Këshilla të vyera dhe porosi të dobishme

June 22, 2022

Porosia e Hatab bin El Mual-la el Muhzumit për djalin e tij.

Abdurrahman bin Ebi Atijeh el Himsi përcjell nga el Hatab bin El Mual-la el Mahzumi el Kurashi, se ai e kishte këshilluar djalin e tij duke i thënë:

Biri im, duhet t’i kesh frikën Zotit dhe t’i bindesh Atij! Shmangu prej ndalesave duke ndjekur Sunetin dhe shenjat e Tij, derisa të korrigjohen të metat e tua dhe të ngopen me mirësi sytë e tu. Asgjë nuk mund t’i fshihet Allahut! Unë të kam lënë një shenjë dhe të kam bërë një skicë, të cilën nëse e ruan, e kupton dhe vepron sipas saj, ke për t’i mbushur sytë e mbretërve dhe kanë për të t’u bindur njerëzit  e thjeshtë. Nëse e ruan, ke për të qenë në një pozitë që të tjerët do të kenë nevojë për ty dhe për atë që mbart në duart e tua. Prandaj, bindju babait tënd dhe fokusohu në porosinë e tij, përqëndrohu plotësisht aty me mendjen, zemrën dhe gjithë forcën tënde!

Ki kujdes nga fjalët boshe, nga të qeshurat dhe shakatë e tepruara me vëllezërit, sepse kjo do të largojë hijeshinë dhe do të shkaktojë hidhërim dhe grindje.

Tregohu i matur dhe i respektuar pa treguar mendjemadhësi e as kryeneçësi.

Me mikun ose armikun takohu me fytyrë të qeshur, frenoi dëmet pa u poshtëruar apo duke patur frikë prej tyre.

Në të gjitha punët e tua qëndro tek mesatarja, sepse çështjet më të mira janë të mesmet. Pakësoji fjalët, përhap selamin, ec me vendosmëri dhe me qëllim, mos bëj zhurmë me të ecurin tënd, mos e tërhiq zvarrë rrobën tënde, mos e përkul qafën e as petkun tënd, mos rri duke parë në rrobat e tua, mos shiko shumë rreth e rrotull, mos qëndro në turma njerëzish, mos e merr tregun si vendqëndrimin tënd dhe as dyqanet vendin ku duhet të flasësh.

Mos u grind me të tjerët dhe mos u kap me budallenjtë. Nëse flet atëherë fol shkurt, nëse bën shaka mos e tepro, e nëse ulesh diku mblidhu. Mos i gërsheto gishtërinjtë e as mos i kërcit ata, mos luaj me mjekrën apo unazën tënde, as me xhufkën e shpatës e as me misvakun e dhëmbëve, mos i fut gishtat në hundë dhe mos rri vazhdimisht duke përzënë mizat që të vijnë. Mos rri duke hapur gojën apo duke u shtrirë, e shumë gjëra të tjera që njerëzit i kanë bezdi dhe të përflasin nëse i vepron.

Le të jetë kuvendi yt i qetë dhe fjalimi yt i ndarë. Dëgjoi fjalët e mira të atyre që t’i thonë, pa e shfaqur habinë tënde ndaj fjalëve të tyre apo t’u kërkosh t’i përsërisin. Mbylli sytë para batutave e përrallave dhe mos fol për admirimin tënd ndaj djalit ose vajzës tënde, madje as për kalin e as për shpatën tënde.

Ki kujdes nga tregimi i ëndrrave, sepse nëse e shfaq admirimin tënd  për diçka atëherë do ta lakmojnë mendjelehtit, e kështu do të shpikin ëndrra dhe do të cënojnë logjikën tënde.  Mos u stolis sikur stolisen gratë dhe mos u katandis siç katandisen skllevërit. Shmange shkuljen e qimeve të thinjura dhe largohu nga rrallimi i mjekrës, nga përdorimi i kohlit (për sytë) dhe teprimi i përdorimit të vajit. Kohlin (linerin e syve) përdore rrallë dhe mos këmbëngul e as mos u përul në kërkesat dhe nevojat e tua. Mos u trego familjarëve – gruas dhe fëmijëve – e as të tjerëve sesa pasuri ke. Nëse u duket pak bëhesh i ulët në sytë e tyre, e nëse u duket shumë atëherë përsëri nuk ke për ta arritur kënaqësinë e tyre. Frikësoi ata pa përdorur dhunë dhe trego butësi me ta pa shfaqur dobësi. Mos u tall me robëreshën tënde dhe kur të grindesh trego dinjitet.

