A janë të lejuara shoqëritë aksionere, aksionet dhe bursat?

“A lejohet të merresh me shit-blerjen e aksioneve?

Përgjigje: Kjo çështje është dy llojesh. Dikush qëndron para ekranit (të kompjuterit apo tv), dhe shet e blen aksione, kjo konsiderohet kumar. Ky njeri fiton (apo humbet) duke u bazuar te fati dhe rastësia. Shikon si lëvizin çmimet e aksioneve (të kompanive), ulen apo ngrihen… Ky është kumar (bixhoz).

Dhe lloji i dytë është që personi të ketë një pjesë aksionesh (është bashkëpronar) në një kompani që merret me diçka të lejuar, një kompani që nuk përzihet me bankat dhe me kamatën, as nuk merr e as nuk jep borxh me interes (dmth me kamatë) kjo është diçka e lejuar. Pra nëse kompania aktivitetin e saj e ka hallall dhe funksionon në mënyrë të lejuar, kjo gjë nuk ka problem. Ka një fjalë të refuzuar që thotë se shoqëritë aksionere janë të ndaluara. Kompania që shpërndan energjinë elektrike tek ne (në Jordani) është shoqëri aksionere dhe sipas kësaj fjale, korrenti që ne përdorim për tu ndriçuar tani i bie të jetë i ndaluar!

Ai që i ka konsideruar të ndaluara shoqëritë aksionere e ka bërë këtë duke u nisur nga fakti se bashkëpronarët është detyrë ta njohin njëri-tjetrin. Kjo ka nevojë për argument. Dhe origjina tek marrëdhëniet (ndërveprimet) mes njerëzve është lejimi…

Sido që të jetë unë nuk të këshilloj që të hysh në një kompani aksionere veçse pasi të bindesh se ajo punon në hallall dhe me mënyrë të lejuar. Unë i ftoj njerëzit që të bashkohen mes veti dhe të formojnë grupe biznesi, kompani. Ai që ka shumë para le t’ia japë dikujt që nuk ka para por është biznesmen i suksesshëm. Sa njerëz ka që janë të zotë dhe të aftë në biznes por kanë pak pasuri dhe për pasojë detyrohet të shkojë e të marrë kredi (para me kamatë) nga banka. Por kjo – për fat të keq – është ajo që e quajnë: ‘kriza e mosbesimit’ që ka pllakosur njerëzit!

Si përfundim të merresh me shitjen dhe blerjen e aksioneve është kumar. Hedh para në to dhe bazuar në hamendësime apo gjëra jo të sigurta mendon se do të fitosh. Njësoj si tavolinat e kumarit. Dhe në kumar nuk merret parasysh mjeti, por qëllimi (apo përfundimi final). Dhe Allahu e di më mirë!”

Shejkh Mesh’hur Hasen. Allahu e ruajtë!

Përktheu Emin Bilali