, komandanti Ebul-Kasim Abdul-Melik u dërgua në kampin e krishterëve si përfaqësues i Ebu Abdullahut dhe negociatat për dorëzimin e Granadës filluan.
Këto negociata përfunduan me nënshkrimin e një marrëveshjeje që u miratua nga të dy mbretërit dhe u nënshkrua më 5 nëntor 1491, që i përkiste 21 Muharrem 897. Në mëngjesin e 2 Rabi’ el-evel 897, kampi i krishterëve ishte mbushur me zhurmë dhe gëzim, dhe urdhrat për të okupuar qytetin ishin dhënë. Ebu Abdullah, së bashku me familjen e tij, u largua nga Porta e Shtatë dhe forcat kastiliane hynë në qytetin e Granadës deri në Pallatin e Kuq, i cili kishte dyert e hapura dhe ishte i mbushur me heshtje dhe trishtim. Pas disa minutash, flamuri i krishterëve u ngrit mbi Pallatin e Kuq, dhe kështu përfundoi Andaluzia si emër dhe përfundoi epoka e muslimanët në të.
Shkroi: Avad ez Zajid
Përktheu: Fatjon Isufi
Dosje: Andaluzia, Granada, Histori