Këshilla me rastin e afrimit të dimrit

November 11, 2018

Falënderimet i takojnë Allahut, Atë e falënderojmë dhe tek Ai mbështetemi dhe Atij i lutemi për falje! Allahut i kërkojmë mbrojtje prej ligësive të veteve dhe prej veprave tona të liga! Atë që Allahu e udhëzon nuk e devijon askush, dhe atë që Ai e devijon nuk e udhëzon askush. Dëshmoj se s’ka të adhuruar tjetër veç Allahut, Një i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij!

Të nderuar namazfalës, Allahu i Madhëruar e ka emërtuar veten e Tij ”I Urti” në vende të shumta të Librit të Tij Fisnik: ”Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”  ”Padyshim, Zoti yt është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”  ”E Ai është i Gjithëdijshmi,  i Urti.” ”E Ai është i Urti, i Gjithëdijshmi.”

Ekspertët e shkencës së komentimit të Kuranit kanë cekur se ”i urtë’‘ është ai që i vendos gjërat në vendin që u takon. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar i ka lavdëruar disa njerëz për urtësinë që posedonin, kur thotë: ”Ne i’a dhamë Lukmanit urtësinë.”

Sado e arrirë të jetë urtësia e njeriut sërish ajo do të jetë e prekshme nga të metat, difektet, harresa, sëmundja dhe vdekja. Ndërsa urtësia e Allahut të Madhëruar është më se e përsosur dhe më se përfekte. Urtësia e Allahut të Madhëruar është e paprekshme nga ndonjë e metë, difekt apo padrejtësi, prandaj Ai ç’do gjë e ka krijuar me përpikmëri dhe me përsosmëri. Për këtë arsye Ai ka urdhëruar që të meditohet mbi krijesat dhe mbi faktet e Tij, si dhe ka nxitur që të vështrohen ato. Njerëzit i vështrojnë faktet në dy mënyra; vështrim i thjeshtë me sy në të cilin përfshihet besimtari dhe jobesimtari, kafshët dhe shpendët. Dhe vështrim nëpërmjet arsyes, vështrim me kujdes dhe me meditim i cili është karakteristikë e të diturve dhe besimtarëve dhe i atyre që Allahu u ka dhuruar devotshmëri.

Namazlinj të nderuar! Allahu i Madhëruar ka përmendur fakte të larmishme në sasi dhe në numër: ”A nuk i shohin ata devetë si janë krijuar! Dhe qiellin si është ngritur! Dhe malet si janë ngulur! Dhe tokën si është sheshuar!” Këto janë fakte të larmishme!

Pra ka cekur fakte mbi shpirtin dhe veten: ”Edhe në veten tuaj (keni fakte), a nuk i shihni?”

Gjithashtu fakte mbi çështjet e gjithësisë: ”Ne i rrotullojmë ditët mes njerëzve.”  ”Allahu e ndryshon natën dhe ditën. Padyshim, në këtë ka mësim për ata që arsyetojnë.” ”Një fakt për ta është dhe nata nga e cila ne e nxjerrim ditën dhe ata [njerëzit] mbesin në errësirë. Edhe dielli që lëviz për në vendqëndrimin e tij, ai është përcaktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit. Dhe hënës Ne i kemi caktuar disa faza (nëpër të cilat ajo kalon) derisa të kthehet si një bistak i vjetër palme. As diellit nuk i takon që t’a arrijë hënën e as nata nuk i’a kalon ditës, por të gjithë notojnë në një orbitë.”

Namazlinj të nderuar! Ndër faktet e mëdha të Allahut është edhe rënia e shirave, ato shira nëpërmjet të cilave Allahu ringjall vendbanimet dhe njerëzit: ”Një fakt për ta është toka e vdekur të cilën Ne e ringjallim dhe nga ajo nxjerrim drithëra me të cilat ushqehen.” Këta shira me ardhjen e të cilëve njerëzit gëzohen, dëgjojnë lajme për to si dhe urojnë njëri tjetrin, janë një nga faktet e mëdha të Allahut.

Mirëpo, një pjesë e madhe e njerëzve nuk i vërejnë shumë shenja të urtësisë së Allahut në lëshimin e shirave. E meqënëse gjendja e tyre është e tillë, atëherë le t’a dinë se në lëshimin e shirave ka urtësi të mëdha dhe fakte madhështore. Një nga urtësitë më të mëdha të shiut është se ai është argument bindës dhe provë e qartë se Allahu i Madhëruar është Ai që meriton të adhurohet, s’ka tjetër që meriton të adhurohet veç Tij. Po të mos ishte Allahu atëherë mbi ne nuk do të binte asnjë pikë shi: ”A nuk e keni parë ujin që ju e pini! A ju e keni lëshuar atë nga retë apo Ne jemi ata që e lëshojnë? Po të donim do e kishim bërë atë të kripur, përse nuk tregoheni mirënjohës?”

