Këshillë me vlerë nga shejh Suhejmi që sqaron se kush janë shkaktarët e fitneve dhe sjelljet e tyre

December 3, 2010

Këshillë me vlerë nga shejh Suhejmi që sqaron se kush janë shkaktarët e fitneve dhe sjelljet e tyre
Burimi: www.sahab.net
Shejh Suhejmit iu drejtua një pyetje dhe ai tha:
E lusim Allahun që të na ruajë dhe na shpëtojë. Problemi i shumë kërkuesve të dijes është se ata i kalojnë kompetencat e tyre, u duket vetja sikur dinë, pavarësisht se janë injorantë. Këta që grupohen dhe fillojnë dhe nxjerrin kë të duan nga selefizmi dhe fusin kë të duan, këta që i lëndojnë dhe dëmtojnë vëllezërit e tyre, që i ekzagjerojnë gjërat, i hiperbolizojnë, që bëjnë gjueti shtrigash (peshkojnë në ujë të turbullt), që i japin gjykimet si në shitjen me shumicë pa kurrfarë maturie, as verifkimi dhe as referim tek dijetarët që t`i kurojnë ato probleme që hasen, të gjitha këto na bëjnë të dyshojmë në to.Tek Allahu ankohemi për këtë gjendje. Shkaku dhe burimi i gjithë kësaj është injoranca, mos kuptimi në fe, horizonti i ngushtë, dritë-shkurtësia, idiotësia, inati, zilia, sëmundjet që burojnë nga zemra.

O vëllai im i nderuar! Le ta zëmë se vëllai yt ka gabuar apo rrëshqitur në dicka apo ndoshta nuk e ka të qartë të saktën në atë cështje dhe nuk tërhiqet nga ai gabim, por ai ecën në përgjithësi sipas menhexhit të selefëve.A të lejohet ty që ta sprovosh në këtë lloj mënyre, ta konsiderosh bidatci, ta nxjerrësh nga selefizmi si të do qejfi ty?!! Kjo nuk është nga menhexhi i ehlu sunetit dhe xhematit, përkundrazi kjo rrugë është nga metodat e hizbinjve, madje as hizbinjtë nuk e bëjnë dicka të tillë me pasuesit e tyre.

Prandaj cështja kërkon logjikë të shëndoshë, maturi, personalitet, mos ngutshmëri, verifikim, zemërgjerësi.
Mirëpo disa vëllezër përvec ekspozimit që i bëjnë vetes sikur janë të ditur, janë të sprovuar dhe me cilësinë e zemërimit, zemërohen për shkakun më të rëndomtë, ndaj kur zemërohet fillon dhe i klasifikon vëllezërit si i do qejfi. Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:” Nuk është i forti ai që i mund të gjithë por i forti i vërtetë është ai i cili e përmban veten kur zemërohet”, po ashtu Allahu thotë: “ O ju të cilët keni besuar, nëse u vjen ndonjë fasik(i prishur, mëkatar) me ndonjë lajm, verifikojeni atë, ashtuqë të mos godisni një popull me injorancë dhe të pendoheni për atë që bëtë”(Huxhurat 6) dhe thotë: “ O ju të cilët keni besuar, largohuni nga shumë paragjykime sepse një pjesë prej tyre janë mëkat” (Huxhurat 12) dhe thotë: “O ju të cilët keni besuar kur të dilni në rrugë të Allahut, jini të qartë dhe mos i thoni atij që u jep selam:Ti nuk je musliman, duke e bërë këtë për qëllime të kësaj dunjaje” (Nisa 94). Po ashtu Profeti salallahu alejhi ue selem thotë: “ Largojuni paragjykimit sepse është thënia më e gënjeshtërt” dhe thotë: “ Sa zakon i keq është për njeriun të thojë: Më duket”.

