Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 5 –

May 18, 2026

Mënyra si të shpëtojmë nga shejtani

Përmendja (dhikri) e Allahut – i Bekuar dhe i Lartësuar qoftë Ai – i shpërndan nga robi ato grumbuj ushtarësh të Iblisit, partisë së tij, ndjekësve dhe aleatëve të tij. Ata mblidhen dhe grumbullohen për ta luftuar robin dhe i nxisin këta ushtarë kundër robërve të Allahut. Ai (Iblisi) dërgon çetë pas çete për t’i sulmuar ata, për t’i bërë të dyshojnë, për t’u pëshpëritur (vesvese) në shpirtrat e tyre, për t’ua zbukuruar të keqen (mëkatin) dhe për t’u hedhur në zemrat e tyre mendime të këqija.

Nëse robi është në një gjendje më të plotë dhe më të përsosur në marrëdhënien e tij me Zotin e Lartësuar, atëherë edhe kurthi i Iblisit ashpërsohet dhe këta ushtarë vijnë njëri pas tjetrit tek ai, duke i hedhur në zemër çfarë të mundin prej dyshimeve.

Kjo ndodh sepse ata dështuan për ta rrëzuar atë në kufër (mohim) – siç u përmend më parë –, dështuan ta rrezojnë në mëkate të mëdha (kebair), dështuan ta hidhnin në bidate (risi), humbje e epshe, dhe si rrjedhojë dështuan edhe ta joshin atë me mëkate të vogla (sagair) apo me këmbënguljen në ato mëkate dhe kështu, përpiqen dhe kërkojnë me ngulm që kur të jetë zgjuar t’ia turbullojnë mendimet dhe të mbjellin shqetësime në veten e tij. Ndërsa kur është në gjendje gjumi tentojnë ta ngacmojnë përmes ëndrrave të këqija që e shqetësojnë atë.

Siç thotë Hafidh Ibn Kajjim1: “Sa më i fortë të jetë robi në kërkimin e Allahut të Lartësuar, dhe sa më e përsosur të jetë lidhja dhe dëshira e tij ndaj Zotit, aq më të shumta dhe më të dëndura do të jenë çetat (sulmet) e shejtanit.”

Për këtë arsye, disa njerëz pyesin e thonë se kur ishin në gjendje largësie nga Allahu i Lartësuar dhe nga bindja ndaj Tij, nuk u shfaqeshin këto gjëra që po u shfaqen pas udhëzimit dhe pendimit (teubes) të tyre?! Arsyeja është se këta shejtanë po luanin me të pa e ndier ai fare, sepse ai ishte i zhytur në baltë dhe nuk ndiente gjë. Por, në momentin kur dështuan me të, filluan ta shqetësojnë me gjëra të tilla. Kështu, nuk ka asnjë rrugë për t’i shpërndarë këto grumbuj të mjerë shejtanësh, përveçse me përmendjen (dhikrin) e Allahut të Lartësuar.

Këta shejtanë, siç thotë Hafidh Ibn Kajim: “Tashmë e kanë rrethuar robin, janë mbledhur rreth tij dhe janë bashkuar për të thurur kurthe kundër tij; sepse janë armiqtë e tij. Pra, çfarë mendon për një njeri që është rrethuar nga këta armiqë të tërbuar (të mbushur me urrejtje) ndaj tij, të cilët kërkojnë për të shkatërrimin dhe të keqen me çdo rrugë të mundshme, dhe përpiqen t’i shkaktojnë atij me çdo mënyrë dëm e lëndim?! Ndërkohë që mundësia e vetme për t’i shpërndarë ata është përmendja (dhikri) e Allahut, sepse Allahu është Ai që e shpërndan grumbullin e tyre dhe ua prish unitetin.”2

Dhe kështu robi shpëton, me lejen e Allahut të Madhëruar, nga ky kurth dhe kjo dhelpëri.