Ruhu nga injoranca e atij që përballet me ty, shmangu nga nxitimi yt, mendo për argumentin tënd dhe tregoi sundimtarit diçka nga maturia jote. Mos i lëviz shumë duart, mos nxito për të rënë në gjunjë, ki kujdes nga skuqja e fytyrës dhe djersa e ballit. Nëse dikush sillet keq me ty tregohu i butë me të, dhe kur të të kalojë zemërimi atëherë fillo të flasësh. Nderoje nderin tënd dhe largoi kuriozitetet ndaj teje. Nëse sundimtari të afron atëherë qëndro si në tehun e shpatës. Nëse vazhdon të flasë gjatë me ty mos ki besë që nuk do të kthehet kundra teje, dhe trego butësi ndaj tij njësoj siç tregon butësi me një fëmijë. Foli atij fjalë që i pëlqejnë dhe mos të të shtyjë butësia e tij ndaj teje dhe trajtimi i veçantë që të hysh mes tij dhe mes ndonjërit prej fëmijëve të tij, apo familjes dhe njerëzve të tij, edhe nëse ai i dëgjon fjalët e tua dhe u bindet mendimeve që jep. Sepse përçarjet e brendshme mes mbretit dhe familjes janë vdekje pas të cilës nuk ka më ngritje, dhe lajthitje që nuk riparohen.

Kur të japësh një premtim mbaje atë, kur të flasësh thuaj të vërtetën dhe mos i trego fjalët e tua si ai që është duke u ndeshur me një të shurdhër, dhe mos e ul zërin si ai që i flet atij që nuk mund të flasë. Zgjidhi fjalët duke folur drejt. Kur të tregosh diçka që e ke dëgjuar atribuoje tek ai që e ke dëgjuar, dhe ki kujdes nga muhabetet e momentit që nuk i pranojnë zemrat dhe që rrënqethin lëkurët. Ki kujdes nga përsëritja e fjalëve duke thënë përshëmbull ‘po, po’, ose ‘jo, jo’, ose ‘shpejt, shpejt’ etj.

Kur të marrësh abdes mos i përplas duart, dhe le të jetë pastrimi i gojës si mënyra e misvakut që depërton në gojë. Mos e nxirr ujin në enë por hidhe atë nga goja në mënyrë të qetë. Mos e përplas ujin sepse kështu lag njerëzit afër teje. Kafshatën mos e merr në gjysëm dhe të kthesh pjesën tjetër të lagur me pështymën tënde sepse kjo është e urryer. Mos e tepro duke hedhur ujë në tryezën e mbretit dhe mos luaj shumë me kockat që nuk kanë palcë, mos e shaj ushqimin që ke pranë duke thënë se ka pak uthull, vaj, apo mjaltë. Mos merr ushqim siç merr i urtituri dhe mos e keqpërdor siç bën mendjelehti i mashtruar. Mësoji detyrimet që ke në pasurinë tënde, shenjtërinë e shoqërisë, dhe bëhu i pavarur nga njerëzit sepse vetëm kështu do të kenë nevojë për ty.

Dije se grykësia shpie në ves, ndërsa dëshirat – siç kanë thënë – të thyejnë qafën dhe ndoshta disa kafshata privojnë nga shumë kafshata të tjera, ndërsa ndershmëria është pasuri madhore dhe moral fisnik. Kur njeriu e njeh veten e tij ai nderon kujtimin e tij, dhe ai që e shkel masën e caktuar bie poshtë në skajet e humnerës.

E vërteta është zbukurim ndërsa gënjeshtra është shëmti. E vërteta që përshpejton mjerimin e thënësit të saj ka pasoja më të mira se gënjeshtra që e shpëton përdoruesin e saj. Armiqësia ndaj të urtit është më e mirë se miqësia me budallain. Qëndrimi i fisnikut  në poshtërim është më i mirë se shoqërimi i të ligut me bamirësi. Të jesh pranë një mbreti bujar është më mirë se të jetosh pranë një deti me të mirat e tij. Gruaja e keqe është sëmundje e pashërueshme. Martesa me grua të madhe në moshë e shuan ujin e fytyrës, dhe bindja ndaj grave e turpëron të mençurin.

Ngjaju njerëzve të logjikshëm që të jesh prej tyre, ekspozohu ndaj fisnikërisë që ta arrish atë. Dije se çdo njeri qëndron aty ku e vendos veten e tij. Zanatliu i atribuohet zanatit të tij, ndërsa personi njihet nga shoku i tij. Ki kujdes nga shokët e këqinj, sepse ata i tradhëtojnë ata që i shoqërojnë dhe i pikëllojnë ata që janë të ndershëm me ta. Afërsia me ta është sëmundje më ngjitëse se zgjebja dhe refuzimi i tyre konsiderohet plotësim i etikës. Përgjimi ndaj atij që kërkon ndihmë është poshtërsi, ndërsa keqmenaxhimi është dobësi.