Thashethemet janë sëmundje e rrezikshme, të cilën po e përjetojnë vëllezërit tanë në disa vende ku nuk ka dijetarë apo nxënës dije – e cila me sa duket na është transferuar dhe në vendin tonë(Saudi)-, i sheh ata se si kacafyten mes tyre për shkaqe nga më të rëndomtat dhe të pavlerat apo për gjëra të cilat mund të kurohen dhe korrigjohen, pastaj fillojnë dhe i japin mësim njëri-tjetrit, pastaj konsiderojnë njëri tjetrin mëkatarë, bidatcinj, ndoshta kjo i shtyn që të përflasin dhe dijetarët tanë të nderuar, ata më të mëdhenjtë, duke mos pasur asnjë lloj rezerve në kët sepse ka arritur në fazën që pretendon se di, pretendim që e ka verbuar, që nuke lë të kuptojë, i verbër që nuk sheh dhe i shurdhër që nuk dëgjon.
O vëllezërit e mi! U këshilloj- qoftë pyetësin dhe të tjerët- të tregoheni të urtë dhe të matur, të silleni butë me vëllezërit tuaj, sepse butësia e zbukuron gjënë ndërsa ashpërsia e shëmton gjënë dhe se Allahu jep nëpërmjet butësisë atë që nuk e jep nëpërmjet ashpërsisë dhe vërtetë Allahu e do butësinë në cdo cështje. Allahu i thotë Profetit s. a: “Për shkak të mëshirës së Allahut, ti sillesh butë me ta, sepse nëse do ishe zemër-vrazhdë dhe i ashpër do largoheshin prej teje”(Ali Imran 159). Ki kujdes, mos u sill ashpër me vëllezërit e tu, madje me të gjithë muslimanët, e aq më tepër me vëllezërit që të bashkon i njëjti menhexh, shpresojmë që të na lehtësohen punët dhe të kemi mësime me temën se si duhet të sillemi me atë që ka gabuar apo është në rrugë tjetër të kundërt me tonën.

U porosis që të lexoni një libër, i cili pavarësisht se me volum të vogël por është madhështor në kuptimet që bart,në lidhje me mënyrën se si duhet të sillemi me atë që gabon, i vëllait tonë, shejhut Ibrahim bin Amir er-Ruhejli, libri quhet: Këshilla për të rinjtë. Libër madhështor dhe mos lejoni që tu pengojë armiqësia e atyre që nuk e duan këtë shejh apo që nuk e duan këtë libër me pretendimin se ai është libër temji`ij (zbutës dhe tolerues në cështjet e menhexhit), sepse temjiu i vërtetë është nxitja dhe shkaktimi i fitneve, ky është temjiu i vërtetë: pretendimi i diturisë nga ata që nuk u takon. Gjithashtu lexoni dy libra madhështorë, i pari quhet: Dallimi ndërmjet këshillës dhe demaskimit, i Ibn Rexhebit, Allahu e mëshiroftë, ndërsa i dyti quhet: Stolisja e nxënësit të dijes, i Bekr Ebu Zejdit-Allahu e mëshiroftë-, të cilin aktualisht unë po e jap mësim me shpjegim, në Xhaminë Profetike.