Meditoni në këto tekste të vërtetuara nga i Dërguari i Allahut ﷺ, siç thuhet në hadithin e Enesit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se kush thotë (domethënë kur del nga shtëpia e tij):

الله توكلت على الله لا حول ولا قوة إلا بالله،

“Bismil-lah, teuekkeltu ‘alall-llah, la haule ue la kuwete il-la bil-lah” (Në emër të Allahut, tek Allahu jam mbështetur, nuk ka ndryshim e as fuqi pa ndihmën e Allahut), atij i thuhet: “Je i mbrojtur (të mjafton Allahu), je i udhëzuar dhe je i ruajtur.”3

Me thënien: “Kufijte” (je mbrojtur), këtu elementi me të cilin lidhet është fshirë, gjithashtu edhe te “u-kijte” (je ruajtur) është fshirë elementi, si dhe te “hudijte” (je udhëzuar) është fshirë elementi lidhës; e kjo fshirje e bën kuptimin më të përgjithshëm, duke përfshirë çdo gjë që hyn nën mbrojtjen, mjaftueshmërinë dhe udhëzimin.

Kështu, ai është i ruajtur nga të gjitha gjërat e urrejtura e nga të gjitha të këqijat: prej shejtanëve njerëz dhe prej shejtanëve xhind; është i ruajtur nga ajo që frikësohet dhe druhet, si dhe është i mbrojtur (i mjaftuar) nga çdo e keqe dhe dëm.

Kësisoj, ai është i udhëzuar drejt çdo të mire, të ligjshme (ma’ruf) dhe virtyti; është i udhëzuar në gjuhën e tij, i udhëzuar në kraharorin dhe në zemrën e tij. Ai bëhet zotërues i një gjuhe të drejtuar (të saktë) dhe zotërues i një zemre që Allahu i Lartësuar e ka udhëzuar, duke u bërë kështu prej të udhëzuarve në rrugën e drejtë.

(Në vazhdim të hadithit) Thuhet: “Dhe shejtani largohet (shmanget) prej tij, dhe i thotë shejtanit tjetër: ‘Çfarë mund t’i bësh një njeriu që është udhëzuar, është mjaftuar (nga çdo gjë) dhe është ruajtur?!'”4

Njeriu mund të ndeshë në rrugën e tij dikë që e josh drejt të keqes, por nëse ai është në këtë nivel (të mbrojtjes), nuk ka asnjë mundësi që e keqja të depërtojë tek një person i tillë: “Kështu (bëmë Ne), që të largojmë nga ai të keqen dhe paturpësinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë (të zgjedhur).” [Jusuf: 24].

Fjala *”el-mukhlasin” ose “el-mukhlisin” (sipas dy leximeve/kiraeteve të ndryshme të sakta të vërtetuara), nënkupton që Allahu i Madhëruar e shpëton atë nga e gjithë kjo.

Në hadithin tjetër të njohur (thuhet): Kush thotë njëqind herë në ditë:

لا إله إلا الله وحده لا شريك له، له الملك، وله الحمد وهو على كل شيء قدير،

“La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike leh, lehul-mulku ue lehul-hamdu, ue huue ‘ala kul-li shej’in kadir” (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Pashoq, Atij i takon sundimi dhe Atij i takon lavdërimi, dhe Ai është i Fuqishëm për çdo gjë), – (pasi) përmendi shpërblimin që ai ka – Profeti (alejhi selam) tha: Kjo do të jetë për të mburojë (fortesë) ndaj shejtanit derisa të ngryset.”5

Kur njeriu është në një mburojë (fortesë) ndaj shejtanit, ai shpëton nga këto të këqija dhe sëmundje prej të cilave vuan shumica e krijesave, në krye të të cilave qëndron brengosja (mërzitja/bllokimi) dhe fundi i të cilës është rënia në lloje të ndryshme të të këqijave, që nga kufri (mohimi) e poshtë.

Ky njeri, për të cilin kjo (thënie) bëhet fortesë ndaj shejtanit, që ia di domethëninen këtyrë fjalëve dhe i koncepton ato, si mundet vallë t’u përgjigjet thirrjeve të shejtanit dhe të hapë këtë rrjetë drejt gjërave që nuk e kënaqin Allahun e Lartësuar?!

