Islami në Indi (Pjesa e dytë)

October 20, 2017

India gjatë periudhave të ndryshme kohore të sundimit të myslimanëve! – Pjesa e dytë –

India në kohën e dinastisë Emevite (96-132H) dhe Abasite.

Pas largimit të Muhamed bin El-Kasimit nga India në vitin 96 të hixhretit situata e saj nuk ishte e qëndrueshme dhe disa zona u rikthyen në duart e sundimtarëve të hershëm. Në vitin 100 të hixhretit, prijësi i famshëm i myslimanëve nga dinastia Emevite Umer bin Abdul-Azizi u shkruan letër sundimtarëve lokalë të Sindit për t’i ftuar në islam. Dhe ja çfarë thotë historiani El-Beladhurij:

Umeri u shkroi sundimtarëve të Sindit për t’i ftuar në islam dhe për bindje ndaj tij, e nëse ata e pranonin ai do t’i miratonte si sundimtarë në Sind dhe do të ishin të barabartë me myslimanët e tjerë. Ata kishin dëgjuar për të (Umer bin Abdul-Azizin) dhe drejtësinë e tij, dhe e pranuan islamin dhe u emërtuan me emra arabë.

Mirëpo, qëndrueshmëria e Sindit pas Umer bin Abdul-Azizit përsëri trazohet dhe po ashtu ishte edhe në kohën e Abasitve deri në kohën e shtetit të Gaznevive.

India në kohën e Gaznevive dhe Gurive.

Në shekullin e katërt të hixhretit me çështjen e Indisë është marrë shteti i Gaznevive (351H- 582H) dhe i Gurive (543H-612H), të cilët janë shkaku kryesor për mbrojtjen e islamit në luginën e Sindit dhe pastaj përhapjen e tij në pjesët e tjera të Indisë. Ata janë sulltanët e Gaznës me origjinë turke që sunduan në Gazna (qytet pranë Kabulit në Afganistan) dhe pastaj zgjeruan sundimet e tyre duke përfshirë edhe pjesë të Indisë.

Dy sulltanët më me ndikim në historinë e Indisë në këtë periudhë janë:

I pari: Sulltani Mahmud bin Subuktekin El-Gaznauij (387-421H) i cili gjatë kohës së sundimit të tij arriti të stabilizojë Sindin dhe të depërtojë pastaj në Kashmir, Kanauxh (qyteti i dijetarit të njohur të Indisë Muhamed Siddik Hasen Khan El-Kanauxhij), Punxhab, Gujarat etj.

Ja çfarë thotë sheihu islam Ibn Temije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me të:  “Kur ishte mbretëria e Mahmud bin Subuktikin prej mbretërive më të mira të njerëzve të kombësisë së tij, islami dhe suneti në mbretërinë e tij ishin më lart se kurdoherë, sepse ai luftoi mushrikët e Indisë dhe përhapi drejtësi aq sa nuk përhapi askush si ai.” Shih ‘Mexhmu El-Fetaua’ 4/22.

I dyti: Sulltani Shihab Ed-Dijn Muhamed El-Gurij (547-602H) i cili çliroi Agran, Delhin (kryeqyteti i Indisë sot i cili në librat e historianëve myslimanë njihet me emrin Dehli dhe që është qyteti i dijetarit të madh dhe të njohur të Indisë Uelijullah Ed-Dehleuij), Bangladeshin etj.

Ibn El-Ethir në lidhje me sundimin e Guritëve thotë: “Ata arritën të fusin nën zotërim në Indi vende në të cilat nuk kishte mbërritur tek to asnjë mysliman para tyre, derisa u afruan kufijve të Kinës nga ana e lindjes.”

Ngritja e shtetit islam të pavarur në Indi.

Pas sulltanëve të lartpërmendur të Gaznës, në Indi formohet një shtet islam i pavarur nga Gazna dhe i pari i këtij shteti është Kutbud-Dijn Ejbek (602H-607H), komandanti ushtarak i Shihab Ed-Dijn El-Gurij me qendër si fillim në Lahor pastaj pasardhësit e tij kaluan në Delhi. Pas tij në Delhi kanë sunduar dy familje: Iltutmish (607H-664H) dhe Belban (664H-689H).

Cilësi e përgjithshme e kësaj periudhe është se këto familje në origjinë janë prej shërbëtorëve të prijësve të tyre të hershëm të Gaznevive. Ata ishin sundimtarë të drejtë dhe me kontribute në stabilizimin e islamit në Indi, të cilët e bënë Delhin qendrën e tyre.

Pas familjeve të shërbëtorëve në indi kanë sunduar disa familje, ku më të njohurat janë ato që kanë sunduar në Delhi dhe zonat rreth saj si familja e Khulxhive (689-720H), të cilët arrijnë të zgjerojnë sundimet e tyre duke futur edhe pllajën e Dikanit së bashku me Kiralën. Pas tyre në Indi deri në vitin 932 H kanë sunduar disa familje: Tugluk, Hidri dhe Lud’hi.