Një urtësi tjetër në rënien e këtyre shirave dhe një fakt tjetër i Allahut në to, është se vetëm Allahu i Madhëruar është i panevojshëm ndërsa krijesat janë nevojtare: ”O njerëz, ju keni nevojë për Allahun ndërsa Ai është i panevojshëm, i lëvduar.”  ”Ajo që ju posedoni mbaron, ndërsa ajo që posedon Allahu qëndron.” ”Depot e ç’do gjëje janë tek Ne, dhe Ne nuk i dërgojmë vetëm se në sasi të përcaktuar.”

Namazlinj të nderuar! Një fakt tjetër madhështor i Allahut dhe një shenjë e urtësisë së Tij në lëshimin e këtij shiu, është se ai është kundërpërgjigje ndaj idhujtarëve të cilët mohuan ringjalljen. Komentatorët e Kuranit kanë cekur se: Kur Profeti (alejhi selam) i lajmëroi dhe u lexoi jobesimtarëve të arabëve ajetet që njerëzit do të ringjallen pas vdekjes së tyre dhe më pas do të merren në llogari, ata e mohuan me argument logjik: ”A pasi të kemi vdekur dhe të jemi kthyer në dhe e në eshtra do të ringjallemi?” Allahu i Madhëruar u përgjigj atyre, e hodhi poshtë dhe e rrëzoi dyshimin e tyre me argument logjik që lidhet me shiun: ”Nga faktet e Tij është se ti e sheh tokën të thatë, dhe në çastin që Ne lëshojmë mbi të shiun ajo shfaq shenja jete dhe zhvillohet.”

Pas kësaj vjen argumenti i prerë: ”Padyshim, Ai që e ringjall tokën Ai i ringjall dhe të vdekurit, Ai është i fuqishëm për ç’do gjë.”

Namazlinj të nderuar! Një urtësi tjetër dhe një shenjë e fakteve madhështore të Allahut në lëshimin e shiut është se ai krijon optimizëm, largon pesimizmin dhe ringjall shpresat tek shpirtrat: ”Ai është që e lëshon shiun pasi i kanë humbur shpresat dhe shpërndan mëshirën e Tij. Ai është Kujdestari i Lëvduar!”

Andaj o ti i sëmurë, nëse shejtani të fut në dyshime dhe t’a rëndon sëmundjen, të fut frikën dhe të bën pesimist, atëherë kujto mëshirën e Allahut të Madhëruar në lëshimin e këtij shiu dhe se si Ai i jep jetë tokës pas vdekjes së saj!  O ti që je i pikëlluar! Kur të pushtohesh nga pikëllimet dhe të të mbyllet dhe ngushtohet jeta prej tyre, atëherë kujtohu se Allahu i Madhëruar e ka lëshuar këtë shi dhe e ka ringjallur tokën pas vdekjes së saj. Mendo mirë për Allahun dhe do të shohësh së do të vijë nga Ai ajo ç’ka do të zgjerojë kraharorin tënd, do të kënaqë syrin tënd dhe do të qetësojë zemrën tënde.

Namazlinj të nderuar! Një tjetër shenjë e mëshirës së Allahut dhe urtësisë së Tij në lëshimin e këtij shiu, është se ai është kundërpërgjigje ndaj natyralistëve të pafe të cilët pretendojnë se natyra është faktori absolut, dhe se natyra është ajo që krijon dhe shkatërron dhe jep jetë e merr jetë. Kjo është fjalë e kotë: ”Sa e rëndë është ajo fjalë që del nga gjuhët e tyre, ata nuk thonë veçse gjepura!” Kjo që thonë ata hidhet poshtë nga; logjika, tekstet fetare, natyrshmëria, shqisat dhe përvoja. Krijuesi është Allahu i Madhëruar, natyra është krijesë, shpikësi është Allahu i Madhëruar, krijesa është e shpikur: ”A është ai që krijon si ai që nuk krijon? A s’po ndërgjegjësoheni?”

I them këto fjalë duke i kërkuar falje Allahut për veten dhe për ju! Kërkoni falje prej Tij, padyshim Ai është Falës dhe Mëshirues i madh!

Lavdia i qoftë Allahut, Zotit të botëve. I Gjithmëshirshmi, Mëshirëploti. Sunduesi i ditës së gjykimit!

Lavdia i qoftë Allahut i Cili krijoi qiejt dhe tokën, bëri terrin dhe dritën, por prapë ata që mohuan i bëjnë ortak Zotit të tyre!

Lavdia i qoftë Allahut, i Cili i’a shpalli robit të Tij librin dhe nuk la në të ndonjë kundërthënie!

Lavdia i qoftë Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të tokës! Ai i Cili i ka bërë engjëjt lajmëtarë dhe i ka pajisur me flatra, me nga dy, me nga tri dhe me nga katër. Ai shton në krijim ç’ka të dojë, padyshim Allahu është i fuqishëm për ç’do gjë!