Si mund ti ndodhë atij joshja e shejtanit?! “Bisedat e fshehta (pëshpëritjet për të dëmtuar) janë vetëm nga shejtani” [El-Muxhadeleh: 10].

Domethënë janë prej shtytjes, zbukurimit dhe joshjes së tij, “për t’i pikëlluar ata që kanë besuar”. Kështu, ai e josh njërin prej tyre që të bisedojë fshehurazi me tjetrin, me qëllim që të pikëllohet një i tretë.

Por, ky njeri, i cili mund t’u ekspozohet sprovave (dyshimeve/shubahat) apo epsheve (shehauat), është në një fortesë (mbrojtje). E sa të shumta janë dyshimet sot, dhe sa të shumta janë epshet, e kush është ai që u shpëton?!

Sa nevojë të madhe kemi në kohë të tilla për një gjë (mbrojtje) të tillë!

Shumë njerëz pyesin e thonë: Si të shpëtojmë, ku të gjejmë siguri nga këto dyshime që gjenden çdokund?! Të vijnë mesazhet në telefon, të vijnë në WhatsApp, të vijnë nëpër faqet e internetit, nëpër forume e në vende të tjera, kështu që ngacmimi ngec në zemër dhe pothuajse nuk del më prej saj. Të njëjtën gjë thuaj edhe për këto epshe, të cilat sot janë më afër secilit prej nesh sesa dora te goja; janë shumë afër dhe lehtësisht të arritshme, pa lënë mënjanë dhe shtysat që janë gdhendur në shpirtin e njeriut, për të cilat Allahu thotë: “Njerëzve u është zbukuruar dashuria për kënaqësitë: për gratë, fëmijët, pasuritë e grumbulluara prej ari e argjendi, kuajt e bukur, bagëtitë dhe tokat e punuara. [Al Imran: 14], atëherë kur shejtani e josh atë për të marrë pasuri që nuk i takon (nuk është e lejuar), për të cenuar nderin e dikujt, apo për gjëra të tjera si këto.

Gjithashtu, shiko nëse kjo përmendje (dhikr) bëhet në xhami, çfarë ndodh?! Ebu Khal-lad el-Misri – Allahu e mëshiroftë – thotë: “Kush hyn në Islam, ka hyrë në një fortesë; e kush hyn në xhami, tashmë ka hyrë në dy fortesa.”6

Këto janë shtëpitë e Allahut, vendet më të dashura tek Allahu, ndërsa vendet ku shejtani ngul flamurin e tij janë tregjet; ndërsa xhamitë janë krejtësisht e kundërta e kësaj.

(Vazhdon thënia): “…ka hyrë në dy fortesa; e kush ulet në një rreth (tubim) ku përmendet Allahu i Madhëruar, ai tashmë ka hyrë në tri fortesa.”7

Kjo është arsyeja pse, kur thuhet “një rreth ku përmendet Allahu”, në të hyjnë – siç ka thënë Shejkhul-Islam 8 – tubimet e pastra të dhikrit, tubimet e leximit të Kuranit, tubimet e fikhut (jurisprudencës), tubimet e hadithit, si dhe tubimet e tefsirit (komentimit të Kuranit); të gjitha këto janë prej rrathëve të dhikrit dhe tubimeve të përmendjes së Allahut.

Ky është edhe sekreti që e dëshmojnë shumë njerëz kur thonë: “Kur marrim pjesë në këto tubime, edhe pse në to mund të mos ketë ligjërata këshilluese (va’z) por është thjesht një tubim i pastër shkencor – si për shembull kur ndjekin një mësim në fikh, hadith, tefsir apo akide (besim) –, ne vërejmë se shtysat drejt të keqes dhe ligësisë dobësohen.

Disa prej tyre thonë: “Ne paskeshim shpëtuar nga shumë prej të këqijave që i praktikonim dhe i bënim, vetëm falë pjesëmarrjes (në këto tubime), edhe pse mësimi mund të mos fliste drejtpërdrejt për atë çështje. Por, kur ndodhi shkëputja, u kthyem në atë që ishim.

