Dispozitat e ujërave – 1

January 25, 2020

LIBRI: BULUGUL MERAM MIN EDIL-LETIL AHKAM

Arritja e qëllimit lidhur me argumentet e dispozitave.

Autori: Ibn Haxher El Askelani

KAPITULLI I PASTËRTISË: DISPOZITAT E UJËRAVE

1 – Ebu Hurejre -Allahu qoftë i kënaqur me të- ka transmetuar se Profeti (alejhi selam) në lidhje me detin ka thënë: ‘’Uji i tij është pastrues, ngordhësira e tij është hallall (e ligjshme për t’u ngrënë).’’

Grada e Hadithit:

Këtë hadith e ka transmetuar Imam Maliku, Shafiu, Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ibn Ebi Shejbeh dhe ky është versioni i tij. Është saktësuar nga ibn Huzejmeh dhe Tirmidhiu. Imam Tirmidhiu ka thënë: E kam pyetur Buhariun në lidhje me këtë hadith dhe ai m’u përgjigj që është i saktë.

Shpjegimi i hadithit:

(Ebu Hurejre): Thuhet se emri i tij në periudhën paraislame ishte Abdu Shems (Robi i Diellit), ndërsa kur pranoi fenë islame u quajt Abdullah ose Abdurrahman (Robi i Allahut, Robi i të Gjithëmëshirshmit). Ishte nga fisi Deus i Jemenit. Pranoi Islamin dhe u shpërngul në Medine në vitin e shtatë të hixhretit. Ai ishte sahabiu i cili i përcolli botës islame më shumë hadithe se çdokush tjetër nga i Dërguari i Allahut (alejhi selam). Ndërroi jetë në vitin 59 sipas hixhretit në moshën 78 vjeçare. U varros në varrezat e Bekijes (Allahu qoftë i kënaqur me të). (Tabekat Ibn Sad, Tarihul Kebir i Buhariut, Sijer Alam en Nubela i Dhehebiut.)
Ky hadith ka ardhur si përgjigje e një pyetjeje që i’u parashtrua Profetit (alejhi selam) nga një person i cili i tha: ‘’O i Dërguari i Allahut, ne lundrojmë në det dhe me vete marrim vetëm pak ujë. Nëse e përdorim për abdes na merr etja, ndaj a të marrim abdes me ujin e detit? I Dërguari i Allahut tha: Uji i tij është pastrues, dhe ngordhësira e tij është e ligjshme (që të konsumohet).’’ (Muveta e Malikut: 46)
Nëpërmjet këtij hadithi mësojmë dy gjëra:
E para: Uji i detit është i pastër dhe i vlefshëm për t’u përdorur për abdes, gusël dhe për të pastruar papastërtitë dhe ndyrësitë e ndryshme.
E dyta: Gjallesat e detit janë të lejuara për t’u ngrënë edhe nëse janë të ngordhura, pra nuk është kusht që të kapen të gjalla dhe të theren.
Mendimet e shkollave juridike lidhur me ngrënien e gjallesave të detit:
Shkolla Hanefite: Vetëm familja e peshkut është e lejuar që të hahet. Imam Kasani shkruan: ‘’Sa i takon llojit të gjallesave që jetojnë në det ato janë të gjitha të ndaluara që të hahen, përveç peshkut në veçanti. Ngrënia e tij është e ligjshme me pëprjashtim të peshkut të ngordhur që qëndron mbi sipërfaqen e ujit. Ky është mendimi i dijetarëve tanë’’. (Bedaiu Sanai: vëllimi 3, fq.35)
Argumenti i shkollës hanefite sa i takon çështjes se vetëm peshku dhe llojet e tij lejohen të hahen nga mesi i gjithë gjallesave të detit, është hadithi i Profetit (alejhi selam) ku thuhet: ‘’Na janë lejuar dy lloje ngordhësirash; peshku dhe karkaleci.’’(Ahmedi: 5723 dhe Ibn Maxheh: 3314. Mbi saktësinë e këtij hadithi ka dilemë. Disa e cilësojnë të dobët ndërsa disa e cilësojnë të saktë si fjalë sahabiu e jo si fjalë e Profetit.)
Ky hadith shpjegon hadithin e Ebu Hurejrës (radijallahu anhu) dhe sqaron se fraza; ‘’ngordhësira e tij është hallall’’ nënkupton peshkun dhe llojet e tij në veçanti.
Pjesë e argumentit të hanefive është edhe fakti që Allahu i Madhëruar e dërgoi Profetin (alejhi selam) për të ndaluar gjërat e ndyta dhe se gjallesat e tjera të detit veç peshkut janë të ndyta. Sa i takon peshkut të ngordhur pa shkaqe të jashtme që qëndron mbi ujë, shkolla hanefite e ndalon ngrënien e tij bazuar në transmetimin e Xhabirit nga Profeti ku thuhet: ‘’Atë që e hedh deti apo që ngel në breg nga zbatica hajeni, ndërsa atë që ngordh dhe qëndron mbi ujë mos e hani!’’ (Ebu Daudi: 3815. Imam Neueuiu ka thënë në shpjegimin e tij ndaj Sahihut të Muslimit se është i dobët me unanimin e dijetarëve të hadithit. Shejh Albani dhe Shejh Shuajbi e kanë dobësuar gjithashtu.)
Gjithashtu, ata mbështeten edhe tek logjika se një peshk i tillë që ka ngordhur vetvetiu dhe qëndron mbi ujë është prishur dhe për pasojë është i dëmshëm për shëndetin.
Kriteri i hanefive në konsiderimin e diçkaje nga gjallesat e detit si të ligjshme për t’u ngrënë është bërja pjesë e tij në familjen e peshqve. Kush bën pjesë nga gjallesat e detit në familjen e peshqve është e ligjshme të hahet. Për rrjedhojë; balena, peshkaqeni dhe ngjala hahen sepse ato bëjnë pjesë në familjen e peshqve. Imam Merginani shkruan: ‘’Ngjalat dhe të gjitha llojet e peshqve mund të hahen pa problem.” (El Hidajeh: vëllimi 4, fq.354)
Shkolla Malikite, Shafiite, Hanbelite dhe Dhahirite janë të mendimit se; në përgjithësi gjallesat e detit janë të ligjshme të konsumohen pa dallim, bëjnë pjesë në familjen e peshqve apo jo, të kapura të gjalla apo të ngordhura, bazuar në ajetin e Kuranit: ‘’U është lejuar gjahu i detit dhe ushqimi i tij si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’ (El Maide: 96) Ky argument është i përgjithshëm dhe nuk bën asnjë përjashtim. (Megjithatë edhe në mesin e dijetarëve të këtyre tri shkollave ka diskutime mbi disa gjallesa të detit si: qeni i detit (foka), derri i detit (delfini), bretkosa dhe krokodili.)

