Këshilla për jetën

December 5, 2018

Këshilla për jetën – Surja Jusuf

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që në historinë e Jusufit me vëllezërit e tij ka argumente për ata që pyesin.” (Jusuf: 7) Për atë që interesohet për urtësinë s’ka dyshim se tek historia e Jusufit ka urtësi të mëdha dhe dituri të shumta. Në të gjenden dhe përvoja të mëdha jetësore sepse Kurani ka grumbulluar përvojat e popujve të mëparshëm dhe na i ka përmbledhur ato, në mënyrë që të përfitojmë dhe të mos përsërisim gabimet e tyre por të përmirësohemi dhe të përparojmë. Në këtë artikull do të ndalem tek tri nga këto mësime të shumta që nxirren prej historisë më të bukur të Kuranit.

1- Momenti i parë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Thanë: Këto janë ëndrra të ngatërruara dhe ne nuk kemi dituri rreth ëndrrave.” (Jusuf: 44)

Ata nuk ishin muslimanë e megjithatë shikoni çfarë përgjegjshmërie dhe maturie kishin, nuk pranuan të flisnin për diçka që s’kishin dije për të mos gabuar. Sikur t’a kishim edhe ne muslimanët këtë përgjegjshmëri dhe të zbatonim këtë parim madhështor, nuk do të ishim këtu ku jemi sidomos në çështjet fetare. Të pyesnim të diturit dhe jo këdo që na flet për fenë, dhe kështu për çdo fushë të jetës.

Çfarë bënë këta njerëz? Nuk bënë gjë tjetër veçse zbatuan porosinë e Allahut të Lartësuar që thotë: “Pyesni ata që dinë nëse ju nuk dini.” (Nahl: 43) Kjo është ajo që quhet specializim. Në çdo fushë duhet të flasin specialistët e saj e jo çdokush, sepse kështu mbahet në këmbë çdo organizëm, qoftë ai shtet apo shoqëri. Profesionistët e fushës janë ata që duhet të flasin dhe atyre duhet t’iu merret fjala. Këtë parim hyjnor e ka vendosur Zoti i botëve dhe këtë mund t’a shikosh tek engjëjt e caktuar për çdo punë, rojtarë të qiellit, ata që kujdesen për njeriun kur është në barkun e nënës, ata që shkruajnë punët e tij, ata që kujdesen për erërat, për retë, për shiun, për malet. Çdokush prej tyre ka një detyrë të caktuar dhe askush nuk i ndërhyn tjetrit.

Vetëm kështu progresi është i sigurtë, kur të ketë rregull e disiplinë dhe detyra të ndara. Përndryshe, nëse çdokush flet për çdo gjë edhe pa pasur dituri rreth saj, do të ketë vetëm kaos dhe shkatërrimi do të jetë i pashmangshëm. Le të marrin mësim muslimanët prej qeveritarëve rreth mbretit të Egjiptit.

2- Ndalesa e dytë është tek fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Dhe mbreti tha: Ma sillni atë në takim veçmas. E pasi biseduan ai i tha: Ti sot do të kesh pozitë dhe ke fituar besimin tonë. Ai (Jusufi) i tha: Më vendos përgjegjës të thesarit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës i mirë.” (Jusuf: 54-55)

Mbreti – ndryshe nga gratë – nuk u mahnit prej bukurisë së tij të skajshme, por ai vuri re një bukuri tjetër më rrëzëlluese se ajo e para, bukuri që nuk e humbet vlerën kurrë dhe që zbukuron edhe më të shëmtuarin (nëse do të pranohej se në mesin e krijesave ka një të tillë). Mbreti u mahnit nga bukuria e shpirtit të Jusufit, nga forca e karakterit të tij forcë e cila shfaqet në momentet kur ai nuk pranon të dalë nga burgu me rastin më të parë që i jepet, por kërkon fillimisht të zbulohet shkaku i burgosjes së tij. A ishte fajtor Jusufi për atë që u akuzua? Dhe pasi vet gratë me gojët e tyre e pastruan karakterin e tij ato që e akuzuan padrejtësisht, tani qortojnë vetet e tyre dhe ngrenë lart figurën e Jusufit. Po, ai vërtet u soll në atë rast si një engjëll sikur s’kishte epsh, dhe kjo e ngriti atë në lartësitë më të mëdha njerëzore.

Kur pa këtë karakter të Jusufit dhe atë siguri në komentimin e ëndrrës së tij, mbreti vlerësoi urtësinë dhe mençurinë e këtij djali të ri kaq të bukur nga brenda dhe nga jashtë! Kësisoj ai vet i ofroi të kishte post dhe të jetonte pranë mbretit.