Gjithashtu, kam dëgjuar nga ata që vuajnë prej sihrit (magjisë) dhe gjërave të ngjashme me të, duke thënë: Mezi hyj në xhami, me një mundim dhe përpjekje të madhe qoftë edhe për namaz; ndiej një shtytje (pengesë) te dera e xhamisë. Por, kur hyj në xhami dhe marr pjesë në tubimin e dijes, vazhdimësia në këtë gjë e dobëson jashtëzakonisht shumë ndikimin e kësaj sprove dhe ndihmon në rezistencën e përballjen ndaj saj. Kështu që gjej një forcë, qëndrueshmëri dhe durim, saqë ndikimi i këtij çrregullimi pothuajse zhduket fare. Ndërsa kur shkëputet, ajo gjendje rikthehet, dhe këta shejtanë fillojnë të luajnë me të ashtu siç luajnë fëmijët me top: shkon te ky e te ai, ky i thotë kështu e ai i thotë ashtu, pastaj ky shejtan i shfaq atij apo dikujt tjetër ndonjë ëndërr, e pas kësaj e kapin mendime që e çojnë larg e afër, derisa të hutohet e të mos dijë se çfarë ka: A i është bërë magji (mes’hur)? Apo e ka kapur syri (i keq)? Apo është i prekur nga xhindet (mes)? Dhe secili i thotë diçka ndryshe nga ajo që i thotë tjetri.

Kjo ndodh atëherë kur këta shejtanë veçohen me të dhe sundojnë mbi të. Hadithi që përcjell Imam Buhariu, hadithi i Ebu Hurejrës – Allahu qoftë i kënaqur prej tij –, kur Profeti ﷺ e ngarkoi atë si përgjegjës për sadakanë (mbledhjen) e hurmave të sadakasë, apo për ushqimin; dhe kur ai e kapi atë burrin që vinte natën dhe merrte me grushte (nga ushqimi). Çdo herë ai arsyetohej para tij me nevojën që kishte, me familjen dhe varfërinë e tij, kështu që ai (Ebu Hurejra) e lëshoi herën e parë dhe të dytë, pasi ai u zotua se nuk do të kthehej më.

Në herën e tretë, (Ebu Hurejra) i tha: “Do të të çoj patjetër te dërguari i Allahut ﷺ”. Atëherë ai tha: “A të t’i mësoj disa fjalë që Allahu të të bëjë dobi me to? Kur të shkosh në shtratin tënd, lexo Ajetul-Kursin, nga fillimi deri në fund të tij, sepse prej Allahut do të vazhdojë të ketë mbi ty një mbrojtës dhe asnjë shejtan nuk do të të afrohet derisa të gdhihesh.” Kur ai e njoftoi Profetin ﷺ për këtë, ai tha: “Të ka thënë të vërtetën, paçka se ai është gënjeshtar i madh.”9

Ky shejtan ka ndikime (ndërlidhje) përmes të cilave luan me robin: ai e kalon natën në zgavrën e hundës së tij, si dhe mund të urinojë në veshin e tij nëse ai fle (dhe nuk zgjohet) për namaz. Ai ka edhe ndikime të tjera të fshehta (të botës së gajbit) të cilat ne nuk i perceptojmë dot. Profeti ﷺ na ka urdhëruar që kur të zgjohemi nga gjumi, të mos e zhytim dorën tonë në enë pa e larë atë tri herë 10; e kjo mund të jetë për shkak të ndonjë ndërlidhjeje të fshehtë me shejtanin.

Ëndrrat që i ndodhin robit (ejakulimi në gjumë) i ndodhin vetëm për shkak të lojës dhe talljes së shejtanit me të. Ëndrrat që ai sheh – ëndrrat e këqija dhe ëndrrat shqetësuese – janë prej shejtanit.

Robi mund të bjerë në gjumë pa pasur asnjë sëmundje apo shqetësim, dhe të zgjohet duke qenë në kulmin e ngushtisë, lodhjes dhe vrerit; pra gdhihet ndryshe pa pasur asnjë problem (shëndetësor). Prej nga erdhi kjo? Nga shejtani.