Ibn Hazmi në librin e tij ‘’El Muhal-la’’ shkruan: Të gjitha gjallesat e ujit që jetojnë vetëm në të, janë të lejuara të hahen pa asnjë përjashtim. (El Muhal-la, çështja nr. 990)
Ibn Uthejmini (radijallahu anhu) në ‘’Esh Sherh el Mumtia’’ thotë: Gjallesat e detit janë të gjitha hallall dhe nuk ka në të asgjë të ndaluar. Të gjitha gjallesat e detit hahen pa përjashtim, të gjallat dhe të ngordhurat, bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: ‘’U është lejuar gjahu i detit dhe ushqimi i tij si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’ (El Maide: 96) Ibn Abasi ka thënë: Gjahu i detit është ai që kapet i gjallë, ndërsa ushqimi i tij është ai që kapet i ngordhur.’’ (Esh Sherh el Mumtia, vëllimi 15, fq. 35)
Komisioni i përhershëm i fetvave në Arabinë Saudite në fetvanë me nr. 5828 shkruan:
Sa u takon gjallesave të detit që jetojnë vetëm në të është se ato janë të lejuara për t’u ngrënë, bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: ‘’U është lejuar juve gjahu i detit dhe ushqimi i tij si mjet jetese për ju dhe për udhëtarët.’’(El Maide: 96)

Gjykimi mbi karkalecin e detit, gaforren,midhjen, kallamarin…etj:

Sipas shumicës së shkollave juridike ato janë të gjitha të lejuara të hahen pa asnjë problem, bazuar në ajetin e mësipërm i cili është tekst konkret në këtë çështje dhe është i përgjithshëm.
Ndërsa sipas shkollës hanefite ato janë të ndaluara për shkak se nuk bëjnë pjesë në familjen e peshqve. Këtu përjashtohet karkaleci i detit në lidhje me të cilin dijetarët e shkollës hanefite janë në dilemë, sepse sipas disa gjuhëtarëve ai bën pjesë në familjen e peshqve dhe sipas disa të tjerëve nuk bën pjesë në të. Ibn Durejdi në ‘Xhemheretul Lugah’, Demiri në ‘Hajatul Hajeuan’ dhe të tjerë e kanë klasifikuar atë në familjen e peshqve. Nga dijetarët hanefij që e kanë lejuar ngrënien e karkalecit të detit mund të përmendim: Ish myftiu i Indisë Abdurrahim Laxhpuri, Shejh T’hanvi, Myfti Taki Uthmani ish Gjykatësi Suprem i Pakistanit… etj.
Autori i fjalorit ‘’Xhemeheretul Lugah’’ Ibn Durejdi (321 h) shkruan:
وإرْبيان: ضرب من الْحيتَان
‘’Karkaleci i detit është lloj peshku.’’(Xhemheretul Lugah, vëllimi 3 fq.414)
Autori i librit ‘’Hajatul Hajevan’’ Alamah Demiri (808 h) e përkufizon karkalecin e detit si pjesëtar të familjes së peshqve dhe thotë:
الروبيان هو سمك صغير جدا أحمر
‘’Karkaleci i detit është një lloj peshku shumë i vogël, me ngjyrë të kuqe.’’(Hajatul Hajevan vëllimi 1, fq.514)

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

Loading...