Këshilla të dobishme

Allahu i Madhëruar thotë:

وَفِي السَّمَاءِ رِزْقُكُمْ وَمَا تُوعَدُونَ

“Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që u është premtuar.” Edh-Dharijat: 22.

Mos u pezmatoni nga çmimet e larta, ngase Ai (Allahu) që ju furnizoi kur gjërat ishin më lirë ju furnizon edhe kur gjërat shtrenjtohen. Vërtet, Allahu i Lartësuar ua ka siguruar furnizimin robërve të Tij:

وما من دابةٍ في الأرض إلا على الله رزقها

“Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë (të siguruara) mjetet e jetesës prej Tij.” Hud: 6.

Por në situata të tilla del për detyrë shtimi i:

  • istigfarit,
  • pendimit,
  • lutjeve,
  • dhe kthimit tek Allahu me vepra të mira.

Dhe dije se askush nuk ka për të vdekur derisa ta konsumojë plotësisht furnizmin e tij që i ka caktuar Zoti Bujar. Atëherë, pse gjithë ky; shqetësim, pikëllim, ngushtim, frikë?!

“Shejtani u frikëson me skamje e varfëri dhe u urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm!” El-Bekare: 268.

Jo më kot u shkrua furnizimi yt që kur ishe në barkun e nënës. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Çdo njeri formohet në mitrën e nënës së tij duke qëndruar dyzet ditë si pikë e lëngshme, pastaj po për aq ditë bëhet copëz gjaku, e më pas po për aq kohë bëhet copë mishi. Pas kësaj i dërgohet një engjëll që e frymëzon me shpirt dhe këtij engjëlli i urdhërohet të shkruajë katër gjëra: Të shkruajë furnizimin e fëmijës…” hadithi. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Jini të sigurtë se nëse jeta do të ishte një gjilpërë, furnizimi juaj do të ishte një fije që do t’ju vinte nga vrima e saj. Prandaj jini të sigurtë se ajo që ka shkruar Zoti i Madhërishëm për ju është e juaja dhe patjetër që do ta arrini atë, dhe ajo që Ai ka shkruar për të tjerët nuk ka për t’ju ardhur as nuk keni për ta arritur.

Zoti kërkon nga ty që të jetosh me kokën lart dhe me nder, dhe ta kërkosh furnizimin me krenari. Kështu që mos i ulni vetet tuaja dhe mos u poshtëroni për diçka që Zoti ua ka garantuar. Mos përhapni frikë, ankth, dhe pasiguri mes njerëzve.

Por mendoni mirë për Zotin e Plotfuqishëm, dhe jetojeni jetën tuaj në paqe, qetësi, dhe përqëndrim në rrugën e drejtë.

Përgjërohuni me lutje tek Zoti juaj:

O Allah!

– Nëse furnizimi ynë është në qiell, zbrite atë!

– Nëse është në tokë, nxirre atë!

– Nëse është larg, afroje atë!

– Nëse është afër, lehtësoje atë!

– Nëse është i pakët, shtoje atë!

– Nëse është i shumtë, begatoje atë! Amin!

Dhe në raport me keqbërësit:

“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në ditën kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe duke vrapuar me kokën lart nuk do të mund t’i lëvizin sytë. Ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).” Ibrahim: 42-43.

 

“Këshilla të dobishme” vëll. 3.

Unejs Sheme