Prandaj, kur njeriu fle, ai shkëputet nga përmendja (dhikri) e Allahut. E nëse ai ka qenë në këtë fortesë, në këtë mbrojtje dhe mbi të ka një ruajtës prej Allahut, atëherë shejtani nuk i vjen dot dhe ai mbetet nën ruajtje. Këto janë çështje të një rëndësie të jashtëzakonshme. Po sikur ai të bjerë në gjumë duke qenë i pakujdesshëm (gafil) ndaj të gjithë kësaj?! Atëherë shejtani mund të gjejë një hyrje nga ku depërton, dhe kështu arrin te robi dhe e lëndon atë.

Në hadithin e Xhabirit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: “Kur njeriu shkon në shtratin e tij, shpejtojnë drejt tij një melek dhe një shejtan. Meleku i thotë: ‘Përfundoje (ditën) me hajër’ – domethënë përfundoje ditën tënde me të mira –, ndërsa shejtani i thotë: ‘Përfundoje me të keqe’. Nëse ai e përmend Allahun e Lartësuar derisa ta zërë gjumi, meleku e dëbon shejtanin dhe vazhdon ta ruajë atë gjatë natës.

Kur ai zgjohet, shpejtojnë përsëri drejt tij një melek dhe një shejtan. Meleku i thotë: ‘Filloje (ditën) me të mira’, ndërsa shejtani thotë: ‘Filloje me të keqe’. Nëse ai thotë:

الحمد لله الذي أحيا نفسي بعد موتها ولم يمتها في منامها، الحمد لله الذي يمسك التي قضى عليها الموت ويرسل الأخرى إلى أجل مسمى، الحمد لله الذي يمسك السماوات والأرض أن تزولا ولئن زالتا إن أمسكهما من أحد من بعده، الحمد لله الذي يمسك السماء أن تقع على الأرض إلا بإذنه.

‘El-hamdu lil-lahil-ledhi ahja nefsi ba’de mevtiha ue lem jumit’ha fi menamiha. El-hamdu lil-lahil-ledhi jumsiku el-leti kada ‘alejha el-meute ue jursilul-ukhra ila exhelin musemma. El-hamdu lil-lahil-ledhi jumsikus-semavati uel-erda en tezula ue le’in zeleta in emsekehuma min ehadin min ba’dihi. El-hamdu lil-lahil-ledhi jumsikus-semae en teka’a ‘alel-erdi il-la bi’idhnihi’

(Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e ngjalli veten time pas vdekjes së saj dhe nuk e bëri të vdesë në gjumin e saj. Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e mban atë shpirt për të cilin ka caktuar vdekjen dhe e dërgon tjetrin deri në një afat të caktuar. Lavdërimi i takon Allahut, i Cili i mban qiejt dhe tokën që të mos shkatërrohen, e nëse ato do të shkatërroheshin, askush tjetër pas Tij nuk do të mund t’i mbante ato. Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e mban qiellin që të mos bjerë në tokë, përveçse me lejen e Tij), Në këto momente meleku e dëbon shejtanin dhe vazhdon ta ruajë atë (besimtarin).”11

Këtë hadith e kanë saktësuar Ibn Hibani, el-Hakimi dhe el-Mundhiri, ndërsa Hafidh Ibn Haxheri e ka vlerësuar si të mirë (hasen).

Në një transmetim tjetër në fund të hadithit (thuhet): “Nëse bie nga shtrati i tij dhe vdes, hyn në Xhenet.”12 Ndërsa në një formulim tjetër (thuhet): “Vdes si dëshmor (shehid).”13

Kështu, në këtë rast ai e ruan besimtarin gjatë gjendjes së gjumit, gjë për të cilën flet edhe hadithi i parë, vërtetësia e të cilit është e pakontestueshme.

Gjithashtu, në hadithin e Ibn Abasit në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) thuhet se Profeti ﷺ ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush, shkon pranë bashkëshortes së tij (për marrëdhënie) dhe thotë:

بسم الله، اللهم جنبنا الشيطان، وجنب الشيطان ما رزقتنا.