Këtu duhet kuptuar mirë kjo pikë: Nuk kërkoi Jusufi të vinte në pushtet por ishte mbreti ai që i’a ofroi atij postin. Kur Jusufi kuptoi rëndësinë dhe rrezikshmërinë e situatës atëherë pranoi përgjegjësinë. Vendi rrezikohej nga thatësia dhe nga zia e bukës, e nëse Jusufi që ishte më i përshtatshmi për të menaxhuar pasuritë e vendit nuk do t’a merrte atë post, do të rrezikohej frikshëm jeta e drejtpërdrejtë e kushedi se sa njerëzve. Prandaj ai e pranoi përgjegjësinë dhe për këtë përmendi dy cilësi:
1. Besnikërinë; “unë jam i ruajtës i mirë”.
2. Dhe aftësinë; “i dijshëm”.

Këto të dyja janë cilësitë themelore të kërkuara te kushdo që vendoset në një post apo kushdo që merr përsipër një përgjegjësi të caktuar. Ai duhet të jetë ruajtës, besnik, jo shpërdorues, jo vjedhës, dhe jo me ndërgjegje të pistë. Kjo ngase do t’i besohen të mira të përbashkëta tek të cilat ka pjesë i gjithë populli dhe që nuk është pronë e tij personale. Pasuria është tunduese prandaj duhen njerëz me integritet për t’a menaxhuar atë, dhe më me integritet se Jusufi, profeti i Allahut, nuk mund të gjendej.

Cilësia e dytë e kërkuar tek një drejtues është patjetër aftësia profesionale dhe dituria rreth asaj fushe. Nuk mjafton vetëm të jesh i besueshëm nga ana e figurës morale, por duhet patjetër edhe t’a njohësh mirë detyrën që të ngarkohet dhe të jesh i aftë për të.

Këtu nxirret edhe një dobi tjetër. Jusufi – paqja qoftë mbi të – thotë se dinte të mbante llogaritë e shtetit dhe hyrje-daljet, domethënë dinte të menaxhonte pasurinë sepse ai dikur e kishte mësuar këtë profesion. Dijetarët thonë se për këtë i ndihmoi koha e qëndrimit te shtëpia e ministrit të mbretit ku ai mësoi rreth punëve të qeverisë, e ja tani kjo dituri po i hynte në punë. Prandaj njeriu duhet të mësojë dhe të fitojë dituri – fetare apo të tjera – sepse nuk i dihet se kur do t’i hyjë në punë ajo që mëson, apo kur do t’iu bëjë dobi njerëzve me atë që ka mësuar.

Kjo është meritokracia që postet t’i marrin ata që i meritojnë. Një nga shenjat e afrimit të fundit është që postet i marrin ata që nuk i meritojnë, siç ka ardhur tek “Sahih Buhari”. Për sa kohë që në krye të një vendi të vendosen ata që janë të aftë dhe besnikë ai vend ka për të ecur, përndryshe shkapërderdhja dhe stagnacioni, madje edhe regresi është i pashmangshëm.

3- Ndalesa e tretë është tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai nuk mund t’a merrte vëllanë e tij sipas ligjeve të mbretit.”

Jusufi edhe pse ishte ministër nuk e merrte dot si rob vëllain e vet Beniaminin, sepse sipas ligjeve të mbretit të asaj kohe vjedhësi nuk dënohej me robërim. Dënimi që merrte ai që vjedh në zakonet e Beni Israilëve, ai bëhej rob i atij që i kishte vjedhur. Prandaj ai u kërkoi vëllezërve të gjykonin për atë rast dhe ata i thanë: “Ne vjedhësin e dënojmë me robëri.”

Kjo tregon se ai ishte një shtet që funksiononte dhe ligji ishte i njëjtë për të gjithë, qoftë ai edhe ministër. Kjo e bën një vend dhe e mban në këmbë, drejtësia e njëjtë për të gjithë dhe askush nuk del mbi ligjin, të gjithë janë poshtë tij. Për këtë përcillet prej Ibën Tejmijes fjala e tij e famshme se: Allahu i Madhëruar e lë të qëndrojë një shtet të drejtë qoftë edhe pabesimtar, dhe e ul një shtet të padrejtë qoftë edhe besimtar.

Kjo që të kuptosh mirë dhe të bindesh se dënimi i padrejtësisë përshpejtohet që në këtë botë, dhe kjo mbështetet në hadithin që e transmeton Muslimi në “Sahih Muslim” ku Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “O ju njerëz! Ajo që i shkatërroi ata që ishin para jush ishte se kur vidhte dikush i ngritur (i fisëm) nuk e dënonin, ndërsa kur vidhte i dobëti e zbatonin dënimin mbi të.” Le të bëjë kujdes ai që drejton një shtet apo çfarëdo institucioni, dhe t’a ketë parasysh këtë ligj të Zotit nëse dëshiron vazhdimësi të pushtetit dhe ngritje të popullit të tij.

E së fundmi, le të zbatojmë parimet tona hyjnore nëse duam të ngrihemi e të jemi ai populli elit, drejtues i popujve, vend që po na pret prej kohësh. Nëse duam të arrijmë majat më të larta duhet t’i vendosim në jetë këto këshilla praktike jetësore ashtu siç i kanë zbatuar të tjerët dhe janë ngritur me to. Allahu është Dhuruesi i suksesit, vetëm Atij i kërkojmë ndihmë. Falëndërimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Loading...