Këshilla për të cilat kemi nevojë

October 17, 2015

Më vjen ndërmend një thënie e hoxhës së nderuar Muhamed Eman el Xhami, Allahu e mëshiroftë.

Shejhu ynë i nderuar Muhamed Nasirudin el Albani kur ndodhi pushtimi i Kuvajtit (nga ushtria irakiene) mbajti një qëndrim të caktuar, ndryshe nga ajo e shumicës së dijetarëve të cilët kishin rënë dakort dhe i kishin aprovuar masat që ndërmori mbretëria e Arabisë Saudite në lidhje me atë çështje.

Në këtë rast, shejh Muhamed Eman el Xhami, Allahu e mëshiroftë, u shpreh: “El Albani është i dashuri ynë, por të vërtetën (të drejtën) e duam më shumë sesa e duam atë.”

Kështu është shprehur edhe shejhu ynë i nderuar Abdul Muhsin el Abadi, Allahu e ruajt, i cili ka përmendur disa çështje fetare në të cilat e kundërshton mendimin e shejhut tonë Albanit, Allahu e mëshiroftë. Siç është p.sh. mendimi i tij në lidhje me lejueshmërinë e shkurtimit të mjekrës për muhrimin kur ajo e kalon gjatësinë e grushtit, vepër kjo që i atribuohet Abdullah ibën Umerit.

Po ashtu, në lidhje me mendimin e tij për moslejueshmërinë e përdorimit të floririt që është në formë hallke, mendimi i tij në lidhje me përsëritjen e namazit të xhumasë, apo çështjes që ka të bëjë me përsëritjen e tavafit për atë njeri të cilin e ka gjetur mbrëmja e ditës së dhjetë (jeumu nahr) pa e kryer tavafin. Ky obligohet të veshë edhe një herë ihramin.

Në lidhje me këto çështje padyshim që ne e kundërshtojmë shejhun tonë (El Albani).

Kemi qenë në një nga mësimet e shejh Ibën Bazit kur një djalosh euforik, u ngrit dhe foli me zë të lartë dhe me ton të ashpër, a thuaj se ishte në një konflikt!

Ai tha: O shejh, ka (dijetarë) të tjerë që janë të mendimit se për atë njeri të cilin e ka gjetur mbrëmja e ditës së dhjetë (jeumu nahr) pa e kryer tavafin, ky obligohet të veshë edhe një herë ihramin.

Kur shejhu (Ibën Bazi) vërejti se mënyra e tij e të folurit ishte e paedukatë, ia ndërpreu fjalën. Pastaj shejhu tha: I atij mendimi është vëllai ynë, shejhu i nderuar, dijetari i madh, përkujdesësi për traditën profetike (sunetin)…

E kështu vazhdoi ta lavdëronte shejh Albanin, derisa tha: Por ne jemi të mendimit se hadithi në të cilin ai bazohet nuk është i saktë, kështu që jemi të mendimit se shejhu ka gabuar në lidhje me këtë çështje.

Allahun e lusim të na falë neve dhe atë!

Shembuj të ngjashëm me këtë që përmendëm ka shumë.

Shejh El Albani dhe shejh Hamud et Tuejxhiri kanë pasur mospajtime në shumë çështje të ndryshme, ndër të cilat do të veçoja mendimin e shejh Albanit në lidhje me mbulesën (e fytyrës). Mirëpo kur u bashkuan të dy në shtëpinë e shejh Hamudit, të dy i jepnin përparësi shoqi-shoqit për t’ju përgjigjur pyetjeve që u drejtoheshin nga të pranishmit.

 Ata ishin mësuesit e mi.

A thua se ka të tjerë si ata?!

Ku jemi ne krahasuar me ata?! Ne që ngutemi ta konsiderojmë të devijuar e bidatçi njëri-tjetrin për çështje rreth të cilave vetëm sa dyshojmë se janë bidat, apo largojmë njerëzit prej tij, apo e akuzojmë se ka thënë gjëra të cilat ai nuk i ka thënë?!

Imagjinoni dikë prej vëllezërve tanë i cili për një çështje të caktuar argumentohet nga librat e dikujt prej dijetarëve që njihet se është nga të devijuarit. Pra, ky ka shkëputur diçka nga teksti i filan dijetari i cili njihet se është nga të devijuarit.

Unë po të pyes ty o rob i Allahut: Shejhul Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, a nuk ka cituar në librat e tij fjalë të shumë dijetarëve të cilët ishin të njohur për devijimin e tyre kur ata e kishin gjetur të vërtetën?!

A nuk është kjo mënyrë e të argumentuarit me fjalën e kundërshtarit përforcim i së vërtetës, kur dihet se e vërtetë e pa kontestueshme është ajo që ta njeh për të tillë kundërshtari yt?

Gjithashtu, shejhu i nderuar Sulejman ibën Abdilah ibën Muhamed ibën AbdulUehab a nuk ka cituar fjalë nga Ez Zemahsheri si dhe nga të tjerë përveç tij në çështje që kanë të bëjnë me tefsirin (komentimin e Kuranit)?

Mos vallë duhet të themi se shejh Sulejmani është i devijuar dhe nuk duhet të marrim dituri prej tij?!

A nuk kanë përcjellë dijetarët diturinë e imam Neveviut ndërkohë që ai e shtrembëron kuptimin e vërtetë të cilësive të Allahut, me përjashtim të shtatë prej tyre?

Është e vërtetë që Imam Neveviu i kundërshton esharitë në shumë çështje duke pohuar ndryshe nga ata, se obligimi i parë është shehadeti dhe jo siç thonë esharitë se obligimi i parë është njohja e Allahut. Po ashtu, ai i kundërshton esharitë në lidhje me përkufizimin e besimit dhe në lidhje me faktin se e pohon që besimi shtohet dhe pakësohet. Mirëpo, ai ashtu si ata ka gabuar duke shtëmbëruar kuptimin e vërtetë të cilësive të Allahut, me përjashtim të shtatë prej tyre.

Mos vallë dijetarët e refuzuan diturinë e tij? Apo sqaruan gabimin e tij dhe e lavdëruan për diturinë e tij? Të njëjtën gjë themi edhe për Hafidh Ibën Haxherin, Allahu e mëshiroftë.

Shejhu ynë i nderuar Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka shtuar komente të tij të vyera dhe tepër të dobishme gjatë shpjegimit që i ka bërë librit “Fet’hu el Bari”, duke sqaruar disa nga gabimet në të cilat ka rënë Ibën Haxheri. Mirëpo ai nuk e ka qortuar atë, nuk e ka quajtur të devijuar, nuk ka thënë se ai është mashtrues, dhe as nuk ia ka cënuar dinjitetin dhe autoritetin e tij.

Kjo është metodologjia e ndjekur nga dijetarët edukues të umetit të cilët qartësojnë gabimet dhe devijimet në lidhje me shpalljen hyjnore. Ndryshe nga ajo që ata vepronin ne shkëpusim ndonjë citat nga fjalët e vëllezërve tanë në të cilat kanë gabuar apo na duket neve se kanë gabuar, apo na duket se me fjalën e tyre synojnë kështu e ashtu, apo i mveshim mendime të cilat nuk i kanë, apo ia shtrembërojmë fjalën që thonë në mënyrë të padrejtë, si dhe të tjera si këto.

A na lejohet të veprojmë kështu? Apo kjo mënyrë e të vepruarit është tejkalim i caqeve dhe përçmim ndaj vëllait musliman?

 

Shejhu i nderuar Salih es Suhejmi, Allahu e ruajt.

Përktheu: Edmond Ajdini

Loading...