Bismil-lah. Allahumme xhennibnesh-shejtane ue xhennibish-shejtane ma razaktena’ (Në emër të Allahut. O Allah, na e largo ne shejtanin dhe largoje shejtanin nga ajo me çfarë na furnizon/na dhuron). Nëse furnizohen me një fëmijë (nga ajo marrëdhënie), shejtani nuk do të mund ta dëmtojë kurrë atë fëmijë.”14

Përmes të gjithë kësaj, robi ndodhet në një fortesë dhe i ruajtur nga ky armik, i cili rri në pritë dhe i vjen nga çdo anë: nga para, nga kjo anë, nga ajo anë dhe nga prapa; e vëzhgon atë duke kërkuar ndonjë çast pakujdesie. Sa e sa njerëz nuk kanë pasur asnjë sëmundje e asnjë problem, dhe papritmas ndryshojnë: u ndryshojnë tiparet e fytyrës, u ndryshojnë sytë, u ngrihen qimet e fytyrës, dhe mbeten në një pamje e në një gjendje të shëmtuar, madje mund t’u ndryshojë edhe zëri e t’u përmbysen të gjitha gjendjet, saqë brenda një çasti nuk është më ai njeri që njihnit! Nga çfarë vjen kjo?!

Allahu i Lartësuar e ka sqaruar gjendjen e ngrënësit të kamatës në Ahiret duke thënë: “Ata që e hanë kamatën, nuk ngrihen (nga varret) ndryshe, veçse siç ngrihet ai që shejtani e ka goditur me çmendi.” [El-Bekare: 275].

Kjo goditje herë mund të jetë e shkaktuar nga tumorët në tru apo nga avujt që ngjiten në të – domethënë ka një shkak mjekësor të perceptueshëm –, e herë mund të jetë për shkak të shejtanit që e godet dhe e rrëzon atë përtokë, sipas tekstit të Kuranit: “…që shejtani e ka goditur me çmendi.” Ai rrëzohet dhe përpëllet. Por cila është rruga për të shpëtuar prej tij?

Në të gjitha ajetet ku përmendet ngacmimi (nxitja) e shejtanit, më pas vjen – siç ka thënë Hafidh Ibn Kethiri 15 – urdhri: “Kërko mbrojtje tek Allahu (bëj istiadhe)” [El-A’raf: 200]; pra, kërkimi i mbrojtjes.

Ndërsa për shejtanët njerëz (vjen urdhri): “Largoje të keqen me atë që është më e mira” [El-Mu’minun: 96].

Siç ka thënë Hafidh Ibn Kethiri – Allahu e mëshiroftë –: “Njeriu, për shkak të origjinës së tij të mirë dhe fisnike, ndaj tij bën dobi sjellja e butë dhe largimi i të keqes me atë që është më e mira. Ndërsa me shejtanin xhind nuk ka asnjë rrugë për sjellje të butë apo mirësi ndaj tij; ai nuk largohet ndryshe përveçse duke kërkuar mbrojtje tek Allahu (me istiadhe).”

Prandaj edhe jemi urdhëruar që kur dëshirojmë të lexojmë Kuran, të kërkojmë mbrojtje tek Allahu. p

Pse të kërkojmë mbrojtje tek Allahu?

Ne pastrohemi para leximit si gjë e pëlqyeshme (mustehab) dhe kërkojmë mbrojtje (bëjmë istiadhe), me qëllim që të na bashkohen të dyja pastërtitë: pastërtia me të cilën jemi urdhëruar përmes ujit (apo asaj që zëvendëson ujin) dhe pastërtia tjetër, e cila është çlirimi nga mendimet e shejtanit, pëshpëritjet (vesveset) e tij dhe nga ajo që ai hedh e dikton. Ai ia turbullon mendimet këtij lexuesi, ashtu siç ia ngatërron edhe falësit të namazit – siç ka njoftuar Profeti ﷺ – duke i thënë: “Kujto këtë, kujto atë, kujto atë.” Ai ia ngatërron atij pastërtinë (abdesin) e tij, duke vepruar me të në mënyra të tilla që e bëjnë të imagjinojë (të dyshojë) se i është prishur abdesi. Gjen shumë njerëz që vuajnë nga kjo gjë. E si mund të jemi në një fortesë (të mbrojtur)?