Vëllezërit janë dy llojesh: Ai që të ruan gjatë fatkeqësisë dhe miku yt në begati, prandaj mbaje mikun e kohës së fatkeqësisë dhe shmange shokun e kohës së rehatisë, sepse ata janë më armiq se armiqësorët. Kushdo që pason dëshirat ato do ta rrëzojnë në shkatërrim. Mos të të pëlqejë trup-madhi mes njerëzve dhe mos e nënçmo trup-voglin dhe të dobëtin mes tyre. Njeriu vlerësohet prej dy gjërave të vogla: Nga zemra dhe gjuha e tij, dhe asgjë nuk i sjell dobi më shumë se këto dy gjëra.

Ki kujdes nga poshtërsia edhe nëse je duke qëndruar në vendin e armiqve, dhe mos e nëpërkëmb nderin tënd tek ata që janë poshtë teje. Mos lejo që pasuria të ketë vlerë tek ti më shumë se nderi yt. Mos i shto fjalët sepse kështu rëndon njerëzit, buzëqeshjen jepja atij që ulet me ty dhe afrimitetin atij që të takon.

Mos e tepro në zukurimin dhe pispillosjen e vetes sepse kjo është natyrë e gjinisë femërore, dhe ki kujdes nga shtirja për të ngacmuar gratë. Bëhu i afërt, krenar, shfrytëzues i rasteve të volitshme, i shoqërueshëm në nevojat e tua, i vendosur në betejat e tua. Për çdo periudhë vish rrobat që i përshtaten dhe me çdo popull sillu me mënyrën e tyre.

Ruaju nga ajo që të fajëson në ahiretin tënd, mos nxito në një çështje derisa të shikosh pasojat e saj dhe mos i hyr derisa të shohësh prej nga vjen.

Përdore gurin e flokëve një herë në muaj por ki kujdes që të heqësh qimet e sqetullave me këtë lloj guri. Misvaku le të jetë pjesë e natyrshmërisë tënde dhe nëse e përdor atëherë përdore për së gjeri. Ai që nderon veten edhe njerëzit kanë për ta nderuar, ndërsa përçmimi i injorantit ndaj teje është më i vyer se lavdërimi i tij. Njohja e së vërtetës është prej moralit të vërtetësisë. Shoqëruesi i mirë është si djalë xhaxhai, ndërsa ai që jetesën e ka të lehtë nderohet, ashtu sikurse ai që varfërohet poshtërohet.

Fol shkurt nga frika e përgjigjes që do të japësh. Ai që vjen tek ti është epror ndaj teje. Udhëtimet e gjata janë të bezdisshme dhe dëshirat e shumta janë lajthitje. I huaji në dhe të huaj nuk ka shok, edhe i vdekuri nuk ka me vete të dashur. Etika e të moshuarit është lodhje ndërsa edukimi i djaloshit është rraskapitje. I neveritshmi bëhet udhëheqës, ndërsa gojëligu bëhet vezir. Maturia është ngasja e të marrit, ndërsa marrëzia është sëmundje që nuk ka shërim. Maturia është veziri më i mirë, ndërsa feja është gjëja më e bukur që ekziston. Shëmtia është marrëzi, ndërsa i dehuri është shejtan dhe fjalët e tij janë të pakuptimta. Poezia të magjeps, kërcënimi është gjest i turpshëm, koprracia është mjerim dhe trimëria është qëndrim. Dhurata është moral që sjell lumturi dhe trashëgon dashuri, dhe ai që e fillon një gjest të mirë karshi teje ai kthehet në borxh. Ai që prish një marrëveshje mbart smirën mbi vete. Ai që rishqyrton diçka me sulltanin e ka prishur mekamin (pozitën). Të largohesh nga lufta është turp, ndërsa të jesh në vijë të parë është rrezik. Dobia më e shpejtë për njeriun është lehtësimi në rehati, ndërsa justifikimet e shumta janë koprraci. Burri më i keq është ai që ankohet shumë. Takimi i mirë largon urrejtjen, ndërsa fjalët e buta janë morali i njerëzve fisnikë.

Biri im, gruaja e një burri është qetësimi i tij dhe ai nuk mund të jetojë pa të. Prandaj kur të martohesh me një grua pyet për familjen e saj sepse rrënjët e mira sjellin fryte të ëmbla.