Namazlinj të nderuar! Lidhur me mirësinë e rënies së shirave janë përcjellë nga Profeti (alejhi selam) disa sunete verbale dhe praktike të cilat ai i praktikonte kur binte shi. Nga sunetet verbale përcillet se Profeti (alejhi selam) kur shihte shiun thoshte: ”O Allah, bëje shiun të bollshëm dhe të dobishëm!” Sipas një versioni tjetër: ”O Allah, bëje shiun të bollshëm dhe të këndshëm!” Sipas një tjetër versioni ai i këshillonte shokët e tij të thonin: ”Ra mbi ne shi me mirësinë dhe mëshirën e Allahut.” Kur i druhej dëmit të shiut thoshte: ”O Allah, lëshoje përreth nesh e jo mbi ne! O Allah, lëshoje mbi kodrina, grykave të maleve, brigjeve, luginave dhe aty ku mbijnë pemët!”

Prej suneteve praktike është se Profeti (alejhi selam) e zbulonte një pjesë të trupit të tij kur binte shi në mënyrë që të prekej nga shiu, dhe thoshte: ”Ai është i sapoardhur nga Zoti i tij.” Sipas disa haditheve përcillet se Profeti (alejhi selam) zbulonte kokën e tij derisa lagej nga shiu.

Namazlinj të nderuar! Nga gjërat që mund t’i kalojë dikujt pa e ditur është se rënia e shiut bën pjesë tek rrethanat ku shpresohet pranimi i duasë. Në hadithin e cilësuar si të mirë nga disa dijetarë thuhet: ”Në tre rrethana nuk refuzohet lutja; gjatë rënies së shiut, kur përleshen radhët e ushtrive, dhe kur thirret ezani.”

Namazlinj të nderuar! Nga gjërat që duhet të dimë është se dimri është nga kohët më madhështore për shumëfishimin e veprave të mira, nëpërmjet dhënies së lëmoshës ndaj nevojtarëve. Në shtëpitë tona gjenden lëmosha të fshehura siç janë rrobat dhe këpucët dimrore. Këpucët e grave dhe fëmijëve tanë, gjithashtu veshjet e burrave bëhen grumbull. Këto janë lëmosha të fshehura mbi të cilat kalojnë ditë të tëra derisa vjetërohen dhe në fund përfundojnë tek mbeturinat.

Dijetarët kanë përmendur se lëmosha në materiale (rroba, këpucë etj.) në kohën e duhur e ka shpërblimin më të madh dhe dobia e tyre për të varfërit është shumë më e madhe. Prandaj, nëse ato rroba lahen në shenjë mirësjellje nga ana jote dhe në shenjë respekti për ndjenjat e të varfërve, dhe pastaj i’a dhuron ato fukarait ose organizatave bamirëse të cilat merren me shpërndarjen e tyre ndaj të varfërve, ky gjest ka shpërblim të madh.

O Allah, forcoje Islamin dhe muslimanët! O Allah, ruaji shoqëritë e muslimanëve nga ligësia e të ligëve dhe nga kurthi i të prishurve! O Allah, përmirësoje gjendjen e muslimanëve dhe bashkoi zemrat e tyre, pajtoji ata me njëri-tjetrin dhe bashkoje fjalën e tyre mbi fjalën e teuhidit në besim, në adhurim dhe në sjellje! O Allah, Ti je Allahu s’ka të adhuruar tjetër veç Teje, Ti je i panevojshëm e ne jemi nevojtarë, Ti je i fuqishëm, ne jemi të dobët, Ti i dëgjon fjalët tona dhe i shikon trupat tanë, i di të fshehtat dhe të dukshmet tona

Zoti ynë, të lutemi me emrin Tënd më të madh i cili kur të kërkohet nëpërmjet tij Ti jep, dhe kur të luten nëpërmjet tij Ti përgjigjesh. Dëshmojmë se Ti je Allahu veç të Cilit s’ka zot tjetër! I Vetmi, i Panevojshmi, Ai i Cili s’ka lindur kënd e as është i lindur prej kujt, dhe askush nuk është i barabartë me Të.

O Allah, lëshoje shiun mbi ne, o Allah lëshoje shiun mbi ne dhe mos na bëj prej pesimistëve!

O Allah na begato me shi! O Allah na begato me shi!

O Allah, bëje atë ujë mëshire dhe jo ujë ndëshkimi, as shkatërrimi, as përmbytjeje e as djegie!

O Allah, bëje atë ujë mëshire dhe jo ujë ndëshkimi, as shkatërrimi, as përmbytjeje e as djegie!

I patëmeta është Zoti yt, Zoti i krenarisë nga ajo që i përshkruajnë (padrejtësisht)! Paqja qoftë mbi të Dërguarit! Lavdia i qoftë Allahut, Zotit të botëve!

 

Shejh Abdul Aziz Sed’han

Përktheu: Rexhep Milaqi

Loading...