Këshillë për të rinjtë selefij I

Shejhu i nderuar Ibrahim bin Amir er Ruhajli

Parathënie

Falënderimet i takojne Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.

Këtë këshillë ua drejtoj të rinjve musliman prej ehli sunetit, duke kontribuar kështu në orientimin e muslimaneve dhe në përmirësimin e ehli sunetit, pasi ekzistojnë argumente të shumta që nxisin për këtë.

Shtysë për këtë këshillë është përçarja e thellë në të cilën jetojnë të rinjtë selefij në shumë prej vendeve islame, madje  edhe në vende joislame ku jetojnë pakica muslimanësh. Shkak për këtë përçarje është kundërshtimi në disa çështje ideologjike dhe qëndrime praktike kundrejt disa kundërshtarëve, dhe çfarë rrjedh prej kësaj, si largimi e bojkoti, madje edhe armiqësimi dhe urrejtja mes ehli sunetit, derisa fitnet dhe rreziku i tyre kanë marrë përmasa të mëdha. Kjo gjë ka ndikuar në vazhdën e davetit për në sunet, madje shumë njerëz i ka penguar që ta përqafojnë atë, pasi njerëzit kishin filluar të drejtoheshin drejt saj në shumë prej viseve dhe vendeve.

Këtë këshillë do t’a përmbledh në disa pika. I lutem Allahut të Lartësuar që të më bëjë rrizk në të sinqeritetin në qëllim dhe saktësinë në fjalë, e t’i bëjë dobi kujtdo që e lexon atë prej muslimanëve.

1. Prej bazave themelore në Fe është se : “Muslimani ka detyrë të ndreqë vetveten dhe të përpiqet ta shpëtojë atë, e të largohet prej shkaqeve që e shkatërrojnë, para se të merret me të tjerët prej njerëzve”

Allahu i Lartësuar thotë  “Pasha kohën!

Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.

Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”[1]

Në këtë sure Allahu i Lartësuar na tregon për ata të cilët kanë shpëtuar prej humbjes dhe shkatërrimit. Ata janë që kanë vërtetuar dhe përmbushur këto cilësi. Ata kanë përmbushur besimin dhe punën e mirë në veten e tyre, para se të thërrisnin të tjerët dhe ti këshillonin ata për të vërtetën dhe durimin. Kështu është përcaktuar kjo çështje.

Allahu i Madhëruar i ka kritikuar Beni Israilët për kundërshtimin që i bënë kësaj baze, duke thënë : “A po i urdhëroni (thirrni) njerëzit për punë të mira, e veten tuaj po e harroni? Ndërsa ju e lexoni librin (Tevratin). A nuk po mendoni?”[2]

Prandaj është detyrë për të rinjtë që të preokupohen më rregullimin e vetvetes para se të preokupohen me të tjerët. Kur ata të përmbushin këtë bazë, duke bashkuar mes zbatimit të Fesë së Allahut në vetvete dhe thirrjes së të tjerëve në të atëherë, me të vërtetë do të jenë në rrugën e selefëve. Pas kësaj Allahu do të bëjë dobi me ta, e ata do të jenë thirrësa në Sunet me fjalët dhe veprat e tyre. Betohem në Allahun se kjo është prej gradave më të larta, që nëse dikush do të udhëzohet në të, do të jetë prej robërve të zgjedhur të Allahut Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartësuar thotë : “E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?”[3]
***

2. “Duhet ditur se ehli suneti me të drejtë janë ata që e zbatojnë plotësisht Islamin, si në besim ashtu edhe në sjellje”

Prej kuptimit të mangët është të mendohet se sunij apo selefij është ai që vërteton akiden e ehli sunetit, pa i kushtuar vëmendje aspektit së sjelljes dhe moralit islam dhe, të drejtave reciproke mes muslimanëve.

Ka thënë shejhul Islam Ibnu Tejmije në fund të Akides Uasitije, pasi përmend parimet e ehli sunetit në besim : “Veç asaj çka përmendëm prej bazave, ata (ehli suneti)  : Urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja ashtu siç e obligon sheriati.

Ata besojnë në kryerjen e Haxhit, Xhihadit, Xhumave dhe Bajrameve bashkë me prijësat, sidoqofshin ata të devotshëm apo të degraduar.

Ata (ehli suneti) bëjnë kujdes për kryerjen e namazit me xhemat dhe e konsiderojnë  pjesë të Fesë këshillën ndaj umetit.

