Këshillë e artë nga shejh Albani

Shejkh Albani – Allahu e mëshiroftë- ka thënë:
Unë nuk di si mund të jetë kjo që muslimani nuk i jep selam vëllait të tij musliman, duke besuar që ai është musliman!
Ky është një gabim që nuk lejohet nga ana islame.
Kundërshtimi mes muslimanëve nuk është diçka e re, përkundrazi është e hershme kjo punë, por këshillimi duhet të ekzistojë mes muslimanëve, ata duhet të duhen për hir të Allahut të Lartmadhëruar.
Kthimi i shpinës dhe ndërprerja e lidhjeve është një gjë e ndaluar në Islam, dhe dashuria e ndërsjellë për hir të Allahut është diçka e dëshiruar dhe e kërkuar në Islam, dhe po kështu është urrejtja për hir të Allahut. Por disa njerëz nuk e bëjnë mirë zbatimin e kësaj. Dhe unë shpesh herë pyetem për largimin e muslimanit nga vëllai i tij musliman për ndonjë arsye dhe unë them: Mëria, edhe pse në origjinë është e ligjshme, por sot nuk është koha për zbatimin e saj, sepse nëse dëshiron t’i mbash mëri çdo muslimani të cilin e ke kritikuar për diçka, do të mbetesh i vetëm, i veçuar. Prandaj nuk duhet që ne sot të sillemi me mënyrën e urrejtjes për hir të Allahut dhe të ndërprerjes së lidhjeve për hir të Allahut. Kjo mund të zbatohet vetëm në kohën kur të forcohen muslimanët, dhe kur të forcohet pamja e muslimanëve në marrëdhëniet mes tyre, e atëherë nëse njëri prej tyre del kundër rrymës së përgjithshme dhe largohet nga udha e drejtë, ndaj tij mbahet qëndrim, duke i prerë marrëdhëniet me të, sepse ajo lloj ndërprerjeje është ilaç për të dhe edukim për të. Ndërsa tani nuk është koha e kësaj. ………
Prandaj kjo gjë nuk është për kohën e sotme. Nuk është aspak prej mençurisë që të ndërpresim lidhjet me njerëzit për shkak të devijimeve të tyre, pa marrë parasysh a është ky devijim ideologjik në besim, apo është devijim në sjellje. Por ajo që duhet të bëjmë ne është të durojmë në shoqërimin me ta, dhe të mos i quajmë të humbur apo pabesimtarë, sepse të quajturit e tyre të humbur apo qafira, nuk na sjell neve asnjë dobi, por ajo që duhet të bëjmë është të përkujtojmë, siç ka thënë i Lartmadhëruari: “Dhe ti përkujto, sepse përkujtimi u bën dobi besimtarëve” Dharijat: 55.] Pershtati Emin Bilali.