Jepe sadakanë e Fitrit!
Në fund të Ramazanit agjëruesi për ta përmbyllur në mënyrë sa më të përsosur këtë muaj të begatë, obligohet me dhënien e sadakasë së Fitrit të një sasie ushqimore për të varfërit.
Ibn Abasi –radiallahu anhuma- thotë: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të) e ka bërë detyrë për çdo musliman dhënien e sadakasë së Fitrit, si pastrim për agjëruesin prej lëshimeve që mund të ketë bërë dhe fjalëve të pahijshme që mund të ketë thënë, si dhe të shërbejë si ushqim për të varfërit.”[1]
Ndër urtësitë e kësaj dispozite është dhe shfaqja e solidaritetit me njerëzit në nevojë, duke kontribuar sadopak që ata të kenë një arsye më shumë që të gëzojnë në ditën e festës së Fitër Bajramit.
Kur duhet dhënë sadakaja e Fitrit?
Koha e dhënies së sadakasë së Fitrit fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të Ramazanit, e cila është nata e bajramit. Ndërsa caku i mbarimit është koha e namazit të Bajramit. Mirëpo nëse agjëruesi për arsye të ndryshme e ka të vështirë dhënien e kësaj sadakaje në kohën e lartpërmendur, atëherë i lejohet që ta japë atë një ose dy ditë para mbarimit të muajit të Ramazanit. Ashtu si vepronte sahabiu i nderuar Ibn Omeri -radiallahu anhu- i cili e jepte sadakanë e Fitrit një ose dy ditë para Bajramit.[2]
—————————————————–
[1] E transmeton Ebu Daudi me nr. 1609, Ibn Maxhe me nr. 1827 etj. Hadithi është vlerësuar i mirë nga shejh Albani në “Sahihu ebi Daud” me nr. 1420.
[2] Shiko Sahihun e Buhariut, hadithi nr. 1440.
Dosje: Lëmoshë, Sadaka, Zekati i Fitrit