Katër baza që duhet t’i njohë çdo tregtar musliman (pjesa e parë)

Imam Ahmedi përcjell në Musnedin e tij nga Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të), se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Katër gjëra nëse i posedon mos u brengos për ato të tjerat që nuk i posedon nga kjo dynja: 1- mbajtja e amanetit, 2- të flasësh të vërtetën, 3- morali i mirë, 4- të tregohesh i kujdesshëm në të ushqyer.”

Ky është hadith madhështor, ndaj çdo tregtar musliman duhet të meditojë në të dhe ta ketë para syve. Gjithashtu, duhet që këtë hadith ta shpërndajë nëpër dyqane. në qendra tregtare si dhe në kompani të ndryshme, në mënyrë që të përmisohen ata që merren me tregti në drejtimin dhe mënyrën e shit-blerjes dhe bashkëpunimit. T’i marrin këto katër shtylla si baza të qëndrueshme dhe të mos tolerojnë sado i madh që të jetë fitimi (në tregëti).

Në këtë hadith ka kurim me urtësi dhe shumë madhështi ndaj fenomenit të shthurjes së madhe që u ndodh njerëzve kur merren me përfitimet e dynjasë, tregtinë, shtimin e pasurisë dhe kërkimin e shtimit të fitimit. Nuk mund të shpëtojë prej këtyre vetëm nëse tregtari u përmbahet këtyre bazave të cilat përmenden në këtë hadith, duke u munduar që mos të shkelë asnjërën prej tyre. Duhet të konsiderohen këto porosi si shtylla për të cilat nuk mund të bëjë tolerime, e më pas nuk i intereson nëse humb diçka prej kësaj bote duke ruajtur këto shtylla edhe nëse mund të ketë mundësinë që të përfitojë fitime të mëdha e të shumta.

Të gjitha këto nuk i shkatërrojnë asgjë prej këtyre shtyllave duke pasur gjithnjë në mendje fjalën e pejgamberit (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të): “Mos u brengos për gjëra të tjera që nuk i posedon nga kjo dynja”. Ai nuk do shqetësohet nëse humb diçka nga të mirat e kësaj bote duke qenë se ruan këto shtylla, duke iu përmbajtur këtyre virtyteve të larta dhe cilësive madhështore që janë përmendur në këtë hadith.

Njeriu sprovohet shume në këto katër gjëra në momentin kur angazhohet në fushën e tregtisë. Ndodh që t’i ofrohen përfitime të mëdha tunduese por i duhet të gënjejë, apo të mashtrojë etj. Kështu ai hyn në pazarllëk me veten e tij duke thënë: A ta marr këtë fitim me këto mënyra? Apo të thotë ashtu siç thotë edhe vet hadithi: “Nuk më shqetëson nëse më ikën diçka nga kjo dynja, më mjaftojnë mua këto baza.” Megjithëse në pamje të parë duket se ai nuk po fiton dhe se po humbet një marrëveshje apo tregëti, fitime dhe të mira. Allahu ia zëvendëson atij me më të mirë sepse furnizimi dhe mirësia është në dorën e Tij, i lartësuar e pa të meta është Ai.

Fjala e pejgamberit (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të): “Mos u brengos nëse humb diçka nga të mirat e kësaj bote”, konsiderohet si garanci për tregtarin.

Kjo do të thotë: “Mos të të vijë keq për atë që nuk e fitove nga përfitimet e dynjasë, edhe nëse është e madhe mos u brengos sepse ti je në mirësi edhe nëse të ikën kjo pasuri. Ti do të kesh për këtë një zëvendësim të bereqetshëm prej Allahut. Ndaj duhet që çdokush i cili i jep përparësi tregtisë t’i kushtojë vëmendje këtyre katër bazave madhore që të jenë të qëndrueshme tek ai.

E para: Ruajtja e amanetit, që do të thotë se ai është besnik në marrëdhëniet e tij. Nuk mashtron, nuk bën hile e as nuk thur kurthe. Besnik në ruajtjen e të drejtave të të tjerëve, në kthimin e pasurisë së tyre, nuk i lë pas te drejtat e njerëzve porse i kushton rëndësi amanetit.

Njeriu kur i hyn tregtisë mund të sprovohet se a do ta ruaj amanetin apo do ta humbasë atë në mënyrë që të arrijë pasuri apo diçka nga të mirat e dynjasë? Shumë prej njerëzve humbasin në këtë sprovë dhe e humbin amanetin në mënyrë që të arrijnë pasuri apo diçka nga të mirat e kësaj bote të cilat janë të përkohshme.

Ka prej njerëzve që e përdorin amanetin në disa vende të ngushta dhe përfitime të pakta. Ata e përdorin amanetin me ata të cilët e përdorin si lloj shpërblimi me të njëjtën monedhë. Nëse shikon se me atë që punon është besnik atëherë edhe ai tregohet i tillë, e nëse e shikon se ai mashtron atëherë edhe ky mashtron. Besimtari nuk duhet të jetë i tillë.

Transmetohet në “Musned” dhe në libra të tjerë me zinxhir transmetimi të saktë, nga hadithi i Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Plotësoja amanetin atij që të ka besuar dhe mos e mashtro atë që të mashtron.”

Besnikëria është e kërkuar në çdo kohë dhe në çdo gjendje, dhe ajo është e nderuar në çdo rast. Kurse mashtrimi është i përçmuar dhe i pështirë në të gjitha rastet, ndaj dhe pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Mos e mashtro atë që të mashtron.” Kërkoji hakun tënd porse mos e mashtro atë në bashkëpunimin që bën, sepse mashtrimi është i përçmuar në çdo kohë e në çdo rast.

 

Shkroi: Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el Bedr

Përktheu: Ylli Rama