Prandaj tregohuni të kujdesshëm o ju vëllezër! O pyetës dhe ata që janë me ty! Përcilli selamet e mia tek vëllezërit tanë në vendin tënd dhe thuaju: Kini frikë Allahun në lidhje me njëri-tjetrin, dhe thuaju që t`i përmbahen rrugës së drejtë , të njohur dhe të ndjekur, thuaju që secili të merret me të metat e tij në vend që të angazhojë veten me të metat e njerëzve. Të mos hiqen sikur po kuptojnë nga feja, t`i duket vetja sikur është një nga ata që mund të bëjnë xherh dhe ta`dil, ndërkohë që as kuptimin nuk ia dinë xherhit dhe ta`dilit. Kjo lloj sjelljeje është bërë shkak që dijetarët tanë të mëdhenj të mos japin më fetva nëpërmjet telefonit, për shkak të fitneve të këtyre.
Dikush nga këta merr në telefon ndonjë nga shujuhët tanë dhe drejton një pyetje të duhur –sipas pretendimit të tij- dhe shejhu i përgjigjet saktë dhe sic duhet, duke qenë përgjigje në përputhje me formën e pyetjes, ndërsa në të vërtetë nijeti i pyetësit ishte i ndyrë. Kishte vendosur që në fiilim nijetin e tij të mbrapshtë që në nisjen e pyetjes. Cfarë bën ai pasi e merr këtë përgjigje? Pas pak orësh e gjen të shkruar në internet me një titull me shkronja të mëdha: Kundërpërgjigjia e shejh Filanit ndaj filanit. Vini re! Pyetja nuk përmendte asgjëkundi ndonjë emër, po ashtu përgjigjia e dijetarit të nderuar nuk ka asnjë përmendje emri, por pyetësi që në fillim ka pyetur me qëllim të ndyrë, të përplasë fjalët e dijetarëve mes tyre dhe përpiqet t`i mashtrojë nxënësit e dijes me këtë lloj mënyre. Ky lloj njeriu është i dobët në adhurim, ndaj namazeve nuk është i kujdesshëm, as ndaj xhematit në xhami,as nuk i di disa nga dispozitat e namazit apo të abdesit, ndërkohë që e ka vetë-emëruar veten në rolin e dijetarit të xherhit dhe ta`dilit, duke gjykuar për njerëzit sipas tekave të tij duke mos pasur bagazh tjetër përvec asaj që i thonë tekat e tij. I them këtij njeriu: Ki frikë Allahun o rob i Allahut, Allahu e mëshiroftë atë njeri që i njeh kufinjtë e vetes . Kur t`i nxjerr këto lloj “fetvash” për vëllezërit e tu, përkujto fjalën e Allahut: “ Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne e dimë se cfarë i pëshpërit vetja, sepse Ne jemi më afër se sa damari i qafës së tij. Ka pranë vetes dy shënues të gatshëm,njëri nga e djathta dhe tjetri nga e majta. Nuk shqipton ndonjë fjalë vecse është e mbikqyrur” (Kaf 16-18)

O rob i Allahut, përkujto se njeriu mund të flasë një fjalë që atij i duket e parëndësishme por që me të zhytet në xhehenem 70 vite largësi.
O rob i Allahut, përkujto se mishrat e dijetarëve janë të helmuara dhe se është e njohur historikisht tradita e Allahut në demaskimin dhe poshtërimin e atyre që i ofendojnë dijetarët.

O rob i Allahut, përkujto fjalën e Profetit salallahu alejhi ue selem : “ Kush më garanton mua atë që ka ndërmjet dy mjekrave dhe atë që ka ndërmjet dy kofshëve, unë do i garantoj atij xhenetin”

Kujto fjalën e Profeti salallahu alejhi ue selem: “ Frenoje këtë” duke bërë me shenjë nga gjuha. Atëherë Muadhi i tha: O Rasulallah, a do merremi në llogari për ato që flasim? Tha: “ Të pastë nëna o Muadh! Vallë a mos i hudh njerëzit me turi në zjarr, dicka tjetër përvecse asaj që korrin me gjuhët e tyre?!” dhe tha: “A e dini se kush është i falimentuari? Thanë: I falimentuari tek ne konsiderohet ai që nuk ka dirhem dhe as plackë. Tha: “ I falimentuar nga umeti im është ai i cili vjen Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim, zekat, por ka ofenduar njërin, ka shpifur për tjetrin, ka derdhur gjakun e këtij, ka goditur atë, ndaj i jepen njërit nga të mirate tij, i jepen tjetrit nga të mirat e tij. E nëse i mbarojnë të mirat para se t`i shlyejë gabimet, merren mëkatet e atyre që u ka bërë zullum dhe i hidhen atij dhe hidhet së bashku me to në zjarr”
O ju vëllezër! Përkujtoni vdekjen, atë që vjen pas vdekjes, o rob i Allahut, përkujtoji këto tekste fetare, para se të pendohesh për gjykimin ndaj vëllaut tënd për fisk apo bidat apo kufr.
Le të jetë gjuha jote e ndershme qoftë dhe me kundërshtarët edhe nëse ata të ofendojnë, Allahu thotë: “ Mos ua shani ato që u luten në vend të Allahut, ashtuqë ata më pas të shajnë Allahun nga padrejtësia dhe injoranca” (Enam 108).

Marrë nga kaseta nr 8 gjatë shpjegimit të librit Lum`atul i`tikad në kursin e organizuar në xhaminë Utbeh bin Gazuan në Damam në vitin 1429 h.
Përktheu: Shuajb Rexha, Ebu Duxhanah

Loading...