Disa njerëz mund të thonë: “Unë i them dhikret, unë i ruaj (i praktikoj rregullisht) dhikret.” Ne i themi: Po, ti mund t’i ruash dhikret, mirëpo ti nuk i koncepton (nuk i kupton) këto dhikre; ose nuk ua di kuptimin, ose nuk i përjeton ato me mendje. Domethënë, ai i thotë ndërsa zemra e tij është e shpërndarë (shkujdesur), e për këtë arsye ndikimi (i dhikrit) dobësohet.

E nëse vijmë tek shpjegimi – shpjegimi i dhikreve –, do të bëhet e qartë se këto dhikre mbartin kuptime të thella me rrënjë që shumica prej nesh nuk ndalen tek to; rrënjë të thella me një ndikim të madh e lartësues, saqë po ti sillte njeriu në mendje këto kuptime, do t’i ndryshonte jeta e tij nga fillimi deri në fund.

1. “El Uabilu es Sajib” fq 64.

2. “El Uabilu es Sajib” fq 82.

3. E përcjell Ibn Hibani në Sahihun e tij, me numër (822).
4. E përcjell Ebu Davudi, në kapitujt e gjumit, tema: “Çfarë thotë njeriu kur del nga shtëpia e tij”, me numër (5095), dhe e ka saktësuar Albani në *Sahih el-Xhami’*, me numër (499).
5. E përcjell Buhariu, në librin e fillimit të krijimit, tema: “Cilësitë e Iblisit dhe ushtarëve të tij”, me numër (3293), dhe Muslimi, në librin e dhikrit, duasë, teubes dhe istigfarit, tema: “Vlera e tehlilit, tesbihut dhe duasë”, me numër (2691).
6. “El-Uabil es-Sajib min el-Kelim et-Tajib” (fq 84).
7. Plotësimi i fjalës së Ebu Khal-lad el-Misriut – Allahu e mëshiroftë –.
8. Shiko: “En-Nubuat” të Ibn Tejmijes (1/ 59).
9. E përcjell Buhariu, në librin e fillimit të krijimit, tema: “Cilësitë e Iblisit dhe ushtarëve të tij”, me numër (3275).
10. E përcjell Buhariu, në librin e abdesit, tema: “Pastrimi me gurë (istixhmari)”, me numër (162), dhe Muslimi, në librin e pastërtisë, tema: “Pëlqyeshmëria e moszhytjes së dorës në enë para se të lahet tri herë nga ai që merr abdes apo të tjerët kur dyshohet për papastërtinë e saj”, me numër (278).
11. E përcjell Nesaiu në “El-Kubra”, me numër (10624), Ibn Hibani në Sahihun e tij, me numër (5533), dhe Hakimi në “El-Mustedrek”, me numër (2011), i cili ka thënë: “Ky hadith është i saktë sipas kushtit të Muslimit, por nuk e kanë nxjerrë atë (Buhariu dhe Muslimi)”. Shiko gjithashtu: “It’haf el-Khajret el-Meherah bi Zauaid el-Mesanid el-Asharah” (6/ 405), ndërsa Albani e ka vlerësuar si të dobët në *Daid el-Edeb el-Mufrad*, me numër (1214).
12. E përcjell Nesaiu në “El-Kubra”, me numër (10624), dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij, me numër (5533).
13. E përcjell Nesaiu në “El-Kubra”, me numër (10623).
14. E përcjell Buhariu, në librin e lutjeve (duave), tema: “Çfarë thotë njeriu kur shkon pranë bashkëshortes së tij”, me numër (3271), dhe Muslimi, në librin e martesës, tema: “Çfarë është e pëlqyeshme të thuhet gjatë marrëdhënies intime”, me numër (1434).
15. Shiko: *Tefsir Ibn Kethir*, redaktimi i Selameh (1/ 110).

Autor: Dr. Halid bin Uthman es Sebt

Përktheu: Fatjon Isufi

 

 

Dosje: ,

Loading...