Ata besojnë në kuptimin e fjalës së Profetit Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të “Besimtari për besimtarin janë si një ndërtesë e lidhur fortë, që një pjesë e saj shtrëngon tjetrën” dhe ndërthuri gishtat e tij. Dhe në fjalën e tij “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe afrimitetin mes tyre, është si shembulli i një trupi që kur një gjymtyrë apo organ i tij nuk është mirë, atëherë gjithë trupi ndikohet dhe kalon në temperaturë dhe pagjumësi”

Ata (ehli suneti) urdhërojnë për durim në fatkeqësi, për falënderim në bollëk dhe për kënaqjen me Caktimin e hidhur.

Ata thërrasin për morale të larta dhe vepra të hijshme. Besojnë në kuptimin e fjalës së Profetit Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të “Besimtari me besim më të plotë është ai që është më i moralshëm”

Ata nxisin që të rregullosh lidhjet me atë që ti ka prerë, ti japësh atij që nuk të jep dhe të falësh atë që të ka bërë zullum. Urdhërojnë për nderimin e prindërve, për forcimin e mardhënieve farefisnore dhe për fqinjësi të mbarë.

Ata ndalojnë nga mburrja, nga mendjemadhësia, nga padrejtësia dhe teprimi ndaj krijesave, me të drejtë apo pa të drejtë. Urdhërojnë për përsosmërinë e moralit dhe ndalojnë nga sjelljet e ulëta.

Në gjithçka që ata thonë dhe bëjnë, prej këtyre që përmendëm apo të tjerave, ata janë pasues të Kuranit dhe Sunetit, e rruga e tyre është Feja Islame, me të cilën Allahu i Madhëruar dërgoi Muhamedin Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të”
***

3. Prej qëllimeve madhështore që nxit Islami për to është  : “Udhëzimi i njerëzve në këtë Fe”

Profeti Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të i ka thënë Aliut Allahu qoftë i kënaqur me të : “Nëse Allahu me ty udhëzon një njeri të vetëm është më mirë për ty sesa devetë e kuqe”[4]

Prandaj bëhet detyrë për këdo që Allahu i ka dhënë mirësi dhe e ka udhëzuar në Sunet, që të preokupohet me thirrjen e atyre që nuk e njohin atë (Sunetin) apo që janë të mangët në të. Duhet që të shfrytëzohen të gjitha metodat e mundshme për udhëzimin e njerëzve, për afrimin dhe zbutjen e zemrave të tyre për të pranuar të vërtetën. Kjo bëhet duke iu drejtuar atyre me butësi, ashtu siç Allahu i Madhëruar i ka thënë Musës dhe Harunit Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi ta : “Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet”[5]

Allahu i Lartësuar na ka treguar se si Faraoni e kishte tejkaluar cakun, madje Allahu e dinte për të se ai do të vdiste si mohues, e megjithatë Ai urdhëroi që atij ti flitej me butësi. Çfarë mund të thuhet pas kësaj për gabimtarët prej muslimanëve, si duhet të sillemi me ta?

Me njerëzit që thërret mund të përdorësh edhe tituj që përshtaten me pozitën e tyre. Profeti Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të i ka shkruajtur Heraklit duke i thënë  “Drejtuar Heraklit, të madhit të romakëve”. Madje me kreun e munafikëve, Abdullah bin Ubej bin Selul, përdorte epitetin “Ebul Habab”

Gjithashtu të kihet parasysh durimi në rastet e sjelljes së keqe që shfaqet nga disa prej atyre që do të thërrasësh. Ta presësh me butësi dhe të mos nxitohesh për t’iu përgjigjur atyre. I Lartësuari thotë : “Ti (Muhammed) duro, ashtu sikurse duruan të dërguarit e vendosur dhe mos kërko ngutjen e dënimit për ta”[6]
***

4. Kërkuesit e dijes, sidomos thirrësit prej tyre, duhet të bëjnë dallim mes mirësjelljes e butësisë me njerëzit dhe lajkave e servilizmit. Mirësjellja dhe butësia janë të kërkuara, dhe lidhen me suksesin në marrdhënie. Në librin “Lisanul arab” thuhet : “Mirësjellja me njerëzit : butësia, afrimiteti dhe durimi në shoqëri, në mënyrë që të mos largohen prej teje”.

Ndërsa servilizmi është i nënçmuar dhe ndikon negativisht në Fe. Allahu i Lartësuar thotë : “Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime, kështu që dhe ata të bëjnë lëshime”[7] Ka thënë Hasen el Basri për kuptimin e ajetit : “Ata dëshirojnë që ti të lëshosh pe nga Feja jote që edhe ata të lëshojnë pe nga e tyre”[8]

Muslimani me moral, është i butë në marrdhënie pa lëshuar pe nga feja e vet. Ndërsa servili u afrohet njerëzve duke bërë lëshime në anën e fesë.