Shteti i mongolëve dhe lulëzimi i Indisë (932 H – 1275 H).

Dhahir Ed-Din Babur mysliman me prejardhje nga mongolët, në vitin 932 H shtiu në dorë sundimin e Indisë dhe formoi një dinasti të fortë që zgjati afro 3 shekuj, dhe kjo është epoka e artë e sundimit islam në Indi. Në kohën e sundimit të kësaj dinastie India pati lulëzim të madh, si nga ana fetare ashtu edhe nga ana ekonomike.

Ahmed bin Mahmud Es-Sadatij, studjues bashkëkohor i çështjes së Indisë, thotë: “Interesimi i madh i prijësve mongolë çoi në ngritjen e shpejtë të çdo gjëje në të gjithë anët e vendit të tyre të madh, si; sistemimi postës, rregullimi i rrugëve, shtimi i tyre, pajisja me shenja për orientimin e udhëtarëve, dhe ngritja e haneve për pushimin e njerëzve dhe të kafshëve.

Me këto rrugë është çuditur edhe shtegtari i njohur francez Jean-Baptiste Tavernier (1605 – 1689), i cili i vizitoi këto vende në mesin e shekullit 17 pas krishtit në kohën e sulltanit Shah Xhihan (1037-1067H), i cili ka thënë: Rrugët e Indisë janë më të mira se rrugët e Francës dhe Italisë.

Gjithashtu, këta sulltanë që të gjithë i kushtuan rëndësi vënies së drejtësisë në popull dhe përhapjes së sigurisë në të gjitha anët e vendit. Ata ua kushtëzonin tregtarëve të mallrave dhe të floririt besnikërinë, i mbikqyrnin imtësisht vartësit e tyre që të mos bënin padrejtësi, dhe nuk hezitonin t’i dënonin ashpër kur vërtetoheshin shkeljet e tyre dhe cënoheshin pronat apo pasuritë e njerëzve.

Tokat e shtetit ishin të ndara në dy pjesë; një pjesë u jepej komandantëve dhe princave që të shpenzonin prej të ardhurave të saj për ushtarët që merrnin pjesë në beteja. Një masë të caktuar prej saj e çonin në shtëpinë e pasurisë (arka e shtetit), ndërsa pjesën tjetër ua jepnin me qira atyre që ishin të rregullt në dhënien e qerasë vjetore. Të gjithë këta ishin pushtetarë me pushtet absolut ndaj familjeve në zonat e tyre.

Këtë ndarje më pas e ndryshoi sulltani Xhelaludin Ekber (963- 1014 H) duke e ndarë vendin në vilajete, ku çdo vilajet kishte drejtuesin dhe vartësit e tij. Ai formoi një ushtri të madhe dhe të stërvitur mirë të cilën e drejtonte vetë, ku pagat e tyre ishin nga arka e shtetit. Kjo ndarje e re më pas u ndoq nga pasardhësit e tij derisa erdhi në pushtet sulltani Aurangzib (1069-1119 H) i cili e ndryshoi atë për ta kthyer te ndarja e parë.

Përsa i përket anës fetare edhe ajo pati ngritje të madhe sidomos në kohën e sulltanit Aurangzib, dhe ja çfarë thotë Ebul-Hasen En-Nedeuij në biografinë e tij: “Ai e kishte në natyrën e tij drejtësinë, bamirësinë dhe gjykimin e drejtë sipas fesë së pastër. Prandaj ai urdhëroi dijetarët që të shkruajnë çështjet dhe gjykimet e tyre në çdo kapitull prej kapitujve të fikhut, dhe ata shkruan librin [El-Fetaua El-Alemkirije] ose ndryshe [El-Fetaua El-Hindije – fikh i përzgjedhur nga medhhebi hanefi] në gjashtë vëllime të mëdha, dhe pastaj i urdhëroi gjykatësit të gjykojnë sipas tyre. Ky libër u bë i njohur në Hixhaz, Egjipt, Sham, Rumeli, u përhap dobia e tij dhe u bë libri bazë për myftijtë, për përgatitjen e të cilit ai shpenzoi njëqind mijë monedha. Ai ngarkoi shumë prej dijetarëve që të merren vetëm me dije dhe adhurim, duke u siguruar atyre çdo gjë të nevojshme. Ai gjithashtu dha shumë pasuri të mëdha për ndërtimin e xhamive dhe ndërtoi shumë xhami në Indi, meremetoi të vjetrat dhe caktoi paga për imamët dhe muezinët, dha pasuri të veçanta për mirëmbajtjen e xhamive dhe shtrojat e tyre.” Shih lbrin e tij ‘Njerëzit e shquar në historinë e Indisë’.

Vijon ……..

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...