Dije se gratë ndryshojnë më shumë se ç’ndryshojnë gishtat e njërës dorë, prandaj ruaju prej secilës që nxjerr fjalë të liga dhe që në natyrë ka lëndimin. Prej tyre ka nga ato që u pëlqen vetja dhe që rrinë duke sharë burrin. Të tilla që nuk falenderojnë kur u bëhet mirësi dhe nuk kënaqen prej tij me pak. Gjuha e saj kur kundërshton është si shpatë e mprehtë, ndërkohë që paturpësia i ka zbuluar perden e turpit nga fytyra, nuk turpërohet nga shëmtia e veprës që bën dhe nuk turpërohet nga fqinji i saj. Si të ishte qen që leh dhe që kafshon, prandaj dhe fytyra e burrit të saj është e lënduar, nderi i tij është i sharë, dhe ajo nuk kursen tek ai asgjë nga feja apo gjëra të kësaj bote, dhe nuk e kursen për shkak të shoqërisë së tij apo fëmijëve të shumtë.

Perdja e tij është e zbuluar, mbulesa e tij është e përhapur, e mira e tij është e groposur, dhe kështu ai bën një jetë të pikëlluar dhe ecën duke e qortuar veten. Pija e tij është e hidhur, ushqimi i tij është mllef, fëmijët e tij janë të shpërndarë, shtëpia e tij e rrënuar, rroba e tij e pisët, koka e tij e pakrehur. Nëse qesh është i lodhur, nëse flet flet me zor të madh, dita e tij është natë, dhe nata e tij është mjerim. Sulmi i saj i ngjan gjarpërit që kafshon dhe e nuhat atë si akrepi që sulmon.

Ka prej tyre që ngjajnë më plakat e shtrira gjerë e gjatë që bërtasin dhe kanë sjellje të keqe, që nga goja nxjerrin helm dhe përgatisin fjalë që shkojnë nga fryn era dhe fluturojnë me cilindo që ka krahë. Kur burri i thotë ‘jo’ ajo thotë ‘po’, nëse ai thotë ‘po’ ajo thotë ‘jo’. Njeri që vetëm i krijon pikëllim dhe përçmon çdo gjë para duarve të tij. Ajo e përdor atë në shembujt e saj dhe e përçmon para burrave të tjerë, e kalon nga një gjendje pikëllimi në gjendje edhe më të rëndë. Derisa e detyron të braktisë shtëpinë dhe të velet me fëmijët, të pështitroset nga jetesa dhe ta poshtërojë veten, derisa vëllezërit nuk e njohin më dhe komshijtë fillojnë ta mëshirojnë për gjendjen në të cilën ka rënë.

Ka të tjera që janë naive të marra, nga ato që i vendosin gjërat jo aty ku duhen, të tilla që veç kafshojnë gjuhën dhe përzien në punë të huaja. Ajo është bindur për dashurinë e tij dhe është kënaqur me fitimet e tij. Ushqehet si kafshë e uritur, ndërsa dielli lind asaj nuk i dëgjohet zëri, nuk di të fshijë një shtëpi, ushqimi që gatuan është i pangrënshëm, enët i mban të palara dhe brumi që zë është i thartuar, uji i ndenjur dhe rrobat e saj si të ishin bimë të mbjella nëpër vend, ndihma e saj është e kufizuar, shërbëtori i saj është i goditur, dhe komshiu i saj i luftuar.

Por ka të tjera që janë të urta dhe të dashura, të begata që bëjnë fëmijë shumë, të besueshme kur burri mungon, të dashura tek fqinjët dhe të lavdëruara si në momentin kur janë prezente apo në mungesë. Finike ndaj burrit dhe e mbushur në mirësi. Zërin e ka të ulët, shtëpinë të pastër, shërbëtorin e trajton mirë, fëmijët i ka të zbukuruar, e mira e saj është e vazhdueshme dhe burri i saj jeton në mirësi, e afruar dhe praktike dhe e karakterizuar nga e mira. Zoti të bëftë o biri im prej atyre që ndjekin udhëzimin, dhe merr për bazë devotshmërinë që largohet nga zemërimi dhe afrohet nga kënaqësia.

Allahu është Mbikqyrësi yt, Ai marrtë përsipër çështjen tënde! Nuk ka forcë e as ndryshim pa ndihmën e Allahut, të Lartit dhe Madhështorit. Paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi Muhamedin, profetin e udhëzimit, familjen dhe shokët e tij!

 

Shkëputur nga libri: “Kopshti i të Urtëve”

Autor: Ibën Hiban el Busti

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...