Profeti Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të ishte më i moralshmi në mesin e njerëzve dhe më i buti me umetin. Kjo tregon anën e butësisë dhe mëshirës në davetin e tij. Gjithashtu ai ka qenë më i përpikëti në fenë e Allahut, e nuk i lëshonte pe askujt, kushdo që të ishte ai. Kjo tregon anën e seriozitetit në fe, gjë që nuk përputhet me servilizmin.

Prandaj, nxënësit e dijes duhet të bëjnë kujdes në dallimin mes këtyre dy çështjeve, sepse ka prej njerëzve që mendojnë se mirësjellja dhe butësia me njerëzit janë dobësi në fe dhe servilizëm. Ndërkohë që një grup tjetër, e konsideron butësinë me njerëzit, si pranim të gabimeve të tyre, apo si heshtje ndaj të kotës. Secili prej këtyre mendimeve është i gabuar dhe larg të vërtetës. Prandaj le të jemi të vëmendshëm për këtë, sepse është një çështje delikate, që nuk e kupton atë veçse ai që Allahu e ruan dhe e udhëzon.
***

5. Thirrësi, në rrugën e davetit përdor dy mënyra, për të cilat kanë orientuar argumentet:

  • Mënyra e butësisë dhe nxitjes
  • Mënyra e kritikës dhe bojkotit

Gabojnë ata që përdorin vetëm një mënyrë me këdo. Duhet përdorur me secilin kundërshtar mënyra që është më efikase për të, që ai ta pranojë të vërtetën dhe të kthehet në rrugën e drejtë. Nëse butësia është më e dobishme me kundërshtarin dhe më shpresëdhënëse për udhëzimin e tij, atëherë vetëm ajo lejohet të përdoret me të. Nëse është bojkoti ai që ndikon për mirë, atëherë ai është i lejuari. Prandaj kush përdor mënyrën e butësisë me ata që meritojnë bojkotin, i tilli është i pakujdesshëm dhe neglizhent. Ndërsa kush përdor mënyrën e bojkotit me ata që meritojnë butësi, nuk është tjetër veçse denigrues dhe ekstremist.

Shejhul Islam Ibnu Tejmije thotë : “Bojkoti ndryshon në varësi të bojkotuesve, a janë ata të fortë apo të dobët, të paktë apo të shumtë? Qëllimi i tij është kritika e të bojkotuarit dhe edukimi i tij, dhe tërheqja e vemendjes njerëzve të tjerë që të mos bien në të njëjtin gabim. Nëse në të ka dobi të dukshme, në mënyrë që bojkoti ka çuar në dobësimin e të keqes dhe zhdukjen e saj, atëherë ai është i lejuar. Por nëse as i bojkotuari dhe as të tjerët nuk kanë dobi prej tij, për shkak se bojkotuesi është i dobët, por edhe se shtohet e keqja dhe dëmi është më i madh se dobia, atëherë nuk lejohet bojkoti. Prandaj me disa njerëz butësia është më e dobishme sesa bojkoti, ndërsa me disa të tjerë, bojkoti është më i dobishëm sesa butësia. Për këtë arsye Profeti Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të, me disa njerëz sillej butë dhe i afronte, ndërsa me disa të tjerë ishte i ashpër dhe i bojkotonte. Ashtu si me armikun, që nganjëherë kundrejt tyre lejohet lufta, nganjëherë paqja apo marrëveshja, dhe nganjëherë marrja e xhizjes, në varësi të gjendjes dhe dobisë. Edhe dijetarët si imam Ahmedi etj, në këtë çështje përgjigjen sipas këtij rregulli.”[9]

Thotë (Allahu e mëshiroftë) duke sqaruar gabimin që bëhet kur përgjithësohet njëra prej dy mënyrave, bojkoti apo butësia, pa e marrë parasysh rregullin e mëparshëm : “Disa njerëz e zgjodhën bojkotin dhe kritikën si mënyrë të tyre dhe e përdorën atë në çështje që nuk ishin urdhëruar për to, e bojkoti nuk ishte as detyrë e as i pëlqyer. Madje për shkak të bojkotit ata lanë cfarë kishin uaxhib dhe sunet dhe ranë në haram. Ndërsa disa të tjerë hoqën dorë tërësisht nga bojkoti, derisa nuk braktisën as çfarë ishin urdhëruar për bojkotimin e tyre prej të këqiave të shpikura”[10]

Vazhdon ….

Përktheu Mirandi Shehaj


[1] Sureja Asr

[2] Sureja Bekare 44

[3] Sureja Fusilet 33

[4] Buhari dhe Muslimi. Devetë e kuqe ishin pasuria më e shtrenjtë për arabët.

[5] Sureja Ta Ha 43-44

[6] Sureja Ahkaf 35

[7] Sureja Kalem 9

[8] Tefsiri i Begauiut 4/377

[9] Mexhmuul Fetaua 28/206

[10] Mexhmuul Fetaua 28/213